Presidenca reagon për fotografinë e manipuluar të Osmanit me Bërnabiqin e Gjuriqin

Presidenca e Kosovës ka dalë me reagim rreth një fotografie të manipuluar që po qarkullon në rrjete sociale.

Nga Presidenca shkruajnë që pamja e montuar me kryeparlamentaren e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, është bërë me qëllim që ta dëmtojë figurën e presidentes Osmani.

“Përdorimi i materialeve të rreme për ta goditur Presidenten është jo vetëm i ulët, por edhe i rrezikshëm. Këto tentime për përhapje të dezinformatave nuk janë të rastësishme dhe janë pjesë e një fushate të mirë-organizuar që synon të baltosë Presidenten e Republikës. Presidentja Osmani ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm i shtetësisë, sovranitetit dhe dinjitetit të Kosovës dhe asnjë foto e rreme nuk mund ta zbehë këtë”, thuhet në reagimin e Presidences.

Ky institucion i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprime. /Klankosova.tv

Supremja refuzon ankesën e Vetëvendosjes për qendrat e votimit jashtë Kosovës

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin për organizimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke vërtetuar në tërësi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të datës 30 nëntor 2025.

Me vendimin e tij, PZAP kishte pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kishte ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të datës 26 nëntor 2025, duke përcaktuar që qendrat e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 të vendosen vetëm në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre.

Ky vendim ishte kundërshtuar nga LVV-ja, që kishte pretenduar shkelje të dispozitave ligjore dhe kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që të aprovojë ankesën e saj.

Por, pas shqyrtimit të dokumentacionit, Gjykata Supreme konstatoi se pretendimet e LVV-së janë të pabazuara.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa kufizimi i qendrave të votimit vetëm brenda përfaqësive diplomatike përbën një masë mbrojtëse të domosdoshme për të garantuar integritetin e votës.

“Gjykata theksoi se shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit u garantohet e drejta e votës, por ushtrimi i saj duhet të bëhet në pajtim me kushtet ligjore të përcaktuara. Në këtë kuadër, vlerësimi i PZAP-së se ky organizim siguron proces të rregullt dhe të besueshëm zgjedhor është cilësuar i bazuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme

 

Lekaj i bindur që VV-ja në zgjedhjet e dhjetorit nuk i merr as 40%

Kandidati i AAK-së për deputet, Pal Lekaj ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk i merr as 40 për qind të votave.

“Qytetari ka me vendosë më 28 dhjetor që me ia tregu vendin. Të jeni të bindur që as 40 për qind. Jemi gjallë e shëndosh, prapë do të vijë”, tha ai.

Lekaj gjithashtu u shpreh se Albin Kurti do të bindet se ka krijuar strategji të gabuar, që siç u shpreh ai, ka menduar që mashtrohen qytetarët.

“Unë mendoj që më 28 dhjetor, Kurti do të bindet që ka krijuar një strategji të gabuar, që ka menduar që i mashtron lehtë qytetarët. Qytetari jonë nuk mashtrohet”, u shpreh ai në KlanKosova.

Nuk u fut në listë për deputet, reagon Xhafer Tahiri

Ish-kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri ka reaguar pasi partia e tij nuk e kandidoi për deputet.

Tahiri për këtë ka reaguar në një shkrim në rrjetin social Facebook.

“Interesat janë të përkohshme, ngjarjet ikin e kalojnë, ndërsa qëndrimet dhe karakteri janë ato që na përcaktojnë në kohë!”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri i kishte prishur raportet me partinë e tij dhe liderin Lumir Abdixhiku pas lidhjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri, në zgjedhjet lokale të sivjetme.

Shpërthen virusi i rrezikshëm në Britani, mbyllen disa shkolla, bëhet thirrje për rikthimin e maskave

Një numër i madh nxënësish dhe stafi janë duke munguar në një numër të madh shkollash në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të shpërthimeve të gripit dhe viruseve të tjera, duke mbyllur shumë prej tyre përkohësisht.

