“Po e largoj Dimalin…”, Limaj zbulon ofertën e minutave të fundit që Kurti i bëri të dielën

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka treguar për ofertën e minutave të fundit të Albin Kurtit në këmbim të votave të partisë së tij për Qeverinë e re. 

Limaj ka treguar se të dielën kur ishte caktuar seanca për votimin e Qeverisë, ka zhvilluar një takim 10 minutësh me Kurtin, ku ky i fundit i ka treguar se ka gatishmëri për ta larguar Dimal Bashën nga kryetari i Kuvendit dhe për ta zhvendosur në ministri.

Kreu i NISMA-s ka treguar në Klan Kosova se që nga zgjedhja e Dimal Bashës kryetar i Kuvendit të Kosovës s’kanë pasur kurrfarë komunikimi me Kurtin dhe se janë takuar vetëm të dielën në ambientet e Kuvendit.

Megjithatë Limaj ka treguar se s’ka pranuar, meqë qëndrimi i tij është se Dimal Basha s’duhet të jetë në asnjë pozitë pas shkrimit për UÇK-në.

Murati reagon pas vendimit të Supremes: “Ky udhëzim nuk është i Qeverisë Kurti”

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Supremja sot shfuqizoi një nen të udhëzimit administrativ për veteranët e UÇK-së.

Murati thotë se udhëzimi administrativ  ishte miratuar në vitin 2015 dhe jo në qeverinë Kurti, teksa ka ftuar mediat të mos e prezantojnë si vendim të qeverisë aktuale.

“Në fakt, ishte pikërisht kryeministri Kurti ai që paralajmëroi se kufizimi i punësimit për veteranët e luftës së UÇK-së do të hiqet.

Çka parashihte neni i kontestuar i Udhëzimit Administrativ?

Ai nen parashihte që për të aplikuar për benefitin e veteranit të UÇK-së, ndër tjera duhej dorëzuar edhe dëshminë nga ATK që veterani nuk ishte i punësuar” u shpreh Murati.

Ky është postimi i plotë i tij:

Gjykata Supreme sot ka publikuar Aktgjykimin për shfuqizimin e një neni të një Udhëzimi Administrativ për Veteranët e Luftës së UÇK-së, udhëzim ky i miratuar në vitin 2015 në kohën e Qeverisë së përbërë nga koalicioni PDK-LDK.

Pra nuk bëhet fjalë për shfuqizim të ndonjë Udhëzimi Administrativ të miratuar përgjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Prandaj ftoj edhe mediat të përmbahen nga raportimet tendencioze që gabimisht tentojnë ta prezantojnë këtë si vendim të Gjykatës që shfuqizon ndonjë akt nënligjor të Qeverisë Kurti.

Në fakt, ishte pikërisht Kryeministri Kurti ai që paralajmëroi se kufizimi i punësimit për Veteranët e Luftës së UÇK-së do të hiqet.

Çka parashihte neni i kontestuar i Udhëzimit Administrativ?

Ai nen parashihte që për të aplikuar për benefitin e Veteranit të UÇK-së, ndër tjera duhej dorëzuar edhe dëshminë nga ATK që Veterani nuk ishte i punësuar.

Pse e shfuqizoi Gjykata Supreme këtë nen të Udhëzimit Administrativ?

Sepse Gjykata e konsideroi që bie ndesh me Nenin 16A të Ligjit të ndryshuar/plotësuar për Veteranët e Luftës së UÇK-së. Ky ndryshim/plotësim ishte bërë në vitin 2017, poashtu gjatë kohës kur vendi qeverisej nga koalicioni PDK-LDK.

Neni 16A parashihte kategorizimin e Veteranëve në tri kategori, sipas periudhës së pjesëmarrjes në luftë, dhe pas përfundimit të këtij kategorizimi parashihte edhe mundësinë që Veteranët që punonin jashtë sektorit publik të mund të përfitojnë 50% të shumës së benefitit sipas kategorisë përkatëse.

Interpretimi mbizotërues i deritanishëm në lidhje me këtë paragraf që mundëson përfitimin e benefitit edhe për ata që punojnë jashtë sektorit publik ka qenë që, parakusht i zbatimit të këtij paragrafi është përmbyllja e kategorizimit të Veteranëve sipas paragrafit 4 të nenit në fjalë.

Ne do të analizojmë me zyrën ligjore në MFPT nëse Aktgjykimi i sotëm i Supremes është i mjaftueshëm që t’u mundësohet përfitimi i benefitit edhe Veteranëve të UÇK-së që punojnë jashtë sektorit publik, edhepse kategorizimi i paraparë sipas Nenit 16A nuk është bërë deri më tani, apo nëse ka nevojë për ndryshime ligjore shtesë të cilat edhe ashtu kanë qenë në plan.

