50 milionë euro dëme, Qeveria s’kompensoi as gjysmën?

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për RTV21 se dëmet nëpër komuna nga fatkeqësitë natyrore në tri vitet e fundit janë rreth 50 milionë euro dhe se nga kjo shumë as gjysma e tyre nuk është kompensuar nga Qeveria e Kosovës.

“Qytetarët në Kosovë duhet ta kenë të qartë se legjislacioni në fuqi nuk lejon që komunat të kompensojnë dëmet nga fatkeqësitë natyrore. Dhe, në këtë rast, e gjithë barra bie mbi nivelin qendror, Qeverinë. Përveç kësaj, telashe janë edhe rivlerësimet, sepse komuna po bën vlerësimet e dëmeve që po shkaktohen, Qeveria po bën rivlerësimin dhe nuk po merren parasysh kërkesat për krijimin e një komisioni të përbashkët vlerësues”, tha ai.

Stuhia e ditëve të fundit nuk është e para që la pasoja për qytetarët në Kosovë. Vendi u godit nga vërshimet edhe në fillim të vitit. Në këtë situatë, Ibrahimi ngriti alarmin se Qeveria nuk po bashkëpunon me komunat për t’i evituar dhe rregulluar, siç tha ai, pikat kritike të evidentuara nga komunat pas vërshimeve të janarit.

“Ne kemi komunën e Malishevës, digën e lumit Mirusha, e cila çdo vit shkakton telashe. Rregullimi i saj bie në kompetencë të nivelit qendror dhe deri më tani, sipas komunikimeve me kryetarin, nuk është rregulluar ajo çështje…”

Kosova ditëve të fundit u godit nga një stuhi e fuqishme, nga e cila u shënua së paku një viktimë në komunën e Vitisë dhe dëme të jashtëzakonshme materiale nëpër komuna të ndryshme. Dëmet më të mëdha materiale vlerësohet të jenë në komunën e Istogut, meqë stuhia e breshërit dhe shiut shkatërroi 90% të të mbjellave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *