Irani paralajmëroi hakmarrje, rrezja e raketave balistike arrin shumë pranë Shqipërisë

Para se Donald Trump të miratonte sulmet ndaj bazave bërthamore iraniane, Republika Islamike kishte paralajmëruar që, nëse një gjë e tillë ndodhte, atëherë do të kishte hakmarrje.

Tani që sulmi u krye, Irani mund të përdorë raketat balistike për të goditur bazat amerikane në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe.

Sipas një vlerësimi të publikuar në “New York Times”, rrezja e raketave balistike të Iranit arrin fare pranë Shqipërisë, pasi kap pjesën më të madhe të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pjesa kryesore e raketahedhësve të Iranit janë të lëvizshëm, çka i bën ato që të kenë mundësi të pozicionohen në pika të ndryshme, për të përfituar maksimalisht.

Kjo bën që një pjesë e mirë e bazave amerikane të jenë brenda rrezes së raketave balistike iraniane.

Pas sulmeve amerikane, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të “hedhin në erë” diplomacinë. “Javën e kaluar, ishim në negociata me SHBA-në kur Izraeli vendosi të hedhë në erë atë diplomaci. Këtë javë, zhvilluam bisedime me E3 (grupi i ministrave europianë) kur SHBA vendosi të hedhë në erë atë diplomaci”, shkroi Araghchi në X.

“Për Britaninë dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, është Irani ai që duhet të ‘kthehet’ në tryezë. Por si mund të kthehet Irani në diçka që kurrë nuk e ka lënë, e jo më ta ketë shkatërruar vetë?”, tha ai.

Sulmet e SHBA-së në Iran, reagon Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo për më shumë bomba bërthamore që rrezikojnë njerëzimin, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai ka theksuar rëndësinë e shqetësimit për programet bërthamore të shteteve autoritare, duke i cilësuar këto çështje si urgjente dhe alarmuese.

“Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare”.

“ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur”, tha Kurti.

Sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore, i kundërpërgjigjet Irani

Ministria e Jashtme e Iranit ka dënuar ashpër sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i cilësuar ato si një “luftë të rrezikshme kundër Iranit”, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia iraniane Tasnim, ministria akuzoi SHBA-në për tradhtimin e procesit diplomatik dhe për nisjen e konflikteve, duke përshkruar gjithashtu Izraelin si një fuqi “gjenocidale dhe pa ligj”.

Irani paralajmëroi se ka të drejtën legjitime për t’u rezistuar dhe për të mbrojtur interesat kombëtare me të gjitha mjetet e nevojshme.

Po ashtu, ministria bëri thirrje urgjente ndaj Kombeve të Bashkuara dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) që të ndërmarrin masa lidhur me këtë akt dhe kërkoi një seancë të jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të dënuar sulmet amerikane.

Trump paralajmëron Iranin: Bëni paqe, përndryshe…

Presidenti Donald Trump paralajmëroi Iranin se SHBA mund të godasë objektiva të tjerë nëse Irani nuk bën paqe, duke mbrojtur një zgjidhje diplomatike pas vendimit të tij për të sulmuar tre objekte bërthamore iraniane të shtunën.

“Irani, ngacmuesi i Lindjes së Mesme, duhet tani të bëjë paqe. Nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta për t’u kryer,” tha Trump në një fjalim drejtuar kombit mbrëmjen e së shtunës.

Ai shtoi: “Kjo nuk mund të vazhdojë. O do të ketë paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin, shumë më e madhe se ajo që kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit. Mos harroni, ka ende shumë objektiva.”

Trump paralajmëroi se SHBA mund të “godasë ato objektiva të tjerë me saktësi, shpejtësi dhe aftësi,” gjë që sipas tij “mund të realizohet brenda pak minutash.”

Pas sulmit të SHBA-së në Iran, rritje alarmante e çmimit të naftës

Çmimet globale të naftës pritet të rriten kur tregjet e energjisë të fillojnë tregtimin të hënën në mëngjes në Azi.

“Sulmet e SHBA-së e kanë çuar konfliktin në një nivel të ri dhe shumë njerëz kanë frikë se kjo vetëm sa do ta përkeqësojë një situatë të keqe”, i thotë BBC-së Dr. Carole Nakhle, drejtoreshë ekzekutive e Crystol Energy.

“Kjo frikë do të reflektohet në një premium më të lartë gjeopolitik të shtuar në çmimet e naftës – askush nuk e di se sa përbën kjo, por si rregull i përgjithshëm, sa më e madhe të jetë frika, aq më i madh është premiumi”, shton ajo.

Nafta bruto Brent e mbylli javën e tregtimit të premten me 77.01 dollarë për fuçi, pasi fitoi pothuajse 20% në muajin e fundit.

Pavarësisht këtyre fitimeve, çmimet e naftës janë ende aktualisht më të ulëta se sa ishin në të njëjtën pikë vitin e kaluar.

