Ndërron jetë legjenda e boksit kosovar

Ka vdekur Nazif Gashi, njëri prej emrave më të mëdhenj të historisë së sportit të Kosovës.

Gashi, 74-vjeçar, ka pasur një karrierë të pasur si boksier. Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës, e cila për shumë vjet dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.

Për vdekjen e Gashit kanë njoftuar familjarë të tij.

Në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Gashi dhe boksierët e tjerë të Prishtinës kishin bërë krenarë gjithë Kosovën me paraqitjet e tyre.

Ganimete Musliu: Nëse Kurti i merr sërish 42%, unë vetë do ta votoj në Kuvend sepse populli po e zgjedh vetë vuajtjen

Ganimete Musliu, kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “Infokus Live”, ku foli për rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve dhe qëndrimin e saj ndaj një qeverie të mundshme të Albin Kurtit.

Musliu rikujtoi deklaratat e saj të kaluara kundër votimit të qeverisë së Vetëvendosjes, por theksoi se nëse qytetarët përsëri i japin Kurtit një shumicë të lartë, ajo do të respektojë vullnetin e tyre.

“Unë pata thanë se më përpara e këpus dorës se sa ta votojë qeverinë e LVV-së në Kuvend dhe nuk e kam votua. Mirëpo, nëse Kurti i merr 42% sërish në zgjedhje, unë vetë me dorën time do ta votojë në Kuvend qeverinë e tij, sepse ky popull po e do dhe po e zgjedh vetë vuajtjen.”

Deklarata e saj ka ngjallur reagime të menjëhershme, pasi përmban një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj vendimeve elektorale të qytetarëve dhe një qëndrim të fortë politik për zgjedhjet e 28 dhjetori

Lëvizja nga PDK tek Vetëvendosje, Andin Hoti tregon pse iu bashkua Kurtit në parti

Kandidati i LVV-së për deputet, Andin Hoti, në një intervistë për FRONTAL të T7 ka treguar për lëvizjen e tij politike drejt partisë që drejton Albin Kurti, pasi që para disa vitesh kishte qenë në PDK dhe kishte kandiduar për deputet nga po e njëjta parti.

Hoti ka thënë se në vitin 2020 kishte refuzuar kandidimin e tij për deputet nga PDK-ja dhe se lëvizja e tij drejt partisë Lëvizja Vetëvendosje ka qenë disi e natyrshme edhe për shkak të angazhimit që ka marrë tek Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

“Kjo lëvizje është pak e natyrshme për shkak të punës së përbashkët qe kemi pasur me kryeministrin Kurti dhe përkrahjen e pa rezervë të Kurtit në fushën që unë e mbuloj, por edhe për shkak të bindjeve të mia”, ka thënë ai.

Paga minimale rritet në 425 euro nga muaji i ardhshëm – bizneset e quajnë vendim të ngutshëm

Nga muaji i ardhshëm paga minimale në Kosovë pritet të rritet nga 350 në 425 euro bruto, vendim ky i bërë i ditur sot nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Megjithatë, nga komuniteti i biznesit ky vendim po konsiderohet politik, si dhe i ngutshëm, pasi që sipas tyre, është marrë pa konsultim dhe pa analizë të thelluar.

Ndërkaq, sipas njohëseve të ekonomisë ky vendim për pagën minimale mund të ndikojë në rritje të informalitetit sa i përket deklarimit të pagave për punëtorë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se vendimi për pagën minimale është marrë me procedurë të shpejtuar dhe pa analizat e nevojshme.

Është shqetësim tek bizneset që po merren vendimet kaq shpejtë, pa konsultim, thekson Rafuna.

“Ka qenë një ftesë shumë e shpejtë, që brenda 24 orëve të takohemi dhe të vendosim për pragun e pagës minimale nga ana e ish-ministrit të Financave të cilën e kemi refuzuar për arsyeje se është çështje që kërkon studim dhe hapësirë më të madhe. E keqja më e madhe e kësaj qeverie ka qenë që gjitha vendimet që janë marrë që kanë prek biznesin janë marrë pa një studim të hollësishëm dhe konsultim me sektorin privat, mirëpo gjithmonë biznesi është befasuar. Nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, jemi për të bërë një studim, dhe t’i, japim hapësirë biznesit që me ardhur me një qëndrim ose vendim konkret me propozim se sa duhet të jetë paga minimale…Nuk po themi që paga minimale e propozuar që është e lartë apo e ulet, mendojmë se nëse do të jepnin hapësirë dhe kohë të analizojmë dhe të shkojmë me një propozim konkret tek qeveria sa i përket pagës minimale ndoshta kish me qenë edhe me e lartë se kaq. Është shqetësim tek bizneset që po merren vendimet kaq shpejtë, pa konsultim”, thotë Rafuna.

Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), Kushtrim Ahmeti, e cilëson këtë proces si pjesë të fushatës zgjedhore.

“Është plotësisht fushata dhe ne kemi qenë kundër, kemi marrë pjesë në takim dhe jemi plotësisht kundër. Kemi kërkuar që qeveria duhet me qenë funskionale e plotë, për të dalë një vendim i tillë, e jo të merret në këtë periudhë, ku edhe qeveria është qeveri në detyre, ministrat shumica prej tyre janë bërë deputet, nuk ka asnjë logjike… Periudha kur po merret ky vendim është kohë që po behet puro për fushatë politike”, thotë Ahmeti.

Njohësi i ekonomisë, Naim Huruglica thotë se ndikimi real i pagës minimale në treg është i kufizuar, pasi shumica e punëdhënësve tashmë paguajnë më tepër, porse sipas tij ekziston rreziku që mund të rritet informaliteti.

“Me folë në realitet nga gjendja në tregun e punës, mund të them se shumica e sektorëve industrial ose sektorët ku kosovaret punojnë tani pagë minimale nuk ka nër 500 euro, pagë reale. Mirëpo, nëse rritja vërtetë është bërë në momentin e fundit mund të interpretohet pse është prit të bëhet tash, por nuk është bërë më herët…Paga minimale edhe kur caktohet në mënyrë ligjore, nuk do të thotë që ka me pas një ndikim direkt në përcaktimin e çmimit të tregut të punës, sepse çmimi i punës veç ka ik më lartë seç është ai. Ekziston vetëm një rrezik, nëse ka diku që paguhen njerëzit më pak mund t’i fus në informalitet”, thekson Huruglica.

Kryetari i Sindikatës se Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se paga minimale e propozuar nuk e përballon koston reale të jetesës.

“Në një takim që e kemi mbajtur së fundi si këshill ekonomiko social me ministrin Murati, kërkesa ime ka qenë që paga minimale duhet të jetë 600 euro, por ai ka dalë me propozimin e tij që duhet të jetë 500 euro dhe me këtë propozim ka shkuar në qeveri të Kosovës…Sot paga minimale nëse marrim koston e shpenzimeve për katër anëtar të një familje, atëherë çdo gjë që mbetet nën 800 euro paga minimale nuk i mbulon shpenzimet…Kemi telashe, sepse edhe në të kaluarën, kur u mor vendim që paga minimale të jetë 350 euro ajo edhe sot nuk po zbatohet”, thotë Azemi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur sot se paga minimale nga muaji i ardhshëm do të bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash.

Kurti përmes një postimi në Facebook tha se nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale do të bëhet 500 euro.

Ai tha se nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë 150 mijë punëtorë të sektorit privat.

Kurti thotë se para qeverisjes së tij paga minimale ishte 130/170 euro që ishte e pandryshuar për më shumë se një dekadë.

Me 31 tetor Qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u tha se do të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.

Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Krasniqi: Qytetarët do ta ndëshkojnë me votë keqqeverisjen e Kurtit dhe LVV-së

Kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi, është shprehur se qytetarët me votë do ta ndëshkojnë keqqeverisjen e Albin Kurtit, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Mes tjerash gjatë një interviste Krasniqi ka thënë se për 4 vite kjo qeveri nuk ka bërë asnjë punë dhe sot jeta e qytetarit është e vështirësuar për shkak të inflacionit të madh.

Ajo ka thënë se Vetëvendosje do të ketë përgjysmim të votave.

Krasniqi kandidon për deputete në listën e LDK-së me numër 36.

Deklarimin mund ta shikoni në këtë VIDEO

Andin Hoti: Së paku 80% në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë lexuar Ukshin Hotin

Andin Hoti, i biri i veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hotit, do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për 28 dhjetor.

Hoti në një intervistë dhënë për emisionin ‘Frontal’ në T7 është deklaruar se një shumicë e anëtarëve të LVV’së e kanë të lexuar Ukshin Hotin dhe ndjekin planprogramin e tij, shkruan Insajderi.