Drejtuesit e shkollave pohojnë se situata po ngjason me periudhën e pandemisë Covid-19.

Një nga rastet më të prekura është St Martin’s në Caerphilly, Uellsi, ku më shumë se 250 nxënës dhe mësues u sëmurën, duke u rikthyer te mësimi online. Simptomat përfshijnë të vjella, diarre, temperaturë të lartë, kollë dhe lodhje, me një periudhë rikuperimi prej rreth shtatë ditësh.

Daily Mail raporton se në County Londonderry, 170 nxënës munguan në një ditë për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Shkollat britanike po përballen me një grip të veçantë, i njohur si H3N2 “supergripi”, që po përhapet më shpejt dhe shkakton simptoma më të rënda. Londra ka trefishuar numrin e pacientëve të shtruar me grip krahasuar me vitin e kaluar, shkruan A2 CNN

Autoritetet shëndetësore po rekomandojnë përdorimin e maskave për të reduktuar përhapjen e virusit, ndërsa NHS paralajmëron për një valë të madhe infeksionesh dhe shtim të ndjeshëm të numrit të të shtruarve në spital.

Gjithashtu, rreth 100 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi të një anijeje janë prekur nga norovirusi gjatë një udhëtimi nëpër botë. Kjo situatë po shkakton shqetësim të madh në Britani, ku autoritetet paralajmërojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në shtëpi nëse shfaqin simptoma./Indeksonline/

Lajmërohet Avni Dehari si kandidat: Votojeni VV-në, kemi bërë punë të mëdha

Avni Dehari ish-Kryesuesi i Seancës Konstitutive, i cili për 5-6 muaj rresht mbajti të bllokuar seancën në një kandidaturë të Albulena Haxhiut, për ç’gjë u deshtën dy Aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, për t’ia ndërruar mënyrën e operimit.

“Quhem Avni Dehari, kandidat për deputet…Qeveria e kaluar ka bërë punë të mëdha për shtrirje të sovranitetit, forcimin e ushtrisë…Të forcojmë shtetin”, tha Dehari përmes një video-adresimi.

Shkarkohen drejtorët komunalë në veri, Lista Serbe publikon foto pa simbolet e Kosovës

Lista Serbe ka bërë të ditur se kryetarët e katër komunave veriore kanë shkarkuar drejtorët komunal që ishin në mandatin e kaluar.

“Kryetarët e Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviq, Zveçan Dragisha Milovoć, Zubin Potok Millosh Perovic dhe Leposavić Zoran Todić, kanë marrë postin në këto komuna dhe kanë marrë vendim për shkarkimin e të gjithë drejtorëve të emëruar politikisht të drejtorive komunale”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe në Instagram.

Në fotografitë që ka publikuar Lista Serbe në zyrat e kryetarëve nuk vërehen simbolet e shtetit të Kosovës, ndonëse betimin e dhanë para tyre.

Kryetarët e rinj thonë se zyrat janë gjetur në një gjendje aspak të rregullt.

Pasi hyri në listën e VV-së, reagon Andin Hoti

Ish – deputeti i PDK-së Andin Hoti, pasi hyri në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se mësimi i tij për politikën ishte edhe për gjatë katër vjetëve sa është në krye të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur ku thotë ta ketë parë dhimbjen më të madhe dhe dinjitetin më të lartë tek qytetarët.

Hoti me të birin e tij tek busti i të atit të tij, Ukshin Hoti tha se ftesën për t’iu bashkuar listës së deputetëve në LVV e pranoi si detyrë dhe shërbim, duke u zotuar se kontributi i tij do të jetë përpjekje e pandalshme në sfidat aktuale: forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesit kombëtar

Postimi i plotë:

Me respekt ndaj secilit prej jush dhe mirënjohje të thellë ndaj Kryeministrit Kurti për vlerësimin, ju njoftoj se kam pranuar ftesën që t’i bashkohem listës së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit,
Si detyrë,
Si shërbim.

