Zyrtare: Liburn Aliu merr post të rëndësishëm në Shqipëri

Ish- ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapsionir dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu është emëruar drejtor i Portit të Durrësit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Arsimit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi.

“Shumë i bukur lajmi për emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit! Përherë e kemi thënë se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut si për Shqipërinë dhe Kosovën, prandaj nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë për ta mishëruar këtë vizion e ndjesi, se sa Liburni, një atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik, me të cilin si ish-Ministre e Mjedisit kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi gjatë kohës kur edhe ai drejtonte sektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si Ministër në Kosovë Zgjedhje e goditur Belinda Balluku Urime e me krahë të lehta!”, ka shkruar ajo.

Prokuroria në Hagë: Thaçi, Veseli e Selimi sulmuan stacionet e policisë serbe më 1997

Sipas Prokurorisë së Speciales, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi kishin sulmuar stacionet serbe të policisë në shtator të vitit 1997.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi ishin të përfshirë në sulme direkte e të koordinuara kundër stacioneve të policisë serbe në shtator të vitit 1997. Ky është pretendimi i Prokurorisë së Specializuar të Hagës i nxjerrur së fundmi gjersa kundërshton provat e nxjerrura nga dëshmitarët e mbrojtjes që mohuan rolin aktiv të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në operacione ushtarake.

Prokuroria thotë se gjatë fazës së saj kishte paraqitur dëshmi të shumta që lidhen me “sulmet e sinkronizuara ndaj stacioneve të policisë serbe në shtator 1997 dhe përfshirjen, ndër të tjerë, të Rexhep Selimit dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në to”.

“Për më tepër, faqet që ishin pranuar nëpërmjet Urdhrit të Dytë Gojor iu treguan dëshmitarit W04401 gjatë ekzaminimit të tij të drejtpërdrejtë. Pjesët që kishin të bënin me Thaçin, Selimin dhe Veselin, si dhe me përfshirjen e tyre në sulmet e shtatorit 1997, u lexuan me zë gjatë seancës, ndërsa i tërë intervistimi u paraqit si provë. Kur trupi gjykues mori vendim mbi këtë çështje, edhe pse nuk i pranoi në mënyrë specifike dy faqet në fjalë, ai u shpreh i bindur se ‘pjesët e intervistave që iu parashtruan dëshmitarit [W04401] janë të rëndësishme, në dukje autentike dhe me vlerë provuese, dhe për rrjedhojë i plotësojnë kërkesat e Rregullës 138(1) për pranueshmëri’”, thuhet në parashtresën e organit të akuzës.

DOKUMENT:

Në të njëjtin paragraf, Prokuroria përmend edhe përfshirjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke iu referuar dokumenteve dhe intervistave të pranuara në proces që, sipas saj, tregojnë për koordinim dhe rol aktiv të tyre në furnizimin me armë dhe logjistikë për këto operacione.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, dy faqe shtesë të një dokumenti të pranuar më herët (P01883) dëshmojnë se Thaçi kishte marrë pjesë në sigurimin e armatimit dhe logjistikës për UÇK-në që në vitin 1997 – periudhë kur, sipas disa dëshmitarëve të mbrojtjes, ai pretendohej të mos kishte rol ushtarak.

“Dy faqet shtesë tregojnë qartë përfshirjen aktive të Thaçit në furnizimin me armë dhe logjistikë të UÇK-së në vitin 1997”, thuhet në shkresë, duke e cilësuar këtë si një provë të drejtpërdrejtë që kundërshton versionin e mbrojtjes.

Ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë kundërshtuar pranimin e këtyre materialeve, duke pretenduar se Prokuroria ka përfituar padrejtësisht nga faza e mbrojtjes për të futur prova të reja që cenojnë parimin e barazisë së palëve.

Ata kanë argumentuar se këto dokumente përmbajnë akuza të reja që nuk ishin pjesë e provave të pranuara gjatë fazës së akuzës dhe se përfshirja e tyre “rrezikon të paragjykojë mbrojtjen e të akuzuarve që nuk kanë paraqitur ende rastin e tyre”.

E kapi kamera në El Clasico, e dini se kush ishte bukuroshja e famshme?

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit dhe emocionet ishin tejet të mëdha në El Clasico, fansat për një moment u relaksuan me një pamje në ekran. Kamerat fokusuan një bukuroshe për një moment.

Bëhet fjalë për aktoren e famshme spanjolle të Hollivudit, Penelope Cruz.

51-vjeçarja është aktorja më e njohur në dy dekadat e fundit në Spanjë, duke arritur shumë suksese ndërkombëtare.

Berisha paralajmëron protesta: S’do e lejojmë situatën të degradojë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga ambientet e jashtme të Kuvendit paralajmëroi se aksioni i opozitës do të radikalizohet përmes protestave.

