Nesër seanca për qeverinë, nga AAK-ja tregojnë se a do ta votojnë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka votë nesër për Qeverinë “Kurti 3”.

Kështu bëri të ditur deputetja e këtij subjekti politik, Time Kadrijaj.

“Aleanca nuk ka ndryshuar qëndrim, jemi konsistentë në atë që e kemi thënë vazhdimisht, se në asnjë formë nuk do të bëhemi pjesë e qeverisë Kurti. Pavarësisht nëse ai do t’i sigurojë votat për qeverinë Kurti 3, ne nuk do të pranonim të ishim pjesë e saj. Aleanca vazhdon me qëndrimin e njëjtë, nuk ka votë për qeverinë Kurti 3″,  ka deklaruar Kadrijaj.

Djali i Driton Kukës mposht serbin për medalje të bronztë në Slloveni

Xhudisti Jon Kuka ka fituar medaljen e bronztën në Kupën Evropiane për Kadetë në Kranjska Gora, Slloveni.

Në xhiron e parë, Joni mposhti me Ippon gjermanin Mortiz Schubert. Kurse në xhiron e dytë ai mposhti me dy yuko austriakun Djamil Kurbanov. Në xhiron tjetër, Joni humbi me Wazzari ndaj Celil Uyar nga Holanda.

Joni u ndesh në repesazh ku në luftën e parë mposhti me Ippon Yuval Fuchus nga Izraeli, dhe në luftën e dytë fitoi me tri shido për Ippon kundër Yanis Semadi nga Franca, që i siguroi atij ndeshjen për medalje të bronztë.

“Në ndeshjen vendimtare, Joni mposhti me 2 Yuko, Lazar Bogdanoviq nga Serbia”, ka njoftuar Federata Kosovare e Xhudos.

Numri 2 i Qeverisë shqiptare të hënën në SPAK, kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Rama

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, pas thirrjes së zëvendëses së tij, Belinda Ballukut në SPAK, nën dyshimet për dallavere me tenderë, shkruan gazeta online Reporteri.net. 

Shehaj reagoi ndaj deklaratës së Edi Ramës, se “drejtësia ka punën e vet”, me një video-mesazh në rrjetet sociale.

Ai kujtoi se para Belinda Balluku, drejtësia kërkoi të arrestojë Arben Ahmetajn dhe ka arrestuar Erion Veliajn.

Si, nuk të intereson që po arrestojnë Belinda Ballukun? Ej, kthjellohu! Është zëvendësja jote. Para saj donin të arrestonin Ahmetajn që ia mbathi në arrati në Zvicër. Ndërkohë Erion Veliajn, krahun tënd të djathtë, e ke në burg, për korrupsion dhe ai. Sa veta duhet të të arrestojnë ty që të mbash përgjegjësi? Bëhu burrë, mbaj përgjegjësi dhe jep dorëheqjen!” – u shpreh Shehaj në video mesazhin e tij.

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një ditë më parë emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas raportimeve të mediave shqiptar është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi dhe në fletëthirrje Ballukut i specifikohet që të paraqitet e shoqëruar nga avokati.

Ndërkohë sot, kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë zhvillim të ri nga Prokuroria e Posaçme duke u shprehur se “drejtësia bën punën e vet”.

Nuk kam asnjë koment për asnjë rast sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe mediave që i shërbejnë politikës”, tha Rama gjatë një interviste për Deutsche Welle nga Berlini ku po merr pjesë në punimet e Global Dialogue, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Në lidhje me këtë deklaratë të shefit të Qeverisë shqiptare ka reaguar lideri i opozitës Sali Berisha, i cili tha se Rama dhe Balluku kanë ndarë paratë bashkë, ndaj kryeministri shmang komentet për këtë çështje.

Nuk ka asnjë koment sepse kanë ndarë paratë bashkë!!”, shkruan Berisha

Këngëtarja e njohur do të jetë pjesë e Big Brother

Pas një kohe të gjatë në heshtje, këngëtarja e njohur Zanfina Ismaili duket se po rikthehet sërish në vëmendjen e publikut. Prej ditësh në rrjet po qarkullojnë thashetheme se ajo mund të jetë një nga banoret e edicionit të katërt të “Big Brother VIP Kosova”, i cili pritet të nisë së shpejti.

Sipas burimeve të “Kosovarja”, emri i Zanfina Ismailit po përmendet gjithnjë e më shumë në listën e personazheve të njohura që mund t’i bashkohen spektaklit. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga vetë këngëtarja apo produksioni i emisionit.

