Kurti: Policia e Kosovës e gatshme të mbrojë Kosovën edhe me jetë

“Policia jo vetëm që ruan qytetarët e jep siguri, por ata janë të gatshëm dhe të japin jetën për Kosovën”.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë për 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.

“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. Pas përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri, policia u bë institucioni  i parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, e që në mes dhimbjeve të madha dhe humbjeve nga lufta, sytë i kishte nga rimëkëmbja. Veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit, nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveqanit, dëshmojnë me profesionalizëm dhe pasion arrihen rezultate për sundim të ligjit. Banjska ka risjell në vëmendjen e secilit prej nesh, se pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo çoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë”, tha Kurti.

25 vjet Polici, presidentja kujton Afrim Bunjakun e të rënët në krye të detyrës – falënderon fuqishëm edhe aleatët

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë zyrtare të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, i ka uruar të gjithë për këtë ditë të cilën ajo e ka quajtur të veçantë.

Ajo tha se Policia përgjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë njëri nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë, njofton Klankosova.tv.

“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. 6 shtatori shënon një moment tejet të rëndësishëm në ditën e themelimit të Policisë sonë. Sot jemi këtu për ta kremtuar 25-vjetorin e Policisë, ditë kjo e cila nuk është thjesht një festë e një institucioni, por një nderim për përkushtimin dhe sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit dhe sigurisë. Policia e Kosovës gjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë. Forcat policore kanë qenë në krye të mbrojtjes së qytetarëve tanë, që rrugët, shtëpitë dhe gjithë qytetarët në çdo cep të Kosovës të jenë të sigurtë”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Gjatë fjalimit të saj, e para e shtetit kujtoi heroin Afrim Bunjakun i cili u vra vitin e kaluar gjatë sulmit që ndodhi në Banjskë.

“Nuk mund të flasim për Policinë pa nderuar heronjtë që dhanë jetën në krye të detyrës. I fundit është Afrim Bunjaku, trimëria dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë të gjithëve. Afrimi bashkë me shumë të tjerë, bëri sakrificën më të madhe për ta mbrojtur atdheun tonë dhe për të siguruar një mjedis të qetë për gjithë qytetarët. Në këtë përvjetor shpreh mirënjohje për secilin pjesëtar të Policisë që para gjithçkaje kanë vendosur interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve”, tha presidentja.

Osmani falënderoi fuqishëm edhe aleatët e Kosovës.

“Për 25 vjet rresht që nga dita e parë e deri më sot i kemi pasur në krah aleatët tanë, prandaj i falënderoj edhe një herë në emër të Kosovës jo vetëm për eskpertizën dhe trajtimet, për pajisjet e armatimin, por për gjithë përkrahjen e pashoq mbi të gjitha për besimin e tyre në Policinë e Kosovës dhe për gjithçka tjetër”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Në fund, ajo falënderim pati edhe për gratë e Policisë së Kosovës për shërbimin profesional e mbi të gjitha për shembullin që japin për çdo vajzë që synon t’i bashkohet misionit për ta mbajtur Kosovën e sigurt.

Ministri turk: S’ka gjë më normale sesa të mbështesim Kosovën

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, nuk tregoi shumë se si do të duket një marrëveshje për siguri mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës.

Ai në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, tha se Turqia e mbështet Kosovën dhe tha se kjo është “normale”.

“Siç e shpreha, e mbështesim Kosovën dhe e kemi një vetëdije të qëndrueshme lidhur me këtë dhe që nga dita e parë kemi pasë një ndjeshmëri të madhe që të përforcohen institucionet kosovare në mënyrë që të t’iu ofrohen të gjithë qytetarëve shërbimet e duhura. Në këtë kontekst është edhe siguria. Ne si Turqi duhet të jemi të gatshëm të ndihmojmë për të gjitha aspektet e sigurisë. Për ne s’ka gjë më normale sesa ta mbështesim Kosovën, kjo do të vazhdojë edhe në shumë fusha tjera. Këto janë të gjitha që mund të them”.

“Kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por janë edhe vëllezërit dhe motrat tona. Lidhjet e palëkundura mes nesh t’i pasurojmë në marrëdhëniet tona dypalëshe në mënyrë më të mirë të mundshme. Qëllimi ynë është që të sjellim një vizion strategjik gjithëpërfshirës në marrëdhëniet tona. Sigurinë, politikën, ekonominë i konsiderojmë tri shtyllat kryesore të bashkëpunimit tonë. Dialogu politik tashmë është në një nivel të shkëlqyer. Duke përfituar nga kjo, duke adresuar çështjet tona të sigurisë me një qasje afatgjate, ne tani kemi dëshirë që dialogun ta vendosim në një kuadër institucional. Nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë mes Turqisë dhe Kosovës do të jetë i pari i këtij bashkëpunimi”. Po

Kryediplomati turk tha se duan të forcojmë edhe më tutje bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë dhe përmendi disa shifra të bashkëpunimit të deritanishëm.

