Protesta e bizneseve, nuk tërhiqet Kurti: Koha e barrikadave ka kaluar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për treg të hapur të energjisë elektrike.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë të enjten ka thënë se “koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar”, duke aluduar në protestat që pritet t’i bëjnë bizneset që po e kundërshtojnë vendimin e ZRRE’së për hapjen e tregut të rrymës, shkruan Insajderi.

Ajo çfarë Oda Ekonomike e Kosovës nuk po ju tregon është se plotësimi i kërkesës së tyre nuk e zgjidh problemin, por veçse e bart koston e energjisë së këtyre 1,200 ndërmarrje tek faturat e secilit prej jush, secilës familje dhe mbi 100 mijë bizneseve të tjera më të vogla që janë më pak të fuqishme e të zëshme sesa disa. Për të mbrojtur 1 për qind të ndërmarrjeve të fuqishme, në kurriz të 99 për qindëshit, ata duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës. Koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, i kemi hequr ato kudo që kanë qenë dhe jemi zotuar se nuk do të lejojmë më të reja të vendosen. I bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë menojnë në mënyrë të mençur për efiçencën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë”, ka deklaruar Kurti.

Përderisa ne po flasim këtu, Oda Ekonomike që do të duhej të qëndrojë pranë bizneseve, po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me një kërkesë të vetme: shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen e vendimit po e kërkojnë me justifikimin se për një vit do të përgatitemi, duke injoruar faktin se nga ana e tyre s’ka bërë asnjë përgatitje për tetë vitet e shkuara, përderisa është shtyrë nga viti në vit ky proces”, ka thënë më tej ai.

Shefi i qeverisë në detyrë ka thënë se shtetet e rajonit veçse e kanë kapërcyer këtë vendim, teksa sipas tij, në Kosovë është vonuar së zbatuari për më shumë se tetë vite.

Bizneset sot kanë paralajmëruar se do të bllokojnë të gjitha hyrjet e Prishtinës nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Ndërkaq, në rast të mos-plotësimit të kërkesave të tyre, ata kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë kryeqytetin tërë ditën.

E rëndë: Ky është i riu që dyshohet që kreu vetëvřasje në Prishtinë

Sinjali ka siguruar identitetin e të riut që dyshohet se i dha fund jetës së tij sot në mëngjes në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Viktima, i cili jetonte në një banesë me qira, u gjet pa shenja jete pranë “Fontanës”, me plagë të dukshme në trup.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Gentrint Mushinca.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në lokacion kanë dalë njësitë e nevojshme policore, përfshirë hetuesit e SP-Jugu, hetimet rajonale, si dhe forenzika. Zjarrfikësit kanë asistuar në hapjen e derës së banesës me forcë për të mundësuar ekzaminimin e plotë të vendit ku dyshohet se ka qëndruar viktima para ngjarjes tragjike.

IML ka bërë tërheqjen e trupit për procedura të mëtejme, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

Sinjali do të ju mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet e reja rreth këtij rasti.

Sot mblidhet Qeveria në detyrë

Vetëm dy orë para se të nis seanca e 23-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Qeveria në detyrë e Kosovës ka paralajmëruar mbledhje.

Në një njoftim nga ZKM, thuhet se Qeveria në detyrë e Kosovës do të mbajë sot mbledhje pa dhënë detaje tjera, por mbledhja do të mbahet nga ora 09:00.

Nuk dihen pikat e rendit të ditës.

Gjendet një i vdekur në Prishtinë, këto janë dyshimet e para

Një ngjarje e rëndë është raportuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku një person është gjetur i shtrirë në tokë dhe i gjakosur, pranë vendit të njohur si “Fontana”, mëson Sinjali.

Sipas informacioneve fillestare, rreth orës 06:15 të datës 29 maj 2025, është raportuar për një trup të dyshimtë në tokë. Në vendin e ngjarjes është dërguar njësia policore, e cila ka konfirmuar se personi ishte pa shenja jete dhe me gjurmë gjaku, duke ngritur dyshime të forta për vetëvrasje.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka arritur edhe ekipi mjekësor nga Urgjenca, i cili ka konstatuar vdekjen e personit. Gjithashtu janë njoftuar hetuesi kujdestar, krimtekniku dhe njësitë tjera të nevojshme, të cilët kanë marrë në dorë rastin për hetim të mëtejshëm.

Identiteti i viktimës dhe rrethanat e sakta të vdekjes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ndërsa hetimet janë në fazën fillestare.

Mos harroni çadrën: Ja çfarë moti na pret sot

Sot parashikohet depërtimi i masave të ftohta dhe të lagështa, me ç’rast pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje shiu, të cilat lokalisht pritet të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

Era do të fryjë nga veriu, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 10-45 km/h, raporton MeteoKosova, transmeton Gazeta Sinjali.

Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 18°C. Orëve të pasditës temperaturat pritet të ulen nën 15°C.

Këto janë rrugët që do të bllokohen pas pak në Prishtinë – shkak protesta e bizneseve

Bizneset e Kosovës do të protestojë sot kundër vendimit të ZRrE-së si shkak i mos-shtyerjes së vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, vendim ky që hyn në fuqi pas tri ditësh.

Për shkak të kësaj proteste do të bllokohen hyrjet kryesore në kryeqytet.

Protesta do të fillojë nga ora 10:00 dhe do të vazhdojë deri në ora 12:00.

OEK shton se do të përdoren mjete për bllokim, do të jenë automjetet e kompanive të prekura nga vendimi i ZRRE-së, që sipas OEK-ut me qëllim të sigurohet një prani e dukshme dhe të theksohet ndikimi që ka ky vendim në sektorin privat.

Lokacionet e bllokimit i keni më poshtë:

Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani – bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet (Ferizaj, Gjilan, Aeroport)

Hyrja nga Fushë Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të Madh te Lakrishtja (Dukagjini toëer) – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet nga Mitrovica dhe Fushë-Kosova

Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit – te ish-Humanisti – Udhëkryqi te banka Raiffeisen – bllokohen hyrje-daljet nga Podujeva, por edhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviq.

Tahiri: Më e keqe se bllokada do të ishte formimi i qeverisë nga Kurti

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se më e keqe se bllokada e Kuvendit të Kosovës është nëse kreu i VV-së, Albin Kurti, do ta formonte qeverinë.

Sipas Tahirit, prodhuesit e Kosovës, me Kurtin kryeministër do ta shihnin tmerrin e vërtetë dhe sipas tij, atëherë Kosova do të hynte në fazë të rrezikshme.

“Mendoj që këta prodhues atëherë kanë me pa tmerrin e vërtetë, atëherë Kosova ka me hy në një fazë shumë të rrezikshme, shumë të dëmshme që mendoj se ka me u zvogëlu edhe më shumë në numrin e popullsisë, ka me u zvogëlu edhe në biznese, dhe ju e shihni ata që e mbajnë ekonominë e vendit”, tha Tahiri në RTV21.

Nesër do të jetë seanca e 23-të që Lëvizja Vetëvendosje do të provojë që për kryetare të kuvendit të votohet Albulena Haxhiu.

Zbulohet harta sekrete: Serbia me 48 baza ushtarake e policore drejt Kosovës!

Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci ka thënë se pozicioni i forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, nuk është lajm i ri.

Në llogarinë e tij në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se 3 nga 4 Brigadat e kombinuara të ushtrisë serbe, pa përfshirë dhe njësi të tjera të specializuara janë të vendosura në jug të territorit serb jo larg kufirit me Republikën e Kosovës. Brigada e 2 është e vendosur në Rashkë, Brigada e 3 në Nish dhe Brigada e 4 në Vranjë, përcjell Arbresh.info.

“Këto tre brigada kanë si tejzgjatje të tyre operacionale 28 baza të përparme operacionale përgjatë vijës kufitare me Kosovën në distancë nga 300 metra deri 5 kilometra nga vija kufitare. Për më tepër përgjatë vijës kufitare janë të vendosura edhe 20 baza të Xhandarmërisë serbe. Këto baza kanë personel ushtarak dhe pajisje luftarake kolektive. Vetëm një brigadë e ushtrisë serbe është e vendosur në pjesën veriore të territorit të Serbisë. Pra ashtu siç kam deklaruar rreth 70% e kapaciteteve dhe instalacioneve të ushtrisë për vite me radhë janë të vendosura në jug të territorit të Serbisë”, ka shkruar Maqedonci.

Postimi i plotë:

Në tentativë për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga një ndër ngjarjet më të mëdha që po zhvillohet në Kosovë, atë të ushtrimit Defender Europe 25, nga akterë të ndryshëm në Kosovë, u nis një fushatë e gjerë në portale të ndryshme dhe rrjete sociale rreth deklaratës sime 1 minutëshe rreth pozicionimit të njësive ushtarake serbe e nxjerrë nga një intervistë 30 minutëshe në A2 CNN, intervistë kjo që ka mbizotëruar temën e ushtrimit Defender Europe 25. Ajo pjesa e vogël pak më shumë se një minutëshe e intervistës sime u tentua të bëhet lajm i ditës dhe të paraqitet si një propagandë me qëllim marrje së vëmendjes.

E ndjej të nevojshme të sqaroj para qytetarëve, se në pothuajse të gjitha paraqitjet e mija publike, për të paktën dy vitet e fundit, sa herë jam pyetur rreth pozicionimit të forcave ushtarake serbe kam dhënë gjithmonë të njëjtën përgjegje dhe kam paraqitur të njëjtat fakte.

