LDK-ja futet fuqishëm në garë për balotazh në Fushë Kosovë, zyrtarizon koalicionin e dytë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të një komune, Besnik Osmani, ka njoftuar të martën për lidhjen e koalicionit të dytë radhazi në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani bëri të ditur se LDK-ja ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Liberale Egjiptiane.

“Së bashku me Partinë Liberale Egjiptiane, po bashkojmë forcat për çdo rrugë e çdo lagje të komunës sonë. Bashkimi ynë është zëri i bashkëjetesës, barazisë dhe mirëqenies për të gjithë!”, ka shkruar ai.

“Xhelozi e inati”, Çitaku i reagon Kurtit për krijimin e Qeverisë: T’i s’kërkon marrëveshje, kërkon nënshtrim

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi ky i fundit ka folur për xhelozi e inati mes partive sa i përket përpjekjeve për krijimin e Qeverisë së re.

Çitaku në reagimin e saj i ka thënë Kurtit se s’kërkon as marrëveshje e as kompromis, por kërkon nënshtrim.

“Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet”, ka shkruar Çitaku.

Postimi i plotë:

Kjo kastë drejtuesish tashmë e ka shndërruar në normë keqpërdorimin e misioneve diplomatike të Kosovës për nevoja partiake të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në kulmin e fushatës zgjedhore, në një kohë kur vendi nuk ka qeveri legjitime, ky është abuzim i skajshëm me institucionet e shtetit.

Rasti i fundit në Londër e shfaq më qartë se kurrë mendësinë e një partie që e sheh shtetin si pronë të vetën.

E për më tepër, njeriu që nuk la askënd pa fyer e përbuzur, pa asnjë kod, sot paska dalë të thotë se na qenka helmuar atmosfera, se paska xhelozi e inate, andaj po e ka vështirë ta bëjë qeverinë.

Jo A.K.

Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis.

Ti kërkon nënshtrim.

Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet.

Albin Kurti paralajmëron zgjedhje të reja nacionale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dyshuar edhe vet se mund ta bëjë qeverinë e re të dielën kur e ka afatin e fundit.

Tha se “nuk është kollaj” dhe se alternativa tjetër, në rast të mosbërjes së qeverisë, janë zgjedhjet e reja.

Ai u shpreh se “ka shumë inat e xhelozi” dhe se “është intoksuar atmosfera”.

Por, as partitë ish-opozitare, tha ai, “nuk duket ta kenë vullnetin dhe synimin”.

“Do të përpiqemi maksimalisht që deri në dielën më së larg, të hënën nuk mundemi me u përgatit. Sepse të hënën ose e kemi bë qeverinë ose nuk e kemi bë (qesh). Prandaj në këto ditët e mbetura, jemi duke komuniku, jemi duke bisedu. Nuk është kollaj, se, s’di qysh me ua shpjegu, ndoshta e keni ndëgju edhe ju vet, është intoksu atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por, jemi ku jei dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prap. Ose do ta bëjmë qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje prape. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”, tha Albin Kurti në Londër.

Prapaskenat e negociatave: Këto janë postet që Kurti ia premtoi Limajt

Mandatari për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti tha se Fatmir Limajt i kishte propozuar të bëhej nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe tri pozita të tjera qeveritare për Nismën Socialdemokrate.

Gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Londër të hënën, Kurti ka rrëfyer për herë të parë publikisht hollësitë e negociatave të Lëvizjes Vetëvendosje me Nismën Socialdemokrate për formimin e institucioneve në korrik të këtij viti.

Derisa shpjegonte tentativat për marrëveshje për bashkëqeverisje me Nismën, Kurti tërhoqi një paralele të partneritetit të Vetëvendosjes me Partinë Guxo të Donika Gërvallës e Faton Pecit.

“Me Partinë Guxo, e cila i ka gjashtë deputetë, ne jemi marrë vesh me i pasë dy ministra. Në këtë mandat që s’po përfundon, pra përfundon ma s’largu të dielën, kanë qenë ministra Donika Gërvalla dhe Faton Peci. Tash me gjashtë deputetë, dy ministra”, tha fillimisht ai.

Kurti tha se i ka ofruar Limajt postin e nënkryetarit të Kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra.

“Unë kam qenë i gatshëm Nismës me ia dhanë me tre deputetë, një ministër, nënkryetarin e Kuvendit – po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të ishte bërë nënkryetar i Kuvendit. E kish marrë një ministri dhe dy zëvendësministra. Katër pozita të larta me tre deputetë”, u shpreh Kurti.

Negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për formimin e institucioneve të reja, të zhvilluara gjatë muajit korrik, rezultuan të pasuksesshme. Dy palët nuk u morën vesh për pozita.

A siguroi ulëse në Kuvend Komunal nipi i Hashim Thaçit?

Albin Thaçi nipi i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ndonëse garoi si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale.

Sipas rezultateve përfundimtare pas numërimit të 100% të votave për Asamblenë Komunale, Albin Thaçi ka marrë 521 vota, duke u renditur i 15-ti në listën e kandidatëve të PDK-së, raporton lajmi.net

PDK, në këto zgjedhje, ka fituar 22.55% të votave në Prishtinë, përkthyer në rreth 9 ulëse në Kuvendin prej gjithsej 51 ulësesh.