Sipas kreut të opozitës, ministrat dhe deputetët socialistë janë të trembur, ndërsa PD sheh protestat si zgjidhje që situata të mos degradojë.

“Natyrisht ne jemi opozitë. Partia Socialiste ka frikë të tmerrshme, deputetët dhe ministrat e saj kanë frikë të tmerrshme nga vetja e tyre. Absolutisht do ketë protesta se pa protesta situata vijon të degradojë gjithnjë e më shumë”, tha Berisha.

Largohet Igor Tudor, ky do të jetë emri i ri i trajnerit të Zhegrovës

Juventusi ka njoftuar sot zyrtarisht shkarkimin e trajnerit Igor Tudor nga detyra e tij si trajner i ekipit të parë të meshkujve.

Së bashku me kroatin, janë larguar edhe pjesëtarët e stafit të tij teknik: Ivan Javorcic, Tomislav Rogic dhe Riccardo Ragnacci.

Në njoftimin zyrtar, klubi bardhezi bën të ditur se drejtimin e përkohshëm të skuadrës ia ka besuar Massimo Brambilla-s, i cili do të jetë në stol për ndeshjen e radhës ndaj Udineses, të mërkurën në mbrëmje.

“Klubi falënderon Igor Tudorin dhe të gjithë stafin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë muajve të fundit dhe u uron gjithë të mirat në karrierën e tyre të ardhshme,” thuhet në komunikatën e Juventusit.

Të shtëna me armë në Deçan

Tre persona kanë rënë në pranga në Deçan pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë fjalosur mes vete.

Policia bën të ditur se si pasojë, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër.

Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me karikator dhe dy fishekë.

 

 

“Me vendim të prokurorit pas intervistimit një i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin ditor të policisë.

Lëvizje surprizuese nga Edi Rama, i jep Liburn Aliut një post me vlerë në Shqipëri

Në një lëvizje surprizuese, ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është emëruar në pozicionin e drejtorit të Portit të Durrësit, raporton portali VNA.al në Shqipëri bazuar në burime.

Dy muaj pas dorëheqjes nga pozita e ministrit në detyrë të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Aliu, një prej figurave eminente të Vetëvendosjes është emëruar drejtor i Portit të Durrësit.

Siç raporton VNA.al në raportimin ekskluziv të së hënës, Aliu është emëruar drejtor me vendim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë e Shqipërisë, Belinda Balluku.

VNA.al shkruan se përpos Aliut, që do të marrë nën drejtim Portin e Durrësit, ministrja Balluku ka emëruar edhe drejtorin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në këtë pozitë është emëruar Kreshnik Bajraktari.

Liburn Aliu ka shërbyer në qeveri ndër vite, përfshirë si ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Aliu më herët kishte dhënë doreheqje nga Qeveria Kurti, pas mosmarrëveshjeve të brendshme dhe dallimeve politike në qasje ndaj disa çështjeve.

Gjykata Speciale merr një vendim për Thaçin

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, kanë marrë vendim, me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, për ndryshime të protokollit të kontaktit, në mënyrë që ai të mos zbatohet më për disa dëshmitarë të prokurorisë, të cilët janë dëshmitarë në rastin për krime lufte e po ashtu edhe në atë kundër administrimit të drejtësisë.

Mbrojtja e Thaçit ka pretenduar se protokolli i kontaktit në rastin për krime lufte është shumë më i rreptë se ai në rastin kundër administrimit të drejtësisë, pasi kërkon njoftim paraprak 10-ditor për çdo dëshmitar, pëlqim të informuar nga dëshmitari, videoincizim të kontakteve dhe ndarjen e regjistrimeve me palët e tjera dhe trupin gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Veç kësaj, mbrojtja pretendon se ekipe tjera mbrojtëse në rastin 12, e po ashtu edhe prokuroria- kanë një kornizë kontakti më të butë, ndërsa ekipi i Thaçit ka një kornizë më të rreptë për shkak të rastit për krime lufte në lidhje me dëshmitarët e përbashkët.

Në këtë linjë, mbrojtja argumenton se kjo krijon pabarazi të armëve midis ekipit të Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë dhe palëve të tjera.

Si rrjedhojë, ata kanë kërkuar nga trupi gjykues që të ndryshojë protokollin e kontaktit në rastin për krime lufte, në mënyrë që kontaktet me dëshmitarët e përbashkët në rastin kundër administrimit të drejtësisë të zbatohen sipas kornizës për rastin e fundit.

Kurse, trupi gjykues thotë se nuk është vërtetuar asnjë shkelje e parimit të barazisë së armëve.

“Trupi gjykues përfundon se nuk është vërtetuar asnjë shkelje e parimit të barazisë së armëve dhe çdo ndikim i mundshëm i ardhshëm negativ mbi aftësinë e mbrojtjes Thaçi për të zhvilluar hetimet e saj është hipotetik dhe spekulativ në këtë fazë”, thuhet në vendim.