“Duam që në të ardhmen vëllimin tregtar ta rrisim në 1 miliard euro. Investimet e kompanive turke e kanë rritur shifrën prej 500 milionë eurove në Kosovë, kompanitë tona kanë krijuar punësim për rreth 10 mijë motra dhe vëllezër tona nga Kosova. Megjithatë, këto shifra ende nuk janë të mjaftueshme. Ne duam të bashkëpunojmë edhe më fuqishëm”.

Ai tha se janë disa probleme me të cilat përballen këto kompani dhe tha se pritjet për këto çështje ia kanë përcjellë ministres Gërvalla.

E rëndë: Dërgohet pa shenja jete një person në QKUK, Policia jep detaje

Një rast i rëndë është raportuar të enjten nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku një person është dërguar pa shenja jete. Për vdekjen e viktimës tashmë kanë nisur hetimet, ndërsa rasti është konfirmuar edhe nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të para, i ndjeri është dërguar pa shenja jete në këtë qendër, ku është konstatuar vdekja nga ekipi mjekësor.

Me t’u kryer ekzaminimi për shenjat vitale, është njoftuar Policia dhe si rezultat, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes

Lidhur me rastin, dy persona janë intervistuar nga Policia, ndërsa akoma s’dihen detajet e tjera.

Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion dhe është iniciuar rasti si “Hetim i vdekjes”.

Lajçak për Urën e Ibrit: Duhet të hapet por në momentin e duhur dhe në koordinim me aleatët

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se ura kryesori mbi lumin Ibër duhet të hapet. “Mirëpo në momentin e duhur dhe në koordinim me aleatët”, ka thënë Lajçak.

Ai tha se fokus i takimit ka qenë caktimi i takimit të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel, mirëpo nuk dha datë për një gjë të tillë.

Lajçak e kualifikoi si urgjente zhbllokimin e impelementimit të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Lajçak pas takimit me Bislimin: U pajtuam për diçka…!

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, sot ka zhvilluar një takim me zëvendës kryeministrin, Besnik Bislimi, ku ka dhënë detajet e para për çfarë folën në takim.

Lajcaku theksojë se temë diskutuimi ishte, hapja e Urës së Ibirit, ku sipas tij qëndrimi i BE-së është për tu hapur ura por duhet të ketë Kosova koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Po ashtu, diskutuam çështjen e urës në Mitrovicë dhe hapjen e saj për transport, qëndrimi i BE-së është i mirënjohur por duhet ta përsërisë se duhet të hapet por që hapja të behët në bashkëpunim më ngushtë me partnerët të ngushtë të Kosovës”, ka thënë Lajçaku, përcjell IndeksOnline.

Lajçaku foli edhe për bllokimet e paralajmëruar nga serbët në pikat kufitarë me Kosovës, ku emisari vlerësoi se nuk do të ketë bllokime.

“E pash shpalljen, unë besojë që nuk do të ketë bllokime nuk ka kurrfarë arsyeje për bllokime pra duhet të ketë liri të lëvizjes”, tha ai.

Ai gjithashtu foli për raportimet se Serbia është tërhequr nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij nuk ka një gjë të tillë, sepse marrëveshja është pjesë e rrugës evropianë për Kosovën por edhe Serbin.

“Sa i përket tërheqjes se Serbisë ndaj marrëveshjes e Brukselit dhe Ohrit, marrëveshja e Ohrit është ligjërisht është obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim, asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje

Letra është tërhequr nga deklarata që nuk ndihmojnë fare, por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj, marrëveshja tashmë është bëre pjesë e rrugës evropianë të Kosovës dhe Serbisë, pra është e vlefshme në të dyja anët”, shtoi Lajçak.

Ai gjithashtu bëri të ditur se janë pajtuar për një gjë më Bislimin, por nuk dha detaje më shumë.

“Jemi pajtuar për diçka por nuk mund ta themi pa u koordinuar më të tjerët”, tha ai.

Bajqinovci thotë se Lajçaku s’ka asnjë sukses në bisedime Kosovë-Serbi

Mefail Bajqinovci, deputet i VV-së, ka komentuar ardhjen në Prishtinë të Miroslav Lajçakut, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Pasi shkroi dje për bërllokun në Prishtinë, sot Bajqinovci ka vlerësuar punën e Lajçakut.

Sipas tij, Lajçaku nuk e ka asnjë sukses. Madje, Bajqinovci e ka “zbuluar” arsyen se pse Laçaku, sipas tij, nuk ka asnjë sukses.

“Lajçak po bëhen tri vjet që nuk e ka asnjë sukses në bisedime Kosovë-Serbi, arsyeja është thjeshtë, ishte dhe mbetet i njëanshëm” – ka shkruar ai.

Dimal Basha i reagon Emisarit gjerman: Për besë kjo nuk është qasje ndaj një miku e aleati

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i ka reaguar Emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për cështjen e CEFTA’s dhe urën e Ibrit.

