Në seancën e Kuvendit Fatmir Limaj komunikoi me sekserët e opozitës, Berat Buzhala dhe Dardan Gashi

Kuvendi i Kosovës sot dështoi të zgjedhë qeverinë e re, pasi propozimi për Qeverinë Kurti 3 mori vetëm 56 vota pro, 52 votuan kundër dhe 4 abstenuan. 

Kundër votuan të gjithë deputetët prezent të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe 9 deputetët e Listës Serbe.

Ndërsa tre deputetët e partisë Nisma Socialdemokrate, në krye me Fatmir Limajn, abstenuan në votimin e qeverisë Kurti 3.
Gjatë mbajtjes së seancës, e cila filloi me një orë vonesë, Fatmir Limaj disa herë hyri e doli nga salla e kuvendit ku si duket ai po negocionte në minutat e fundit se a do t’i bashkohej qeverisë Kurti.
KosovaNews ka fotografuar nga lart telefonin e Fatmir Limaj, ku vërehej qartë se në këtë kohë ai po komunikonte edhe me disa të ashtuquajtur “analista”.
Bëhet fjalë për “gazetarin” Berat Buzhala dhe “analistin” Dardan Gashi, të cilët nëpër debate televizive e në paraqitjet e tyre publike vazhdimisht propagandojnë kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Limaj gjatë kohës sa ishte nën vëzhgimin e fotografit të KosovaNews nuk i hapi mesazhet ku i kishte shkruar Berat Buzhala dhe Dardan Gashi, ndërsa tek mesazhi në WhatsApp Dardan Gashi i shkruante “E qysh tash?”.  

Kjo nënkuptohet se Limaj kishte komunikuar në vazhdimësi gjatë ditës së sotme me Berat Buzhalën e Dardan Gashin që në këtë rast nuk dihet a janë analistë e gazetarë, ashtu siç tentojnë të paraqiten në opinionin publik, apo koordinatorë të opozitës së përbashkuar.

Kujtojmë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit “gazetari” Berat Buzhala gjatë një paraqitje të tij publike live në Facebook gjatë kohës sa po bënte një prezantim nga llap-topi i tij, rastësisht i kishte shkruar Petrit Selimit, ku u shfaqen mesazhet në WhatsApp.

Në këtë komunikim të cilin e kishte bërë publik KosovaNews sekserët Buzhala dhe Selimi bisedonin për formimin e qeverisë së opozitës pa Lëvizjen Vetëvendosje. Petrit Selimi i jepte instruksione Berat Buzhalës që t’i çonte mesazhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i thënë se njëherë mos të jepte qëndrime.
Ndërsa Dardan Gashi, me të cilin komunikoi sot Fatmir Limaj, gjatë formimit të qeverive Thaçi e Haradinaj kishte luajtur rolin e sekserit, ndërsa sot shitet si analist “i pavarur”.

Tragjedi në familjen shqiptare, vëllai gjen pa jetë vëllain 19-vjeçar në dhomën e gjumit

ngjarje tragjike është shënuar në një familje shqiptare në Itali, pas gjetjes pa jetë në shtëpi të djalit të tyre 19 vjeç.

Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Flavio Saraçi. Trupi i pajetë u zbulua nga vëllai i tij 10-vjeçar, i cili e pa të rrëzuar në dhomën e tij të gjumit dhe nuk mundi ta shpëtonte. Raporti mjekësor dëshmon për një arrest kardiak.

Flavio Saraçi studionte në Institutin Pacini dhe me sa duket nuk kishte probleme shëndetësore. Ai merrej me sporte dhe kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Kryetari i bashkisë së Serravalle, aty ku familja shqiptare jetonte, ka shprehur keqardhje dhe i ka ngushëlluar ata për humbjen parakohe të djalit të tyre.
“Një tjetër i ri nga komuniteti ynë u nda nga jeta. Pyes veten pse Zoti ynë vendosi t’i dërgojë të rinjtë tanë në parajsë, duke e ditur se po lënë pas prindërit, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që i duan me dhimbjen më të thellë. Pyes veten pse jetë të reja, me një jetë plot ëndrra, shpresa dhe dashuri përpara tyre, po shkatërrohen në një moshë kaq të re. Bashkohem me hidhërimin e prindërve”, u shpreh ai.

Nuk u propozua për ministër, reagon Elbert Krasniqi – akuzon Veton Berishën

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas mosvotimit të Qeverisë “Kurti 3” në seancën e së dielës, duke e quajtur ditën e sotme humbje për Kosovën dhe për komunitetin egjiptian.