Prokuroria e kishte kundërshtuar këtë kërkesë, pasi sipas tyre, edhe Apeli ka konstatuar se kjo kornizë nuk e ngarkon në mënyrë të tepruar mbrojtjen e Thaçit. Ngjashëm ka konstatuar edhe trupi gjykues në vendimin e tij.

“Trupi gjykues konsideron se fakti që ZPS-ja mund të jetë në gjendje të kontaktojë dëshmitarët që do të thirren nga ekipi i mbrojtjes së Thaçit në Rastin 12 jashtë parametrave të Protokollit të kontaktit në rastin 06, nuk ndikon në ato konstatime. Ajo që ka rëndësi është që të dyja palët, në parim, i nënshtrohen të njëjtave kufizime dhe kushte lidhur me kontaktet e tyre me dëshmitarët e rastit 06 nën Protokollin përkatës, në mënyrë që të ruhet barazia e armëve për aq sa ka të bëjë me këtë rast”, thuhet në vendim.

Sipas prokurorisë, mbrojtja e Thaçit ankohet për pabarazi të armëve, por ankesa e saj fokusohet kryesisht në pozitën e Thaçit krahasuar me bashkë të akuzuarit në rastin 12.

Prokuroria thotë se trupi gjykues ka sqaruar se protokolli i kontaktit në rastin 06 zbatohet për të gjithë dëshmitarët e atij rasti, ndërsa në rastin 12 provat e ZPS-së janë kryesisht dokumentare, jo të bazuara në dëshmitë e dëshmitarëve të përbashkët.

“ZPS-ja pohon se: (i) ekipi i mbrojtjes së Thaçit në rastin 12 nuk është i penguar të zhvillojë hetimet e tij brenda parametrave të Protokollit të kontaktit në rastin 06; (ii) e drejta e mbrojtjes së Thaçit për të intervistuar dëshmitarët e palës kundërshtare nuk është e pakufizuar; dhe (iii) në rrethanat e rastit, ndryshimet e kërkuara nuk janë as të përshtatshme dhe as të nevojshme”, thuhet në vendim.

Nga ana tjetër, mbrojtja e viktimave gjithashtu e ka kundërshtuar kërkesën duke thënë se mund të ndikojnë te dëshmitarët që kanë statusin e dyfishtë pra edhe atë të viktimës në rastin për krime lufte.

Mbrojtja e viktimave thotë se trupi gjykues në rastin për krime lufte nuk është përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të Thaçit për një gjykim të drejtë në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Pasi u morën të gjitha parashtresat nga palët, trupi gjykues ka marrë vendim që ta refuzojë kërkesën e Thaçit në këtë rast gjyqësor ku së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi, më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar, më 26 tetor 2020.

Kjo është data e fundit kur Osmani duhet t’i ftojë partitë politike për konsultime

Albin Kurti ka dështuar t’i merrte votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e qeverisë “Kurti 3”.

Për Kurtin pro votuan 55 deputetë ndërsa kundër votuan partitë e ish-opozitës e po ashtu abstenuan katër deputetë.

Pas dëshmit të krijimit të qeverisë nga Kurti, tashmë presidentja e vendit Vjosa Osmani duhet që të vendosë që brenda afatit prej 10 ditësh kujt do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë, sipas procedurës së njëjtë.

Por kur pritet që Osmani të ftojë në takim partitë politke për konsultime?

Në një përgjigje për Indeksonline, Bekim Kupina këshilltar për media thotë se partitë do të ftohen për konsultime brenda afatit kushtetues.

Sipas afateve ligjore del se data e fundit kur Osmani duhet t’i ftojë në takim partitë polike është 5 nëntori.

Ndërsa partitë politike presin ftesë nga Osmani, në anën tjetër Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Gjykata merr vendim për pilotin kroat dhe të dashurën serbe, që spiunonte për Listën Serbe

Ana Murganiq, serbe nga Mitrovica e Veriut, dhe partneri i saj, anëtar i Forcave Ajrore kroate, ishin arrestuar në Vis të Kroacisë nën dyshimin se kanë spiunuar për Serbinë.

Piloti kroat ishte i angazhuar edhe në KFOR në Kosovë dhe ai dyshohet se i ka dhënë të dashurës së tij serbe informacione konfidenciale për t’ia përcjellë më pas pjesëtarëve të Listës Serbe.

Piloti kroat është liruar nga paraburgimi ndërsa spiunja serbe po mbahet ende në qëndrën e paraburgimit.

Nesër do të merret vendim për kohëzgjatjen e mëtejshme të paraburgimit për të pandehurën serbe

Ministria e Mbrojtjes Kroate ka konfirmuar se ushtari kroat është pushuar nga puna.

Pas masës gjyqësore, Kroacia do ta depërtojë spiunen serbe për 10 vjet.