Haxhi Avdyli: Sapo më kërcënoi ish-shoferi i Avdullah Hotit, më tha se do të më gjej i njëjti fat si i qytetarit në shesh

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë “Guxo”, Haxhi Avdyli, është lajmëruar mbrëmjen e djeshme, duke njoftuar se ish-shoferi i Avdullah Hotit, Bislim Morina, i cili sipas tij i shërbeu gjatë kohës sa ky i fundit ishte ministër, e ka kërcënuar përmes rrjeteve sociale, raporton GazetaDemos.

Sipas Avdylit, e gjithë ngjarja vjen nga fryma e krijuar dje gjatë ditës në sheshin e Prishtinës, ku deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e goditi një qytetar pas ofendimeve ndaj të njëjtit.

Avdyli tha se kërcënimi ka përmbajtjen e paralajmërimit të dhunës së ngjashme, teksa publikoi edhe bisedën me të, në të cilën shihet se Morina shkruan; “A, Haxhi qamik, kur i rras hundët gjithkund, kështu të gjenë”.

“Sapo më shkroi në mesazhe private e më kercënoi pa nevojë, ish shoferi i ish ministrit Avdullah Hoti, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës. I trimëruar nga dhuna në shesh, më paralajmëron që nëse un i futi hundët gjithkah do më gjen njëjti fat. 🤔 Bislim Morina, është poashtu vendas dhe shumë i afërt i Avdullahut, edhe sot”, tha ai.

Avdyli gjithashtu i bëri thirrje organeve të rendit ta verifikojnë nëse ky kërcënim sipas tij, i erdhi me apo pa aprovimin e Avdullah Hotit.

“Prandaj organet e rendit duhet ta verifikojnë ndër tjera, nëse ky mesazh privat kercenues është bërë me apo pa aprovimin e Avdullah Hotit”, tha ai.

Tragjike: Kjo është mërgimtarja nga Kosova që humbi jetën në një aksident në Gjermani

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur më 22 tetor në Gjermani, ku fatkeqësisht ka humbur jetën një mërgimtare nga Kosova.

Viktima e këtij aksidenti është Jeta (Naim) Kozmaqi, lajm që është konfirmuar tashmë edhe nga familjarët e saj, të cilët kanë njoftuar për ceremoninë mortore.

Lamtumira e fundit do t’i jepet sot, në varrezat e fshatit Mazgit të Obiliqit.

Sipas njoftimit të familjes, “E pamja (e dielë, e hënë, e martë) do të mbahet në Hotel Star Hill në Prishtinë (te Rrethi i Madh), afër Banesave të Arabëve, prej orës 09:00 deri në 17:00”.

Familjarët dhe miqtë kanë shprehur dhimbjen e thellë për këtë humbje tragjike, duke e kujtuar Jetën si një vajzë dhe studente shembullore.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se në Gjermani tragjikisht humbi jetën mbesa ime Jeta, studente shembullore e Fakultetit Juridik. Prehu në parajsë, engjëlli i xhaxhit”, ka shkruar xhaxhai i saj në rrjete sociale.

Osmani për përfundimin e mandatit: Asnjëherë s’mendoj ku do të jem unë, por ku do të mbetet Republika e Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, s’ka pranuar të flas se a do të vazhdojë të jetë pjesë e skenës politike edhe pasi t’i përfundojë mandati i presidentes në pranverën e vitit të ardhshëm.

Megjithatë, Osmani ka deklaruar se populli i Kosovës është ai që vendos për këtë duke theksuar se nëse qytetarët duan që ajo të vazhdojë të jap kontribut për Kosovën, ajo do të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë.

‘‘Unë nuk mendoj asnjëherë se ku do të jetë Vjosa Osmani, mendoj gjithmonë vetëm se ku do të mbetet Republika e Kosovës, dhe në qoftë se populli i Kosovës dëshiron që unë akoma të jap kontribut për Republikën tonë, atëherë do të vazhdojë ta jap atë kontribut”.