Kjo do të thotë se vetëm 9 kandidatët më të votuar të PDK-së kanë siguruar ulëse, ndërsa Thaçi ka mbetur jashtë për shkak të renditjes më të ulët në listë.

Ky rezultat vjen pavarësisht emrit të njohur familjar dhe mbështetjes brenda subjektit, duke reflektuar garën e fortë brenda listës së PDK-së në kryeqytet.

Armend Rexhepagiqi befason me pamjen, shfaqet me stil të ri

Pas shumë vitesh me lookun e tij identitar të flokëve të gjata, Armend Rexhepagiqi ka habitur publikun me një ndryshim të dukshëm në pamje.

Artisti i njohur, që prej dekadash njihet si një prej zërave më të veçantë të muzikës shqiptare, është shfaqur së fundmi në një organizim privat në Prishtinë, ku performoi me një stil të ri dhe me një karizëm që dëshmon se koha vetëm e ka pjekur artistikisht.

Ndryshimi vjen në një periudhë të artë për Rexhepagiqin, i cili këtë verë lansoi albumin “Dashni e Vjetër”, projekt ky që u mirëprit nga publiku dhe kritika, duke shënuar rikthimin e tij në skenën muzikore me tinguj modernë, por me thelbin poetik që e ka karakterizuar gjithmonë.

Albumi përfshin disa prej këngëve më të ndjera të tij, ndër to “Kutia e zezë” dhe “Dyfish ma pak”, që janë vlerësuar për përzierjen mes nostalgjisë dhe freskisë artistike.

Pas publikimit të albumit, Armendi mbajti edhe një koncert madhështor në Prishtinë më 19 korrik 2025, ku mijëra fansa e ndoqën me entuziazëm, duke e kthyer mbrëmjen në një retrospektivë emocionesh e kujtimesh që përfshinte hite nga e kaluara dhe krijime të reja.

Me këtë energji, ai tregoi se arti i tij mbetet po aq i gjallë dhe i dashur për publikun sa herën e parë që doli në skenë.

Performanca e fundit në eventin privat, ku u shfaq me lookun e ri, vetëm sa e konfirmon këtë fazë të re të artistit, më i qetë, më elegant, por me të njëjtin shpirt rebel që i ka dhënë identitet muzikës kosovare ndër vite.

 

Këta janë kandidatët më të votuar nga diaspora në komunat më të mëdha në Kosovë

Të hënën në mesnatë ka përfunduar numri i votave me postë për zgjedhjet lokale.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, në Prishtinë i pari ka dalë kandidati i LVV-së, Harulla Çeku me 55.38%, apo 571 vota.

I dytë është Përparim Rama nga LDK me 26.67% , apo 275 vota.

Në Pejë, Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka marrë 48.55%, apo 604 vota, kurse Taulant Kelmendi i LVV-së 26.37%, apo 328 vota.

Në Podujevë, i pari është Shpejtim Bulliqi nga LVV me 61.28% , apo 557 vota, kurse i dyti Ekrem Hyseni i LDK-së 31.24% , apo 284 vota.

Në Prizren, Artan Abrashi i LVV-së ka 33.30%, apo 594 vota, kurse i dyti është Shaqir Totaj i PDK-së me 31.73% , apo 566 vota.

Në Ferizaj, Enver Haliti i LVV-së është i pari me 39.13%, apo 349 vota, kurse i dyti është Agim Aliu nga PDK me 37.78%, apo 337 vota.

Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 55.92%, apo 392 vota, kurse Arian Tahiri i PDK-së 33.67%, apo 236 vota

Kandidati LVV-së për Fushë – Kosovën, Valon Prebeza ka marrë 48.86%, apo 150 vota, kurse Besnik Osmani i LDK-së 37.46%, apo 115 vota.

Në Gjilan, Alban Hyseni i LVV-së ka 51.76%, apo 707 vota, kurse Arbër Ismajli i LDK-së 36.53%, apo 499 vota.

Ardian Gjini i AAK-së ka 43.82%, apo 992 vota, ndërsa Anton shala nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka 20.80%, apo 471 vota.

PZAP urdhëron rinumërim të votave në tri komuna

Ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve me urdhër të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa gjatë ditës së sotme do të vazhdohet me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës përfundoi të hënën rreth mesnatës, sipas KQZ-së.

Mbi 44.000 votues kishin të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit dhe patën një muaj kohë ta bënin këtë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Ndërkohë, rinumërimi ka nisur në tri komuna pas urdhrit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa.

Rinumërim do të ketë në dy vendvotime në Mitrovicën e Jugut, në të cilën nuk pati fitues në rundin e parë, pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, zhvilluan një garë të ngushtë kokë me kokë dhe do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit.

