Safet Gjici e lë qelinë, shtrihet në spital

Ish-kreu i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici e ka lënë përkohësisht qelinë e burgut pasi është shtruar në një spital privat në Tiranë.

Mediat raportojnë se ish-kryebashkiaku socialist është shtruar në pavionin e Patologjisë, por ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore .

Safet Gjici u përfshi në video-skandalin me Alma Kaçin dhe është dënuar me 3 vite burgim për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Gjici ishte dënuar në shkallën e parë për abuzim me detyrën dhe duhej të vuante 1 vit e gjashtë muaj burgim, dënim që niste nga qershori i vitit të kaluar, ditën kur ai u arrestua dhe që pritej të përfundonte së shpejti.

Por Gjykata e Apelit të Posaçm doli në konkluzionin se Gjici nuk duhej të dënohej për abuzim me detyrën por për korrupsion aktiv. Rrjedhimisht ai u dënua me 4 vite e 6 muaj burg, nga të cilat do të duhet të vuajë 3 vite për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar.

Sesioni vjeshtor në Kuvend nisi me një mysafir special

Ka nisur sot sesioni vjeshtor në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, teksa u uroi mirëseardhje deputetëve dhe suksese në sesionin vjshor, njoftoi se brenda sallës së kuvendit është një mysafir special, njofton Klankosova.tv.

Ai përshëndeti ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz.

“Në këtë seancë që po e fillojmë e kemi një mysafir special. E kemi të pranishëm ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz bashkë me përfaqësuesit e agjencisë së Luksemburgut për zhvillim që na e ka mundësuar këtë teknologji të shkëlqyeshme në Kuvend në mënyrë që ta kemi një Kuvend funksional. Ambasada e Luksemburgut e mundësoi këtë investim”, tha Konjufca, njofton Klankosova

Tërnava kritikon “Lëvizjen e Deçanit”: Po e prish harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, e ka kritikuar “Lëvizjen e Deçanit”, e cila po cilësohet si lëvizje anti-islame.

Kjo çështje dje është diskutuar edhe në mbledhjen e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

Sipas njoftimit për media të BIK-ut, Tërnava ka thënë se kjo lëvizje po e prish harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare.

“Në këtë mbledhje Kryesia diskutoi për situatën aktuale, sidomos për paraqitjen e disa lëvizjeve me fushata tendencioze, që atakojnë vlerat tona fetare dhe kombëtare, e të cilat po sulmojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë, vlerë kjo e kombit shqiptar, e njohur botërisht. Myftiu Tërnava me këtë rast tha se këto paraqitje me këtë gjuhë të urrejtjes po prishin harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare”, është thënë në njoftimin e BIK-ut.

Njoftim i rëndësishëm nga ministria e ekonomisë dhe Kurti, do të subvencionohen…

Ministria e Ekonomisë në kuadër të pakos emergjente për energji ka lansuar thirrjen publike “Mbështetje konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje”.

Të gjithë ata qytetarë të cilët blejnë klimë efiçiente, kalda me biomasë, pompë termike si dhe stufë individuale me biomasë do të subvencionohen nga fondet që janë siguruar nga Bashkimi Evropian

Për kalda me biomasë vlera e subvencionit do të jetë 70%, apo deri në 1,200 euro, për klimë do të jetë 40% e vlerës apo deri në 400 euro, për pompë termike deri në 2 mijë euro ndërsa për stufë individuale me biomasë deri në 435 euro.

Kryeministri i Kosovës tha se përmes këtyre masave, do të ulet shpenzimi i energjisë.

“Teksa temperaturat kanë filluar të ulen, qytetarët do të kenë mundësi që shtëpitë e tyre t’i mbajnë të ngrohta. Ne tashmë kemi përkrahur rreth 40 mijë familje. Për këto familje kjo verë ka qenë më e freskët e dimri do të jetë më i ngrohtë”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se i gjithë procesi do të jetë transparent.

“Po hapim edhe një raund të masave. Është hera e 13 që po marrim masa të tilla. Me të gjitha këto masa ne kemi arritur investime rekorde në efiçiencë të energjisë”, shtoi ajo.

Qytetarët do të duhet të aplikojnë në platformën E-Kosova për subvencionim.