Zanfina, e cila për vite me radhë ka qenë një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, njihet për stilin e saj të veçantë, zërin karakteristik dhe karizmën që e ka bërë të pëlqehet nga publiku që në fillimet e karrierës. Ajo ka qenë gjithmonë një figurë e admiruar, jo vetëm për talentin, por edhe për mënyrën elegante me të cilën ka ruajtur jetën e saj private.

Nëse këto zëra rezultojnë të vërtetë, pjesëmarrja e saj në “Big Brother VIP Kosova” do të ishte një prej rikthimeve më të bujshme të vitit, duke e vendosur sërish Zanfinen në qendër të vëmendjes mediatike.

Mbetet te shihet nese ajo do jete pjese e BBVK!

Rezultatet përfundimtare, VV-ja ‘deklason’ LDK-në në bastionin e saj

Në një surprizë të madhe elektorale, bastioni i Lidhja Demokratike e Kosovës në komunën e Fushë Kosovës është “thyer” nga Lëvizja Vetëvendosje.

Valon Prebeza i VV-së dhe Besnik Osmani i LDK-së do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ, Prebeza ka marrë 45.15 për qind, ndërsa Osmani 36.66 për qind.

Përkthyer në vota, Prebeza ka marrë afër 1 mijë e 831 vota më shumë se Osmani.

Tahiri dhe Peci, përfundimisht në balotazh- Ja cili po prinë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur në mbledhjen e sotme të këtij institucioni se në balotazh shkojnë Faton Peci dhe Arian Tahiri për Komunën e Mitrovicës së Jugut.

“Kështu që në raundin e dytë shkon Faton Peci me 15 mijë e 830 vota dhe Arian Tahiri me 15 mijë e 708 vota”, tha Radoniqi.

Peci në përqindje mori 47,94% të votave, ndërsa Arian Tahiri mori 47,57%.

Përveç kandidatëve të lartpërmendur, për kryetar të Mitrovicës së Jugut kanë garuar edhe Gëzim Plakolli, i cili mori 3,71% të votave, dhe Qazim Nimani me 0,77%.

Rezultatet përfundimtare në Gjilan: A i shpëtoi VV-ja balotazhit?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 12 tetor 2025.

Në Komunën e Gjilanit, Vetëvendosje dhe Lidhja Demoratike e Kosovës do të shkojnë në balotazh.

Alban Hyseni i VV-së ka marrë 22 mijë e 264 vota apo 49.80%, ndërsa Arbër Ismajli nga LDK-ja ka marrë 15 mijë e 332 vota apo 34.29%.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 9 nëntor.

Aksident i rëndë në Bresje, ka të vdekur

Një aksident i rëndë trafiku u raportua sot në Bresje, ku dyshohej se një person ka humbur jetën.

Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi.

Krasniqi ka deklaruar për IndeksOnline se nga aksidenti që ndodhi në orën 16:30, një person është gjetur pa shenja jete.

“Rreth orës 16:30, policia është njoftuar për një aksident trafiku në Bresje, Fushë-Kosovë. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion. Në vend-ngjarje është ftuar njësia emergjente dhe zjarrfikësit. Ekipi mjekësor ka konstatuar se një person është pa shenja jete. Njësitet përkatëse policore janë duke u marrë me rastin” deklaroi Krasniqi.

Paralajmërohet situatë e rënduar nëse nuk formohet qeveria nesër, mund të mbesin pa paga këto kategori

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj ka shprehur shqetësimin për ngërçin politik dhe vonesat në formimin e institucioneve, duke paralajmëruar pasoja serioze nëse buxheti nuk votohet së shpejti.

Ai ka deklaruar se mungesa e buxhetit do të linte pa paga punëtorët e sektorit publik.

“Institucionet të bëjnë zgjidhje nëse ka. Nëse punëtorët e arsimit, policia, sektori publik në tërësi mbeten pa paga pas vitit të ri do të krijohet një gjendje e rëndë se shumica e tyre mezi e lidhin muajin me muaj dhe me pagat që i kanë e paramendo nëse mbeten edhe pa to”, u shpreh ai për frontonline.

Ai kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për neglizhencë, duke thënë se si parti fituese ka përgjegjësinë për krijimin e institucioneve.

“Është një neglizhencë e partisë që doli e para. Për situatën që është deri tash fajet i ka LVV se ajo e ka obligim t’i krijojë institucionet. Kemi shumë kërkesa nga anëtarësia që s’po kemi ku me i adresuar në mungesë të parlamentit dhe institucionet”, ka deklaruar Jasharaj.