Haradinaj për Osmanin: Presidente koti, doli për ta hequr përgjegjësinë nga vetja sikur të kishte qenë në hënë për 4 vjet

Kryetari AAK-së Ramush Haradinaj tha se presidentja po bën “përpjekje të mjerë” për “ta hequr përgjegjësinë nga vetja” dhe për “ta ngarkuar vetëm Kurtin” për dështimet qeverisëse, duke iu referuar një interviste të mbrëmshme të Vjosa Osmanit ku ajo konfirmoi mospajtimet me kryeministrin.

Haradinaj e quajti Osmanin “një presidente koti” që tha se pas katër vjetësh zgjodhi të fliste për rëndësinë e partneritetit me SHBA-në.

“Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook.

Ai tha se Kurti e ka ndohmuar agjendën serbe në Kosovë më shumë sesa vetë Serbia dhe aleatët e saj.

“As armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve. Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare”, shkroi ai.

Haradinaj tha se politika e Kurtit në SHBA konsiderohet armiqësore dhe se vendi po përjashtohet nga nismat rajonale.

“Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Evropa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale. Evropa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor. Ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese”, shkroi Haradinaj.

Vdes një 42-vjeçar në Prishtinë, qëlloi veten me armë zjarri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku një person i ka dhënë fund jetës. Vdekja e viktimës është konstatuar në Emergjencë, ndërsa tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për një 42-vjeçar, i cili e ka qëlluar veten me armë zjarri dhe përkundër ndihmës së ofruar nuk ka arritur të mbijetojë.

Në Emergjencë i ndjeri është dërguar pa shenja jete, ku edhe është konfirmuar vdekja nga ekipi mjekësor.

Nga Policia Rajonale në Prishtinë akoma nuk janë deklaruar për rastin.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Tahiri i AAK-së: Do të angazhohemi që paga të jetë 1 mijë euro dhe në miratimin e sigurimeve shëndetësore

Shefi i Grupit parlamentar të AAK, Besnik Tahiri, ka thënë se në këtë sesion vjeshtor do të angazhohem që paga minimale të jetë 1 mijë euro, si dhe në miratimin e sigurimeve shëndetësore.

Shefi i deputetëve të AAK-së ka thënë se për këtë mandat ka pasur rritje të migrimit dhe mungesë të njohjeve të reja.

“E para shteti ynë më i ri Kosova me qeverisjen katër vjeçare të Kurtit ka pësuar një dobësi serioze në rrafshin e brendshëm dhe rrafshin e jashtëm. Marrëveshjet ndërkombëtare kurrë nuk kanë qenë problem, problem ka qenë menaxhimi i brendshëm. Në këta tre muaj e gjysmë, AAK do të mundohet ti adresoj tri çështje, do të vazhdojmë angazhimin tonë që të shtyjmë përpara konceptin për ligjin e pagave, ku paga mesatare duhet të jetë 1 mijë euro. Do të shtyjmë përpara miratimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe e treta do të angazhohemi për zhvillimin e Kosovës. Kosova sot ka 250 mijë banor më pak, është kjo qeveri që ka ardhur në pushtet me kthye shpresën dhe është kjo Qeveri që po e humb shpresën. Për katër vite nuk kemi asnjë njohe”, u shpreh Tahiri.

Abdixihiku me kritika për Kurtin: Kosova ka ngecur me të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke cilësuar se Kosova ka ngecur për shkak të tij.

“Kur nuk ke ide se nga shkon, kur nuk ke vizion të qartë mbi rrugën përpara, kur vepron në mjegull ekonomike, secili hap të duket një ecje përpara. Fatkeqësisht, për vendin tonë, hapat ekonomik të katër viteve të fundit janë hapa të mëdhenj prapa!”, ka shkruar Abdixhiku në faqen e tij të Facebook-ut.

Kreu i LDK-së thotë se në Kosovë nuk po prodhohet, nuk po krijohet, e krejt kjo si rezultat i ekonomisë së kryeministrit Kurti.

Ai shton se paaftësia kushton.

“Jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit. Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend. Paaftësia kushton. Investime nuk ka. Projekte të mëdha nuk ka. Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populiste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dinë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten”, ka shkruar Abdixhiku.

“Kosova meriton më mirë”.

Konjufca: Dialogu ndodhet në një qorrsokak, arkivolin e pati kur ndodhi sulmi në Banjskë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha sot se Bashkësia Ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fjalën e tij pas mbledhjes së Kryesisë, ai tha se dialogu në formatin qysh ka qenë nga viti 2011, e pati arkivolin më 24 shtator, pra kur ndodhi sulmi në Banjskë vitin e kaluar.

“Dialogu ndodhet tërësisht në një qorrsokak prej të cilit nuk po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokaku para se gjithash i ka kontribuar Serbia me veprimet e veta. Mendoj që dialogu në formatin qysh ka qenë prej vitit 2011, e ka pasë arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë sepse informatat të cilat i posedon Bashkësia Ndërkombëtare edhe institucionet e sigurisë përfshirë inteligjencën, tregojnë qartë që ky grup i madh kriminal prej qindra personave e ka pasur mbështetjen prej shtetit të Serbisë. Atyre iu ofrua logjistika dhe mbështetja shtetërore edhe poligonet ushtarake me ushtru ata me i marr armët, kemi fakte që ka pasur edhe shkëmbim armësh mes ushtrisë dhe grupit terrorist. Konsideroj që për këtë arsye është shkatërruar edhe minimumi i mirëbesimit që kërkohet ta ketë një proces i negociatave që të mund të vazhdohet normalisht. Kjo ishte ajo që ndodhi në Banjskë. Ishte gozhda e fundit e arkivolit të dialogut të Brukselit, sa i përket dialogut i cili kishte filluar në vitin 2011”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari tutje u shpreh se i takon Bashkësisë Ndërkombëtare të jetë shumë e përcaktuar se çka po dëshiron.

