Momentet e fundit: Publikohen pamjet kur turisti 34-vjeçar humb jetën në detin e Durrësit

Janë publikuar pamjet e ngjarjes së ndodhur paraditen e së dielës kur dy turistë anglezë u aksidentuan me Jet Ski.

Siç duket në këtë video të siguruar nga Tv Klan, dy turistët anglezë presin të nisen me Jet Ski. Pasi ndihmohen nga punonjësi i pikës së dhënies me qira të mjeteve, ata nisën në orën 09:41.

Gjatë kësaj kohe miqtë e tyre, i filmojnë me telefon, për të dokumentuar xhiron e tyre në det.

Teksa dy turistët anglezë lundrojnë në det, dy efektivë të policisë kufitare paraqiten pranë biznesit për të kontrolluar dokumentacionin.

Tetë minuta pasi nisën nga bregu i detit, viktima Sylvester Obeng, i cili ishte drejtuesi i mjetit kreu një manovër me shpejtësi e për pasojë humbi kontrollin e mjetit duke përfunduar poshtë tij, ndërsa partnerja e tij në det të hapur.

Kjo skenë siç duket në pamje pikaset nga miku i tyre në breg të detit i cili lajmëron pronarin e biznesit dhe efektivët e policisë. Këta të fundit lajmërojnë në radio patrullën që ndodhej në det duke kryer kontrolle.

Mjeti lundrues i policisë kufitare niset me shpejtësi, por arrin 1 minutë më vonë pranë dy turistëve anglezë.

Ata përpiqen tu japin ndihmën e shpejtë, por 34-vjeçari nuk ia doli të mbijetojë. E gjithë dinamika e aksidentit, u deklarua në polici nga partnerja e viktimës e cila i tha bluve se morën me qira mjetin dhe nuk iu kërkua as patentë dhe as iu dha skafandër.

Por mungesa e patentës dhe kokores për policinë janë shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë nga pronari i biznesit, 56-vjeçari Luiz Xhumari, i cili këtë të hënë u vu në pranga.

Sipas bluve të Durrësit, ai u ka dhënë me qira Jet Ski-në dy turistëve pa i pajisur ata me skafandër mbrojtëse, por vetëm me jelek shpëtimi.

Gjithashtu nga ana policisë është pezulluar dhe aktiviteti i subjektit.

Për sqarimin e plotë të ngjarjes policia po kryen verifikime edhe ndaj dy shtetasve anglezë, për të parë nëse kanë qenë nën efektin e alkoolit ndonëse deri më tani nuk ka të dhëna të tilla.

Identifikohet trupi i pajetë që u gjet para banesës në Prishtinë

Një grua është gjetur pa shenja jete para hyrjes së shtëpisë së saj mëngjesin e sotëm në Prishtinë, shkruan Insajderi.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:15, në rrugën “Abdurrahman Shala” në kryeqytet.

Viktima është identifikuar si Luljeta Gjinovci, 64 vjeç.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë dhe ekipi emergjent, të cilët kanë konstatuar vdekjen. Sipas informacioneve të para, në trupin e viktimës nuk janë vërejtur shenja dhune apo ndonjë element tjetër që do të ngriste dyshime për ndonjë veprim penal të menjëhershëm.

Personi që u gjet i vdekur sot është profesori i njohur Pejan

Gazeta Sinjali ka raportuar gjatë ditës se një person është gjetur pa shenja jete në parkun Karagaç të Pejës.

Derisa, Sinjali mëson se bëhet fjalë për Fahri Shalën, rreth 77 vjeçar, i cili me profesion kishte qenë profesor.

Lajmin për këtë rast e ka konfirmuar edhe Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë

“Në parkun Karagaç të Pejës një person është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes janë njësitet relevante policore dhe prokurorja e krimeve të rënda”.

Venezuela u bën thirrje qytetarëve të largohen mënjeherë nga SHBA

Qeveria e Venezuelës ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për qytetarët e saj, duke i këshilluar të shmangin udhëtimet drejt Shteteve të Bashkuara dhe duke u kërkuar atyre që tashmë jetojnë atje të largohen menjëherë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme, thuhet se SHBA është një “vend i rrezikshëm ku të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë për emigrantët”. Ministria u bëri thirrje venezuelianëve që të “mbrojnë jetën e tyre dhe atë të familjeve të tyre dhe të kthehen në atdhe”.

Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, deklaroi se është veçanërisht e rrezikshme të jesh një migrant me prejardhje latino-amerikane, afrikane apo venezueliane në SHBA, duke përmendur si shembull deportimin e qindra migrantëve në një burg me siguri maksimale në El Salvador, ku sipas tij ata jetojnë në “kushte çnjerëzore” dhe i nënshtrohen “torturës psikologjike”.

