Prokurori: Video-incizimet dëshmojnë se vrasja e rreshterit Lika ishte e planifikuar

Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, ashtu si në seancën fillestare, janë deklaruar sërish të pafajshëm në seancën e re gjyqësore, të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Prokurori Ismet Rrahmani, tha se provat materiale dhe video-incizimet e siguruara dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

Sipas prokurorit, 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Muhamet Lika, i cili pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion.

“Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, ka thënë Rrahmani.

Ai theksoi se nga analiza e video-incizimeve të kamerave të sigurisë janë identifikuar personat e përfshirë në rast dhe se, sipas Prokurorisë, Rejhan Bela është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë kanë vepruar në bashkëkryerje duke i ofruar ndihmë para, gjatë dhe pas ekzekutimit të krimit.

Lika është vrarë më 1 prill të vitit 2025 në Kaçanik pas përfundimit të orarit të punës. U qëllua teksa po hynte në banesë.

Në fotografi (nga e majta në të djathtë): Rilind Murati, Vatan Qaka dhe Haki Bela

Ashtu si në seancën fillestare, gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit Lika: Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, janë deklaruar sërish të pafajshëm në seancën e të enjtes.

Shkëlqim Kuka/ Foto: Kallxo.com
Dyshohet se voziste i dehur dhe në kahje të kundërt, detaje nga aksidenti tragjik

Një person e ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në rrugën Mitrovicë-Prishtinë.

Burimet e Klankosova.tv bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit.

Deri tek aksidenti dyshohet se erdhi kur shoferi i cili e ka shkaktuar aksidenti ka hyrë në kahje të kundërt të autostradës.

I njëjti sipas burimeve të Klankosova.tv dyshohet se ka qenë i dehur.

Shoferi është arrestuar dhe së shpejti pritet të lëshohet vendimi i ndalimit për 48 orë.

Aksident tjetër i rëndë në rrugët e Kosovës, dyshohet për viktima

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë.

Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se aksidenti ka shkaktuar viktima, ndërsa raportohet edhe për persona të lënduar.

Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa sipas raportimeve të para dyshohet se njëri prej tyre ka kaluar në kahun e kundërt të lëvizjes, duke shkaktuar përplasjen.

Rrethanat e aksidentit ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ndërsa pritet që Policia e Kosovës të dalë me detaje lidhur me rastin.

Telegrafi ka tentuar të kontaktojë me Policinë Rajonale të Kosovës për Mitrovicë, ndërsa është në pritje të një përgjigje.

Pse nuk ndodhi stuhia e fuqishme ashtu siç u paralajmërua dje në Kosovë, flet Mendim Rugova

Meteorologu, Mendim Rugova ka komentuar mbi paralajmërimin e Iinstitutit Hidrometerologjik të Kosovës për stuhi të fuqishme gjatë ditës së djeshme e cila megjithatë nuk ndodhi.

Rugova tha se në Kosovë ndryshoi situata meteorologjike në moment të fundit duke bërë që të evitohet krijimi i kushteve për stuhi.

“Prej ditës së djeshme që e kaploi moti i ligë vendin tonë ka qenë pak e parashikuar se mund të zgjas edhe pas mesnate ndonjë stuhi që mund të paraqitet, në fakt ka pasë në Adriatik, por në momentin e fundit nuk kaloi mbi vendin tonë ashtu siç parashihej. Patëm vetëm pak reshje pas mesnate. Dita e sotme nuk pati potencial të mjaftueshme që të prodhonte stuhi që ishin paralajmëruar, pak a shumë ishte një ndryshim i situatës në moment të fundit meteorologjike. Mund të ndodhin parashikime që ndonjëherë brenda 24 orëve mund të ketë ndryshim drastik”.

Tutje, ai tha se situata meteorologjike në vend ka filluar të stabilizohet.

“Vetëm se ka filluar një stabilizim i situatës mbi vend, për ditën e nesërme nuk priten të reshura. Do ketë intervale me diell dhe vranësira, mirëpo temperaturat do të qëndrojnë më të ulta në krahasim me ditët e tjera”, tha ai në Klan.

“Politikanët serbë mos të shohin ëndrra”, Kadrijaj: Nëse duhet me luftu, prapë e veshi uniformën

Deputetja e zgjedhur e Aleancës, Time Kadrijaj e ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova ka komentuar deklaratat e ministres serbe Snezana Paunoviq e cila para pak ditësh kishte thënë se po të ‘ishte në vend të Millosheviqit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën’.

Kadrijaj tha se politikanët serbë do të duhet të pranojnë realitetin dhe të ‘mos shohin ëndrra me sy hapur’, transmeton klankosova.tv.

“Është mirë me pranu realitetin dhe mos me pa ëndrra me sy hapur, Kosova e ka kryer misionin me Serbinë, Kosova e ka një rrugëtim, rrugëtimin evropian. Kosova në vitin 1998-1999 i ka dhënë përgjigjje Serbisë, regjimit të Serbisë, regjimit të Millosheviqit dhe regjimit të cilën po e përkrah ajo pas 30 viteve, është mirë Serbia ta shoh orientimin e saj nga po shkon, Kosova iu ka përgjigj, Kosova ka luftu dhe e ka dëbu me luftë Serbinë”, tha ajo.

Kadrijaj tha se po të jetë nevoja, ajo do të vishet sërish me uniformë për të mbrojtur atdheun.

“Nëse duhet të luftohet, kam me luftu, ne kemi me luftu ne që kemi qenë në luftë që e kemi përjetu luftën…Në asnjë formë nuk mundem me i ik një obligimi kur atdheu ka nevojë”, tha Kadrijaj.

Paunoviq kishte deklaruar se po të ishte në vend të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.

