Nagavci i jep ‘merita’ Kurtit për gabimin: Tash dimë më shumë për ekuacionet me një të panjohur

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, është pyetur në lidhje me gabimin e kryeministrit Albin Kurti në një detyrë në matematikë gjatë vizitës në një shkollë në Podujevë.

Moderatori Fidan Jupolli e pyeti nëse e kishte vërejtur gabimin e Kurtit.

Përmes një shakaje, Nagavci tha se “cilin gabim”.

“Cilin gabim? Nuk gabon kryeministri. Përtej satirës, ishte një atmosferë tepër e mirë e inaugurimit të dy shkollave të reja për nxënësit” – tha ajo.

Konsideroj që është një gjë shumë e mirë që u diskutua kaq shumë për matematikën. E mira e gjihtë kësaj është se për ekuacionet me një të panjohur, tashmë dimë shumë më shumë” – tha ajo.

Nesër varroset i riu nga Mitrovica, që jetonte në Francë

Nesër në Mitrovicë do të varroset i riu Leonard Gashi

Ai u aksidentua rëndë para dy javësh dhe për pasojë ra në koma tre ditore.

Ai vdiq pasi nuk arriti t’u mbijetojë lëndimeve.

I ndjeri jetonte në Francë.

Trupi i pajetë është sjellë në vendlindje ndërsa ceremonia e varrimit bëhet nesër në varrezat e Shipolit.

“Kurrë s’u ngina me ty”, Koci i emocionuar tregon momentin kur nëna e kishte identifikuar trupin e Faton Hajrizit

Avokati kosovar, Arianit Koci, në FRONTAL të T7 ka zbuluar detaje nga procedurat që janë bërë për identifikimin e trupit të Faton Hajrizit që ishte vrarë në Lloznië të Serbisë.Koci ka thënë se ka qenë tepër te vështirë dhe se autoritetet serbe kishin vendosur disa kushte, shkruan Gazeta Express.

“Çdo shtetas i kosovar e meriton që trupi i tij të kthehet këtu. Ka pas rezistencë të hatashme që të kthehet trupi i Faton Hajrizit. Janë qitë disa kushte. E i fundit ka qenë kushti që nana e tij me shku e me iu marrë pshtyma”, ka thënë Koci.

Avokati kosovar ka thënë se ndihmën për kthimin e trupit të Faton Hajrizit kurrë nuk do ta kishte bërë për para.

“Unë s’kam dashtë t’i zbulojë të gjitha detajet. Për me pagesë kurrë s’e kisha kry këtë punë sepse kam pasur rreziqe serioze. Kjo punë s’bëhet për pare. Unë do të jem i gatshëm sa herë që të ka nevojë ndonjë kosovar. Ia kam marrë dorën”, ka thënë avokati Koci.

Avokati Koci ka rrëfyer edhe për momentet brenda stacionit policor dhe për bisedat me policët serb.

“Unë kam shku në Lloznicë e jam fut tek kolegët e policit të vrarë. Kur ka ra pak tensioni. Më tha një polic, qysh iu kish duk me ardhë një avokat serb i veshur mirë e me kërku trupin e një polici që ka vra shqiptar”, ka shtuar tutje në FRONTAL të T7.

Ai ka treguar edhe për momentet kur nëna e Faton Hajrizit e kishte parë trupin e djalit të saj të vrarë dhe se e kishte identifikuar që është Fatoni.Koci ka thënë se momenti kur nëna e Faton Hajrizit e ka parë kufomën ka qenë emocional.

“Kur e kem pru kufomën, para se me e pa nëna e Fatonit kufomën, kam kërkua që me na i tregu të gjitha karakteristikat e trupit. Krejt na i ka shpjegu, të gjitha detajet, që kur të shkojmë aty me i identifiku.Ishte interesant që nana se si e ka pa trupin, pa i këqyre detajet ka thanë ky është Fatoni. Kufoma ka qenë në gjendje jo të mirë, por jo e pa identifikueshme. E ka përqaf e i tha “kurrë s’u ngina me ty”. Ka pasur shumë momente emocionale”, ka thënë i emocionuar avokati Koci./Express/

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtyre personave, kërkohen për vjedhje të rëndë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për publikimin e fotografive të personave në kërkim, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët me qëllim identifikimin, vendndodhjen dhe kapjen e personave të dyshuar,  të cilët dyshohen se kanë kryer ‘’Vjedhje të rëndë ’’ që ka ndodhur me datën 31.08.2024 rreth orës 12:00 në një lokal afarist në Ferizaj.