Kostoja e naftës bruto ndikon në gjithçka, nga sa kushton të mbushësh makinën tënde deri te çmimi i ushqimit në supermarket, ka raportuar BBC

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së thërret takim urgjent

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) do të mbajë një takim urgjent të hënën “në dritën e situatës urgjente në Iran”, sipas shefit të agjencisë mbikëqyrëse bërthamore të OKB-së, 

Ndërkohë, shefi i agjencisë bërthamore të Iranit, Mohammad Eslam, i ka shkruar IAEA-së, duke thënë se Teherani dëshiron një hetim mbi sulmet e SHBA-së dhe po i kërkon agjencisë mbikëqyrëse të dënojë veprimin e SHBA-së, raportojnë mediat iraniane, raporton BBC.

Më parë, IAEA ka kofirmuar se nuk ka pasur “rritje” të niveleve të rrezatimit pasi SHBA-ja ka goditur tri centrale bërthamore në Iran.

Pas sulmeve ndaj centraleve bërthamore, Irani paralajmëron: Lufta fillon tani

Trupa e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka reaguar ashpër pas sulmeve ajrore amerikane që goditën tri nga objektet kryesore bërthamore të vendit – Fordow, Natanz dhe Esfahan, shkruan Gazeta Sinjali.

“Lufta fillon tani”, thuhet në deklaratën zyrtare të IRGC-së, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi goditjet, duke deklaruar se “një ngarkesë e plotë bombash u hodh” mbi objektet bërthamore iraniane dhe përgëzoi forcat amerikane për operacionin.

“Urime luftëtarëve tanë të mëdhenj amerikanë,” tha ai nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se tani është “koha për paqe”.

Trump i bëri thirrje Iranit të zgjedhë paqen, por paralajmëroi se nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë “shumë më të mëdha”.

“Do të ketë ose paqe ose tragjedi për Iranin,” deklaroi ai, duke shtuar: “Mbani mend, kanë mbetur shumë objektiva. Sonte ishte më e vështira nga të gjitha deri më tani, dhe ndoshta më vdekjeprurësja”.

“Njerëzit do vdesin si mizat”- Paralajmërohen qindra vdekje nga i nxehti në këtë vend

Autoritetet britanike japin alarmin, duke thënë se me qindra njerëz mund të vdesin nga vala e të nxehtit që po “përvëlon” Anglinë dhe Uellsin.

Një nivel i tillë jetësh të humbura sipas tyre nuk do të ndodhte pa ngrohjen globale të shkaktuar nga njeriu, me temperaturat e rritura me 2-4 gradë Celsius nga ndotja nga lëndët djegëse fosile. Këto vdekje të parakohshme parashikohen në të dy rajonet, por normat më të larta të vdekshmërisë priten në Londër.

Shumica e vdekjeve apo 85%, sipas mediave britanike, parashikohet të jenë persona të moshaës mbi 65 vjeç, të cilët konsiderohen edhe më të cënueshëm prej nxehtësisë ekstreme. Më të rrezikuarit janë ata që banojnë në qytet. Valët e të nxehtit gjatë stinës së verës kanë marrë nga 2020-ta deri në 2024-tën më shumë se 10,000 jetë njerëzish, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar.

Kritikët i përshkruajnë si të pamjaftueshme përgatitjet e qeverisë për të mbrojtur njerëzit nga ndikimet në rritje të krizës klimatike. “Valët e nxehtësisë janë vrasëse të heshtura – njerëzit që humbasin jetën në to zakonisht kanë probleme shëndetësore para-ekzistuese dhe jo gjithmonë, listohet nxehtësia si shkak kontribues i vdekjes”, thanë ekspertë nga Imperial College London, që thonë se analiza e tyre në kohë reale zbulon numrin e fshehur të valëve të nxehtësisë. Ne duam që në këtë mënyrë të kontribuojmë në dhënien e alarmit”, shprehen ata.

Erdogan i kërkon myslimanëve të bashkohen kundër Izraelit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje për solidaritet më të fortë midis vendeve islame për t’u përballur me veprimet izraelite në Lindjen e Mesme, duke akuzuar Izraelin për krijimin e pasigurisë rajonale dhe globale.

Në fjalimin e tij në Sesionin e 51-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Erdogan krahasoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me Adolf Hitlerin dhe paralajmëroi kundër krijimit të një “rendi të ri Sykes-Picot” në rajon, duke iu referuar marrëveshjes së fshehtë të vitit 1916 që kishte ndarë Lindjen e Mesme midis fuqive perëndimore.

Ai theksoi se “nuk do të lejojnë vendosjen e një rendi të ri Sykes-Picot me kufij të vizatuar me gjak”.

Erdogan gjithashtu përshkroi kushtet në Gaza si më të rënda se ato në kampet naziste, duke theksuar vuajtjet e dy milionë banorëve që po përballen me krizën prej 21 muajsh.

Macron bisedon me presidentin iranian: Bien dakord për..!

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Masoud Pezeshkian, ku kanë rënë dakord për përshpejtimin e negociatave mes fuqive evropiane dhe Iranit mbi programin bërthamor të këtij të fundit.

Në një postim në X, Macron theksoi se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore dhe duhet të ofrojë garanci për natyrën paqësore të qëllimeve të tij.

Ai shprehu bindjen se ekziston një rrugëdalje për të shmangur konfliktet dhe rreziqet më të mëdha, duke theksuar se negociatat e udhëhequra nga Franca dhe partnerët evropianë do të përshpejtohen për këtë qëllim.