“Nëse qytetarët e Kosovës, nuk dëshirojnë të më shohin duke dhënë kontributin në politikë, unë gjej mënyra të tjera për të kontribuar për shtetin tim. Çka është më rëndësi është që unë do të vazhdojë të jem në Republikën e Kosovës, duke dhënë kontribut qoftë profesional qoftë politik’’, ka deklaruar ajo për DW.

Dërgohet nga prindërit në QKMF një foshnjë pa shenja jete, policia nis hetimet

Policia ka njoftuar se e prindërit e kanë dërguar dje një foshnjë në QKMF pa shenja jete.

Rasti ka ndodhur në Obiliq dhe policia ka nisur hetimet.

Rr. Shkupi, Obiliq  24.10.2025 – 16:20. Raportohet se nga prindërit në QKMF është sjell pa shenja jete foshnja viktima mashkull. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion’’, thuhet në raport.

“Zemaj u sulmua nga militanti i Vetëvendosjes”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj,  gjatë ditës së sotme është përfshirë në një incident fizik me një qytetar.

Pas ngjarjes, avokati i tij, Besnik Berisha në studion e “Info Natës” ka sqaruar se Zemaj është detyruar të vetëmbrohet për shkak që siç thotë “militanti i LVV-së e ka sulmuar”.

Avokati theksoi se sulmi ka pasur ngjyrim politik.

“Nuk ishte tentim për sulm, ishte sulm, i cili nisi me provokim… u nis drejt tij për ta sulmuar, por duket që trimërinë e patë të kufizuar në përqindje dhe u kthye pastaj për të përdorur metoda tjera deri në ndërhyrjen e qytetarëve. Tashmë është kuptuar dhe është publike që është një militant i LVV-së, sulmi ka qenë absolutisht i motivuar për bindjet e tij politike dhe rrjedhimisht ka ngjyrim politik”, tha Berisha në Tëvë1.

Ai shtoi se ligji lejon vetëmbrojtje për aq kohë sa reagimi është proporcional me rrezikun.

“Absolutisht, nuk ka asnjë dilemë, dhuna nuk duhet të jetë as temë, as nuk duhet të promovohet, as normalisht të tolerohet, por dhuna edhe ligjërohet lejohet t’i përgjigjesh me dhunë për aq kohë sa është proporcionale dhe për aq kohë sa nuk ke mjet tjetër për ta shmangur sulmin. Besoj që në rrethanat që ai është gjendur nuk e kanë lejuar ose nuk e kanë ofruar mundësi për t’u kujtuar gjatë se a do ta godet ai me të majtën, apo do ta godet me të djathtën, ose të nxjerrë diçka nga xhepi. Forma e vetme për ta neutralizuar si sulm ka qenë ajo që është ndërmarrë”, deklaroi avokati.

Berisha thotë se rasti i sotëm, tregon mendësinë e një pjese të madhe të qytetarëve të Kosovës.

“Nuk është një ngjarje që duhet ta duartrokasim dhe e kemi mirëprit, por fatkeqësisht kjo është mendësia e një pjese të qytetarëve tanë, të cilët nuk kursejnë as identitetin, as profesionin, as fizikun e as integritetin e dikujt dhe ndodhi ajo që ndodhi që z.Zemaj u gjend në një situatë ku normalisht që fyerja e rëndë që përjetoi dhe sulmi që u ndërmor ndaj e detyroi të mbrohej në mënyrën se si është mbrojt”.

Ndërkaq, Zemaj ka kërkuar falje për rastin. Ai ka thënë se reagimi që ka bërë nuk ia përfaqëson bindjet personale e as parimet si deputet.

Prokuroria Speciale ngriti katër aktakuza për spiunazh ndaj pesë personave

Vetëm nga qershori i 2024-ës e deri tani, në Kosovë janë arrestuar shtatë persona për bashkëpunim e spiunazh te shërbimet inteligjence serbe, katër nga ta shqiptarë. Ndërsa nga janari i këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka thënë se kanë ngritur katër aktakuzë ndaj pesë personave për veprën penale “spiunazh”.

