Pas takimit me LDK-në, Uran Ismaili merr këtë vendim

Pak para ditës së zgjedhjeve komunale të balotazhit në Prishtinë, LDK dhe PDK kanë realizuar takim.

Takim ky i mbajtur midis kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi, bëjnë të ditur burime të Tëvë1 brenda këtyre dy partive.

Pjesë e takimit bëhet se ditur se kanë qenë edhe Përparim Rama e Uran Ismaili.

Pas këtij takimi, i cili është mbajtur në një nga restaurantet në kryeqytet, dega e PDK-së në Prishtinë ka mbajtur mbledhje, ku Tëvë1 ka siguruar fotografi nga takimi i mbajtur në orët e vona të së premtes.

Tëvë1 ka kontaktuar për të marrë një konfirmim nga vet kryetari Perparim Rama dhe nga PDK-ja por nuk janë përgjigjur.

Ndërsa, sot Uran Ismaili një ditë para balotazhit ka mbledhur asamblistët në degën qendrore te PDK-së në Prishtinë.

Burime të Tëvë1 bëjnë të ditur se në takim është diskutuar për marrëveshjen e arritur mbrëmë midis PDK-së dhe LDK-së.

Kurti tregon cilat komuna pritet të fitojnë në balotazh

Balotazhi për kryetarë në 18 komuna do të mbahet nesër në Kosovë.

Nga këto 18 komuna, në 12 prej tyre Lëvizja Vetëvendosje është në garë.

Lidhur me këtë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka treguar se po punohet “shumë më shumë” në ato komuna ku janë më larg fitores.

“Gjakova është njëra prej 12 komunave ku jemi balotazh. Presim të fitojmë në të gjitha komunat. Diku janë gjasat më të mira se diku tjetër, por angazhimi nuk mungon. Aty ku jemi ca më larg, jemi duke punuar shumë më shumë në mënyrë që mbi 50% të jetë rezultati në të gjitha komunat kur numërohen votat”, ka deklaruar kryeministri në detyrë, për tvsyri.

Zhduket një person në Gjilan, aktivizohen edhe dronët për kërkim

Ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim janë duke zhvilluar një operacion kërkimi në fshatin Bresalc të Gjilanit, pas raportimit për një person të zhdukur.

Në operacion është angazhuar edhe njësia e saj e dronëve.

“Në terren po punon edhe njësia jonë e dronave, duke mbështetur kërkimet nga ajri për të mbuluar sa më shumë terren në mënyrë efektive. Operacioni po vazhdon me përkushtim të plotë, dhe ne falënderojmë të gjithë vullnetarët që po kontribuojnë në këtë mision human dhe professional”.

Sot pritet të lirohet nga spitali Astrit Isufi, i dyshuari për krimin e rëndë në Malishevë

Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve të gruas së tij në Malishevë pritet të lirohet nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike Enver Fekaj.

“Pacienti është shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale dhe aktualisht dhe pritet me u liru sot, por ende është prezent. Gjendja e tij është stabile. Konkluzioni i ekipës kujdestare është që pacienti të lirohet për trajtim ambulantiv”, tha Enver Fekaj për Klankosova.tv

Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e Naim dhe Driton Morinës në fshatin Gollubovc të Malishevës, u arrestua në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.

Përleshje mes shqiptarësh në Zvicër, 34-vjeçari theret me thikë para diskotekës [video]

Mbrëmë në një klub nate në Zvicër një shqiptar me origjinë nga Kosovga ka therur një punëtor sigurimi po ashtu nga Kosova.

Mediumi 20min raporton që viktima është 34-vjeçar teksa i dyshuari është 26-vjeçar. Ky i fundit është arrestuar në banesën e tij në kantonin Aargau.

Një dëshmitar që pohon të jetë miku i të dyshuarit dha versionin e tij për ngjarjen.

“Ne ishim rreth 15 veta, kishim rezervuar një tavolinë dhe po kalonim mirë. Kishim pirë shumë dhe shpenzuam shumë para,” tha dëshmitari.

Sipas tij, njëri nga miqtë e tyre që mezi qëndronte në këmbë, u kap menjëherë nga rojet dhe u tërhoq me forcë jashtë.

“Ne protestuam dhe dolëm me të. Aty, sigurimi përdori menjëherë sprej piperi dhe filloi të na godasë.”

Disa persona kanë mbetur të lënduar nga ky incident jashtë klubit të natës.

Shpërndante armë dhe drogë me taksi, prangoset ish-ushtaraku në kryeqytet

Një ish-ushtarak 46-vjeçar është arrestuar në Tiranë teksa drejtonte një taksi, brenda së cilës kishte 4 pistoleta dhe lëndë narkotike të fshehura në rrobat e tij.

Dyshohet që 46-vjeçari Altin Celami furnizonte grupe kriminale me armë zjarri, ndërsa përdorte taksinë e tij për të shmangur kontrollet policore.

Efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 e arrestuan Celamin në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, ndërsa sipas policisë ai është i implikuar edhe më parë në aktivitete të tilla kriminale, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Policia e Tiranës njofton se, në sajë të operacionit “Gun Expert”, i ndjekur me metoda speciale hetimi, u bë e mundur sekuestrimi i 4 armëve zjarri (pistoleta), municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh.