Ky paralajmërim i Venezuelës pason një alarm të ngjashëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili javën e kaluar këshilloi qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë në Venezuelë dhe të largohen sa më shpejt nga vendi, për shkak të “rreziqeve serioze” të ndalimeve arbitrare, krimeve të dhunshme dhe trazirave civile.

Aktualisht, SHBA nuk ka as ambasadë e as konsullatë funksionale në Venezuelë, çka e bën të pamundur ofrimin e ndihmës për qytetarët e saj në territorin venezuelian.

Murati flet për rritje historike të pagës mesatare në sektorin privat

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke cituar Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), tha se paga mesatare bruto në Kosovë për vitin 2024 është 598 euro.

Ai ka thënë se kjo tregon punën e Qeverisë Kurti për sektorin privat.

Sipas tij nuk ka qeveri më miqësore me bizneset sesa ajo e Kurtit.

Por, teksa, Murati foli për rritjen historike të pagës mesatare, ai nuk e përmendi inflacionin, e sidomos atë të produkteve ushqimore.

“Paga mesatare në sektorin privat vitin e kaluar ka shënuar rritjen më të lartë historikisht! Sipas të dhënave të publikuara nga ASK, në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka shënuar 598 euro bruto, apo 83 euro më shumë sesa viti paraprak.  Sa për krahasim, rritja e pagës mesatare në sektorin privat vetëm në vitin 2024 e tejkalon krejt rritjen e pagës mesatare për 7 vite gjatë qeverisjeve të kaluara: Thaçi 2, Mustafa, Haradinaj (vetëm 74 euro rritje në periudhën 2012-2019).  +218 euro (apo 57%) për 4 vite me Qeverinë Kurti 2.  +74 euro (apo 22%) për 7 vite të qeverisjeve të kaluara”.

“Kjo është dëshmia më e mirë se Qeveria Kurti 2 ka qenë qeveria e cila ka mbështetur më së shumti sektorin privat.  Heqja e pagesave për terminale private doganore, heqja e monopolit të arkave fiskale, luftimi i korrupsionit, pagesa e faturave me kohë për operatorët ekonomikë, mbështetja e drejtë me qindra miliona euro grante e subvencione, subvencionimi i punësimit, por edhe subvencionimi i rritjes së pagave, janë vetëm disa nga veprimet dhe masat e shumta që e bëjnë Qeverinë Kurti 2 qeverinë më miqësore ndaj bizneseve, që ka ekzistuar ndonjëherë.  Qeveria për sektorin privat”, ka shkruar Murati.

Prokuroria ia sekuestroi iPhone-n, ministri Peci refuzon ta tregojë kodin

Hetimet penale për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore mund të rezultojnë në një test të papritur për Prokurorinë Speciale.
Çështja ndërlidhet me iPhone-n e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.

Peci është intervistuar të martën si i dyshuar për një rast penal të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sipas një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas urdhëresës, gjatë aksionit parashihej edhe sekuestrimi i telefonit iPhone të ministrit Peci.

Paparaci ka marrë vesh nga burime brenda organeve të hetuesisë se përmbajtja e urdhëresës së gjykatës mund të ketë rënë në veshët e ministrit Peci para nisjes së aksionit.

“Avokati i ka treguar Pecit, pastaj ai ka shkuar në intervistim por pa telefon”, tha një burim i Paparacit brenda hetuesisë, derisa shpjegoi këtë version për ngjarjet e ditës së aksionit lidhur me dhënien me qira të fabrikës për mbetjet shtazore.

Hetuesit e Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës e ka paralajmëruar Pecin se nëse nuk e dorëzon iphone-n e tij, atëherë do të arrestohej.

Peci, pastaj e ka dërguar telefonin iPhone 16 por ka refuzuar t’ua japë atyre kodin për hapjen e tij, ka marrë vesh Paparaci nga burime brenda hetuesisë.

Telefoni iPhone 16 nuk mund të hapet, për shkak se autoritetet nuk e posedojnë programin për zhbllokimin e tij.

Prokuroria Speciale, e cila e ka në hetim rastin, e ka dërguar telefonin e ministrit Peci për zhbllokim te Njësia e Forenzikës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por asnjëra prej tyre nuk ka mundur ta hapë atë.

Iphone i ministrit në detyrë të Bujqësisë, pas dështimit për t’u zhbllokuar, i është kthyer sërish Prokurorisë Speciale, ka mësuar Paparaci.

Taulant Hodaj, avokati mbrojtës i ministrit Faton Peci, i kontaktuar përmes telefonit nga Paparaci të hënën ka refuzuar të deklarohet për këtë çështje.

“Nuk kam marrë autorizim nga klienti im që të përgjigjem për këtë rast”, ka thënë Hodaj.

Paparaci, e ka pyetur të hënën edhe Prokurorinë Speciale nëse do të ndërmarrë hapa të tjerë në përpjekje për të zhbllokuar telefonin e ministrit Peci, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga organi i akuzës.

