A po fiton Alban Hyseni pa balotazh? Votat e diasporës e japin këtë rezultat në Gjilan

Procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit në Gjilan, kanë mbetur edhe shtatë vendvotime të paprocesuara nga 146 sosh sa ka Gjilani. Në total janë numëruar 95,21% e votave.

Nga votat e diasporës Alban Hyseni i Vetëvendosjes ka marrë 51.77%, ndërsa Arbër Ismajli i LDK-së 36.32%.

Por deri më tani kjo është e pamjaftueshme për Alban Hysenin të fitojë pa balotazh, kur kanë mbetur edhe votat e shtatë vendvotimeve.

Nga rezultatet e përmbledhura, Alban Hyseni i VV-së ka 49.82% të votave, ndërsa Arbër Ismajli 34.30%.

Votat e diasporës befasojnë këtë komunë, e çojnë në balotazh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të ardhura nga diaspora për komunën e Mamushës, të cilat kanë ndikuar në ndryshimin e epilogut të garës për kryetar komune.

Sipas rezultateve përfundimtare, kandidati i subjektit Mamuşa Halk Hareketi, Fikret Morina, ka marrë 59.84% të votave të diasporës (149 vota), ndërsa kandidati i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Abdülhadi Krasniç, ka fituar 39.76% (99 vota).

Ndërkohë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Agron Mazreku, ka marrë vetëm 0.40% (1 votë).

Edhe pse Morina ka mbajtur epërsinë ndaj kundërshtarit të tij kryesor, përfshirja e votave të diasporës nuk ka qenë e mjaftueshme për ta siguruar fitoren në raundin e parë.

Si rezultat, Mamusha do të shkojë në balotazh, ku përballja do të zhvillohet ndërmjet Abdülhadi Krasniçit, i cili ka siguruar 49.68% të votave, dhe Fikret Morinës me 48.97%.

Nasim Haradinaj me motoristët nga Haga: Specialja, gjykatë politike kriminale

Ekspedita e motoristëve shqiptarë ndodhet aktualisht në Hagë, pas katër ditësh udhëtimi në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen atje.

Në mesin e pjesëmarrësve është edhe ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Duke folur nga Haga, Haradinaj e cilësoi këtë gjykatë si “politike dhe kriminale”, duke shtuar se ajo është krijuar nga, siç u shpreh ai, “gjyqtarët më të dështuar në Kosovë”.

“Britma e motorëve është thirrje për drejtësi. Liria ka Emër është ajo që shqiptarët i bashkon pa dallime ideje, krahine dhe feje, ka bashkuar edhe njerëz ndërkombëtar të tjerë. Besoj që shqiptarët nuk është dashtë të kenë nevojë kaq gjatë me ditë që ata djem atje janë ata që përfaqësojnë Kosovën, themelet e lirisë, dhe themelet e kombit. Kjo gjykatë është politike kriminale”, tha ai, njofton Klankosova.

43 raste penale! Ja kush është i dyshuari për plagosjen e dyfishtë në Pejë – Mësohet motivi

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30-ditësh për Mahmut Hoxhajn, të dyshuarin për tentimvrasjen e Basri Gashit dhe Alfred Ukajt. Vendimi është marrë në seancën ku është mbajtur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, për shkak të gjendjes së rënduar të të dyshuarit.

Prokuroria në Pejë, në dosjen të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, specifikon edhe numrin e rasteve të të dyshuarit për tentimvrasje. Sipas dosjes, bazuar në databazën e Policisë së Kosovës, Hoxhaj rezulton të jetë i përfshirë në 43 raste penale.

“Kësaj duhet shtuar edhe faktin se bazuar në informacionet e personit Mahmut Hoxhaj, i cili nga data baza e Policisë së Kosovës rezulton të jetë i përfshirë në 43 raste penale, prej të cilave si i dyshuar në 25 raste të ndryshme”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria tutje shton se i dyshuari kishte planifikuar arratisjen pas sulmit, meqë kishte lënë veturën ndezur para kryerjes së veprës së dyshuar penale.

“Po ashtu duke e pasur parasysh faktin se i njëjti kishte planifikuar arratisjen e tij pas kryerjes së veprës penale duke e lënë veturën e ndezur me qëllim të arratiset, mirëpo si rezultat i reagimit me kohë të zyrtarëve policor i njëjti është arrestuar në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale”, thuhet në dosje.

Pesë persona ishin arrestuar në vitin 2019 për vrasjen e 23 vjeçarit Fazli Hoxha dhe plagosjen e dy vëllezërve të tij. Pikërisht ky rast dyshohet të jetë zanafilla e rastit të sotshëm në Pejë, ku u plagosën dy persona.

Njëri prej familjarëve dyshohet se për hakmarrje ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022.