Deri më tani të dyshuarit e kësaj ngjarje nuk janë identifikuar dhe policia rajonale e Ferizajt kërkon nga qytetarët që kushdo që ka ndonjë informacion rreth identitentit të tyre, të lajmërojnë policinë.

Shtëpia e Bardhë ka një paralajmërim për Putinin

Presidenti rus Vladimir Putin duhet të ndalojë së foluri për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, tha këtë të enjte zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

“Putini duhet të ndalojë së foluri për zgjedhjet tona. Ai nuk duhet të favorizojë askënd në asnjë mënyrë,” tha Kirby, sipas Reuters.

Më herët këtë mëngjes, Putin tha se Rusia do të mbështesë kandidaten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.

Duke folur në seancën plenare të Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok, Putin vuri në dukje se Kamala Harris ka një “qeshje infektive”, duke përmendur këtë si arsyen e mbështetjes ruse për të, dhe jo për kundërshtarin e saj republikan, Donald Trump.

Si gjithnjë, Stano: Kosova të shmangë veprimet e pakoordinuara, mund të rrisin tensionet në veri

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me palët në Kosovë pas aksioneve të fundit të Policisë në veri ku u mbyllën pesë institucione paralele.

Sipas tij, situata në veri është e paqëndrueshme dhe se shqetësimi i tyre është se veprime të tilla të pakoordinuara mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës.

“Bashkimi Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me palë të ndryshme në Kosovë, në nivele të ndryshme e formate të ndryshme, dhe po i përcjellim mesazhet dhe pritjet tona qartazi. Nuk do të përsëris se çka kam thënë në reagimin tonë të javës së kaluar, kur aksioni në veri të Kosovës u zhvillua kundër këtyre institucioneve që udhëhiqeshin nga serbët atje. Por thelbi është se kemi një situatë që është tashmë e paqëndrueshme dhe shqetësimi ynë kryesor është, që është edhe mesazhi ynë kryesor për autoritetet në Kosovë: shmangni çfarëdo veprimi/hapi, që janë të pakoordinuar dhe mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës edhe më tej”, ka deklaruar Stano para mediave.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Një qytetar në Prishtinë sulmohet nga një turmë e qenve endacakë – PAMJE

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 9:20 në afërsi të Ortopedisë së Vjetër në Prishtinë, ku qytetari është kafshuar nga 15 qen endacakë.

Dy kalimtarë të rastit kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e parë dhe e kanë dërguar viktimën në Qendrën Emergjente të QKUK-së, ku ai ka marrë trajtim mjekësor me qepje në duar dhe fashim në më shumë se 15 vende në trup.

Në fotografitë e siguruara nga ATV, viktima shihet me plagë tejet të rënda.

Ekskluzive: Arrestohet një kosovar në serbi, ja për çka akuzohet

Një qytetar i Republikës së Kosovës është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia serbe, me të hyrë në Preshevë.

Bëhet fjalë për A.Azemi nga Vitia, të cilit policia serbe i tha se për të ekziston urdhërarrest nën dyshimin se ka planifikuar sulm me bombë në aeroportin e Beogradit.

Në një prononcim për Indeksonline, Azemi deklaroi se nga BIA serbe i thanë se një vit më parë, nga numri i tij i telefonit ishte dërguar një mesazh publik se do të organizojë sulm terrorist në aeroportin “Nikola Tesla”.

Pak pa u bërë ora 7 e mëngjesit të sotëm, Azemi u dërgua për intervistim gjashtë orësh në stacion policor, për t’u liruar më pas, në mungesë të provave.

Azemi pohoi se arsyeja e vizitës së tij ishte rekreative, pasi donte të vizitonte Preshevën për qejf, dhe se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem me shtetin apo ligjin.

“Rreth orës 6, 6 e gjysmë, saktë nuk e di, kam kalu kufirin për në Preshevë. E kam kalu kontrollin e pasaportës nga shteti i Kosovës dhe kam viju në pikën kufitare serbe ku edhe është shfaqur problemi. Në atë moment jam largu dhe kam tentu t’iu shmangëm, sepse nuk e kam ditë se ku qëndron problemi e pse po dojnë me më arrestu. Jam ikë dhe jam afru afër policëve të Kosovës, e këta më kanë kthy. Ata më morën e më intervistuan.

