Verifikohen mbi 97% të votave në Mitrovicë, ky është rezultati

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me verifikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale.

Në faqen e tyre kanë bërë përditësimin e fundit edhe për rezultatet në Mitrovicën Jugore.

Atje, KQZ njofton se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka 48.04%, ose 14,905 Vota.

Kurse kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci ka 47.66% ose 14,788 Vota.

Deri tani janë verifikuar 97.14 për qind e votave atje.

Nga kjo përqindje, Tahiri prin para Pecit 117 vota.

KQZ verifikon mbi 97% të votave në Mitrovicë, ky është rezultati - Insajderi - Screenshot 2025 10 17 160029

 

Arrihet koalicioni i parë për balotazh në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur marrëveshje koalicioni me Partinë e Re Demokratike për raudin e dytë të zgjedhjeve në Prizren.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi tha se është pajtuar me partinë e zëvendëskryeministres në detyrë, Emilija Rexhepi, për balotazh.

“Ne u pajtuam që SZK-ja të jetë pjesë e degës ekzekutive dhe se do të vazhdojmë së bashku me projektet e mëdha që i përfshimë në buxhetin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, do të kthejmë komunitetit boshnjak të drejtat dhe përfaqësimin që e meritojnë”, ka shkruar Abrashi.

Ai ka thënë se nëse arrin të bëhet kryetar do ta funksionalizojë Qendrën Kulturore Boshnjake.

“Biseduam për çështjen e Zëvendëskryetarin e Komunës për komunitete. Ky bashkëpunim është shprehje e respektit, bashkëjetesës dhe vizionit tonë të përbashkët për një Prizren gjithëpërfshirës, të drejtë dhe me mundësi të barabarta për të gjithë”, shtoi ai.

 

Verifikohen afër 95% të votave, dallimi mes Tahirit dhe Pecit është vetëm…

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë janë verifikuar afër 95 për qind të votave për garën e kryetarit të Mitrovicës.

Dalllimi mes vendit të parë, Arian Tahiri të PDK-së dhe vendit të dytë, Faton Peci të Vetëvendosjes, është 228 vota.

Pas verifikimit të 94.29 për qind të votave, Arian Tahiri ka marrë 48.23 për qind të votave.

Faton Peci ka marrë 47.47 për qind të votave, sipas rezultateve nga Qendra Komunale e Numërimit.

 

 

Sot nis numërimi i fletëvotimeve nga diaspora

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) sot pritet të nisë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se sot (e premte, 17 tetor 2025, ora 18:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve fillon numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale”, ka thënë ai.

Më shumë se dy muaj në kërkim- Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij dyshohet se janë parë në këtë vend

Kanë kaluar mbi dy muaj nga krimi i rëndë që tronditi qytetin e Gjilanit më 10 gusht, kur tre persona u vranë dhe një tjetër u plagos në mes të ditës. Edhe pse Policia e Kosovës ka zhvilluar kërkime të gjera, të dyshuarit Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra, ende nuk janë arrestuar.

Së fundi, një lexues i Insajderit ka bërë të ditur se tre personat e kërkuar dyshohet se janë parë në qytetin e Nishit në Serbi.

Insajderi sjell edhe foto ky dyshohet se janë parë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra.

Më shumë se dy muaj në kërkim- Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij dyshohet se janë parë në Nish të Serbisë - Insajderi - aj 9
Më shumë se dy muaj në kërkim- Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij dyshohet se janë parë në Nish të Serbisë - Insajderi - aj 10

Insajderi ka kontaktuar sot me Policinë e Kosovës, se a kanë ndonjë informacion rreth vendodhjes së tyre, dhe është në pritje të një përgjigje zyrtare.

Policia kishte publikuar edhe fotografitë e tyre dhe u bën thirrje qytetarëve që të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast se kanë informacione për vendndodhjen e tyre, përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit “Lajmëro Policinë”, e-mailit zyrtar apo numrave kujdestarë 192 dhe 03850807001.

Viktima të kësaj ngjarjeje të rëndë ishin babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, argjendarë të njohur në Gjilan, si dhe Abedin Hoxha.

Leonora Jakupi opinioniste në ‘Big Brother VIP Kosova’?

Këngëtarja e njohur Leonora Jakupi duket se mund të shfaqet në një rol krejtësisht ndryshe nga çdo herë më parë.