Njohësit e sigurisë dhe ekspertë juridikë, e kanë vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë, por kanë kërkuar edhe më shumë angazhim në luftën ndaj kësaj veprimtarie të paligjshme.

Ish-nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina në një deklaratë për Ekonomia Online ka thënë se spinuazhi paraqet rrezik për sigurinë dhe sovranitetin e vendit.

“Unë mendoj se është bërë një punë e mirë për shkak të arrestimit të personave të dyshuar për spiunazh në Kosovë. Mendoj që institucionet e Kosovës, Policia, Prokuroria edhe AKI e të tjerët duhet të punojnë më me ngulm në mënyrë që personat e tillë të dyshuar të dalin para drejtësisë dhe të përgjigjen për veprimet e tyre kriminale. “Kemi të bëjmë me një vepër penale që parashihet në kodin penal në nenin 124 dhe dënimet janë nga 5 deri 15 vite. Rrezikshmëria e kësaj vepre penale është për arsye se rrezikohen institucionet e Kosovës, policia, FSK, pastaj institucionet e tjera të Kosovës, sovraniteti, tërësia territoriale e vendit. Prandaj kemi të bëjmë me një vepër penale e cila është e rrezikshmërisë së lartë”, tha ai.

Morina shtoi se përballë këtyre sfidave, institucionet e sigurisë duhet të jenë në veprim të përhershëm.

“Prandaj institucionet tona të sigurisë, Policia, AKI, Prokuroria edhe gjithë duhet të jenë në vazhdën e tërësishme të luftimit të kësaj vepre penale dhe kryerësve të mundshëm të kësaj vepre penale, për shkak se është në pyetje rendi dhe qetësia në Kosovë,” theksoi ai.

Ai ka vënë theksin se si BIA serbe përmes spiunazhit synon që ta destabilizojë shtetin e Kosovës.

“Deri tani në bazë të të dhënave dhe statistikave të përgjithshme shihet se Serbia ka interes nëpërmjet BIA-s t’i përvetësojë qytetarët e Kosovës në mënyrën e caktuar që ata të japin informacione për institucionet tona të sigurisë, për rendin dhe qetësinë publike. Qëllimi kryesor i tyre është që të destabilizojnë Kosovën, por gjithashtu edhe shërbimet ruse, kineze dhe shërbimet tjera të cilat nuk ia duan të mirën shtetit të Kosovës”, tha Morina.

Në anën tjetër, avokati Muhamet Mujaj ka shprehur dyshime për mënyrën se si institucionet po trajtojnë këto raste, duke thënë se disa prej tyre mund të kenë motive politike.

“Unë disa raste që i kam parë dhe përcjellur me vëmendje, shumë dyshoj që institucionet tona kanë me i trajtu ashtu siç duhet trajtuar rastet për shkakun se duhet një mori dëshmive, provave që janë shumë sensitive për t’i siguruar dhe për t’i dokumentuar ato raste si vepra penale si kryerës të mundshëm të veprave penale. Ishin disa raste, sidomos rasti i fundit që më tepër dyshoj që është rast politik se sa ndonjë rast që dëshmon për një aktivitet të tillë qysh pretendohet,” tha ai.

Mujaj vlerësoi se institucionet kanë vepruar me nguti, duke rrezikuar besueshmërinë e procesit hetimor.

“Nga ajo çka kam parë, nuk kam parë ndonjë lidhshmëri të rasteve, mirëpo çka vërehet në publik por edhe te ne profesionistët se është një nguti me qëllime që unë nuk i di, që të goditen spiunët, rastet e spiunazhit për ndoshta qëllime edhe kalkulime që nuk janë në interes të vendit tonë. Nëse dikush do të arrestohej për spiunazh unë kisha pasur dëshirë që personi i tillë të jetë më të vërtetë ai që është kryerësi i asaj vepre, jo të njollosen njerëzit pa pasur dëshmi të plota, pa pasur prova të plota dhe të krijohen këso skena filmike, skena ku dëmtohen personalitete, dëmtohen familjet dhe në fund po dalin të pafajshëm. Unë uroj që rastet e tilla mos të jenë ashtu siç i shpjegova për konsum publik edhe për interesat e politikës ditore, por të jenë raste që do të duhej hetuar dhe ata që me të vërtetë merren me spiunazhin dhe dëmtojnë interesat e shtetit të marrin dënim ashtu siç është paraparë me ligj,” tha ai.