Altin Celami ishte arrestuar edhe në vitin 2022 për të njëjtën vepër penale, kur në atë kohë punonte si ushtarak, ndërsa pas arrestimit u pezullua nga funksionet e tij.

Edhe në vitin 2022 ai u arrestua me akuzat se u siguronte armë grupeve të vrasësve me pagesë.

Daut Haradinaj thotë se mund të shmangen zgjedhjet në prill: Unë i votoj këta emra për president

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, në një intervistë në Kanal 10, ka thënë se zgjedhjet e prillit mund të shmangen dhe të mos shkohet në dy palë zgjedhje për shkak të çështjes së presidentit, shkruan Gazeta Express.

Haradinaj ka përmendur disa emra specifik, të cilët thotë se do t’i votonte nëse do të propozoheshin.

Për aktivistin shqiptar në SHBA, Harry Bajraktari, Daut Haradinaj, ka thënë se do të zgjohej edhe në këmbë për ta votuar.

Gjithashtu ka përmendur edhe Xhim Xhemën dhe Rrustem Gecin si emra të tjerë.

“Nëse vjen një nominim i Harry Bajraktarit prej Amerike kandidat për president, jo veç që e votoj, po çohna në këmbë kur e votoj. Ose Rrustem Geci, ose Xhim Xhema, ose tjetër. Kemi na emra të përveçëm, mos i paragjykoni gjërat”, ka thënë Haradinaj.

Shtesat për fëmijë rriten me 50%, ja kur ekzekutohen

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se është procesuar grupi i parë i pagesës së njëhershme prej 100 euro për rreth 50 mijë studentë.

Përmes një postimi në facebook, Murati po ashtu ka bërë të ditur se nga java e ardhshme do të ketë rritje të pensioneve bazë nga 120 në 150 euro, duke përfshirë rreth 200 mijë pensionistë në gjithë vendin.

“Njësoj edhe shtesat për fëmijë, nisur nga ky muaj, do të ekzekutohen me rritje prej 50% për rreth 400 mijë fëmijë,” ka shkruar Murati.

Kur pritet të kemi zgjedhje? Deklarohet Kurti

Kryetaru i LVV, Albin Kurti, nga Gjakova ka thënë se për shtetin është më e favorshme të votohet Glauk Konjufca për kryeministër se të shkohet në zgjedhje.

“Meqenëse nuk i mora 61 votat e nevojshme, dhamë propozimin (Glauk Konjufcën mandatar për formimin e Qeverisë) pa vonesë, me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit, dhe opozita e ka në dorë ta zgjedh rrugën e mëtutjeshme, ose Kurti 2.5 drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose Konjufca 1 drejt zgjedhjeve në prill, cilado prej tyre për neve është e pranueshme, por le të bashkëpunojmë e të ecim përpara. Ne fituam zgjedhjet, por më shumë se zgjedhjet duam ta formojmë qeverinë, ne kemi 48 deputetë, dhe kemi më shumë deputetë se PDK e LDK bashkë”, ka deklaruar Kurti në një prononcim për TV Syri në Gjakovë.

“Për Republikën e Kosovës është më e favorshme të votohet Glauk Konjufca, dhe ta kemi një qeveri që e voton buxhetin, buxhetin për RTK-në, buxhetin për Prishtinën, Gjilanin e Zubin Potokun, dhe të shkojmë në zgjedhje në prill për shkak se me kaq vështirësi 61 numra, për zgjedhje apo rizgjedhje të presidentit i kemi vështirë t’i bëjmë 80 deputetë në sallë, prandaj më mirë është ta kemi një qeveri afat shkurtët deri në muajin prill, por këtë nuk e vendosim vet, këtë e ka në dorë opozita. Është një ofertë gjeneroze, sepse së pari u zëvendësua, Albulena Haxhiu me Dimal Bashën, dhe tani unë me Glauk Konjufcën, vetë ne kemi lëvizuar, ndërsa kemi fiksim dhe bllokim dhe njëlloj refuzimi as të logjikshëm as racional nga ana e subjekteve opozitare”, ka deklaruar Kurti.

Gërxhaliu: Nuk blihet vota me 100 euro, studentët kanë vetëdije më të lartë sesa që mendon politika

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka komentuar ndarjen e mjeteve financiare për studentët në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë veprim si të gabuar dhe me prapavijë politike.

Ai theksoi se vetëdija e studentëve kosovarë është shumë më e lartë sesa që mendon politika dhe se tentativa për të ndikuar tek votuesit me mjete të tilla është e pavend.

“Studentët kanë nevojë për mbështetje, mirëpo duhet të analizohet nga dimensioni kohor dhe forma që është bërë e një mbështetje të tillë. Mirëpo, unë kam punuar gjatë me studentë dhe vetëdija e studentëve kosovarë është shumë e lartë, sesa që mendon politike. Nuk mund të blihet vota me 100 euro. Në fund të fundit, vota meritohet dhe nuk futet në treg në këtë mënyrë. Besoj që qasjet në momente të tilla janë shqetësues”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Sipas Gërxhaliut, sistemi arsimor në Kosovë ka nevojë për reforma serioze e përkushtim afatgjatë, e jo për veprime të momentit me motive politike.

“Arsimi meriton reformë e përkushtim, e jo në një kohë të zgjedhjeve, konkretisht dy ditë para zgjedhjeve tu u shpërndahen këto mjete. Kjo ndodhë në Kosovë”, deklaroi ai.