Burime pranë produksionit kanë bërë të ditur se ndër emrat që po përmenden për rolin e opinionistes në edicionin e ri të “Big Brother VIP Kosova” është edhe ai i Leonora Jakupit.

Deri më tani, artistja nuk ka dhënë asnjë reagim publik lidhur me këtë situatë, shkruan “Kosovarja”.


Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse Leonora do të jetë pjesë e panelit të opinionistëve të këtij spektakli të madh televiziv.

Shefi i Emergjencës tregon për nënën dhe vajzën e therur në Prizren: Kjo është gjendja e tyre

Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Prizrenit, ku një grua dhe vajza e saj e mitur kanë mbetur të plagosura rëndë si pasojë e një sulmi me thikë. Të dyja aktualisht ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Rajonal të Prizrenit.

Shefi i Emergjencës, dr. Hekuran Veçgishti ka folur për Insajderin, rreth gjendjes shëndetësore të viktimave.

“Po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Janë sjellë në emergjencë në orën 00:45, kanë pas plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme radiologjike. Në konsultim me kirurgun, janë pranuar në trajtim të mëtejmë. Për momentin pacientet janë në mjekim intenziv qendror.”, ka theksuar ai.

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot me datë 17.10.2025 rreth orës 00:20min pas mesnatës në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje.

Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore.

Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë.

Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në koordinim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.

Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.

Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Brenda afatit ligjor, për të njëjtin prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

“Ndihmë ma mbyťi qikën…” – Dëshmitari i ngjarjes së tmerrshme në Prizren jep detaje tronditëśe

Një dëshmitar ka treguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Prizren, ku një burë theri me thikë bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur. Dëshmitari thotë ta kenë larë gjakun deri në katin e katër ku kishte ikur vajza.

Viktimat janë M.A., gruaja 49-vjeçare, dhe vajza 12-vjeçare. I dyshuari për këtë akt është B.G.

“Pas e krye punën vet forenzika, e kam thirr pronarin e banesës. Ka ardhur pronari dhe së bashku me të, kemi filluar prej shkallëve, kemi dal e kemi larë gjakun deri në aktin e tretë, deri në të katërtin, se edhe një kat më lart ka shkuar fëmija, ka ik”, ka thënë ai.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prizren, të dy viktimat ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa i dyshuari është arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, duke marrë parasysh trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe rëndësinë e mbrojtjes së viktimave në këto raste, informon opinionin publik se me datë 17.10.2025 rreth orës 00:20min pas mesnatës në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje. Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore. Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje.

Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë. Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në koordinim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.

Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme. Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Brenda afatit ligjor, për të njëjtin prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit””, thuhet në njoftim.

 

Eskorta e Osmanit shihet duke kaluar kufirin në Morinë, për protestën në mbështetje të çlirimtarëve

Eskorta shoqëruese e Presidentes Vjosa Osmani është filmuar teksa kalon kufirin në Morinë, pikërisht sot kur në Tiranë do të mbahet protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, shkruan Reporteri.net.

Pas eskortës së Osmanit, shihen vetura tjera me flamuj të UÇK’së teksa janë nisur drejt Tiranës.

Protesta mbahet sot në orën 15:00, në sheshin “Skënderbeu”.

Para dy ditësh, Osmani ka shprehur përkrahje të plotë për protestën që do të mbahet në Tiranë të premten, e me të cilët do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen qe pesë vite në paraburgim në Hagë.

Osmani ka thënë se ka qenë vetëm një agresor dhe ajo është Serbia. E para e shtetit tha se UÇK-ja ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës e Republikën tonë.

“E mbështes këtë protestë dhe kam mbështetur çdo protestë që thërret për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë tjetër, përveç drejtësisë drejtësi që respekton parimet më të larta të mbrojtjes dhe të drejtave të njeriut dhe siç e e dini Kosova dhe më konkretisht krerët në Hagë, pikërisht pse kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur përpara saj, tashmë po bëhen 5 vite pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, për ta mbrojtur popullin tonë, e për ta çliruar Kosovën nga okupimi. Për këto që e ka parë me sytë e vet se çfarë ka ndodhur në këtë luftë, dihet qartë se ka qenë vetëm një agresor, Serbia dhe vetëm një viktimë – Kosova. UÇK-ja ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, republikën tonë dhe drejtësinë e kësaj lufte ne do ta mbrojmë deri në fund”, tha Osmani para mediave.

Ky organizim vjen pas atij në Hagë, ku me mijëra qytetarë kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.