“E përmenda babën, po e vazhdoj me babën, është një arsye që besoj pajtoheni që Lëvizja Vetëvendosje, ose së paku 80% e tyre, nëse nuk ka mujtë me shku komplet në programin politik të Ukshin Hotit, së paku e kanë lexu Ukshin Hotin, janë mundu me e e ndjekë Ukshin Hotin dhe janë mundu me ideolizu Ukshin Hotin në këtë pikë. Nuk po them se Ukshin Hoti në asnjë variant është i Lëvizjes Vetëvendosje apo i PDK-së apo i AAK-së. Ukshin Hoti nuk është i asnjë prej partive politike në Kosovë dhe është i të gjithave”, tha ndër të tjera Hoti.

Andin Hoti ka numrin 11 në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. /Insajderi.org/

 

Puntorët e sektorit privat, Murati del me një njoftim

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati derisa ka shpërnda shkrimin e shefit të tij Albin Kurti për çështjen e pagës minimale që nga janari do të bëhet 425 euro bruto, tha se kjo është Qeveria e vetme që mendon për punëtorët e sektorit privat.

“Qeveria e vetme që mendon edhe për punëtorët e sektorit privat”, ka shkruar Murati.

Edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë ditës u lavdëruar me Qeverinë që drejtoi nga 2021-ta, duke thënë se është e vetmja qeveri e cila brenda mandatit të saj rriti pagën minimale tre herë.

“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri. Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje. Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë se një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, shkroi Kurti.

 

Daorsa Kica Xhelili surprizon me një lajm të papritur

Daorsa Kica Xhelili, kandidate për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka ndarë me publikun një lajm të gëzueshëm.

Ajo ka konfirmuar se është në pritje të ëmbël, duke publikuar disa fotografi ku shihet me barkun e rrumbullaksuar.

Pavarësisht shtatzënisë, Daorsa po vazhdon aktivitetet e saj politike në kuadër të fushatës zgjedhore, duke dëshmuar përkushtim si në jetën profesionale, ashtu edhe në atë familjare.

“Ti nuk je emër, je numër”- Vazhdojnë pakënaqësitë në LDK, kësaj radhe për Arben Gashin

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po arrin t’i menaxhojë “egot” e kandidatëve për deputetë. Para disa ditësh me hidhërim reagoi Doarsa Kica-Xhelili për çështje të numrit që iu është dhënë në listën zgjedhore të LDK’së. Kësaj radhe, në mënyrë inderekte, është shpërfaqur pakënaqësi edhe për Arben Gashin.

Flamur Gashi, vëllai i Arben Gashit, ka reaguar në ‘Facebook’ pasi ish-deputetit të LDK’së i është dhënë numri 23 në listën zgjedhore të këtij subjekti politik. Gashi ka thënë se Arbeni “nuk është numër, por emër”, shkruan Insajderi.

“I dashur, vella ARBEN!. Ti nuk je numer, ti je emer, ti i jep numrit emer…”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.

“Vota per ty, eshte vote per familjarin e dashur, njeriun dinjitoz, profesionist, te drejte, te paperkulur, patriot dhe atdhetar! Çdohere dhe ne çdo rrethane, ne krahun tend! Krenar me ty, punen, dinjitetin dhe emrin tend”, përmbyllet postimi i tij.

Arben Gashi në zgjedhjet e kaluara parlamentare tek lista zgjedhore e LDK’së bartte numrin 14.

Pakënaqësi lidhur me numrin ka shpërfaqur para disa ditësh edhe Doarsa Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili, e cila bartte numrin 3 në zgjedhjet e kaluara, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se vendi real përcaktohet nga qytetarët “qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë”, shkruan Insajderi.

“Në politikë kam mësuar se vendin ta jep besimi, jo zhurma. Pa zhurmë, ju më renditët njeriun e dytë më të votuar në LDK. Këtë herë kam zgjedhur të garoj me numrin KATËR (4), sepse besoj se vendin tim real ma përcaktoni ju: qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë”, ka deklaruar ndër të tjera Kica-Xhelili.

LDK’ja ka qenë cak i kritikave edhe nga Agim Veliu, i cili kishte shpresa që do të jetë pjesë e listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

Nga janari, punëtorët do të marrin edhe 75 euro më shumë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nga muaji i ardhshëm paga minimale bruto do të bëhet 425 euro, nga 350 sa është tash.

Ai ka thënë se para katër vite pagën minimale e ka gjetur 130\170 euro.

Tutje, Kurti ka bërë të ditur se brenda mandatit të tij paga minimale po rritet për të tretën herë.

“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri. Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje. Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën here”, ka shkruar Kurti.