Uragani “Melisa” hyn në nivelin e 5 të rrezikshmërisë në këtë vend

Uragani “Melissa”, i cili pritet të jetë më i fuqishmi që ka prekur ndonjëherë Xhamajkën, po afrohet me shpejtësi drejt vendit të Karaibeve, duke kërcënuar me përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje toke.

Me erëra që arrijnë deri në 280 kilometra në orë, uragani i Kategorisë 5 – niveli më i lartë në shkallën e fuqisë së stuhive tropikale – ka shkaktuar tashmë shtatë viktima: tre në Xhamajkë, tre në Haiti dhe një në Republikën Dominikane.

Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) e Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një paralajmërim të fortë për banorët:

“Ky është një uragan potencialisht vdekjeprurës, me pasoja të ngjashme me ato të uraganeve Maria (2017) dhe Katrina (2005).”

Sipas autoriteteve lokale, tre personat që humbën jetën në Xhamajkë u goditën nga aksidente të ndryshme teksa përgatiteshin për stuhinë, duke prerë degë pemësh ose duke punuar në shkallë për të siguruar shtëpitë.

Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, paralajmëroi se dëmet mund të jenë të mëdha, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit.

“Nuk besoj se ndonjë infrastrukturë në atë rajon mund t’i rezistojë një uragani të Kategorisë 5. U bëj thirrje banorëve të evakuojnë menjëherë zonat më të rrezikuara,” – deklaroi Holness për CNN.

Autoritetet kanë vendosur kufizime të plota lëvizjeje dhe po përgatisin qendra emergjence për strehimin e banorëve, ndërsa ekipet e shpëtimit qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.

Kosovari gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Veri

Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Veri të Mitrovicës.

“Raportohet se në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar”, ka njoftuar policia në raport.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Bie nga lartësia një grua, vdes në emergjencë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Gjakovë.

Atje, një grua ka vdekur pasi ra nga një lartësi, njofton raporti 24 orësh i policisë.

Policia njofton se është duke e hetuar rastin.

“Gjakovë 27.10.2025-22:27. Raportohet se viktima femër kosovare kishte rene nga një lartësi. Si pasoje, e njëjta ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në emergjencë, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Tërmet i fortë godet Turqinë gjatë natës, 22 persona të plagosur

Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi Turqinë perëndimore të hënën vonë, duke tronditur qytete përfshirë Stambollin dhe provincën e Izmirit.

Sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, AFAD tërmeti ndodhi në orën 22:48 dhe epiqendra e tij ishte pranë qytetit Sındırgı. Mësohet se në këtë qytet një shtëpi është shembur dhe disa të tjera janë dëmtuar.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya tha se ekipet e emergjencës u dërguan menjëherë në vendngjarje pas tërmetit. Nga tërmeti janë plagosur 22 persona të cilët morën plagë nga paniku teksa dilnin nga banesat e tyre.

Turqia ndodhet në disa vija aktive sizmike. Një tërmet në shkurt të vitit 2023 në jug të Turqisë vrau më shumë se 53,000 njerëz dhe shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit të lashtë të Antakyas, ndërsa një dridhje me magnitudë 5.8 ballë në korrik të këtij viti vrau një person dhe plagosi 69 të tjerë në të njëjtin rajon.

 

Tragjike: Humb jetën një 17-vjeçar në aksident

Një 17-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti që ka ndodhur rreth orës 01:30 të mesnatës në Vlorë.

Raportohet se i riu ishte me motor dhe është përplasur nga një veturë.

Siç raportimeve viktima është identifikuar si L. Sh.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë fatale dhe i mituri ka ndërruar jetë menjëherë.

“Familjarët e të riut ndodhen në spital, ku po përpiqen të tërheqin trupin e pajetë të djalit. Ata shprehen të revoltuar pasi, sipas tyre, nuk po marrin asnjë përgjigje nga autoritetet, ndërsa trupi i të ndjerit po mbahet për autopsi”, raporton më tej Euronews.al.

Nga kjo ditë nis pushimi vjeshtor për nxënësit e shkollave në Kosovë

Këtë javë, nxënësit e Kosovës do t’i largohen për pak ditë bankave të shkollës.

Sipas Kalendarit Zyrtar të Vitit Shkollor 2025/2026, nga 29 deri më 31 tetor, ata do të kenë pushimin vjeshtor.

Pas këtij pushimi, procesi mësimor do të vazhdojë të hënën, më 3 nëntor, në të gjitha institucionet arsimore të vendit.

