Kuvendi konfirmon, ja kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë

Më 26 tetor mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare me rendin e vetëm të ditës zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Deputetët do të mblidhen në orën 10:00 për të votuar kabinetin qeveritar të mandatarit Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në rast të mos miratimit të qeverisë Kurti 3, presidentja e vendit do t’i jep mandatin një kandidati tjetër. Në rast se kjo dështon edhe për herë për dytë, atëherë Vjosa Osmani brenda 40 ditësh duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Çka nëse Kurti s’arrin ta propozojë Qeverinë deri të dielën?

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka edhe dy ditë kohë ligjore për t’ua prezantuar Qeverinë anëtarëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse Qeveria nuk zgjidhet të dielën – pas zgjedhjeve të shkurtit dhe muajve të tërë përpjekjesh për të formuar institucionet e reja – Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje mori më shumë vota, por jo mjaftueshëm për të formuar e vetme Qeverinë.

Tani, nuk është e sigurt nëse kjo parti do të arrijë t’i sigurojë votat e deputetëve nga partitë e tjera deri të dielën.

Më herët, Lëvizja Vetëvendosje e përjashtoi mundësinë e bisedimeve me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa e la derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Tani për tani – së paku publikisht – nuk ka informacione se një marrëveshje koalicioni është në horizont.

Çka tani?

Në fillim të kësaj jave, Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe – në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.

Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.

Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.

Çfarë thotë praktika e vitit 2020?

Në prill të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i dha mandatin për të formuar Qeverinë e Kosovës Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës – partia e dytë në atë kohë – sepse Vetëvendosja, si fituese e zgjedhjeve, nuk e shfrytëzoi mundësinë kushtetuese për të emëruar kryeministrin.

Atëkohë, Vetëvendosja e pa daljen nga kriza politike – e cila kishte lindur nga vota e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kurtit më pak se dy muaj pasi ishte zgjedhur – në zgjedhje të parakohshme.

Vota e mosbesimit ndaj Kurtit u bë për shkak të pakënaqësisë së partnerëve të tij të koalicionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mënyrën se si ai e udhëhoqi vendin gjatë pandemisë COVID-19, si dhe për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA-në.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më pas vendosi që dekreti i presidentit të Kosovës, Thaçi, që emëronte Hotin si mandatar për kryeministër, ishte në përputhje me Kushtetutën.

Çfarë thonë shifrat?

Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 vende dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 8 vende.

Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare, të njohura nga Kushtetuta e Kosovës: boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

Për të zgjedhur një qeveri të re, personi përgjegjës duhet të sigurojë së paku 61 vota.

Më 20 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se ka ende kohë për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Qeverisë, por kritikoi Listën Serbe për “krijimin e pengesave”.

Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe është në pritje të përgjigjes.

Çka nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Listës Serbe?

Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pranon ankesën e Listës Serbe si të bazuar, në praktikë kjo do të thoshte se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar.

Kjo do ta bënte të pamundur ndërmarrjen e ndonjë hapi drejt formimit të Qeverisë dhe institucioneve të reja.

Më herët, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Listës Serbe se Kuvendi nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

Më pas u zgjodh Rashiq, sepse asnjë nga nëntë kandidatët nga Lista Serbe nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, një kandidat për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb propozohet nga shumica e deputetëve nga ai komunitet – gjë në të cilët thirret edhe Lista Serbe në ankesën e saj.

Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve.

Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb./Radio Evropa e Lirë

Zgjedhjet lokale, KQZ merr një vendim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që aktivitetet zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetarë të Komunave, do të jetë nga 3 deri më 9 nëntor 2025.

Sipas vendimit të KQZ-së për miratimin e planit të aktiviteteve, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që garojnë në raundin e dytë, do të fillojë më 3 nëntor dhe do të përfundojë në orën 06:59 më 9 nëntor.

Po sipas vendimit të KQZ-së, nga 26 tetori deri më 29 nëntor, është planifikuar që të bëhet dërgimi i fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar gjatë raundit të parë dhe që i takojnë komunave ku do të mbahet raundi i dytë. Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 27 tetor dhe do të përfundojë më 8 nëntor 2025.KQZ do t’i japë mundësi subjekteve politike që do të garojnë në raundin e dytë që të akreditojnë vëzhgues shtesë dhe të konfirmojnë vëzhguesit e akredituar. Kjo mund të bëhet nga data 28 tetor deri më 3 nëntor.