Ai në një postim në Facebook, ka akuzuar deputetin e komunitetit egjiptian, Veton Berisha, për veprim të motivuar nga “ego personale”.

Sipas Krasniqit, ndonëse emri i tij nuk ishte përfshirë në propozimin e kabinetit të ri, Veton Berisha refuzoi ta votojë Qeverinë edhe pse ishte propozuar një ministër tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian.

Postimi i tij i plotë:

Sot humbi Kosova, humbi edhe komuniteti egjiptian.

Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 është zhgënjyes për të gjithë ata që kanë besuar në bashkëpunim, mbështetje dhe respekt të ndërsjellë.

Qeveria Kurti 2 ka qenë një aleat i sinqertë i komuniteteve pakicë, duke dëshmuar me vepra se barazia nënkupton dyanëshmëri.

Në propozimin e kabinetit qeveritar sot nuk ishte emri im, si një mundësi për të marrë edhe votën e Veton Berishës. I motivuar nga inati e ego personale, veq emrit tim, ai rrefuzoi poashtu edhe një ministër tjetër apartiak nga komuniteti egjiptian, duke insistuar vetëm në vetën e tij.

Kësisoji, ai tashmë po i rikthehet stilit të tij të njohur politik, atij të pazareve dhe shantazheve që e kemi mësuar që nga viti 2014.

Është koha e fundit të mësojmë se vendi duhet të jetë para të gjithëve, komuniteti para partisë, qytetari para politikës.

Çdo kalkulim tjetër nuk na sjell as fuqi, as dinjitet – vetëm humbje.

Në zgjedhjet e reja, komuniteti përmes votës do ta jap përgjigjen që ti e meriton, njejtë siç të janë përgjigjë për mosvotimin e qeverisë Kurtin 1 me 3 shkurt 2020 dhe votës për rrëzimin e qeverisë Kurti 1 më 25 mars 2020.

Mustafa: Sa më shpejt zgjedhje të reja, aq më mirë

Pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë e re, skenari më i mundshëm për vendin mbetet mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Qeveria e propozuar “Kurti 3” mori vetëm 56 vota pro, duke dështuar të sigurojë shumicën e nevojshme. Ky rezultat lë vendin në një situatë të paqartë politike dhe me pasiguri për funksionimin normal të institucioneve.

Lidhur me situatën, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se sa më shpejt që mbahen zgjedhjet aq më mirë.

“Gjithësesi, zgjidhje janë zgjedhjet e reja. Janë qytetarët tek të cilët kalon përgjegjësia. Sa më shpejt, aq më mirë!”, deklaroi Mustafa për IndeksOnline.

Datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme janë 30 nëntori, 7 dhjetori dhe 14 dhjetori, ndërkohë që partitë nuk kanë arritur ende të formojnë një koalicion për qeverisje.

Situata tregon pasiguri institucionale dhe politike, ndërsa analistët paralajmërojnë se vonesat në formimin e qeverisë mund të ndikojnë negativisht në miratimin e buxhetit dhe funksionimin e institucioneve kryesore të vendit.

Musliu-Kurtit: Ky moti ka tregu që s’kupton fort nga numrat”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu pas dështimit të sotëm të Albin Kurtit për të formuar Qeverinë, ia ka kujtuar atij huqjen që e pati bërë shtatorin e kaluar në një detyrë të matematikës, para nxënësve të shkollës fillore “Ali Hadri”.

Musliu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook u shpreh se Kurti moti ka treguar që nuk kupton shumë nga numrat.

“Ky moti ka tregu që s’kupton fort nga numrat”, ka shkruar Musliu.

Edhe pse para disa muajsh kërkonte testim për 61 votat, sot i mori veç 56 për.

Kujtojmë se Kurti në sqarimin pas huqjes së detyrës ishte shprehur: “Më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese”.

 

Artan Behrami: ‘Albin Kurti sot u dorëzua, dielli do të lindë përsëri’

Pas dështimit të Kurtit për të formuar sot Qeverinë ka reaguar deputeti i PDK-së, Artan Behrami.Behrami tha se sot, Albin Kurt, u dorëzua.

Ai theksoi se ‘sot filloi pikëpërmbysja e tij si viktimë e kurthit që vetë e kishte ngritur’.

“Kurti është i mbështetur për murin e urrejtjes, të cilin e ka ndërtuar tullë mbi tullë në 20 vitet e fundit.Ky mur ka filluar të shembet! Bashkë me të edhe pesë vitet më të errëta të Kosovës së pavarur” shkruan Behrami

“Por, dielli po lind përsëri” përfundon shkrimin deputeti i PDK-së.