Ky pritet të jetë kandidati i PDK-së për kryeministër

Në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë sërish me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Unë besoj që po. Siç e kam thënë prej ditës kur e kam nominuar, dhe tash bëhet më shumë se një vit nga ajo kohë, ai (Bedri Hamza) është personi më i duhur për fazën që po na pret”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, gjendja në Kosovë është përkeqësuar si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në mirëqenien e qytetarëve dhe në raportet ndërkombëtare të vendit.

“Programi politik me të cilin kemi garuar dhe që është udhëhequr nga Hamza, mbetet aktual edhe sot, ndoshta më shumë se kurrë. Ai parasheh rritje pagash e pensionesh, ulje të kostos së energjisë, liberalizim të ekonomisë dhe lehtësim të kushteve për bizneset dhe sektorin privat”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi, ka thënë se nuk do të provojnë të krijojnë Qeverinë.

Sipas Krasniqit, rruga e vetme janë zgjedhjet, meqë asnjëra parti nuk e ka shumicën.

Ai ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani do të duhej t’i ftonte partitë qysh tash për diskutime.

“Në kuptimin formal, Presidentja do të duhej të na kontaktonte qysh tash. Ma merr mendja që secili prej nesh që mund të ftohemi, do t’i thojmë që s’e kemi shumicën, andaj t’i ndërmerr veprimet…Jo, s’mundemi me marr mandat. Duhen 61 numra”, tha Krasniqi.

Madje, sipas tij nuk ka nevojë të pritet fare 10 ditë, në mënyrë që të mos ketë vonesa tutje.

“S’duhet me pritë 10 ditë”, tha ai në Klan Kosova.

Sa i përket Kuvendit, tha se pas herës së dytë nëse nuk bëhet shumica, shpërndahet automatikisht.

“Shpërndarja e Kuvendit bëhet në mënyrë automatike, nëse edhe herën e dytë palët potenciale thonë që s’kanë shumicë”, tha Krasniqi.

Borë, rrebeshe shiu e rrufe – parashikimi i motit për nesër

Të martën parashikohet të kemi depërtimin e një fronti të ftohtë në orët e para të mëngjesit, i cili do të sjellë reshje shiu, lokalisht në formë të rrebesheve, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Në zonat e larta malore reshje bore.

Të reshurat do të ndërpriten menjëherë paradite, ndërsa më pas do të mbizotërojnë vranësira të pjesshme, përpara se të tërhiqen gradualisht gjatë pasditës.

Era do të fryjë kryesisht nga veriu, e cila gjatë kalimit të frontit të ftohtë pritet të jetë mjaft e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-55 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 11 deri në 15°C. /MeteoKosova/

Ndahet papritmas nga jeta regjisori i njohur ferizajas

Një lajm i dhimbshëm ka prekur sot botën artistike.

Ka ndërruar jetë papritmas regjisori nga Ferizaj, Kushtrim Asllani, një emër i njohur për kontributin e tij në teatrin e qytetit dhe në komunitetin artistik të vendit.

Lajmi është ndarë nga miq, kolegë e bashkëpunëtorë të tij, ndërsa Prive By Liberta Spahiu mëson se vitet e fundit ai kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndër të parët që reaguan për humbjen e tij ishte këngëtari Mentor Haziri, i cili e kishte të afërm familjar.

Ai shkroi:

“Kushtrimi, djali dajës, na la e na tronditi të gjithëve sot. Një djalë shembullor, një artist e regjisor me një kontribut të madh në teatrin e Ferizajt e komunitetin tonë artistik në qytet e më gjerë. Një djalë që na donte të gjithëve e që pritej me ardh me na pa në pranverë. Të pushoftë shpirti në parajsë, Kusha.”

Edhe aktorja Gresa Gashi ka ndarë një moment kujtimi me të, duke shkruar:

“Më tronditi lajmi për vdekjen tënde. U prehsh në paqe, Kushtrim. S’po më besohet.”

Një humbje e madhe për artin dhe njerëzit që e njohën si njeri të dashur, të qetë dhe me shpirt artisti. /Prive By Liberta Spahiu

Tërmet i fuqishëm në Turqi, kaq ishte magnituda

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 shkallë ka ndodhur në Turqi, raporton CNN edicioni turk.

Tërmeti ka ndodhur në Belikesir, por është ndjerë edhe në qytetet përreth, përfshirë Stambollin, Izmirin dhe Bursën. Deri tani nuk raportohet për viktima.

Disa minuta pas tërmetit prej 6.1 ballësh, në të njëjtën zonë ka ndodhur edhe një tjetër tërmet me magnitudë 4.2.

Tërmeti, i cili është ndjerë në shumë qytete të rajoneve Marmara dhe Egje – veçanërisht në Stamboll dhe Izmir – ka ndodhur në një thellësi prej 5.99 kilometrash.