Kurti për aktakuzën e ngritur në rastin Banjska: “Më mirë vonë se kurrë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj 45 të dyshuarit për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë. Kurti tha se ngritja e kësaj aktakuzës ka mundur të bëhet më herët, teksa shtoi se “më mirë vonë se kurrë”.

Kreu i ekzekutivit insiston që fillimisht duhet të dorëzohet kryekrimineli serb, Milan Radojiçiq, pasi akti është kryer në Republikën e Kosovës.

“Unë nuk e kam parë aktakuzën, jam i bindur që ka mundur të ngritët shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Natyrisht siç thotë populli më ‘mirë vonë se kurrë’, por megjithatë atë duhet ta shohim përmbajtën e saj në mënyrë qe të mund të flasim për të. Ajo që ne insistojmë vazhdimisht ku do që ndodhemi, e para është dorëzimi i Milan Radojiçiqit autoriteteve të Kosovës sepse krimin e ka kryer në Kosovë. Banjska është në Zveçan të Kosovës. Së dyti duhet ta tërheqin atë letrën e ish-kryeministres Bernabiq më të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë prej marrëveshje bazike dhe marrëveshje së zbatimit, duke thënë se nuk e pranon pavarësinë”, u shpreh Kurti

Gjoshi i PDK-së: Krasniqi ka shkuar në veri vetëm, Kurti ka shkuar me 200 policë

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka komentuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veri.

Ai ka shpërndarë videon e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili nga Kuvendi i kishte bërë thirrje Kurtit që të vizitonte veriun.

Në profilin e tij në “Facebook”, Gjoshi ka shkruar se Krasniqi ka shkuar vetëm në veri, kurse Kurti me 200 policë.

“Kryetari Krasniqi e kishte ftuar para më shumë se një viti Kurtin që të shkonin në veriun e Kosovës. Pas refuzimit të tij, Krasniqi kishte shkuar i vetëm – dy herë! Sot, Kryeministri i ka shndërruar në fushatë vizitat atje, ku shkon me nga 200 policë”, ka shkruar Gjoshi.

Nis verifikimi nëse ka fëmijë që nuk jetojnë në Kosovë e i marrin shtesat

Proces verifikues për prindër që përfitojnë nga shtesa për fëmijë, ka nisur Ministria e Financave. Në njoftimin nga ky institucion thuhet se ky verifikim shtesë kërkohet për të vërtetuar që përfituesit jetojnë në Kosovë. Përgjegjësia për administrimin e dokumenteve të nevojshme u është bartur Qendrave për Punë Sociale. E në këto institucione ankohen se nuk kanë mjaftueshëm staf për këto përgjegjësi.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nisur një proces verifikues për disa nga përfituesit e shtesave për fëmijë.

Në emailin që Ministria ua ka dërguar disa prindërve thuhet se përkohësisht pezullohet pagesa e shtesave për fëmijë, deri kur në Qendrën për Punë Sociale (QPS) të komunës ku jetojnë të dërgojnë dokumente për verifikim.

Ministria ka kërkuar nga përfituesit që në QPS të dërgojnë këto dokumente: kopjen e letërnjoftimit, një faturë të shërbimeve publike, si dhe për fëmijët nga mosha 0-6 vjeç librezën e vaksinimit, e për ata mbi 6 vjet vërtetimin nga shkolla.

“Programi i spër fëmijë është i dedikuar për të gjithë fëmijët që janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe jetojnë në Kosovë. Bazuar në të dhënat që posedon sistemi ynë, rezulton se llogaria juaj ka nevojë për verifikim shtesë, për të siguruar që ju dhe fëmijët jetoni në Kosovë”, thuhet në e-mailin e Ministrisë.

Ministria e drejtuar nga Hekuran Murati nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS se sa prindërve iu ka shkuar ky email, për cilat arsye dhe a ka dyshime që këto beneficione po keqpërdoren edhe nga persona që e kanë nënshtetësinë, por që nuk jetojnë në Kosovë.

Përgjegjësia për t’i pranuar këto dokumentacione u është bartur Qendrave për Punë Sociale, gjë që ka hutuar edhe udhëheqësit e këtyre institucioneve por edhe qytetarët.

Abaz Xhigoli, drejtor i QPS-së në Fushë-Kosovë, ka thënë se si qendër përballen me volum të lartë të punës dhe me staf të pamjaftueshëm.

