Rufki Suma e konfirmon: Do të jem kandidat për deputet në listën e Vetëvendosjes

Ish- kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma do të jetë kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë e ka konfirmuar Suma për Gazetën Online Reporteri.net

“Po”, ka thënë shkurt Suma për Reporteri kur është pyetur nëse do të jetë në listën e VV-së për deputet.

Kujtojmë se Suma ishte mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Hanit të Elezit edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti.

Suma ka udhëhequr dy mandate si kryetar i pavarur i Hanit të Elezit, duke u bërë personi i parë që fiton në një komunë si i pavarur.

Lista e kandidatëve për deputetë nga AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet  parlamentare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova sot ka nevojë për njerëz që i qëndrojnë vendit në krah, në çdo rrethanë.

Ai ka sqaruar së për një pjesë të renditjes së kandidatëve ka qenë kriter numri i votave nga zgjedhjet e fundit.

“Kosova sot ka nevojë për njerëz që i qëndrojnë vendit në krah, në çdo rrethanë. Ashtu siç edhe qytetari i Kosovës ka nevojë për përfaqësues të guximshëm dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit publik. Sa i përket radhitjes në listë, në bazë të vendimit të Këshillit Drejtues, 1/3 të kandidatëve u janë vendosur numrat duke pasur si kriter votën nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, ndërsa për 2/3 te kandidatëve në listë është tërhequr shorti”, ka shkruar Haradinaj.

Dhjetë të parët në listë janë, Ramush Haradinaj, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Bekë Berisha, Arbër Tolaj, Albana Bytyqi, Pal Lekaj, Gani Dreshaj, Diellza Kukaj dhe Agim Çeku./teve1.info/

 

Çka po ndodh? Fatmir Limaj fton konferencë “të jashtëzakonshme” për media

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka ftuar konferencë të jashtëzakonshme për media.

Limaj, i cili ende s’e ka publikuar listën e garuesve të Nismës, afat ky i cili përfundon para mesante, tha se do të ketë adresim për media.

“Përshëndetje të nderuara media, Ju ftojmë në Konferencë të Jashtëzakonshme për Media, e cila do të mbahet sonte, nga ora 21:30, në selinë qendrore të Nisma Socialdemokrate, në Pejton. Konferencën do ta mbajë kryetari Fatmir Limaj”, thuhet në njoftim.

Ish- kryetari i Hanit të Elezit garon për deputet, pjesë e listës së VV-së

Ish- kryetari i Hanit të Elezit, i cili i garën e kishte fituar si i pavarur në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë kandidat për deputet.

Tëvë1 ka mësuar se Suma do të jetë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Suma ishte mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Hanit të Elezit edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti.

Suma ka udhëhequr dy mandate si kryetar i pavarur i Hanit të Elezit, duke u bërë personi i parë që fiton në një komunë si i pavarur.

Ish-deputeti i PDK-së do të jetë në listën e Vetëvendosjes për deputet

Një lëvizje e papritur politike pritet të shënohet në zgjedhjet e ardhshme, pasi një ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës do t’i bashkohet listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas burimeve të IndeksOnline, bëhet fjalë për Andin Hotin, djalin e Ukshin Hotit, i cili më herët ka qenë pjesë e PDK-së.

Hoti pritet të jetë pjesë e listës së kandidatëve të VV-së për zgjedhjet parlamentare.
Vëllau i Gani Gecit, kandidon për deputet, rangohet në këtë numër

Fadil Geci kandidon për deputet me numër 33 në listën e LDK-së

LDK ka publikuar listën e kandidatëve për deputet, ku pjesë e saj është edhe Fadil Geci.

Geci do të mbajë numrin 33 në listën e kandidatëve të LDK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ndryshe, Fadil Geci ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës për dy mandate në kohën e ish presidentit Ibrahim Rugova.

Kandidaturën e Fadil Gecit para disa ditësh e kishte konfirmuar edhe vëllai i tij, Ganiu.

PDK publikon listën zgjedhore

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka prezantuar listën zgjedhore.

Hamza ka thënë se lista sjell energji të re me më shumë se 50 kandidatë që garojnë për herë të parë, si dhe një përfaqësim të fuqizuar të grave, me 37 kandidate.