Sido që të jetë, Kryeministri Kurti tashmë e ka dhënë zotimin publik, dhe ne do të punojmë për ta jetësuar atë zotim sa më parë.

Burri akuzon gruan: Iki te një burrë tjetër, m’i la 5 fëmijët, nuk po mi jep shtesat e tyre

Pasditja nuk e gjen asnjëherë Gafurr Rexhepin në shtëpi.

28-vjeçari nga Fushë-Kosova, mes punës e halleve, po mundohet të mbajë gjallë pesë fëmijë të vegjël.

Të njëjtën ditë kur duhej të siguronte bukën e gojës, ai u detyrua ta lërë punën për të shkuar në gjykatë. Në duar, Gafurri mban një copë letre nga Gjykata në Fushë-Kosovë, aty ku më 20 tetor, për herë të parë pas tri vjetësh, u përball me ish-gruan, Selvete Kadriajn.

Sipas Gafurrit, ajo kishte ikur nga shtëpia për t’u martuar me dikë tjetër, duke braktisur pesë fëmijët e tyre.

“Nuk na ka thirrë asnjëherë, as me pa si janë fëmijët. Asnjë telefonatë s’ka bo”.

Por ajo që e dhemb më shumë, thotë Gafurri, nuk është vetëm mungesa e nënës.

Janë edhe paratë e fëmijëve, shtesat që ndante Qeveria e Kosovës çdo muaj, të cilat për tre vjet përfunduan në xhirollogarinë e Selvetes.

“I mori krejt paratë e fëmijëve. 990 euro gjithsej, e asnjë cent s’ua ka dhanë.”

Si shkak i kësaj, djali i madh thotë se ka lënë edhe shkollën.

Në oborr luajnë tre prej fëmijëve, ndërsa dy të tjerët ndihmojnë babain me punët e shtëpisë.

E rëndë: Nusja i jep fund jetës pasi familja e burrit e kritikoi për vellon e hapur

Një rast i rëndë ndodhi në Mingachevir të Azerbajxhanit, ku një nuse i dha fund jetës pasi familja e burrit të saj e kritikoi fustanin e saj të nusërisë si ‘shumë zbulues’ dhe ‘provokues’.

Lyaman Mammadli, 19 vjeçare, u akuzua se dukej ‘lakuriq’ pasi supet e saj ishin lënë të zbuluara. 

Babai i saj, Murad Bayramov, tha se ajo ishte tronditur nga kritikat dhe i mori jetën vetes në kopshtin e shtëpisë së familjes së saj.

Ai e mohoi se vajza e tij mund të jetë ndjerë e detyruar të martohet me një burrë më të madh në moshë, Elnur Mamedli, 33 vjeç.

Bëhet e ditur se, burri i saj i ri shkoi në funeral, por babai i shqetësuar tha se “nuk pranoi t’i linte të qëndronin” dhe “i nxori jashtë”.

Policia po e heton rastin nëse duhet të nisë një çështje penale për “ngacmimin” e nuses para vdekjes së saj tragjike. /Klankosova.tv 

Tronditëse: Lyaman Mammadli, 19 vjeç, u akuzua se dukej 'lakuriq' në ditën e saj të madhe sepse supet e saj ishin lënë të zbuluara.

Duke hedhur poshtë pretendimet: Babai i Mammadli-t mohoi raportet e medias se vajza e tij mund të jetë ndjerë e detyruar të martohet me një burrë më të madh në moshë, Elnur Mamedli-n, 33 vjeç.

Në Shqipëri ndodh edhe kjo: Pronari i kalit e vrau turistin në sy të fëmijëve dhe bashëshortes, veç pse s’e pagoi foton
Mospagesa për një foto me kalin u bë shkak i vrasjes së ndodhur pasditen e kësaj të marte pranë kalasë së Beratit.

Viktima, Keli Hoxha ishte me nënën, bashkëshorten dhe dy fëmijët pranë kalasë. Ai u ka bërë foto fëmijëve me kalin dhe nuk ka paguar para.

Pas kësaj ka nisur debati mes tyre, që përfundoi tragjikisht, transmeton Klankosova.tv

Pronari i kalit, Kristo Mema alias Kastriot Hoxha, 63 vjeç, e qëlloi me thikë turistin nga Tirana, në sy të familjarëve të tij.