Kosova po kalon një periudhë të sfidave më të ndjeshme në historinë e konsolidimit ndërkombëtar.
Kërcënimet nga jashtë, përçarjet nga brenda dhe sfidat e të vërtetave të papërfunduara kërkojnë një gjë të vetme: unitet dhe përgjegjësi.

Gjatë 4 viteve në Krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur kam parë dhimbjen më të madhe dhe dinjitetin më të lartë tek qytetarët.
Ky është mësimi im për politikën:
nuk ka shtet pa drejtësi, dhe nuk ka drejtësi pa kurajë.

Kontributim im do të jetë përpjekje e pandalshme në sfidat aktuale: forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesit kombëtar.

Kosova është e jona. E askujt tjetër!

Na priftë e mbara,
Vetëvendosje #116
Andin Hoti #11

“Lista e VV-së është anti-UÇK”, thotë analisti i njohur

Të dielën e 7 dhjetorit, partitë politike që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, prezantuan listat e kandidatëve për deputetë, me plot 110 emra.

Kjo u bë temë diskutimi në edicionin më të ri të emisionit “Kosova Today”, ku analisti Argjend Softolli tha se lista e Lëvizjes Vetëvendosje është anti-vlerave më sublime të vendit, pra anti-UÇK, transmeton Klankosova.tv.

Vetëvendosja si subjekt politik, gjithmonë e kemi thënë, se lista e saj është anti-UÇK, anti vlerave më sublime të vendit”, tha Softolli.

Ndërkohë, sipas analistit Azdren Shala, partitë janë munduar që të makimalizojnë listat, në mënyrë që asnjë votë të mos iu ikë.

“Partitë, janë munduar maksimalisht me i maksimalizu listat, që mos me iu ikë asnjë votë, pasi një votë është e rëndësishme”, tha Shala.

Nga ana tjetër, analisti Ardian Zeqiri, tha se partitë ish-opozitare në listat e tyre lanë më shumë prurje të reja, derisa sipas tij, partia më e madhe, VV-ja, është thjesht një përsëritje e zgjedhjeve të kaluara.

“Top 10-shja e partive ish-opozitare përmban emra kualitativ. Partitë janë munduar që të fusin prurje të reja që i kanë bërë në momentet e fundit. Mendoj që ka figura tejet interesante si te PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, dhe mendoj se kjo do t’i ndihmojë rritjes së votës së ish-opozitës. Kur jemi te partia më e madhe, shohim se është një ripërsëritje e njerëzve që i kemi parë në krye të kësaj partie tash e sa vjet”, u shpreh Zeqiri.

Listat zgjedhore për zgjedhjet e 28-dhjetorit, reagon Isa Mustafa

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar listat zgjedhore të partive politike, duke thënë se një pjesë të madhe të kandidatëve nuk e njeh personalisht.

Mustafa theksoi se përgjegjësia për përzgjedhjen e tyre u takon vetë partive që i kanë propozuar, ndërsa ai nuk ka dashur të jepte vlerësime të mëtejshme për emrat e rinj në listë.

“Listat për deputet nuk mund t’i komentoj, sepse një numër të madh të kandidatëve nuk e njoh. Sigurisht se i njohin ose do duhej t’i njohin subjektet që i kanë propozuar.”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.

Ndërkohë, Mustafa pret që rezultatet zgjedhore të sjellin ndryshime pas periudhës së gjatë të bllokadës politike, duke parë votën e qytetarëve si mundësi për stabilizimin institucional dhe orientim të ri për vendin.

“Ndryshime në rezultate, pas gati një vit bllokade, do duhej të ketë. Ndryshimet i shoh si reflektim të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote, për ta stabilizuar vendin dhe për ta vënë në binarë normalë të zhvillimit ekonomik, arsimor, shëndetësor dhe integrimit euroatlantik, në këtë kohë kur ka ndryshime globale shumë dinamike”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova ka nevojë të rikthehet në binarët normalë në shumë sektorë, sidomos në një periudhë me zhvillime globale të shpejta.