Hamiti kritikon Qeverinë Kurti: Asnjë njohje të re, nën masa, dështuan edhe anëtarësimin në KiE

Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit potencohet se ka pasur korrupsion të rëndë qeveritar, ndërkohë që sipas Hamitit, Qeveria po propagandon se s’është e korruptuar.

Hamiti tutje ka shkruar se Qeveria Kurti ka shkelur Kushtetutën dhe se vazhdon të jetë nën sanksione.

Gjithashtu përmend faktin që nga 4 shtatori 2020 s’ka pasur asnjë njohje të re dhe se Kosova s’ka arritur të anëtarësohet në Këshill të Evropës.

Reagimi i plotë:

Qeveria e Vetëvendosjes e ka intensifikuar propagandën.

I thotë vetes Qeveri e pakorruptuar. Departamenti Amerikan i Shtetit ka raportuar për “korrupsion të rëndë qeveritar” (serious government corruption) në Kosovë.

Kjo Qeveri ka bërë më shumë shkelje të Kushtetutës se cilado Qeveri e mëparshme, mbase më shumë se të gjitha bashkë.

Sanksione ndërkombëtare Kosova s’ka pasur. Tash ka, prej qershorit të vitit të kaluar.

Asnjë njohje ndërkombëtare në këto katër vite. Nesër, më 4 shtator, bëhen katër vjet prej njohjes së fundit të Kosovës, që ndodhi kur Vetëvendosje ishte në opozitë. Kosova e mori njohjen nga Shteti i Izraelit më 4 shtator 2020 në kohën kur Qeverinë e Kosovës e drejtonte LDK-ja.

Kosova nuk ia doli të anëtarësohej në Këshillin e Evropës sivjet në pranverë. Qeveria Kurti nuk ia doli t’i bindte aleatët tradicionalë të Kosovës për këtë anëtarësim,

Jemi më larg, jo më afër, integrimeve euro-atlantike se ç’kemi qenë para katër vjetësh.

Krasniqi: “Grupi i Tiranës” brenda VV ka injektuar propagandë anti-SHBA në masa të gjera

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka shkruar për grupin e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë nga Shqipëria e të cilëve iu është referuar si “grupi i Tiranës”. Kransiqi thotë se bëhet fjalë për tri shtylla kryesore të propagandës që bëhet nga ky grup i zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që lidhen me Veriun, Shqipërinë dhe raportin me SHBA-në.

Krasniqi ka shkruar se propaganda kundër Asociacionit ka qenë më racionale, megjithatë sipas tij, tashmë ajo është shndërruar në “propagandë gebelsiane kundër qytetarëve serb”. Profesori universitar thotë se një qasje e tillë s’do të kalojë pa pasoja.

Tutje ai ka përmendur edhe premtimin për bashkimin me Shqipërinë. Sipas Krasniqit, propaganda joreale për bashkim me Shqipërinë është shndërruar në propagandë kundër vetë Shqipërisë.

Krasniqi pretendon se “Grupi i Tiranës” ka përpunuar dhe një platformë anti-perëndimore, më së shumti kundër SHBA-së, propagandë të cilën thotë se tashmë e kanë shpërndarë nëpër masa të gjera dhe se sot mund të flitet për histeri antiamerikane në radhët e militantëve të VV-së në Kosovë.

Postimi i plotë:

TRI SHTYLLAT KRYESORE TË PROPAGANDËS SË “GRUPIT TË TIRANËS”

I ashtuquajturi “Grupi i Tiranes” brenda LVV, janë ustallarë të propagandës. Ata persona zakonisht nuk gjenden shumë në medie, as në organe drejtuese, përveç në raste të rralla, në qeveri jo e jo. Falë punës së tyre grupi parlamentar i LVV është homogjen, natyrisht pa identitet. Falë punës së tyre LVV prezentohet në publik si parti me unitet të çeliktë. Me gjasë, fuqia e LVV buron më shumë nga propaganda e tyre, se sa nga lidershipi i Kurtit.

Tri shtylla ka propaganda e përpunuar prej “Grupit të Tiranës”:veriun e Kosovës, Shqipërinë dhe Perëndimin (SHBA-në.)

1. Propaganda kundër Zajednicës një kohë ka qenë brenda një propagande më racionale, por tashmë është shndërruar në propagandë gebelsiane, kundër qytetarëve serbë, si të të tillë. Natyrisht kjo nuk kalon pa pasoja e pa kundërveprim konkret politik e ushtarak të faktorëve ndërkombëtar që operojnë në vend.