Xhigoli tha se disa prindër nuk po mund ta kalojnë procesin e verifikimit.

“Kemi situata kur ka familjarë të cilët nuk kanë arritur t’i regjistrojnë fëmijët që kanë sëmundje të natyrave të ndryshme, sepse shkollat nuk e kanë pranuar një fëmijë 6-vjeçar, edhe për këtë duhet një shkresë, sepse atij nuk iu ka mundësuar ta vazhdojë mësimin”, theksoi Xhigoli.

E një prind që të mërkurën u paraqit në njërën nga qendrat për punë sociale në kryeqytet, në kushte anonimiteti, u ankua për procedurën të cilën tha se do të mund ta kryenin në mënyrë elektronike.

“Stafi nuk ishin të njoftuar me këtë proces dhe si rezultat kanë kërkuar që të gjithë prindërit prezentë të kthehen mbrapa dhe të paraqiten në QPS javën e ardhshme, me shpresën që deri atëherë sqarohen me MFPT-në”, ka thënë ai.

E profesori i ekonomisë, Artan Nimani, tha se nga pakujdesia institucionale po keqpërdoret paraja publike edhe përmes skemave të tjera.

“Edhe për libra, kam mjaft informacione që qytetarë kanë aplikuar, i kanë marrë mjetet, por nuk janë shfrytëzuar për qëllimin që janë ndarë. Sepse ka raste kur sistemi ka lejuar mundësinë që të përfitojnë edhe prindër që nuk i kanë fare fëmijët e regjistruar në sistemin arsimor në Kosovë”, ka thënë Nimani.
Qeveria e Kosovës ndan 20 euro në muaj për fëmijë deri në 16 vjet.

Në rast se prindi ka 3 fëmijë e më shumë, atëherë pagesa për secilin është nga 30 euro në muaj.

Sipas Ministrisë së Financave nga kjo skemë përfitojnë 400 mijë fëmijë.

Bëhen virale – Këto janë batutat dhe fyerjet në debatin Trump-Harris

Për 90 minuta zv.Presidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Donald Trump janë përballur në debatin e parë që mund të jetë edhe i fundit para garës së 4 nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.

Top Channel sjell një përmbledhje të debatit, batutave, akuzave dhe fyerjeve që dy kandidatët lëshuan në drejtim të njeri tjetrit të martën në mbrëmje.

Harris: Ne do ulim taksat për familjet e klasës së mesme 6000 dollarë. Zbritje tatimore 50,000 dollarë për bizneset e vogla. Kurse Trump do punojë kundër tyre.

Trump: Nuk kam taksë shitje, por tarifa. Vendet e ndryshme do na paguajne tarifat që na kanë borxh. Kur isha ne fuqi kishim tarifa por jo inflacion. Tani kemi inflacionin ndoshta më të madh në histori. Kjo po shkatërron klasën e mesme. Njerëz nga burgjet e vendeve të tjera po marrin punët e njerëzve tanë, duhet t’i përziejmë këta njerëz.

***

Harris: Ne kemi pastruar atë që la Trump. Presidenti Trump ka një plan të rrezikshëm projekti 2025.

Trump: nuk kam asnjë lidhje me projektin 2025. Ekonomia jonë kur e lamë gjatë pandemisë ishte me e mirë se kurrë. Furnizuam botën me maska dhe bombula dhe krijuam shumë vende pune.

Harris: Goldman and Sachs ka thënë se planin Trump është i plan i keq për ekonominë. Dhe ka mbështetur planin tim për ekonominë

Trump: Ajo s’ka plan. Plani është kopje e planit të Biden. Plani i saj janë kater fjali të kopjuara.  Ajo është një marksiste. Babai i saj ka qenë marksist. 21 milionë njerëz, më shumë se shteti i New Yorkut, shumica kriminelë, kane ardhur në vendin tone. Ata dhe kjo kanë shkatërruam vendin.

***

Trump: Arsyeja pse po votoj kundër abortit është se tani ata kanë abortin deri ne muajin e 9. Këta janë radikalë. Zgjedhja e saj për zv president është një nga ata që mbështesim abortin në muajin e 9 deri pasi të ketë lindur që quhet vrasje. Kjo cështje na ka ndarë për 50 vjet. Të gjithë donin ta çonin në shtete por të paktën ne e çuam votën tek njerëzit.