“I takon Bashkësisë Ndërkombëtare të jetë shumë e përcaktuar se çka dëshiron, nëse dëshiron palë të barabarta në dialog si dy shtete nëse dëshiron edhe ende mendon që principi i marrëveshjes së Ohrit me funksionu palët si shtete sovrane të Kombeve të Bashkuara ashtu siç shkruan. Nëse Bashkësia Ndërkombëtare e ndan mendjen me ec në këtë rrugë, Kosova është e gatshme. A nëse do me i mbyll sytë dhe mos me reagu as kur Serbia i mbyll kufijtë me Kosovës, asnjë reagim nuk e pash nga Brukseli e as nga Bashkësia Ndërkombëtare. Bashkësia është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë për këtë arsye duhet një drejtim krejt i ri”, tha ai.

Tahiri: Duhet të shihet drita në fund të tunelit, Kosovën e ka kapluar errësira

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se subjekti në të cilin bënë pjesë është duke punuar dhe ka për qëllim që vendit t’i japë një qeveri të re.

Në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai tha se Kosova është në errësirë me Qeverinë Kurti.

“Siç e shihni jemi të izoluar dhe bllokuar, komplet angazhimi ynë parlamentar do të shkojë që vendit t’i japim një qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në këtë kohë çfare jemi në këto përplasje me miqtë tanë ata që kanë ndihmuar që të vijmë në këtë pikë në ndërtimin e shtetit të Kosovës në anën tjetër me bllokimin e vendit në aspektin ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë. Shihet se këto tri vite e gjysmë është bërë shumë pak në mënyrë që të ecim me zhvillimet e duhura që kanë ecur rajoni”.

“Pra në cilat do aspekte që e marrim në Kosovë ka ngecje. Angazhimi ynë do të jetë që vendit t’i jepim një qeveri të re që vendin t’a nxjerrim nga këto sanksione, në mënyrë që të shihet një dritë në fund të tunelit, sepse errësira e ka kapluar këtë vend”, ka thënë Tahiri.

“Shota” triumfon në Spanjë fiton çmimin kryesor

Ansambli Kombëtar “SHOTA” ka fituar çmimin kryesor në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Zamora të Spanjës.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Super lajm, edhe një çmim botëror nga artistët tanë. Një tjetër përfaqësim e lartësim i shtetit tonë në botë. Përgëzime për performuesit dhe drejtuesit e ansamblit”, ka shkruar ministri në Facebook.

Postimi i plotë:

Vdes zyrtarja e Policisë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se ka vdekur zyrtarja policore, Havë Blakaj.

Sindikata i ka shprehur ngushëllimë familjes, miqve dhe kolegëve të së ndjerës.

Njoftimi i plotë:

Telegram ngushëllimi!

Me rastin e ndarjes nga jeta të zyrtares policore, Have Blakaj, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.

Me respekt të thellë,

Sindikata e Policisë së Kosovës

Edita Tahiri: Më në fund foli Vjosa, mbyllja e gojës ishte nga Kurti

Ish- kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë Edita Tahiri ka komentuar deklaratat e presidentës Vjosa Osmani dhënë një ditë më parë, ku ka folur për asociacionin, dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe rastin e Martin Berishaj, për të cilin tha se do të duhej të jepte dorëheqje, pas akuzave për korrupsion.

Tahiri ka  thënë se mbyllja e gojës për këto çështje nga ana e presidentës Osmani kishte ardhur nga frika që pati ndaj Kurtit dhe se tani që i ka prishur marrëdhëniet më të, u deklarua e këtë sipas saj e bëri nga frika e votës, në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Me ne fund presidentja foli, guxoi ta kritikonte Kurtin per gabimin per asociacionin, per deshtimin e Kurtit ne anëtaresimin e Kosoves ne Keshillin e Evropes, pergenjeshtroi RTK-ne per sulmet e pabaza ndaj gazetes Nacionale, madje kerkoi shkarkimin dhe doreheqjen Martin Berishaj per korrupsionin energjetik etj – ky guxim i erdhi Osmanit nga frika e votave qe jane afer me 9 shkurt…mbyllja e gojes ishte nga frika qe pati nga Kurti, tash kur i kane prishur marredheniet foli nga frika e votes – pushteti para shtetit eshte nje deshtim kombetar jo vetem politik per rangun e presidentit te nje vendi”, ka shkruar tahiri në Facebook.

Haradinaj: Serbia do jepte miliarda, Kurti po e bën pa pagesë fare…!

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për largimin e Kosovës nga aleatët ndërkombëtarë.

Në një postim në Facebook, ish-kryeministri shprehu shqetësimin e tij për politikën e jashtme të vendit.

“As armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve. Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare.
Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Evropa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale. Evropa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor. Ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese.
Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj” shkruan Haradinaj në reagim.