Reagimi i plotë:

Tërë karrierën e tij e ka ndërtuar mbi urrejtjen, përçarjen, demonizimin, kundërshtimin dhe shkeljet e normave dhe rregullave demokratike.Albin Kurti sot u dorëzua!

Sot filloi pikëpërmbysja e tij si viktimë e kurthit që vetë e kishte ngritur!Kurti është i mbështetur për murin e urrejtjes, të cilin e ka ndërtuar tullë mbi tullë në 20 vitet e fundit.

Ky mur ka filluar të shembet!Bashkë me të edhe pesë vitet më të errëta të Kosovës së pavarur!

Por, dielli po lind përsëri!

Dështoi në forminin e qeverisë së re, reagon Kurti

I pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti është lajmëruar pasi sot nuk i kishte numrat për formimin e qeverisë së re, me ç’rast ka thënë se do të vazhdojnë si qeveri në detyrë “drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”.

Tutje, Kurti ka falënderuar 56 deputetët që mbështetën propozimin e tij për kabinetin e ri qeveritar.

“Falenderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, shkroi ai.

 

Pas seancës dramatike, Gazeta Imazhi nxjerr sondazhin: Kurti “shpërthen” me 74%

Pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, ku dështoi formimi i Qeverisë Kurti 3, portali Gazeta Imazhi ka realizuar një sondazh online për të matur përkrahjen aktuale politike në vend.

Në këtë sondazh, i cili u zhvillua për 3 orë dhe morën pjesë rreth 3,000 votues online, rezultoi se Albin Kurti vazhdon të gëzojë mbështetje të lartë nga qytetarët.

Rezultatet e sondazhit:

  • Albin Kurti (LVV) – 2171 vota (rreth 74%)
  • Bedri Hamza (PDK) – 473 vota (rreth 16%)
  • Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) morën përqindje dukshëm më të ulëta, duke u renditur larg dyshes së parë.

Rritja e përkrahjes për Kurtin vjen në një moment kur skena politike është tensionuar pas marrëveshjeve të opozitës dhe deklaratave të forta në Kuvend. Ky rezultat po interpretohet nga analistët si shenjë e një mobilizimi të ri të elektoratit të Vetëvendosjes, ngjashëm me valën politike të vitit 2021.

Sipas tyre, qytetarët po reagojnë ndaj zhvillimeve të fundit dhe po e shprehin qartë pakënaqësinë ndaj partive tjera opozitare, ndërsa mbështetja për Kurtin mbetet dominante.

E rëndë: Vdes në spital 6-vjeçarja e lënduar nga zjarri në Maliq – Ditën e ngjarjes humbën jetën nëna dhe vëllai i saj

Vdes në QSUT 6-vjeçarja e djegur nga zjarri në shtëpinë e saj në Maliq. Nefeli Hazisllari ndodhej e shtruar prej 6 ditësh në Pediatrinë e Tiranës, pasi pësoi plagë të rënda nga flakët që përfshinë banesën. Flakët i morën jetën edhe nënës së saj dhe vëllait, Rrahime dhe Luka Hazisllari.

Ishte ora 13:30 kur teksa fëmijët luanin në një sfungjer në kuzhinën e tyre shumë të varfër, Rrahime Hazisllari 40-vjeçe pikasi tymin e zjarrit. Minutat ishin të tmerrshme dhe shumë tragjike. Rrahimja kishte mundur t’i nxirrte të vegjlit e saj, Lukën 13-vjeç dhe vajzën 6-vjeçare, ndërsa vetë mbeti e vdekur në derën e kuzhinës.

13-vjeçari Luka Hazisllari u gjet në gjendje kome jashtë banesës dhe sapo mbërriti në spital humbi jetën kurse 6-vjeçarja kishte të djegura të shumta në trup, dhe pas ndihmës së parë në spitalin e Korçës, u dërgua  në QSUT në Tiranë.

E mitura ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe u intubua në reanimacion, por nuk mundi t’ja dalë, duke thelluar bilancin e tragjedisë me 3 viktima.

Ganimete Musliu ironizon pas dështimit të formimit të Qeverisë Kurti 3: Fjalimet lamtumirëse janë gjithmonë të gjata

Me 56 vota për, 52 kundër dhe katër abstenime, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të votojë Qeverinë e re të vendit, me Albin Kurtin të mandatuar për kryeministër.

E pas dështimit të formimit të Qeverisë Kurti 3, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar në Facebook.

Në mënyrë ironike ajo shkruan ”Fjalimet lamtumirëse janë gjithmonë të gjata”.