2. Propaganda mbi Shqipërinë, ka dështuar me turp. Nga një propagandë joreale për bashkimin kombëtar, ka kohë që është shndërruar në propagandë bizare kundër vetë Shqipërisë, gjoja nën maskën e luftës kundër qeverisë Rama. Pasojat e kësaj propagande kufizojnë me tradhtinë.

3. Në emër të gjoja sovranizmit, propaganda e “Grupit të Tiranës” ka përpunuar një platformë agresive antiperëndimore dhe sidomos antiamerikane, të cilën tashmë e kanë injektuar në masat e gjera. Sot mund të flasim për histeri antiamerikane në radhët e shumë militantëve të LVV në Kosovë.

Rezultatet e propagandës së “Grupit të Tiranës” mund t’i vlerësoni vetë: sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Kosovës, presionet e hapta të administratës së SHBA-së kundër qeverisë Kurti, eksodi i shqiptarëve nga Kosova, zbehja e shqiptarizmit në Kosovë.

Megjithatë, nuk jam në gjendje ta them se a u ka rrëshkitë qëllimi i propagandës, në drejtimin nga nuk e kanë projektuar, apo pikërisht ky rezultat ka qenë qëllimi i vërtetë i propagandës. Sidoqoftë, rezultati mbetet i njëjtë

Të shtënat me armë në Prishtinë, deklarohen nga Policia

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht pak më parë për disa të shtëna armësh në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash në Prishtinë.

Siç mësoi Sinjali, një punëtor i Extreme Pizza-s është sulmuar nga një person.

Lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se informatën e parë e kanë marrë nga ora 14:30.

Pas marrjes së informatës, Policia tha se ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Siç thotë Ahmeti, bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nuk ka persona të lënduar.

Sinjali siguroi pamje ekskluzive kur i dyshuari nxjerr armën dhe i shkon te vetura punëtorit të Extreme-it, i cili në ato momente del nga automjeti dhe përballet me të dyshuarin.

Siç shihet në pamje, i dyshuari e repeton armën dhe ia vendos në kokë punëtorit – situatë kjo që për pak ka mundur të përfundonte tragjikisht.

Kastrati e quan Sveçlën “Xhelal llokumi”: Si do të reagonte po të qëllonte rastësisht natën kritike në ‘Aktash’

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka ironizuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se pasi ai i ka shtrirë sovranitetin dhe sigurinë në veri, ndoshta është mirë që të ftohet KFOR-i në Prishtinë pas një vrasjeje dhe disa të plagosurve para pak ditëve në kryeqytet.

Në një video-selfie të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, e cila nis nën tingujt e këngës së artistit Llochi kushtuar ministrit Xhelal Sveçla, Kastrati tha: “Kështu, miq, me ni n’kangë, thu ti ma i rrezikshëm se ky nuk ka, mirëpo në fakt, Xhelali, Xhelal llokumi është shumë tuc, ama tuc shumë i madh.”

“A muni me paramendu se qysh kish reagu ky, nëse kish qëllu rastësisht tu pi kafe atë natë në lagjen Aktash në Prishtinë, kur u bo arenë luftimesh atë natë, kur u gjujtën me alltia, me kallasha, përmbi 100 plumba” – pyeti deputeti opozitar.

Më tej, Kastrati tha se “kryeqyteti u bë arenë luftimesh prej që u bë ky [Sveçla] kryepolic edhe nuk ka kurrfarë reagimi prej tij, domethënë veshët në lesh”.

Kastrati më pas ironizoi: “Ndoshta është mirë, masi Xhelali i fortë, e ka shtrinë sovranitetin komplet, sigurinë atje në veri, ndoshta është mirë me thirrë pak KFOR-in, me ardhë me na ndihmu pak edhe këtu, në kryeqytet për çështje të sigurisë.”

Kurti u mburr me investime të huaja direkte, Bajrami ia përmend inflacionin: Ato janë kryesisht banesa të blera nga mërgata

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se investimet e huaja direkte janë rritur “kryesisht nga inflacioni” dhe se “shkojnë kryesisht në blerje të banesave nga mërgata jonë”.

Bajrami publikoi shifra të inflacionit dhe investimeve të huaja direkte gjatë, në përgjigje të një postimi të kryeministrit Albin Kurti, ku ai shkroi se mesatarja vjetore e investimeve të huaja direkte gjatë qeverisjes së tij është “2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara” për të cilën tha se “është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej”.