“Listë gjithëpërfshirëse, me profesionistë të shumtë. Energji e re me mbi 50 kandidatë që garojnë për herë të parë dhe 37 gra që e forcojnë përfaqësimin. Një përbërje që reflekton përgjegjësi dhe përkushtim ndaj interesit qytetar dhe shtetëror. Jemi bashkë dhe të përkushtuar për ta çuar Kosovën përpara! #PDK130”, ka deklaruar Hamza.

PDK bart numrin 130 në këto zgjedhje.

Nuk u kandidua për deputet, reagon Agim Veliu

LDK ka publikuar listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në këtë listë mungoi emri i Agim Veliut.

Pas kësaj reagoi vet Veliu me anë të një shkrimi në “Facebook”.

Reagimi i plotë:

Të dashur qëndrestarë, anëtarë e simpatizantë!

Dua të falënderoj me respekt të gjithë ata qytetarë, aktivistë dhe anëtarë të partisë që kanë kërkuar me zë të lartë përfshirjen time në listën e kandidatëve, me qëllim të fuqizimit dhe unifikimit të degës në Podujevë dhe LDK-së në tërësi.

Edhe pse nuk kam humbur asnjë garë në jetën time politike, sot po shoh një padrejtësi të pashembullt brenda vetë partisë sime.

Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik !
Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës fituese për vite me radhë.

Unë nuk jam bërë barrë për askënd, por duket se dikush është trembur nga fuqia ime elektorale dhe integriteti që e kam dëshmuar me punë e me votë, e jo me pazaret e zyrave të mbyllura! Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur.

Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare.

Transparenca dhe drejtësia do të kërkohen deri në fund.

Ky është vetëm fillimi..

Biznesmeni i njohur, pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Pjesë e listës së kandidatëve për deputet nga radhët e PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë edhe Qëndrim Kryeziu me numër rendor 103.

Ai ka thënë se garës për deputet do t’i hyjë me përkushtim të madh duke pasur parasysh se sot më shumë se kurrë idealet janë rrezikuar nga qeverisja e VV-së në krye me Albin Kurtin që e ka armiqësuar vendin me SHBA-në.

“Zhgënjimi, dëshpërimi dhe pasiguria kolektive janë bërë disponim shoqëror. Kjo situatë nuk mund të kurohet vetvetiu. Ajo mund të korrigjohet vetëm nën drejtimin e vendit nga një lider i dëshmuar si Bedri Hamza. Nën udhëheqjen e tij, fitorja është e sigurt! Por ajo nuk do të jetë një triumf i thjeshtë elektoral për PDK-në, por e vetmja mundësi që ka mbetur për shpëtimin e Kosovës nga e keqja që e ka pllakosur!”

 

Qëndrim Kryeziu në moshë të re është kyçur në botën e biznesit, duke u bërë njëri nga sipërmarrësit më të rinj në vend. Ai thotë se investimet në ekonomi janë ato që i duhen Kosovës si shtet, pasi hapja e vendeve të reja të punës është çelësi i duhur për të ardhmen e këtij vendi, raporton KosovaPress.

Këngëtarja e njohur garon për deputete, rangohet e 12-ta në listën e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën zyrtare me 110 emrat që do të garojnë për ulëse në Kuvend në zgjedhjet e ardhshme, dhe vëmendja menjëherë është kthyer tek figurat publike që vijnë nga bota e artit dhe showbiz-it.

 

Vetëm pak ditë pasi bëri të ditur aderimin e saj, këngëtarja e mirënjohur Adelina Thaçi Meta e ka konfirmuar synimin e saj serioz për t’u bërë pjesë e legjislativit. Emri i saj figuron në pjesën e sipërme të listës. Adelina do të garojë me numrin 12, duke kërkuar që pas një karriere të gjatë në muzikë, të japë kontributin e saj edhe në politikëbërje.

Por, lista “123” e LDK-së sjell edhe një tjetër emër shumë të komentuar të momentit. Fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP Kosova, Lumbardh Salihu, është gjithashtu pjesë e kësaj gare.

Lumbardhi, i cili fitoi zemrat e publikut përmes ekranit, tani kërkon besimin e tyre me votë. Ai mban numrin 77 në listën e kandidatëve. Mbetet për t’u parë nëse popullariteti i tyre i madh do të përkthehet në vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë. /Prive By Liberta Spahiu