Një opsion mbetet dërgimi i telefonit për ekzaminim jashtë vendit.

Edhe Byroja Federale Hetimore (FBI) në ShBA ka hasur shpeshherë në probleme për hapjen e telefonëve iPhone, për shkak të ngurrimit të kompanisë Apple për dëshifrimin e pajisjeve duke përmendur privatësinë e përdoruesve.

Pas një beteje disa mujore me kompaninë teknologjike Apple në vitin 2016, FBI kishte arritur që ta zgjidhte problemin e kodit të telefonit të terroristit i cili kreu sulmin në San Bernardino. FBI e kishte zhbllokuar telefonin e terroristit përmes mekanizmave të saj, për shkak të refuzimit të Apple për të bashkëpunuar me agjencinë.

U plagos në vendin e punës, duke luftuar me grabitësin serb, Fahri Ademi ende i palëvizshëm

Dy muaj më parë, 42-vjeçari Fahri Ademi u plagos nga të shtënat me armë zjarri gjatë një grabitje të armatosur në Veternik.

Pas disa ditësh trajtimi në Klinikën Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ademi u nis për në Turqi.

Plagët e rënda që mori Ademi, derisa u ballafaqua me grabitësin serb, ishin të rënda derisa e lanë të palëvizshëm.

IndeksOnline ka kontaktuar familjarët e Ademit, për të mësuar më shumë rreth gjendjes së tij shëndetësore.

“Ende është i palëvizshëm. Edhe dy javë ka me qëndru në Turqi pastaj kthehet në Kosovë. Njërën këmbë po e ndjen, kurse tjetrën jo. Sipas doktorëve atje, ka gjasa që Fahriu të ecë përsëri. Ata i kanë rekomanduar të vazhdojë me ushtrime. Gjendja e tij emocionale nuk është e mirë, është lodh shumë, është “shkri” si njeri”, ka thënë një familjarë i Ademit për IndeksOnline.

Plagë të rënda dhe të papërballueshme mori edhe vetë grabitësi serb, Millosh Vukojeviq, i cili ndërroi jetë në Klinikën Intenzive në QKUK, pak ditë pasi ndodhi rasti.

Vukojeviq, kishte edhe të kaluar kriminale ku vitin e kaluar ishte i arrestuar për kultivim të bimëve narkotike.

Ky është 17-vjeçari që humbi jetën në aksidentin e rëndë në Prizren

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës në fshatin Grazhdanik të Prizrenit, ku si pasojë e përplasjes mes një veture dhe një motoçiklete, ka humbur jetën një i mitur.

Bëhet fjalë për 17-vjeçarin Geltian Shala, i cili ndërroi jetë mbrëmë në QKUK në Prishtinë, për shkak të plagëve të rënda që kishte pësuar nga aksidenti, njofton Klankosova.tv.

Familjarët kanë bërë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, pas faljes së namazit të Ikindisë.

Rrezik lufte? Britania ngre nivelin e alarmit

Kryeministri Keir Starmer ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një fazë “gatishmërie për luftë”, duke paralajmëruar se bota aktualisht po përjeton periudhën më të paqëndrueshme në dekada.

Duke folur në Glasgow, Starmer prezantoi gjetjet kryesore nga një rishikim strategjik i mbrojtjes i shumëpritur, i cili thotë se Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë e përgatitur për konflikte të mundshme në Evropë ose në rajonin e Atlantikut.

“Kur kërcënohemi drejtpërdrejt nga shtetet me aftësi të përparuara ushtarake, mënyra më e mirë për t’i penguar ato është të jemi gati dhe ta bëjmë të qartë. Paqja ruhet me forcë”, tha kryeministri.

Si pjesë e planeve të reja, qeveria planifikon të ndërtojë deri në 12 nëndetëse sulmi dhe të investojë 15 miliardë paund në një program armësh bërthamore.

Megjithatë, Starmer nuk bëri një premtim të prerë për të rritur buxhetin e mbrojtjes në 3% të PBB-së, gjë që ka tërhequr kritika nga opozita.

Ai tha se objektivi ishte të arrihej kjo përqindje në mandatin e ardhshëm parlamentar, por se vendimi përfundimtar do të varet nga gjendja e ekonomisë dhe financave publike.

Ngërçi politik në vend, Kuvendi del me një njoftim

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar edhe zyrtarisht që seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet pas dy dite, pra të mërkurën e 4 qershorit.

LEXO EDHE:

A po e ndryshon LDK-ja qëndrimin për Haxhiun kryeparlamentare? Ja çfarë u konfirmua sot


Kjo do të jetë seanca e 26-të me radhë për deputetët që tashmë nuk po votojnë për formimin e komisionit për votimin e fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje po insiston që kandidatja Albulena Haxhiu të votohet për kryetare të kuvendit në mënyrë të fshehtë mirëpo kjo po kundërshtohet nga opozita.

Seanca nis nga ora 11:00.