Javën e kaluar, autoritetet njoftuan se kishin nisur mbledhjen e të dhënave lidhur me dyshimet për keqpërdorime të mundshme të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Për këtë komunë pati dallime të mëdha mes sondazheve fillestare, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatit preliminar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në Kamenicë do të ketë rinumërim në një vendvotim, i cili nuk pritet të ketë ndikim në rezultat, pasi kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj e fitoi garën qysh në rundin e parë me mbi 51 për qind të votave të fituara.

Gjithashtu rinumërim do të ketë në një vendvotim në Podujevë, ku garën e fitoi bindshëm po ashtu një kandidat i LVV-së qysh në rundin e parë, Shpejtim Bulliqi.

KQZ-ja tha në njoftim se të martën do të nisë edhe numërimi i votave nga procesi i votimit me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

Qeveria Kurti 3 po vjen! Paralajmërohet koalicioni me këtë parti

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se Nisma Socialdemokrate ka treguar vullnet për bashkëpunim dhe se ky hap është në interes të vendit.

Ai është shprehur optimist se do të gjendet një formë e bashkëpunimit që do të çojë drejt formimit të Qeverisë Kurti III.

“Nisma ka qenë e hapur për bashkëpunim, ne e vlerësojmë këtë vullnet të tyre – për shkak se është në interesin e vendit. Ata vazhdojnë të jenë të hapur për bashkëpunim, për ndërtimin e institucioneve, në këtë radhë për formimin e qeverisë”, tha Dugolli në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.

Ai shtoi se, ndonëse ka pasur deklarime nga përfaqësues të Nismës se nuk do të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen për sa kohë që Dimal Basha mbetet kryetar i Kuvendit, ato i konsideron si “deklarime të çastit”.

“Ka pas deklarime që me Bashën si kryetar nuk bashkëpunojnë, por unë i quaj deklarime të çastit, për shkak se partneritetet nuk ndërtohen me kushtëzime”, tha më tej ai.

Dugolli theksoi se nuk ka informacion të drejtpërdrejtë nëse aktualisht po zhvillohen bisedime me Nismën, pasi këtë proces e po e udhëheq një grup më i ngushtë i Kryesisë së VV-së.

“Po besoj që do të gjendet një formë e bashkëpunimit, e cila do të përmbyll këtë cikël të zhvillimeve politike me formimin e Qeverisë Kurti III”, përfundoi ai.

Kujtojmë se më herët, në studion e njëjtë, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbreshë Krasniqi, kishte deklaruar se VV nuk mund të ketë bashkëpunim me Nismën për sa kohë që Dimal Basha nuk dorëhiqet nga posti i kryetarit të Kuvendit.

Krasniqi ka theksuar se për Nismën Socialdemokrate, Basha nuk është i denjë për këtë pozitë. /teve1.info/

Pensionet, Ministria e Financave me një njoftim të rëndëssishëm

Ministria e Financave, Punës, ka njfotuar se pensionistët me probleme shëndetësore si dhe ata mbi moshën 80 vjeçare mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipi mobil i Ministrisë shkon në shtëpi për të realizuar procesin e verifikimi.

Ministria ka publikuar edhe numrat e telefonit në gjashtë qytete, ku mund të thirren ekipet mobile.

Më poshtë lexoni të plotë njoftimin e Ministrisë:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sqaron për opinionin publik se tashmë ekzistojnë ekipet mobile që vizitojnë në shtëpi pensionistët që duhet të lajmërohen çdo gjashtë (6) muaj, por e kanë të pamundur ta bëjnë këtë në zyrat e pensioneve për shkak të arsyeve shëndetësore.

Që nga muaji gusht 2023, Ministria ka lansuar projektin e lajmërimit në shtëpi të pensionistëve, përmes ekipeve mobile që vizitojnë pensionistët në adresën e tyre të banimit.

Me qëllim të lehtësimit të procedurave, pensionistët me probleme shëndetësore si dhe ata mbi moshën 80 vjeçare mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipi mobil i Ministrisë shkon në shtëpi për të realizuar procesin e verifikimit.

Kërkesën mund ta bëjë vetë pensionisti dikush nga familjarët, mjafton të ofrohen të dhënat e sakta të pensionistit dhe arsyet e kërkesës.

Ekipet mobile punojnë 7 ditë në javë, për të siguruar që të gjitha familjet të vizitohen në kohë dhe në mënyrë të rregullt.

Pensionistët apo anëtarët e tyre të familjes mund të dërgojnë kërkesat për lajmërim në këto adresa elektronike ose numra telefoni, varësisht nga rajoni:

Prishtinë – pensionet.pr@rks-gov.net |  038 213 268

Pejë – pensionet.pj@rks-gov.net |  039 431 217

Gjakovë – pensionet.gjk@rks-gov.net |  039 326 999

Gjilan – pensionet.gji@rks-gov.net |  028 324 555

Ferizaj – pensionet.fe@rks-gov.net |  0290 320 403

Mitrovicë – pensionet.mi@rks-gov.net |  028 533 010

MFPT mbetet e përkushtuar që pensionistët të mos përballen me vështirësi gjatë procesit të lajmërimit dhe që shërbimet tona të jenë sa më afër qytetarëve.