Avokati kërkoi gjithashtu që hetimet për raste të tilla të zhvillohen në mënyrë konfidenciale dhe profesionale.

“Unë kam lutje që ato çka zhvillohen si hetime në lidhje me rastet e spiunazhit dhe rastet sensitive, rastet e ndjeshme të mbeten konfidenciale, meqë ne kishim edhe rast ku zyrtarë policorë u dyshuan për spiunazh dhe brenda ditës doli lajmi që ndaj të njëjtëve është pushuar hetimi. Ngutia e institucioneve të hetimit për të dëshmuar se ne jemi duke punuar në këtë drejtim nuk është e mirë për shtetin tonë, por as e mirë për ata që arrestohen e njollosen pa drejtësisht”, tha ai.

Kujtojmë që arrestimi i parë në Kosovë për veprën “spiunazh” u bë më 5 qershor 2024, ku si të dyshuar u arrestuan Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi në Ferizaj. Të arrestuarit e tjerë që dyshohet të kenë dhënë informacione te BIA serbe, janë edhe Aleksandër Vllajiq, Bojan Jevtiq, Hysri Selimi, Jelena Gjukanoviq dhe së fundmi Fatmir Sheholli.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me 5 qershor 2025 dënoi, Aleksandër Vlajiq me pesë vjet burgim, derisa për armëmbajtje pa leje me 6 muaj burgim të cilat iu zëvendësuan me 1 mijë euro gjobë. Ish-polici i Kosovës, Vlajiq kishte pranuar se i ka çuar informata BIA-s së Serbisë dhe ka pranuar fajësinë në një marrëveshje me prokurorinë. Kështu, ky u bë edhe dënimi i parë për spiunazh që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

 

Limaj: Si jurist dyshoj se Kuvendi i Kosovës është i konstituar

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për emërimin e tij si nënkryetar të Kuvendit dhe çështjen e “gjetjes së ditës”.

Limaj ka theksuar se si jurist dhe njohës i çështjeve kushtetuese, por edhe si pjesëmarrës në ndërtimin e kornizës kushtetuese të shtetit, ai ka dilema serioze lidhur me përbërjen aktuale të Kuvendit.

Sipas tij, nëse vërtetohet se ka pasur shkelje kushtetuese gjatë procesit, atëherë gjithë veprimet pasuese e humbin legjitimitetin.

“Në qoftë se do të vijë një konstatim dhe të thuhet se ka pasur shkelje kushtetuese dhe se Kuvendi nuk është konstituar, atëherë vijmë në një situatë ku çdo gjë tjetër është jokushtetuese – edhe afatet, edhe ditët, edhe çdo gjë tjetër bëhet e parëndësishme”, ka shtuar ai në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

Limaj gjithashtu ka komentuar edhe qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, nuk e ka dhënë masën e pezullimit, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

“Gjykata Kushtetuese nuk e dha masën e pezullimit; është vendim i saj, ata e dinë mirë arsyen pse. Ama, përderisa nuk ka vendim përfundimtar, kjo çështje mbetet pezull. A kemi konstituim të Kuvendit dhe a e ka shkelur dikush Kushtetutën?”, ka përfunduar Limaj duke shtuar se tashmë në Kuvend ka edhe shkelje individuale.

“Dilema kryesore e imja, si jurist dhe njohës i çështjeve kushtetuese, është se ‘dyshoj’ që Kuvendi i Kosovës është i konstituar”, ka deklaruar Limaj.

Pasi e grushtoi mërgimtarin Zemaj poston dhjetra fotografi të fansave të boksit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë sot në një incident me një bashkatdhetar nga Gjermania.

Nga pamjet e publikuara shihet se është deputeti Armend Zemaj që eskalon pasi një qytetar bën një koment duke e quajtur “rrenc”.