Edhe mediat, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatike, do të duhet që të konfirmojnë vëzhguesit e tyre nga 31 tetori deri më 3 nëntor 2025.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e rekomandimeve për përfshirjen në rezultatet përfundimtare të rezultateve që dolën pas rinumërimit të 16 kutive të votimit nga 12 vendvotime të ndryshme.

Vendvotimet e rinumëruara me vendim të KQZ-së për shkak të evidentimit të mospërputhjeve, janë: Deçan (0105/03 – Kuvend Komunal); Gllogoc (0305/02, 0327/01, 0329/02 – Kuvend Komunal), Gjilan (0408/05, 0408/06 – Kryetar Komune dhe Kuvend Komunal), Lijan (1301/08 – Kuvend Komunal), Prishtinë (1904/04 – Kryetar Komune dhe Kuvend Komunal), Prizren (2034/04 – Kryetar Komune; 2034/01 | 2034/03 – Kuvend Komunal), Shtime (2207/01 – Kryetar Komune) dhe Suharekë (2404/01 – Kuvend Komunal).

Gjithashtu, në mbledhje është bërë e ditur se personat që mbushin 18 vjet do të përfshihen në listën e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve. Ndërsa ata që mbushin 18 vjet dhe jetojnë jashtë Kosovës do të duhet të vijnë në Kosovë për të votuar. Po ashtu, personat që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës do të largohen drejtpërdrejt nga lista e rregullt e votuesve në Kosovë.

Nga VV e pranojnë se nuk i kanë numrat e mjaftushëm për formimin e Qeverisë, afati skadon të dielën

Nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë pranuar se nuk i kanë numrat e nevojshëm për Qeverinë Kurti 3, shkruan Reporteri.net.

Zyrtari i lartë i VV’së, njëherit Kryetar i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se po punojnë maksimalisht në këtë drejtim që t’i sigurojnë votat deri të dielën.

Sipas Bulliqit, një qeveri stabile do të ishte VV-LDK, duke thënë se me një përbërje të tillë do të tejkalohej edhe sfida e zgjedhjes së presidentit, që e pret vendin vitin e ardhshëm.

‘’Ne jemi duke punuar në këtë drejtim për formimin e Qeverisë së re, por ne nuk mund të themi me optomizëm të plotë se diçka e tillë do të ndodh. Ka përpjekje maksimale për me zgjidhë këtë problem, por tash ju e dini se ne nuk i kemi numrat e mjaftushëm, dhe sigurisht se na nevojitët ndihma e subjekteve të tjera politike. Për të qenë një Qeveri stabile dhe për të tejkaluar edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit do të ishte shumë e lëverdisshme të kemi një Qeveri e cila do të ishte e përbërë nga LVV-ja dhe LDK-ja, por tash kjo nuk varët prej neve si subjekt politik, mbetet për tu parë se cilat kanë me qenë veprimet e metejshme në këtë process”, ka deklaruar Bulliqi për RTV 21.

Ai nuk ka përjashtuar bashkëpunimin me Nismën Socialdemkrate.

‘’Ju e dini se disa diskutime në fillim ka pasur me këtë subjekt politk, nuk kam informacione se në cfarë mase kanë shkuar këto bisedime. Ne jemi të interesuar që në çdo aspekt të krijojmë hapsirë që të formohen institucionet e vendit sepse është e rendësishme për Kosovën që të vazhdojmë me punë dhe projektet që janë nisur’’, shtoi Bulliqi.

Edhe vetë Kurti, në fillim të kësaj jave la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, deklaroi Kurti të martën.

Afati kushtetues prej 15 ditësh për prezantimin e Qeverisë së re skadon më 26 tetor.

Pastaj, presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare./Reporteri.net

Qeveria mban mbledhjen e radhës, ndan 10 mijë euro…

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje një mbledhje elektronike, gjatë së cilës janë marrë dy vendime të rëndësishme

Së pari, është miratuar ndarja e mjeteve financiare në shumën 10,000€ për Organizatën FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova. Kjo shumë do të përdoret për promovimin e vendit në edicionin e 10-të të Konferencës “Software Freedom Kosova (SFK)”, e cila do të mbahet më 24-26 tetor 2025 në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) në Prishtinë.