Në aktgjykimin e shpallur, Basri, Ardit, Arben dhe Bahri Gashi janë liruar nga akuza për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Insajderi raportoi se motivi i këtij sulmi ishte hakmarrja

Si nëpër filma: Momenti kur i dyshuari del nga garazha dhe i plagosë dy persona

 

Tragjike në Maliq: Zjarri i madh në banesë – vdes nëna me djalin 14 vjeç, vajza 6-vjeçare në gjendje të rëndë

Një ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Maliqit në qarkun e Korçës në Shqipëri, ku nënë e bir humbën jetën si pasojë e një zjarri në banesë.

Vajza 6-vjeçare e familjes është nisur me urgjencë drejt Tiranës, për trajtim të specializuar në një qendër të djegieve.

Mediat në Tiranë raportojnë se gjendja e fëmijës është shumë e rëndë, për shkak të djegieve të shumta në trup.

E mitura është e vetmja e mbijetuar nga ngjarja tragjike që ndodhi në banesën e familjes Azizllari, ku humbën jetën nëna Merjeme Azizllari dhe djali 14-vjeçar.

Dyshohet se zjarri ka nisur nga një dyshek sfungjeri, në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.

Sipas dëshmive të fqinjëve, vajza arriti të shpëtonte vetëm falë ndërhyrjes së një gruaje që ndodhej pranë banesës dhe e pa atë duke kërkuar ndihmë.

Ajo ishte hedhur nga dritarja, ndërsa nëna dhe vëllai i saj nuk arritën të dilnin në kohë për shkak të tymit të dendur.

“Familje punëtore, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim “laji, shpëlaji”. E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë.

Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur”, tha fqinja e familjes, Benereta Pashollari.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele (19 tetor) rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq.

Fillimisht u raportua se nëna dhe dy fëmijët e saj kishin mbetur të plagosur, por më pas u mësua se gruaja, Merjeme Azizllari kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë brenda në shtëpi.

Më vonë, ndërroi jetë në spital edhe djali i saj i madh, 14 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë si pasojë e djegieve vazhdon të jetë fëmija i vogël 6 vjeç.

Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.

Rezultate befasuese nga votat e diasporës në Pejë, ja kush po prinë

Kryetari aktual i Pejës, kandidati i LDK-së Gazmend Muhaxheri po merr 50.67% të votave me postë, kur janë numëruar 66,67% e tyre. Aktualisht, ai numëron 342 Vota, sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, të përditësuara në 17:41.

Taulant Kelmendi, kandidati i LVV-së për kryetar të Komunës ka 189 vota (28.00%).

Muhaxheri dhe Kelmendi do të garojnë për kryetar të Pejës në një rund të dytë votimi më 9 nëntor.

VV-AAK në koalicion, bëhen bashkë për këtë komunë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se do të vazhdojë “rrugëtimin drejt ndryshimit” bashkë me kandidaten e AAK-së, Vildane Latifi.

“Vazhdojmë rrugëtimin bashkë drejt ndryshimit! Na priftë e mbara”, ka shkruar Prebreza, duke publikuar edhe një fotografi të përbashkët me Latifin.

Tashmë ku dy subjektet do të garojnë së bashku për fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

LAJM I FUNDIT: Ushtria amerikane sulmon një nëndetëse…

Ushtria amerikane ka kryer një sulm ndaj një anije të dyshuar për transport droge të enjten, duke vrarë dy persona dhe duke arrestuar dy të mbijetuar.

Një video e ndarë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump në Truth Social duket se tregon sulmin ushtarak ndaj nëndetëses në Karaibe, e akuzuar si anije që transportonte drogë.

Në klip, një anije mund të shihet duke lundruar, pjesa e përparme e së cilës është zhytur disa centimetra nën sipërfaqen e ujit.

Pastaj, shihen disa shpërthime, me të paktën një mbi pjesën e pasme të anijes.

Sulmi, i kryer të enjten, vrau dy persona, sipas Trumpit.

Dy të mbijetuar u morën në paraburgim dhe më vonë u dërguan përsëri në vendet e tyre të origjinës, Ekuador dhe Kolumbi

“Ishte nder i madh për mua të shkatërroja një NËNTENDËSE shumë të madhe që transportonte drogë, e cila po lundronte drejt Shteteve të Bashkuara në një rrugë tranziti të njohur për trafikim narkotikësh”, tha Trump.

“Inteligjenca amerikane konfirmoi se kjo anije ishte e ngarkuar kryesisht me Fentanyl dhe narkotikë të tjerë të paligjshëm.”

 

Votat me postë në Prizren, befasi në rezultat

Artan Abrashi, kandidati i LVV-së për kryetar të Prizrenit, ka marrë 594 vota me postë (33.30%).

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ai ka vetëm 28 vota më shumë sesa kundërkandidati i tij nga PDK-ja, kryetari aktual i Komunës, Shaqir Totaj, i cili ka marrë 566 vota (31.73%).

Driton Selmanaj i LDK-së ka marrë 203 vota (11.38%).

Totaj dhe Abrashi do të garojnë për kryetar të Prizrenit në një rund të dytë votimi më 9 nëntor.

Befasia në rezultatin zgjedhor tek votat me postë në Prizren, kush priu? - Insajderi - image 180