Harris: Siç thashë do dëgjoni shumë gënjeshtra. Në mbi 20 shtete tani ndalohet aborti. Për shkak të Trump dhe në rastin kur ka përdhunim. Trump nuk duhet ti thotë njerëzve cfarë të bëjnë. Viktima incesti apo përdhunimi nuk duan Trump ti thotë çfarë të bëjnë. Në projektin 2025 të Trump do ketë një ndalim aborti.

Trump: Unë bëra atë që nuk mendoi asnjë që ishte e mundur. Sa për ndalimin e abortit, nuk jam pro. Por ska rëndësi sepse nuk varet nga unë por shtetet. Njësoj si me kreditë e studentëve që nuk u miratua edhe pse u trumbetua nga Harris dhe bosi i saj që është në plazh

Harris: Mbështes rifutjen e mbrojtjes së të drejtës për abortin. Gratë që punojnë dhe nuk munden të përballojnë shpenzimet duhet të udhëtojnë në shtete të tjera për të marrë shërbim shëndetësor.

Trump: Një tjetër gënjeshtër. Sa për in vintron kam qenë lider për fertilizimim. Pse nuk e pyesni a i mbështet abortin në muajin e 7?

***

Harris: Trafikimi ilegal i drogës në kufi mund të luftohej me ligjin që propozuam ne që e ndaloi Trump. Ju ftoj të shkoni tek një nga mitingjet e tij. Ai flet për karaktere fiktive dhe s’flet asnjëherë për njerëz si ju.

Trump: Asnjë nuk shkon tek mitingjet e saj. Ajo i paguan njerëzit për të marrë pjesë. Do përfundojmë në luftën e 3 botërore me këtë që kanë bërë. Në Springfield ilegalët po hajnë kafshët qentë e macet e banorëve. Do përfundojmë si Venezuela me steroide.

Harris: Kjo është një nga arsyet, ektremizmi i tij, që kam mbështetjen e 200 republikanëve, përfshirë çiftin Cheney. Ish stafi i tij e quan atë të pa përshtatshëm.

Trump: Unë jam ndryshe. Unë ata njerëz i kam pushuar nga puna. Këta skanë pushuar asnjë nga puna. Shikoni inflacionin ekonominë. Kjo është mënyrë e mirë për të mos shkruar kundra teje. Por unë kam marrë më shumë vota se cdo republikan në histori.

***

Trump: Për 6 Janarin, unë i thashë mbështetësve hajdeni paqësisht. Asnjë nuk u vra në anën tjetër. Kur do dënohen ilegalet që kryejnë krime këtu apo ata që dogjën Minneapolis? Skam bërë asgjë në 6 janar thjesht një fjalim. I ofrova gardistë, por Pelosi dhe Kryetari i Bashkisë së Ëashington DC janë përgjegjës.

Harris: Isha atje atë ditë. Ai realizoi një plan për të dhunuar institucionin e Kongresit. Të gjithë ata që e mbajnë mend 6 janarin u them të mos shkojmë mbrapsht. Ti japim fund kaosit. Nëse përfundimi i këtyre zgjedhjeve nuk është pro Trump ai ka thënë se do këtë gjakderdhje

Trump: ka qenë në kontekstin e energjisë dhe është hedhur poshtë. Këta mund të firmosin mbylljes e kufirit. Mund ta çojnë Presidentin nga gjumi dhe ai vetëm duhet ta firmosë. Ka shumë prova që fitova, kisha marrë 75 milionë vota. Më shumë se askush.

Harris: Liderët botëror e tallin Trump dhe e quajnë një turp, duke iu referuar të gjitha atyre çështjeve që ka humbur.

Trump: Viktor Orban, një lider i fortë, ka thënë, kur e pyetën pse është Bota në këtë gjendje, ai tha duhet të kthehet Trump: “ai ishte presidenti që e kishin të gjithë frikë”. Dhe do ju them nje sekret: Biden e urren këtë.