Gjithashtu, në këtë mbledhje është aprovuar edhe Raporti Nëntëmujor i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Këto janë dy vendimet e rëndësishme që mori Qeveria e Kosovës

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje mbledhje elektronike.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 10,000€ (dhjetë mijë euro) me qëllim të promovimit të vendit, për Organizatën FLOSSK — Free Libre Open Source Softëare Kosova, për edicionin e 10-të të Konferencës “Software Freedom Kosova (SFK)”, e cila do të mbahet më 24 – 26 tetor 2025 në FIEK, Prishtinë.

Po ashtu gjatë kësaj mbledhje është aprovuar Raporti Nëntëmujor të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

/Kosovapress/

Arrestohet personi i shumë kërkuar, ishte i dënuar me…

Drejtoria e policisë së kryeqytetit po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve policore me qëllim kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar si autorë të veprave penale.

Në kontekstin e kësaj, mbrëmë nga veprimet e ndërmarra nga njësitë e stacionit policor- veriu në Prishtinë, është arritur arrestimi i personit të kërkuar:

– D.K. mashkull, 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i dënuar me 13 muaj burgim për veprën penale: “Blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.

Ai pas arrestimit nga policia është dërguar në vuajtje dënimi.

Çmimi i naftës rritet në tregjet globale, këto janë çmimet aktuale në Kosovë

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha se Indeksi Crude Brent qe ndikon në çmimet e naftës u rrit mbi 5%, gjatë ditës së djeshme.

Berjani sqaroi se kjo rritje erdhi pas sanksioneve të reja amerikane ndaj kompanive kryesore ruse të naftës, që ngriti shqetësime për një furnizim më të kufizuar në nivel global.

Ai potencoi se në të njëjtën kohë, rezervat e naftës në SHBA, ranë në mënyrë të papritur.

“Kombinimi i këtyre faktorëve ka ringjallur frikën për tregjet e energjisë dhe ka treguar se sa shpejt zhvillimet gjeopolitike mund të lëvizin çmimet e naftës” shkruan Berjani.

Berjani se sa janë aktulisht çmimet e naftës dhe benzinës në Kosovë.

“Çmimet aktuale në Kosovë janë: Diesel: 1.15€ deri 1.24€Benzin: 1.16€ deri 1.25€” shkruan ai.

Postimi i plotë:

Plaçkitje e armatosur në autostradën “Ibrahim Rugova”, pamje nga vendi i ngjarjes (VIDEO)

Një plaçkitje e armatosur ka ndodhur mëngjesin e së premtes në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas pamjeve të “Suhareka Online” një kamion ka ndalur një veturë dhe më pas në mënyrë të armatosur kanë plaçkitur veturën.

IndeksOnline ka kontaktuar policinë dhe është në pritje të përgjigjes.

 

Zhvillime dramatike: Kurti “shliron” dorën, ofron poste qeveritare për…

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pas kthimit nga Londra do të vazhdojë përpjekjet për sigurimin e votave të nevojshme për formimin e Qeverisë. Kurtit i kanë mbetur edhe tri ditë deri të dielën kur i duhet ta dëshmojë para deputetëve të Kuvendit nëse i ka votat e nevojshme apo jo. Zyrtarisht nuk kanë nisur bisedimet dhe Vetëvendosje nuk ka treguar nëse i ka nisur ftesa ndonjë subjekti politik për takim.

PDK ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi për përfshirje në një Qeveri Kurti 3. Deputetja e PDK-së, Arbnore Salihu, thotë se Kurti para se të kritikojë partitë e ish-opozitës për bllokim të formimit të institucioneve, do të duhej që si i mandatuar të krijojë shumicën parlamentare.