Më thanë se kinse kam planifiku sulm. Numri i telefonit i mëparshëm, që e kam pasë para një kohe shumë të gjatë, është identifiku si i imi. Unë e kam pasë atë numër shumë moti, po dikush e ka hapë një e-mail me atë numër dhe e ka bë postimin për sulm. Kush e ka atë numër s’e di veç ata i kanë pa të dhënat dhe kanë ardhë në konstatim se unë e kam. Pas diskutimit dhe mungesës së provave e kuptuan që unë kam numër tjetër dhe nuk jam personi që e ka bërë postimin” tha Azemi.

Azemi deklaroi se nuk iu lejua të marrë kopje të deklaratës, duke shtuar se asgjë personale e tija nuk u konfiskua, njëjtë sikurse edhe nuk u ushtrua dhunë ndaj tij.

Teksa thotë se asnjëherë nuk do të planifikonte një sulm të tillë, Azemi shtoi se nuk i lejuan të marrë avokat mbrojtës dhe se rastin e ka paraqitur edhe në stacionin policor në Viti, me të kthyer në Kosovë.

Indeksonline ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të marrë informacione mbi rastin dhe është duke pritur përgjigje lidhur me rastin.

Gërvalla: Ura e Ibrit duhet të hapet, Kosova e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të saj

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se temë diskutimi me homologen e saj finlandeze ka qenë siguria në veri të vendit, ndërsa ka insistuar që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet.

Në një konferencë për media së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, Gërvalla ka thënë se kjo urë ka simbolizuar ndarje dhe përçarje, ndërsa ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj.

“Kemi diskutuar edhe për sigurinë në veri të vendit, e në veçanti për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë, e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite, duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe bashkimit. Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj, duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive të tyre etnike”, ka thënë Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare ka thënë se kanë biseduar edhe për sfidat, siç i quajti ajo globale, teksa shpreson që anëtarësimi i Kosovës në NATO të bëhet në mënyrë të shpejtë, siç ndodhi me Finlandën.

“Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve tona sot u përqendrua mbi sfidat aktuale të sigurisë në Evropë, agresionin rus kundër Ukrainës dhe sjellja agresive dhe hegjemoniste e fqinjëve dhe aleatëve në Evropë, paraqesin një kërcenim të madh dhe serioz për paqen dhe stabilitetin evropian. Ne në Kosovë e kuptojmë më mirë se kushdo tjetër ndoshta rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe të drejtës për vetëvendosje”, u shpreh kryediplomatja kosovare, transmeton EO.

Rolin e NATO-s, Gërvalla e konsideron jetik për stabilitetin e rajonit perëndimor

“Kosova qëndron fuqishëm në mbështetje të Ukrainës në këtë luftë për liri dhe sovranitet. Për më tepër, roli i NATO-s vazhdon të jetë jetik për stabilitetin e rajonit tonë. Ne jemi të përkushtuar t’i forcojmë marrëdhëniet tona me NATO-n. Synimi i Kosovës është anëtarësimi i plotë në NATO dhe mbetet një objektiv strategjik ku përvoja e Finlandës ku së fundmi u bë anëtare e kësaj aleance, na shërben si një shembull që ne e ndjekim dhe kemi shumë vëmendje”, ka thënë Gërvalla.

Për çka biseduan Scholz dhe Vuçiq sot në telefon?

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka bërë me dije se ka biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz, për çështjet rajonale dhe vazhdimin e bisedimeve në kuadër të procesit të Berlinit.

“Një bisedë e shkëlqyer dhe shumë produktive me kancelarin Scholc për çështje kyçe me interes të përbashkët, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë. Shkëmbyem mendime për çështjet rajonale dhe vazhdimin e bisedimeve në kuadër të Procesi të Berlinit”.

Në bisedën telefonike me Scholzin, kryetari i Serbisë thotë se kanë diskutuar edhe për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Biseduam edhe për nevojën në rritje për intensifikimin e përpjekjeve diplomatike në rajon për zgjidhjen e çështjeve të shumta me rëndësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, e veçanërisht për promovimin e lidhjeve ekonomike dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.