Deklarata e fortë e Trumpit, paralajmëron marrëveshje Kosovë-Serbi

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë një deklaratë të fortë përmes rrjeteve sociale, duke përmendur rolin e tij në parandalimin e konflikteve të shumta, përfshirë edhe krizën mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij të parë.

Ai përmendi konkretisht përshkallëzimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij, duke thënë se vendet ishin në prag të luftës, por ndërhyrja e tij kishte sjellë stabilitet. Ai gjithashtu paralajmëroi marrëveshje mes dy vendeve.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke e përshkallëzuar situatën me intensitet, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova”, deklaroi Trump.

Ai nuk la pa përmendur edhe ish-presidentin Joe Biden, të cilin e akuzoi për prishjen e perspektivës afatgjatë në rajon.

“Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të marra, por unë do ta rregulloj, përsëri!”, u shpreh ai me tone të ashpra.

Trump paralajmëroi gjithashtu se shumë shpejt mund të ketë një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se aktualisht po zhvillohen shumë thirrje dhe takime.

Irani e ka seriozisht: Nis faza e katërt e operacionit ndaj Izraelit

Raportohet se ka filluar faza e katërt e operacionit të Iranit kundër Izraelit

Faza e katërt e operacionit të Iranit kundër Izraelit ka filluar, raportoi të dielën media gjysmëzyrtare iraniane Mehr News.

Operacioni, i quajtur “Operacioni Premtimi i Vërtetë 3”, përfshinte “qindra raketa të ndryshme balistike” që synonin ndërtesa banimi dhe infrastrukturë në Izrael, raportoi Mehr.

Sulmet janë një “përgjigje vendimtare” ndaj sulmit fillestar të Izraelit ndaj Iranit, i cili vrau disa komandantë të lartë ushtarakë, deklaroi agjencia e lajmeve.

Autoritetet iraniane theksuan se do të “përgjigjeshin me vendosmëri ndaj çdo aventure” nga Izraeli, sipas Mehr, shkruan BBC.

Sulmet mes Iranit dhe Izraelit, BE-ja marrin një vendim urgjent

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaia Kallas, ka thirrur një takim urgjent të ministrave të jashtëm të BE-së, mbi zhvillimet dramatike në Lindjen e Mesme, pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit dhe hakmarrjes së Teheranit.

“Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës në Lindjen e Mesme, Përfaqësuesja e Lartë Kaia Kalaska thirrur një takim të Ministrave të Jashtëm të BE-së nëpërmjet videokonferencës për të martën”, tha zëdhënësi.

Takimi do të ofrojë një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje, për të koordinuar qasjen diplomatike ndaj Tel Avivit dhe Teheranit, si dhe për të hartuar hapat e mundshëm të mëtejshëm.

Irani paralajmëron qytetarët izraelit: Largohuni nga bazat ushtarake dhe shkencore

Ushtria iraniane paralajmëroi banorët e Izraelit që të evakuohen nga zonat afër vendeve të rëndësishme ushtarake dhe shkencore izraelite për sigurinë e tyre, në një video deklaratë në televizionin shtetëror iranian.

Koloneli Reza Sayad, zëdhënës i forcave të armatosura të Iranit, bëri njoftimin ndërsa një breshëri predhash iraniane u lëshuan në të gjithë Izraelin.

Sayad i paralajmëroi njerëzit në Izrael të mos jetojnë afër ose të udhëtojnë drejt “vendeve jetësore, të ndjeshme dhe të rëndësishme”, sepse ushtria iraniane ka një bazë të dhënash të këtyre objektivave që po vazhdon t’i godasë.

Ai tha se Irani tashmë ka “goditur me sukses objektiva të ndjeshme dhe të rëndësishme, duke përfshirë qendrat ushtarake dhe të sigurisë”, në Izrael.

Paralajmërimi i Iranit vjen pasi Izraeli lëshoi ​​një paralajmërim të ngjashëm më herët. Izraeli u tha iranianëve që jetonin pranë objekteve të prodhimit të armëve të evakuoheshin, duke thënë se të qenit afër do të rrezikonte jetën e tyre.

Izraelitët janë tronditur nga numri i raketave iraniane të rëna brenda territorit pavarësisht sistemeve të shtrenjta të mbrojtjes

Meron Rapoport, redaktor i faqes izraelite të internetit The Local Call, tha se publiku izraelit ishte i befasuar nga numri i raketave iraniane që depërtuan në sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore të vendit.