***

Harris: Hamas vrau 120 izraelite dhe Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten. Por gjithashtu shumë palestinezë kanë vdekur dhe ka rëndësi sesi e mbron veten Izraeli. Kjo duhet të ndalojë. Gjithmonë do i jap Izraelit të drejtën për tu mbrojtur sidomos kundër Iranit dhe Hamas me një zgjidhje dy-shtetëshe

Trump: Po të isha President nuk do kishte ndodhur, as Ukraina. Irani ishte i falimentuar nën presidencen time. Izraeli s’do ekzistonte dy vjet mbas presidencës se Harris. Do i zgjidhja këto dhe do i bëj përpara së të bëhem President.

Harris: Ai po tenton të heqë vëmendjen nga dështimet e tij. Ai admiron diktatorët. Ai mbështeti Putinin në Ukrainë dhe i shkruajti letër ‘dashurie’ Kim Jon Un-it.

Trump: Putini e mbështeti këtë javën e kaluar. Se liderët e vendeve të tjera i duan meqë janë inkompetentë dhe të dobët. Interesi i Amerikës është që lufta në Ukrainë të përfundojë.

Harris: Falë mbështetjes sonë, Ukraina qëndron si shtet i pavarur. Axhenda e Putinit nuk është vetëm Ukraina. Europa është falenderuese që ju sot nuk jeni President. Nëse Putin do kishte marrë Ukrainën, rradhën do ta kishte Polonia.

Trump: Biden çoi Harris të negocionte me Zelenskin dhe Putin dhe 3 ditë më pas nisi lufta.

***

Harris: Donald Trump si president negocioi një nga marrëveshjet më të dobëta që mund të imagjinoni,” thotë ajo, duke iu referuar negociatave të tij me talebanët.

Trump: Unë u përfshiva me talebanët sepse talebanët po bënin vrasje.

Marrëveshja që çoi në tërheqjen e SHBA ishte një marrëveshje e mirë. Nëse do të isha ende president gjatë tërheqjes, asnjë shtetas amerikan apo pajisje ushtarake nuk do të liheshin pas. Ata e shpërthyen administratën e Biden.

I thashë Abdul, ‘mos e bëj më. Bëje më, do të kesh probleme. I dërgova Abulit një fotografi të shtëpisë së tij dhe ai më pyeti “përse ma ccon këtë foto”. Pas kësaj talebanët nuk bënë më vrasje.

Kuvendi i Malit të Zi, institucionet e Kosovës i quan “të përkohshme”

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq ka pritur në një takim gjatë ditës së sotme ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq, ku si temë diskutimi kanë pasur edhe Kosovën.

E në njoftimin zyrtar për këtë takim, të publikuar në ueb-faqen e parlamentit malazez, institucionet e Republikës së Kosovës janë cilësuar si “institucione të përkohshme”.

Kjo, edhe përkundër faktit se Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur më 9 tetor, 2008.

Në komunikatë është përfolur biseda mes dyshes në takim, pa asnjë citat, dhe Kosovës i është referuar me terminologjinë që e përdor shteti serb, i cili nuk pranon të njohë mëvetësinë e Kosovës.

“Ambasadori posaçërisht theksoi se qëllimi i vetëm që ka kreu i institucioneve të përkohshme në Kosovë, z. Albin Kurti, është t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë, jo vetëm në komunat në veri, por në të gjithë territorin”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.

E sjellim të plotë komunikatën e Parlamentit të Malit të Zi për takimin Mandiq-Rodiq:

Kryetari i Kuvendit bisedoi me ambasadorin e Serbisë 

Presidenti Mandiq, para së gjithash, mikut të shtrenjtë të vendit tonë, ambasadorit Rodiq, i dëshiroi mirëseardhje në Kuvendin e Malit të Zi, duke shprehur i kënaqur për takimin mes tyre.

Ambasadori, në kontekstin e raporteve më të mira mes Serbisë dhe Malit të Zi, dhe në pajtim me politikën zyrtare të Jashtme të Republikës së Serbisë, e cila dëshiron të njohë vendet mike, mes të cilave është edhe Malin e Zi, por edhe ato që mendojnë ndryshe, sot kryetarin e njoftoi për, siç tha, sjelljen diskriminuese të një politike të pakuptimtë e cila po zhvillohet ndaj serbëve në veri të Kosovës, duke paralajmëruar se BE-ja nën patronazh të çuditshëm lejon që kjo të ndodhë.