Pas këtij, ofendimi reagoi ashpër Zemaj duke i thënë: Të rren nana dhe gruaja jote.

Pas kësaj ndodhi edhe përleshja fizike.

Ndonëse, Zemaj kërkoj falje dhe shprehu keqardhjen për rastin, postimet e tij në rrjete sociale lënë vend për dyshim.

Zemaj që grushtoj qytetarin dhe iu drejtua me kërcënime “T’q.. nanën të mbysë”, tashmë po merr levdata në rrjete sociale.

Ishte vetë deputeti që ka publikuar disa fotografi duke u krenuar nga mbështetja që po merr për dhunën që ka kryer ndaj një qytetari.

E dhimbshme: Ndërron jetë mërgimtarja në moshë të re

Familja Kozmaqi ka njoftuar me dhimbje të thellë se në Gjermani ka ndërruar jetë Jeta (Naim) Kozmaqi. Varrimi i saj do të bëhet të shtunën, më 25 tetor 2025, me namazin e ikindisë (ora 15:30), në varrezat e fshatit Mazgit, afër Tyrbes.

E pamja do të mbahet të dielën, të hënën dhe të martën, në Hotel Star Hill në Prishtinë (te Rrethi i Madh, afër Banesave të Arabëve), nga ora 09:00 deri në 17:00.

Njoftim Mortor

Familja Kozmaqi njofton me dhimbje të thellë se ka ndërruar jetë në Gjermani Jeta (Naim) Kozmaqi.

Varrimi i të ndjerës do të bëhet të shtunën, më 25 tetor 2025, me namazin e ikindisë (ora 15:30), në varrezat e fshatit Mazgit (afër Tyrbes).

E pamja do të mbahet të dielën, të hënën dhe të martën, në Hotel Star Hill në Prishtinë (te Rrethi i Madh, afër Banesave të Arabëve), nga ora 09:00 deri në 17:00.

Ngushëllime familjes Kozmaqi!

“Jemi 4 apo 5 deputetë mangu”, flet Mimoza Kusari: LDK s’ka pranuar as uljen në tavolinë për diskutim

Deputetja dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pritjet janë që të dielën të votohet qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti, por ende mungojnë disa vota për shumicën e nevojshme parlamentare.

Ajo e ka pranuar se ende nuk i kanë votat për Qeverinë “Kurti III”.

“Pritjet  janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, deklaroi deputetja.

Ajo shtoi se nuk ka pasur takime zyrtare mes partive, por ka pasur komunikime individuale me deputetë që mund të ndikojnë në formimin e qeverisë.

“Përpjekjet do të vazhdojnë, nuk ka pasur formacion zyrtar të takimeve mes partive politike, më shumë komunikime me deputetë, porse në cilindo format ose në cilindo rast e shohin si të domosdoshme një funksionalizim të plot të institucioneve të vendit”.

Kusari-Lila kritikoi LDK-në, duke thënë se partia e Lumir Abdixhikut nuk ka pranuar as uljen në tavolinë për diskutim.

“LDK-ja nuk ka pranuar as uljen në tavolinë për diskutim, nuk e kanë pasur problem që ta shkelin vetë fjalën e dhënë edhe në kuadër të këtij procesi. Sipas Abdixhikut, fjala e dhënë duhej të mbahej edhe për konstituim të organeve të Kuvendit… fjala e dhënë, nuk u mbajt u ndryshua”, tha ajo në Tëvë1.

Megjithë vështirësitë, Kusari-Lila mbetet optimiste se qeveria mund të votohet këtë fundjavë.

“Do të doja të kishim qeveri të dielën, jam optimiste me përvojë. Përvoja deri tash më ka treguar se përkundër vullnetit dhe dëshirës për të pasur funksionalitet të plotë të institucioneve të vendit ajo se nëpër çfarë kemi kaluar na ka treguar se nuk mund të jemi vetëm optimist dhe të japim njerëzve shpresë”, shprehi optimizëm ajo.

Por,  në fund ajo deklaroi se edhe në rast se i kanë 61 vota, prapë “do të ishte një qeveri gati se të them e pakicës”.