Basha ka thënë se deklarata e Sarrazin për lëvizjen e lirë për mallrat e Serbisë në Kosovë dhe kundërshtimi për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, nuk është qasje që e ushtron ndaj një miku e aleati.

“Sarrazin po thotë që është jashtëzakonisht e rëndësishme lëvizja e lirë për mallrat e Serbisë në Kosovë, kurse është kategorik kundër lëvizjes së lirë të automjeteve mbi Urën e Ibrit! Dhe në fund thotë, jemi aleat dhe mik i juaji. Për besë kjo nuk është qasje që e ushtron ndaj një miku e aleati!”, ka shkruar Basha.

Ndryshe, Sarrazin ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosarritjen e një dakordimi rreth CEFTA-s.

Sarrazin ka deklaruar në të dyja vizitat që ka zhvilluar në Kosovë se ka marrë përgjigje negative nga kryeministri Albin Kurti në kërkesën për një kompromis.

“Është relativisht e qartë për mua se si është situata. Nëse Procesi i Berlinit nuk arrin të ofrojë rezultate konkrete në tregun e përbashkët rajonal, gjithë shpresat që kishim në planin e ri të rritjes, por edhe në idenë që të kemi këto katër liri në rajon duke sjellë mundësi për njerëzit të lëvizin lirshëm, mallrat të qarkullojnë lirshëm. Do të jetë kthesë prapa në besimin që mund të integrojmë rajonin bashkë. Do të jetë shumë keq kjo. Nuk do të ndalemi vetëm pse Kosova po bllokon. Kosova mund të bllokojë vetëm veten. Do të adoptojmë mundësi tjetër për një mekanizëm të përkohshëm, jo CEFTA”, ka thënë Sarrazin.

Gaxherri: Lajçak po vjen kot në Kosovë, Kurti antiamerikan dhe populist i rryer

Anëtarja e LDK-së, Besa Gaxherri, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është shprehur e bindur se është antiamerikan.

Madje thotë se është edhe populist i rryer.

“Ne opozita e kemi ditur që Kurti është antiamerikan. Ai normal që e ka fshehur, por kohë pas kohe e ka shpalos edhe këtë, vetë jo që na e kemi shpikë dhe jem friku. Kurti është zënë duke e deklaru vetë se është antiamerikan. Personalisht jam shumë e bindur”, tha ajo në Tëvë1.

Ndërkohë, për vizitën e Lajçakut në Kosovë, Gaxheri nuk pret asgjë.

“Asgjë, Kurti është një populist i rryer. Problemi është te Kurti, Lajçak vjen kot, nuk ka ku me ardhë. Absolutisht vjen kot. Unë duke e ditur cilat lojëra i ka bë Kurti për këto katër vite me radhë me çështjen e dialogut nuk do të ketë sukses e as ecje tutje në dialog”, tha ajo.

Hill: Kush devijon nga dialogu, devijon nga politika e jonë – Serbia po bën gjënë e duhur

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill duke i komentuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë absolutisht të qartë se e ardhmja e kësaj situate duhet të zgjidhet me dialog, duke mohuar se veprimet e Prishtinës janë miratuar dhe koordinuar me ShBA-në.

Ai në një intervistë për transmetuesin publik serb tha se kushdo që devijon nga dialogu, devijon edhe nga politika amerikane.

Ambasadori Hill e lavdëroi Serbinë, duke thënë se po bën gjënë e duhur.

“Kemi qenë shumë të qartë për çështjen e urës në Mitrovicë. Ne jemi shumë të qartë edhe për nevojën absolute për formimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë) Serbe. Pra, mendoj se kemi dërguar mesazhe shumë të qarta dhe kemi qenë gjithashtu shumë të qartë se ata që devijojnë nga dialogu rrezikojnë të devijojnë nga politika jonë. Ajo që mund të them është se Serbia ka punuar shumë për këtë. Serbia ka bërë mirë duke iu përmbajtur dialogut dhe unë vërtet do ta inkurajoja Serbinë që të vazhdojë me këtë”, tha ambasadori amerikan, Hill.

Hill tha se veprimet e fundit në veri nuk janë miratuar dhe nuk ka pas koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“SHBA-ja e bëri shumë të qartë, absolutisht të qartë se e ardhmja e kësaj situate duhet të zgjidhet përmes dialogut, përmes asaj që po bën ambasadori Lajçak. Ne e mbështesim vazhdimisht. Dhe mendoj se kemi qenë gjithashtu mjaft të qartë se jemi të pakënaqur kur dikush devijon nga dialogu ose ndërmerr hapa të njëanshëm. Duhet të them se Serbia, e di që kjo ishte shumë e vështirë për Serbinë, por Serbia i qëndron mbrapa dialogut dhe mendoj se kjo është qasja e duhur. Do të duhet të shohim se si do ta kalojmë këtë. Por dua t’ju siguroj se është absolutisht qëndrimi ynë që dialogu i ka të gjitha elementet që mund t’i zgjidhin këto probleme dhe këto probleme duhet të zgjidhen me dialog”, tha Hill.