“Edhe pse ushtria po përpiqet ta paraqesë atë si diçka të pritshme, izraelitët janë mjaft të befasuar nga fakti që kaq shumë raketa godasin objektivat në Izrael dhe se pasojat janë kaq të mëdha”, tha Rapoport për Al Jazeera.

Ai shtoi se sulmet arritën të godasin edhe disa objektiva strategjikë dhe se disa incidente ndoshta nuk u bënë publike.

“Ne nuk dimë gjithçka, sepse censura është mjaft e rreptë – madje edhe kur dimë diçka, nuk na lejohet ta themi”, theksoi ai.

Rapoport tha gjithashtu se e sheh të vetmen rrugëdalje nga konflikti në arritjen e një marrëveshjeje për programin bërthamor të Iranit.

“Irani nuk do të dorëzohet, ndryshimi i regjimit nuk do të ndodhë së shpejti dhe Izraeli, natyrisht, nuk do të tërhiqet – kështu që nuk shoh rrugëdalje tjetër përveç një marrëveshjeje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, përfundoi ai./GK

Sulmet ndaj Iranit, rritet çmimi i arit

Çmimet e arit u rritën ndjeshëm ndërsa investitorët u shqetësuan për sulmet izraelite ndaj Iranit, duke shkaktuar një rritje të kërkesës për asete të sigurta.

Në tregun fizik, një ons ar u tregtua me 3,423.46 dollarë në mëngjes, 1.2 përqind më shumë se mbyllja e djeshme.

Është rritur më shumë se 3.5 përqind që nga fillimi i javës.

Në tregun amerikan, kontratat e ardhshme të arit u tregtuan 1.2 përqind më lart në 3,444.10 dollarë.

Sulmet izraelite dhe përgjigja iraniane

Izraeli sulmoi objektet bërthamore dhe fabrikat e raketave balistike në Iran herët këtë mëngjes, duke pretenduar se parandaloi programin e armëve bërthamore të Iranit.

Teherani ka theksuar vazhdimisht se programi i tij bërthamor është ekskluzivisht civil në natyrë dhe është përgjigjur duke dërguar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit.

“Sulmet aktualisht po mbështesin një valë blerjesh në tregun e arit… por është shumë herët për të vlerësuar nëse tronditja do të rrisë çmimet gjatë një periudhe më të gjatë kohore sepse situata po ndryshon me shpejtësi”, tha analisti i Julius Baer, ​​Carsten Menke.

“Reagimi (çmimi) i arit mund të shtrihet për një periudhë më të gjatë kohore në rast të ndërprerjeve në furnizimin me naftë, qoftë për shkak të sulmeve të drejtpërdrejta apo masave të tërthorta politike”, shtoi Menke.

Një rritje afatgjatë e çmimeve të naftës do të ishte gjithashtu përhapja e konfliktit në vendet e tjera në rajonin e Lindjes së Mesme, shtoi Menke.

Investitorët zakonisht blejnë ar gjatë periudhave të tensionit gjeopolitik dhe ekonomik, si dhe normave të ulëta të interesit.

Çmimi i një ons argjendi ishte i qëndrueshëm në tregun fizik në 36.36 dollarë. Paladiumi u rrit me 0.5 përqind në 1,061.06 dollarë. Platini, nga ana tjetër, u tregtua me një çmim 1.5 përqind më të ulët, në 1,274.30 dollarë.

Specialja merr një vendim për ish-krerët e UÇK-së

Refuzohet sërish lirimi i përkohshëm për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas Jakup Krasniqit, edhe Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit u është vazhduar masa e paraburgimit për nga dy muaj. Vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara në Hagë vjen kinse rreth shqetësimeve për pengim të drejtësisë dhe ndikim mbi dëshmitarët.

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka refuzuar kërkesat për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit derisa ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për Hashim Thaçin, pasi Thaçi nuk ka bërë kërkesë për lirim të përkohshëm.

Refuzimin për lirim të përkohshëm, ai trup gjykues e ka bazuar në vlerësimin e rreziqeve që sipas tij lidhet me ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e procedurave gjyqësore.