‘’Ne e dimë që sipas Kushtetutës e drejta i takon partisë së parë që ta propozojë kandidatin për kryeministër dhe ta formojë Qeverinë. Obligimi i vërtetë është që kandidati i propozuar ta gjejë shumicën në Kuvend, sepse pa shumicë nuk mund të formohet Qeveria. Nëse Albin Kurti nuk mund ta gjejë shumicën në Kuvend prej 61 votash, atëherë ai nuk mund të fajësojë partitë e tjera për bllokim, sepse faji është tek Albin Kurit. Ai duhet ta mësojë njëherë e mirë se cila është dhe çka është demokracia parlamentare. Qeveria nuk formohet pa arritë marrëveshje politike dhe pa e pasur shumicën në Kuvend. Albin Kurti siç duket është mësuar të viktimizohet dhe me i fajësu të tjerët. Kurti ka ardhë në pushtet duke u viktimizuar dhe besoj se do të përshëndetet me pushtetin në këtë formë”, tha Salihu.

Deputetja Salihu ka mohuar zërat se PDK-ja dhe LVV-ja kanë bisedime të për formimin e Qeverisë së re

‘’PDK-ja nga fillimi ka qenë shumë e qartë në qëndrimin e saj. Edhe kandidati ynë për kryeministër, Bedri Hamza, menjëherë pas shpalljes së rezultateve e ka bërë qëndrimin tonë të qartë se nuk ka asnjë bashkëpunim dhe marrëveshje midis PDK-së dhe LVV-së. Këto nuk qëndrojnë, dhe dua të kthehet prapë tek ajo që thash, qëndrimi jonë ka qenë i qartë prej fillimit dhe vazhdon të mbetet i njëjtë. Mbetet të shihet, por nuk besoj se do të ketë Qeveri të dielën’’, tha Salihu për rtv21

LVV-ja ka këmbëngulur në partneritetin me LDK-në por kjo e fundi përfundimisht i ka thënë jo Kurtit për bashkëpunim. Liderit të LVV-së, i ka mbetur e hapur mundësia që ta përfshijë Nismën në Qeverinë e re por nuk dihet se çfarë oferte mund të ketë. Burimet e RTV21 në Nisma kanë thënë se ajo vazhdon të jetë e hapur për bashkëpunim me Kurtin, por detajet do të definohen në një takim të mundshëm Limaj-Kurti. Derisa me partitë shqiptare e ka të vështirë bashkëpunimin për formimin e Qeverisë, Kurti ka lëshuar dorën e bashkëpunimit me komunitetet jo shumicë në këmbim të votës.

Deputeti, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka, konfirmoi për rtv21 se dy deputetët e këtij komuniteti do të votojnë për Qeverinë “Kurti 3” sepse atyre Kurti ua ka premtuar postin e zëvëndëskryeministrit.

‘’Pas zgjedhjeve parlamentare në marrë e kemi pasur një takim me i Kurtin për krijimin e Qeverisë Kurti 3 dhe kemi rën dakort që të krijojmë Qeverinë. Nuk besoj se gjatë kësaj kohe ka ndryshuar diçka. Në qoftëse do të vjen të dielën të votohet Qeveria Kurti 3 ne si dy deputetë të komuntetit turk do të votojmë, dhe sa më shpejtë të krijohet Qeveria sepse jemi shumë vonë. Nuk kemi kushte, jemi pjesë e koalicionit në Kurtin 2 kemi marrë pjesë si ministër dhe besoj se do të vazhdojë edhe në Qeverinë Kurti 3. Do të kemi postin e zëvëndëskryeministrit në Qeverinë Kurti 3, ashtu kemi rënë dakort”, tha Damka

Post qeveritar Kurti i ka ofruar edhe koalicionit Vakat. Deputeti i këtij komuniteti, Rasim Demiri, tha se mbështesin formimin e Qeverisë Kurti 3.

“Jemi në kontakt me kryeministrin Kurti. Ne e kemi konfirmuar se do të ketë mbështetje kryeministri Kurti për një gjë të tillë kemi vendos në kryesinë e partisë. Në takimet që kemi pas me kryeministrin mundemi me llogaritë se Vakat do të ketë një postë shumë të rëndësishëm në Qeverinë Kurti 3 nëse do të formohet. Do të kemi postë ministror”, tha Demiri.

Vetëvendosje me 48 deputetë, llogaritë edhe në votat e 7 nga 10 deputetë të komuniteteve jo shumicë jo serbe. Por, për të arritur shumicën e thjeshtë të votave 61 i duhet edhe 6 vota

Kurti “shliron” dorën, ofron poste qeveritare për komunitet jo shumicë