Edhe këtë radhë për pyetjen e njëjtë dhashë përgjegjen e njëjtë. Propagandë do të ishte sikur unë të deklaroja që Serbia ka qasje miqësore, jo-militariste dhe paqësore në raport me Kosvovën dhe fqinjët e saj të tjerë. Propagandë do të ishte sikur të deklaroja që Serbia nuk ka angazhuar agjentë dhe spiun për të baltosur ndërkombëtarisht luftën e drejtë të UÇK-së dhe sikur të deklaroja që Serbia nuk ka mbështetur grupet terroriste në veri. Por që jugu i Serbisë është i militarizuar dhe që Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste dhe agresive në raport me Kosovës është një realitet që asnjë nga ne nuk do të dëshironte të ishte i tillë.

3 nga 4 Brigadat e kombinuara të ushtrisë serbe, pa përfshirë dhe njësi të tjera të specializuara janë të vendosura në jug të territorit serb jo larg kufirit me Republikën e Kosovës. Brigada e 2 është e vendosur në Rashkë, Brigada e 3 në Nish dhe Brigada e 4 në Vranjë. Këto tre brigada kanë si tejzgjatje të tyre operacionale 28 baza të përparme operacionale përgjatë vijës kufitare me Kosovën në distancë nga 300 metra deri 5 kilometra nga vija kufitare. Për më tepër përgjatë vijës kufitare janë të vendosura edhe 20 baza të Xhandarmërisë serbe. Këto baza kanë personel ushtarak dhe pajisje luftarake kolektive. Vetëm një brigadë e ushtrisë serbe është e vendosur në pjesën veriore të territorit të Serbisë. Pra ashtu siç kam deklaruar rreth 70% e kapaciteteve dhe instalacioneve të ushtrisë për vite me radhë janë të vendosura në jug të territorit të Serbisë. Krejt këto fakte mund të vërtetohen edhe me një kërkim të thjeshtë në internet.

Pavarësisht kësaj, gjatë këtyre viteve, institucionet tona kanë treguar maturi në qëndrime dhe vendosmëri në veprime për të kontribuar për paqe dhe siguri, kurse militarizimi i Serbisë nuk i kontribuon në asnjë rast stabilitetit dhe paqes në rajon.

Lajmi për pozicionimin e forcave ushtarake serbe nuk është një lajm i ri, ndërsa intervista kishte në fokus Ushtrimin Defender Europe 25.

Më poshtë është harta me lokacionet dhe njësitë e ushtrisë serbe e postuar nga institucionet tona në vitin 2023.

Gara e nxehtë për Prizrenin – Këta janë emrat për kryetar komune

Në emisionin “Politiko” janë shpalosur detaje ekskluzive rreth kandidatëve potencialë për zgjedhjet lokale në komunë e Prizrenit. 

Autori i emisionit, Kushtrim Sadiku, ka treguar kandidatët potencial në garë për të parin e kësaj partie.

“Pritet se kandidaturat janë këto, Shaqir Totaj kandidon për të rimarr Prizrenin nga Partia Demokratike e Kosovës, për LDK-në e kemi Driton Selmanaj, ndërsa tek Vetëvendosje është një dilemë se a do të jetë Artan Abrashi apo Hajrullah Çeku, ndërsa për Aleancën nuk ka ende një emër”, ka thënë Sadiku. /Gazeta10 

Hyrjet kryesore të Prishtinës nesër do të mbyllen, Komuna del me njoftim

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër disa nga hyrjet kryesore të Prishtinës do të jenë të mbyllura përkohësisht, si pasojë e një proteste të paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës.


Protesta do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në ora 12:00, si shenjë kundërshtimi ndaj procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.

Në njoftimin e Komunës thuhet se zonat që do të preken nga bllokimi janë: Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, përfshirë rrugën pranë Albi Mall dhe pjesën poshtë Veternikut (akseset nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti), hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, konkretisht në rrethin e Madh te Lakrishtja (Dukagjini Tower) dhe hyrja nga Podujeva, në lagjen Vranjevc – përfshirë zonën te ish-Humanisti dhe udhëkryqin pranë bankës Raiffeisen (bllokohet qasja në drejtim të Podujevës dhe nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviqit).

Automjetet e bizneseve pjesëmarrëse do të pozicionohen në rrugë, duke pamundësuar përkohësisht qarkullimin në këto segmente.

“Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe sugjerojmë planifikim alternativ të lëvizjeve gjatë kohës së protestës. Institucionet e Kryeqytetit janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë publike dhe menaxhimin sa më efikas të situatës”, thuhet në njoftim.