Pas kësaj deklarate, Kosova e ka shpallur ministren serbe non-grata, teksa kjo deklaratë ka nxitur reagim edhe në Tiranë dhe Bashkimin Evropian.

Polici që u nda nga jeta në Prizren, shok i aktores së njohur

Kosova u trondit sot nga lajmi për vdekjen e një zyrtari 35-vjeçar të Policisë së Kosovës, i cili u gjet pa shenja jete në varrezat e fshatit Morinë.

Sipas të dhënave të deritanishme, polici me inicialet Sh.H., nga Prizreni, ishte pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë. Autoritetet kanë bërë të ditur se dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës me armë zjarri, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave po vazhdojnë.

Pas lajmit të rëndë, ka reaguar edhe aktorja e njohur kosovare Fatbardha Hoxha, e cila përmes një fotografie të përbashkët tregoi se i ndjeri ishte mik i saj.

Hoxha e kujtoi atë me një mesazh të shkurtër lamtumire:

“U prehsh në paqe, shoku jonë! 🕊️”, shkroi aktorja.

Arifi: Kapje e heshtur e shtetit, veç ma ia ndërru Kosovës emrin me ia bë Vetëvendosje

Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Avni Arifi, deklaroi se po ndodh një kapje e heshtur e shtetit.

“Nuk ka mekanizëm shtetëror, nuk ka agjencion që nuk po kapet në mënyrë graduale nga Lëvizja Vetëvendosje dhe njerëzit e saj”, deklaroi Arifi në Klan Kosova.

Arifi shtoi se askush nga shoqëria nuk po merret me këtë kapje që po ndodh në çdo fushë.

“Veç edhe emrin Kosovës me ia ndërru me ia bë Vetëvendosje”, shtoi ai.

Thaçi kërkoi lirim nga burgu e ofroi dorëzani 50 mijë euro, Prokuroria merr vendim

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim të përkohshëm të ish-presidentit të Kosovës nga burgu. Sipas kryeprokurores ameriakne, Kimberly West, Thaçi duhet të mbetet në paraburgim.

“Përparimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i këtij procesi gjyqësor, përfshirë afatin kohor për çdo mocion përfundimtar lidhur me provat, gjithashtu mbështet vazhdimin e paraburgimit të THAÇIT”, thuhet në shkresën e West.

Gjithashtu prokurorja amerikane ka përmendur rrezikun për kryerjen e veprave të tjera penale dhe ndëhryjen në procedura.

“Konstatimet e vazhdueshme mbi ekzistencën e rreziqeve sipas nenit 41(6)(b) që i atribuohen THAÇIT në këtë çështje mbeten të vlefshme. Ato janë bërë mbi bazën e një numri të madh faktorësh të arsyetuar dhe të individualizuar, dhe asnjë kusht i mundshëm për lirimin e tij nuk mund t’i zbusë ato në mënyrë të mjaftueshme”, shkruan dokumenti i ZPS-së.

“Ah bre Shaban, pse më le”, reagon vëllai i policit që vdiq në Kukës

Vdekja e zyrtarit të NJRSh-së, Shaban Hajdari, ka lënë në pikëllim të thellë familjen, miqtë dhe kolegët e tij.

35-vjeçari nga Prizreni, i cili u gjet i pajetë pranë varrezave të fshatit Morinë në Kukës, është kujtuar me dhimbje nga vëllai i tij, Egzoni, përmes një postimi prekës në rrjetin social Facebook.

“Ah bre Shaban, o krahu im i djathtë, pse më le?”, ka shkruar vëllai i të ndjerit, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e tij.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes tragjike të zyrtarit policor nga Prizreni janë ende duke vazhduar.

50 milionë euro dëme, Qeveria s’kompensoi as gjysmën?

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për RTV21 se dëmet nëpër komuna nga fatkeqësitë natyrore në tri vitet e fundit janë rreth 50 milionë euro dhe se nga kjo shumë as gjysma e tyre nuk është kompensuar nga Qeveria e Kosovës.

“Qytetarët në Kosovë duhet ta kenë të qartë se legjislacioni në fuqi nuk lejon që komunat të kompensojnë dëmet nga fatkeqësitë natyrore. Dhe, në këtë rast, e gjithë barra bie mbi nivelin qendror, Qeverinë. Përveç kësaj, telashe janë edhe rivlerësimet, sepse komuna po bën vlerësimet e dëmeve që po shkaktohen, Qeveria po bën rivlerësimin dhe nuk po merren parasysh kërkesat për krijimin e një komisioni të përbashkët vlerësues”, tha ai.

Stuhia e ditëve të fundit nuk është e para që la pasoja për qytetarët në Kosovë. Vendi u godit nga vërshimet edhe në fillim të vitit. Në këtë situatë, Ibrahimi ngriti alarmin se Qeveria nuk po bashkëpunon me komunat për t’i evituar dhe rregulluar, siç tha ai, pikat kritike të evidentuara nga komunat pas vërshimeve të janarit.

“Ne kemi komunën e Malishevës, digën e lumit Mirusha, e cila çdo vit shkakton telashe. Rregullimi i saj bie në kompetencë të nivelit qendror dhe deri më tani, sipas komunikimeve me kryetarin, nuk është rregulluar ajo çështje…”

Kosova ditëve të fundit u godit nga një stuhi e fuqishme, nga e cila u shënua së paku një viktimë në komunën e Vitisë dhe dëme të jashtëzakonshme materiale nëpër komuna të ndryshme. Dëmet më të mëdha materiale vlerësohet të jenë në komunën e Istogut, meqë stuhia e breshërit dhe shiut shkatërroi 90% të të mbjellave.