Ambasadori posaçërisht theksoi se qëllimi i vetëm që ka kreu i institucioneve të përkohshme në Kosovë, z. Albin Kurti, është t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë, jo vetëm në komunat në veri, por në të gjithë territorin.

Me këtë rast, Rodiq ka dashur të njoftojë dhe njohë kryetarin e Kuvendit, si person i parë i institucionit më të rëndësishëm në Mal të Zi, me qëndrimin zyrtar të Republikës së Serbisë, i cili pasqyrohet në disa pika për zgjidhjen e problemit ekzistues jashtëzakonisht të rëndësishëm të krizës së rëndë në Kosovë, ndër të cilat janë:

– Që zgjedhjet e lira të organizohen sa më shpejt në komunat në veri të Kosovës, ku pushtetin tash e ushtrojnë individë që nuk kanë bazë në vullnetin e qytetarëve të atyre komunave.

– Kthimi urgjent i 700 policëve të nacionalitetit serb në shërbim të institucioneve të përkohshme që duhet të rikthejnë sigurinë dhe paqen në komunat në veri, sepse atje këto ditë po kërcënohen të drejtat elementare të njeriut.

– Zgjidhja e problemit që u ngrit në fushën e drejtësisë, sepse që nga ardhja e kreut të institucioneve të përkohshme në Kosovë, z. Albin Kurti në pushtet, nuk flet më për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin gjyqësor, i cili u nënshkrua nga Marrëveshja e Brukselit

– Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe,

– Lirimi i të gjithë personave të burgosur për arsye politike, duke vënë në dukje se këta persona fillimisht ndalohen dhe vetëm më pas akuzohen për krimin që dyshohet se kanë kryer.

– Gjetja e zgjidhjes së bllokadës së importit të produkteve nga Republika e Serbisë në territorin e Kosovës, sepse tashmë janë bërë 14 muaj nga fillimi i asaj ndalese, ndërsa BE-ja, e cila qëndron për qarkullimin e lirë të njerëzve, informatave dhe mallrave, nuk ka bërë asgjë për të zgjidhur këtë problem

Presidenti Mandiq ka falënderuar ambasadorin Rodiq për informacionin që ka dhënë, duke theksuar se në këtë moment gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ai shtoi se shpreson se do të gjendet një zgjidhje paqësore që do t’u mundësojë serbëve dhe të gjithë popujve të tjerë të jetojnë të qetë në vatrat e tyre shekullore.

Në fundjavë parashihet të bie borë në Kosovë

Pas reshjeve intensive që sollën sadopak lehtësim nga thatësira ekstreme dhe temperaturat e larta, të enjten do të kemi përkohësisht përmirësim të motit dhe ngritje të ndjeshme të temperaturave. Pra, presim mot kryesisht me diell dhe temperaturat maksimale në rang vendi pritet të arrijnë deri në 29°C.

Për dallim nga ne, tashmë Evropa Perëndimore është pushtuar nga masat e ftohta polare.

Në ndërkohë, në Evropën Qëndrore dhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë e Mal të Zi, do të fillojë gradualisht përkeqësimi i motit, kjo si pasojë e depërtimit të qendrave me presion të ulët që vijnë paraprakisht nga masat e ftohta polare nga veriperëndimi i kontinentit.

Kështu, duke sjellur intensifikim të reshjeve e shkarkesa të forta rrufesh, përderisa në Shqipëri e Mal të Zi, do të fillojnë kryesisht orëve të pasditës dhe mbrëmjes, ndonëse jo aq të shtrira.

Nga dita e premte, zonat me presion të ulët apo cikloni do të lëvizë mbi rajon, duke sjellur rrebeshe lokale shiu e shkarkesa rrufesh edhe në Kosovë, e njëkohësisht edhe temperaturat do të pësojnë ulje. Në Shqipëri e Mal të Zi do të vazhdojnë kohë pas kohe reshjet intensive e shkarkesat e forta elektrike.

Në fundjavë, masat e ftohta polare do të shtrihen përfundimisht mbi rajonin tonë, duke sjellur ulje drastike të temperaturave. Nën këto kushte, parashihet të ketë reshje lokale shiu, e në zonat e larta malore, konkretisht në perëndim të vendit, mund të paraqiten edhe fjollat e para të borës. Temperaturat maksimale në Kosovë pritet të lëvizin prej 9 deri në 15°C. /MeteoKosova/