I dyshuari është arrestuar, ndërsa sipas Top Channel rezulton me të kaluar kriminale në Greqi./Klankosova.tv

Mospranimi i vajzës në punë, eskalon Osman Musliu – përmend vetëgjyqësinë e gjyqtarin që u vra në Tiranë

Imami nga Drenica, Osman Musliu, në një intervistë në FRONTAL të T7 ka shprehur zhgënjimin e tij për faktin se vajza e tij s’po arrin të punësohet në institucionet e shtetit. Ai ka akuzuar zyrtar brenda Ministrisë së Mbrojtjes se “ia kanë fshehur” dokumentacionet e saj kur ka aplikuar dhe ka paralajmëruar se do t’i shkojë deri në fund këtij rasti.

Në një moment gjatë intervistës, imami nga Drenica ka thënë se “nuk e ka ndërmend të luftoj”, por ka shtuar se nuk përjashton asgjë, duke përmendur edhe vetëgjyqësinë dhe rastin e vrasjes së gjyqtarit në Tiranë.

Ai ka thënë se kur njeriu bllokohet “s’përjashtohet asgjë”.

“Unë, menden me luftu s’e kam, por nuk përjashtoj kurgjo. Se kur e vrajtën atë gjykatësin në Tiranë, shumë media qysh.. unë e di që është keq me vetëgjyësu, por kur bllokohet njeri s’përjashtohet kurgjo, bllokohet. E di që s’është vepër e mirë”, ka thënë ai në FRONTAL.

“Vajza jem mem thanë, cila është arsyeja bab me nejt në Kosovë. Një vajzë e tillë me thanë cila është arsyeja me nejt në Kosovë, e Prokurori me lujt me dinjitetin e familjes e vajzës time e me u end shlirë”, ka shtuar tutje Osman Musliu./Express/

Netanyahu e urdhëron ushtrinë të kryejë sulme të menjëhershme në Gazë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka urdhëruar ushtrinë  të kryejë sulme “të fuqishme” në Rripin e Gazës, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.

Ai e akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

“Pas konsultimeve rreth sigurisë, kryeministri Netanyahu udhëzoi ushtrinë që menjëherë të kryejë sulme të fuqishme në Rripin e Gazës”, tha zyra e Netanyahut pa dhënë hollësi të tjera.

Ky zhvillim vjen pasi Hamas dërgoi në Izrael mbetje të të njëjtit trup.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – i ndërmjetësuar nga SHBA – hyri në fuqi më 10 tetor, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.

U ‘kap’ duke marr ryshfet? Gjykata jep verdiktin për prokurorin

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, të hënën është arrestuar prokurorin Beqë Shala, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Burimet të IndeksOnline kanë bërë të ditur se ndaj të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, në kuadër të hetimeve që lidhen me dyshimet për marrje ryshfeti

Prokurori Shala është arrestuar në vendin e tij të punës, ndërsa Prokuroria Speciale në koordinim me Policinë e Kosovës ka konfirmuar se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

Hetimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërsa Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me rastin.

Supremja merr vendim për të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.

Gjykata Supreme, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një paqartësi dhe konfuzion juridik në raport me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

“Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, Gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik. Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: “Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, thuhet në njoftim.

Gjykata vlerëson se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë.

Kësisoj, e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se kërkesa e Ministrisë për paraqitjen e dokumentit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e përcaktuar në udhëzimin kontestues që dëshmon se veterani “nuk është në marrëdhënie pune”, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor.

“Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ që kërkon një vërtetim të tillë në formën aktuale, duhet të shfuqizohet ose të harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, me qëllim që të sigurohet përputhshmëria vertikale e akteve juridike dhe të garantohet zbatimi i drejtë dhe i njëtrajtshëm i ligjit.

Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me rregullimin e ri ligjor të paraparë në nenin 16A, paragrafi 5 të Ligjit, dhe për këtë arsye, nuk mund të shërbejë si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria ka qenë e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore.

Mos ndryshimi i Udhëzimit Administrativ nr.01/2015, përkundër ndryshimeve të ligjit që kanë ndodhur më vonë respektivisht në vitin 2017, dhe lënia në fuqi e dispozitës nga neni 14.A, paragrafi 1.5, e Udhëzimit kontestues të vitit 2015, bie në kundërshtim me ligjin cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të drejtat e garantuara me ligj.

Të enjten do të mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

Të enjten, me fillim nga ora 14:00 do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet për funksionalizimin e trupave punues të kuvendit dhe buxhetin e Prishtinës, Gjilanit e Zubin Potokut.

“Konsultim për funksionalizimin e trupave punuese të Kuvendit. Diskutim rreth miratimit të buxheteve komunale për vitin 2025 për komunat Prishtinë, Gjilan, dhe Zubin Potok”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.