“Rritja e Investimeve të Huaja Direkte vjen kryesisht nga inflacioni dhe shkojnë kryesisht blerje të banesave nga mërgata jonë”, shkroi Bajrami në një postim në Facebook.

“Qeverisja e ndershme paska thënë Kryeministri, cila kjo 900 tenderve të negociuar, qeverisja me Martin Berishajn, Nagip Krasniqin, me tatimet që ju merren bizneseve e mandej ministriat e tu ju japin familjarëve për OJQ? E vërteta është se Qeveria nuk ka bë asnjë reformë fiskale, as edhe një. Që katër vite mandat të kësaj qeverie Adimistrata Tatimore e Kosovës udhëhiqet nga drejtori që kundërligjshëm e pat zgjedhë PDK-ja kur ka qënë në pushtet”, shtoi ajo.

Bajrami thotë se gjatë mandatit të kësaj qeverisjeje është rritur tatami në prone dhe është bërë “lirimi në prej 6.8 Euro në të ardhurat personale”.

“A beson dikush që këto refoma kanë ndiku në rritjen e invesitmeve të huaja direkte?!”, pyeti ajo, duke publikuar disa të dhëna.

“Inflaconi gjatë Qeverisë Kurti: 3.4% në vitin 2021, 11.6 në vitin 2022, 4.9% në vitin 2023. Investimet e Huaja Direkte: 2021: 420 milionë euro, prej tyre 384 milionë në patundshmeri ose 91%, 2022: 732 milionë euro, prej tyre 529 milionë në patundshmeri ose 72%, 2023: 844 milionë euro, prej tyre 511 milionë në patundshmeri ose 60%, 2024 (janar-prill): 269 milionë euro, prej tyre 186 në patundshmeri ose 69%”.

Dëshmitari Rrustem Tetaj: Sa herë vinte Thaçi në kazermë, kërkonte të largohej fotografia e Rugovës

Dëshmitari Rrustem Tetaj teksa foli për takimet me Hashim Thaçin në Kazermën e Prapaqanit, tha se sa herë shkonte tashmë i akuzuari atje, ata kishin nga pak probleme.

“Sa herë ka ardhë Hashim Thaçi ne kemi pas pak probleme në kazermën e Prapaqanit bash mu për këtë se ishin dy fraksione. Kishin divergjenca të mëdhaja në mes, a në realitet ishim një Ushtri”, tha Tetaj.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se në zyrën e tij e ka pasur një fotografi të Ibrahim Rugovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka qenë fotografia e Rugovës, kështu që asokohe ka qenë më shumë aktuale që të merren me Ibrahim Rugovën dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sesa vetë me ushtrinë ose me organizimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Tetaj.

 

 

Ai shtoi se ka pasur presion në atë kohë që asgjë të mos jetë në emër të Ibrahim Rugovës.

“Presioni ka qenë që kurgja mos me qenë në emër të dr. Ibrahim Rugovës. Kur them asgjë them që as fotografia, njerëzit që ishin anëtarë të LDK-së. Megjithëse atëherë sa më kujtohet, të gjithë ne ishim ushtarë”, tha dëshmitari.

Gjithashtu, dëshmitari tha se në atë zonë, atë kohë ishin dy fraksione që vepronin por që në realitet të gjithë ishin ushtarë.

“Me të thënë të drejtën aty ishte biseda që ishin dy fraksione si Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe Forca të Armatosura të Kosovës me emrin FARK. Ishte presion largimi nga FARK-u dhe të jemi pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës a në realitet ishim të gjithë ushtarë. Më tepër kanë qenë ato pyetjet, tani nuk më kujtohet më shumë por e di që ndërhyrja ka qenë në lidhje me Forcat e Armatosura të Kosovës me emrin e quajtur FARK”, tha ai.

“2.4 herë më shumë se qeveritë e kaluara”, Kurti krenohet me shifra dhe thotë se janë më të mirët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bëre të ditur se mesatarja vjetor e investimeve të huaja direkte gjatë katër vjetëve qeverisjeje është 705.6 milionë euro apo 2.4 herë më shumë se mesatarja vjetore e qeverive të kaluara, përcjell IndeksOnline.

Kurti tha se qeverisja e mirë dhe e ndershme me sundim ligji dhe përparim demokratik po e bëjnë Kosovën destinacionin me të tërheqës për investime të huaja.