Në vendim thuhet se, ndonëse mungojnë informacione që do të dëshmonin rrezikun për arratisje, mbetet shqetësimi se të pandehurit mund të përdorin pozitat e tyre për të ndërhyrë në procesin gjyqësor, përfshirë edhe përmes ndikimit ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë ose do të japin dëshmi kundër tyre.

Avokati, Ardian Bajraktari e konsideron jo të drejtë refuzimin e Speciales për lirim të përkohshëm për ish krerët e UÇK-së. Bajraktari vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore që kjo masë të zëvendësohet me një masë më të butë.

“E kanë dëshmuar se janë të gatshëm të i përgjigjen çfarëdo ftese, çfarëdo thirrje nga ana e Dhomave të Specializuara dhe aq më tepër kur kemi parasysh faktin që tashmë ka përfunduar së dëgjuari lista e dëshmitarëve të ftuar nga ana e Prokurorisë. Prandaj mos aprovimi i kërkesës së palës mbrojtëse për bindjen time është një vendim i marrë në mënyrë paragjykuese dhe për më tepër nuk ka bazë e as mbështetje, as në ligj e as në prova konkrete e as në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikë e cila është e zbatuar edhe në sistemin tonë të drejtësisë përfshirë edhe Gjykatën Speciale”, thotë Bajraktari.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë nënshkruar një marrëveshje me Belgjikën që të dënuarit e dënimin. Avokati Bajraktari e ka vlerësuar këtë zhvillim si pjesë të detyrave normale institucionale.

“Prej kompetencave që ka kryetari i Dhomave të Specializuara është edhe çështja e marrëveshjes me shtetet e treta të cilat shprehin gatishmëri për të pranuar të burgosur nga Dhomat e Specializuara, këtë detyrë e përcakton Neni 50 I Ligjit për Dhomat e Specializuara, prandaj vlerësoj që njoftimi për arritjen e marrëveshjes me shtetin belg është në linjë me detyrat dhe përgjegjësitë e zakonshme që ka kryetari i Dhomave të Specializuara”, shton Bajraktari.

Mbrojtja e Kadri Veselit kishte ofruar një sërë masash për të garantuar lirimin me kusht përfshirë dorëzimin e pasaportës, mbikëqyrje nga Policia e Kosovës dhe ndalimin e kontakteve të paautorizuara. Ndërkohë edhe Policia e Kosovës kishte raportuar për përmirësim të kapaciteteve operacionale, por Gjykata në Hagë ka konstatuar se këto nuk e zbusin shqetësimin e tyre për ruajtjen e integritetit të procesit dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.

E rëndë: Mbytet në lum një 22-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesditën e sotme në Mat.

Një 22-vjeçar është mbytur në një lum, pranë Shkopetit.

Top Channel raporton se i riu dyshohet të ketë qenë duke u larë në lum bashkë me disa kushërinj të tij.

Sipas burimeve nga policia, trupi i të riut është nxjerrë nga banorët e zonës dhe policia.

“U arratis në Greqi”, Netanyahu kapet duke dalë nga bunkeri

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, për të cilin u përfol se ishte arratisur në Greqi nga frika e hakmarrjes iraniane, u fotografua sot në Bat Yam.

Pas disa ditësh heshtjeje dhe kritikash të ashpra, Netanyahu la bunkerin dhe u shfaq në publik për herë të parë, duke vizituar pjesën e Tel Avivit që ishte shndërruar në rrënoja.

Bëhet e ditur se të premten, më 13 qershor, Izraeli filloi një operacion ushtarak kundër Iranit.

Menjëherë pas kësaj, Netanyahu zbriti në strehë me ekipin ministror dhe nuk nuk u shfaq për ditë të tëra.

Kur aeroplani shtetëror i qeverisë izraelite u filmua në Greqi, filluan të qarkullonin spekulime se Netanyahu ishte larguar nga vendi.

Burri rrah gruan e bën për spital

Dhuna në familje po vazhdon të jetë shqetësuese në Kosovë.

Një rasti i tillë ka ndodhur pasditen e së premtes në Klinë.

Siç njofton policia, një burrë e ka rrahur gruan e tij, e cila si pasojë e dhunës ka pranuar tretman mjekësor, raporton IndeksOnline.

“Klinë / 13.06.2025 – 16:00. I dyshuari m/k dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, e cila si pasojë ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit viktima me dëshirën e saj është kthyer në shtëpinë e bashkëshortit, kurse i dyshuari në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.