Postimi i plotë:

Mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes sonë është 705.6 millionë euro apo 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara e cila është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej.

Qeverisja e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj.

Kurti pyetet rreth urës së Ibrit, ja si përgjigjet

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka zhvilluar një vizitë në Institutin francez në kryeqytet.

Pas njoftimit rreth punës së këtij instituti nga ambasadori francez dhe stafi punonjës, Kurti është pyetur rreth çështjes së Urës së Ibrit.

Kurti ka thënë se nuk është vendi adekuat që duhet të flasë për këtë çështje, transmeton IndeksOnline.

“Këtu jem në institutin francez e flasim për tema tjera. Për të gjitha pyetjet tjera përgjigjemi nga kryeministria”, ka thënë Kurti

Ndërron jetë doktori i njohur prizrenas

Ka ndërruar jetë doktori i njohur prizrenas Tyrhan (Rifat) Kosova.

Varrimi do të bëhet sot më 03.09.2024 në ora 13:00 në varrezat e qytetit të Prizrenit. Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i komunës, Shaqir Totaj.

Postimi i plotë i kryetarit të Prizrenit

Rriten pagat edhe për këtë kategori

Sigurimi fizik i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka pezulluar grevën e paralajmëruar për sot pasi të njëjtit kanë arritur një marrëveshje me SHSKUK-në që pagat të dalin me rritje, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se pagat me rritje do të dalin nga tetori, në të kundërtën do ta mbajnë grevën.

“Ka qene një greve e përgjithshme që është paraparë falë bisedimeve që i ka bërë kryetari i shoqatës me drejtorin e SHSKUK-së (Elvir Azizi), fal asaj që me datën 17 të këtij muaji do të jetë hapja dhe definimi i saktë i cilës kompani do të jetë. Ne edhe me komunën e Prishtinës kemi dhënë afat që të presim për rritje, dhe këtu ne bëjmë thirrje që të presim për rritje për 13 ditë. Paga e tetorit do të jetë pagë me rritje. Është pezulluar greva, nëse kjo nuk funksionon do t’i aktivizojmë”.

“Ndihemi mirë që së paku kanë filluar institucionet të shohin se pa sindikatë nuk bënë. Kanë premtuar dhe do ta realizojnë gjithçka që thotë Ligji i Punës, marrëveshja kolektive dhe gjitha ligjet tjera. Dua ta jap edhe një sinjal të mirë për të gjithë punëtoret që kanë bërë ankesa për Covid-19, se Gjykata e Apelit kërkesën tonë e ka aprovuar si të arsyeshme, gjithë këta punëtore do të kenë një procedurë, do ta gëzojnë të drejtën e pagës shtesë ne momentin e pandemisë që kjo Qeveri nuk e ka pagur. Ne Gjakovë veç kanë filluar që t’i marrin pagat. Par pagën jemi marr vesh me Ministrisë e Shëndetësisë, paga ka qenë 405 euro, ajo pagë është. Për ne është me rëndësi fillimi i implementimit të pagës”, ka thënë Azemi.

Hajriz Qeriqi, punëtor i sigurimit fizik në QKUK ka thënë se po i kërkojnë vetëm të drejtat e tyre. Punën që e bën në këtë institucion shëndetësor e konsideron të rrezikshëm për shkak sulmeve të shpeshta.

“Unë qe 25 vjet, prej 99-s kam hyrë në QKUK, kemi qenë me shtet duke punuar, na kanë privatizuar neve. Jam luftëtar i UÇK-së e invalid i luftës. Na kanë privatizuar neve edhe unë rrafsh për 26 vjet kam mbetur me këtë pagë. Një herë e kemi pasur 150 euro, 6 muaj kemi qenë pa pagesë. Edhe tash e pasi na kanë privatizuar edhe ne kemi qenë gjithë të shkelur jemi duke lypur të drejtat tona. Jemi takuar nuk kemi ka të shkojmë. Paga është me kujdestari, ata që kujdestarojnë ditën 270-290 euro i marrin, ne që kujdestarojmë natën i marrim 300. Kërkesa jonë është që të bëhet se paku 450 deri 500 euro. Me së shumti ne kemi problem tek dera si sigurim. Mua me kanë rrahur, nuk e di as kush më kanë rrahur 5 veta, as rrezikshmëri nuk na paguajnë, 2 euro kujdestaria na paguhet”, ka thënë ai.