Kurti në Podujevë injoron gazetarët: Çështjet e bllokimit në Prishtinë, këtu jemi për ndërtim

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, s’është përgjigjur në pyetjet rreth bllokadës në Kuvend në një ngjarje në Podujevë ku ai shkoi për të marrë pjesë në vënien e gurthemelit të banimit të përballueshëm dhe social.

Kurti injoroi plotësisht pyetjet e gazetarëve, ndërsa foli për banimin social.

“Çështja të tjera të bllokimit janë në Prishtinë, ne jemi për ndërtim këtu”, tha Kurti.

Ky është kosovari i arrestuar për plagosjen në Gjermani (Foto)
Një kosovar u arrestua në Gjermani për plagosjen e 3 personave, përfshirë një fëmijë, përpara një ndërtese banimi në Halle, në Saksoni-Anhalt.

 

Viktimat janë një burrë 29-vjeçar, që u plagos rëndë, ndërsa një tjetër 47-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare pësuan lëndime të lehta nga thika.

Siç raporton Bild, kosovari i dyshuar është i lirë dhe tashmë është publikuar fotografia e tij

Gjermani: Dyshohet për plagosjen e tre persona, arrestohet kosovari

Në Halle, tre persona u plagosën në një sulm që ndodhi në mbrëmjen e së dielës; njëri prej tyre rëndë. Policia arriti të arrestonte një të dyshuar. Motivi është ende i paqartë, transmeton albinfo.

Tre persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën në një sulm përpara një ndërtese banimi në Halle, në Saksoni-Anhalt. Sipas policisë, një burrë 29-vjeçar u plagos rëndë, ndërsa një tjetër 47-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare pësuan lëndime të lehta. Lidhur me të plagosurit, policia flet për prerje dhe plagë me thikë.

Sipas deklaratave të tyre, policia u thirr në orët e para të mbrëmjes për një grindje me disa persona përpara hyrjes së bllokut të apartamenteve, shkruan dpa.de. Atje gjetën të plagosurit, të cilët më pas u dërguan në spital.

Pas raportimeve të dëshmitarëve, një 46-vjeçar nga Kosova u arrestua si i dyshuar menjëherë më pas. Një zëdhënës i policisë tha se hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar se si kanë ndodhur lëndimet dhe çfarë i ka shkaktuar ato, përcjell albinfo.ch. Situata është nën kontroll. Hetimet për motivin dhe armën e vrasjes janë duke vazhduar.

Gazeta “Bild” raportoi, duke cituar një dëshmitar, se debati kishte shpërthyer nga shkaku i zhurmës së madhe të fëmijëve.

Departamenti i hetimit penal siguroi prova në vendngjarje atë mbrëmje dhe intervistoi dëshmitarët.

Pritet tension – dënimi i Thaçit, do të sjellë trazira në rajon

I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Naim Hasani ka paralajmëruar trazira rajonale në rast se dënohet në Hagë ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Hasani teksa fliste për vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës, tha se janë pikërisht ata të cilët po përballen me gjykata 26 vite pas saj.

“Ajo çka është më e rëndësishmja e gjithë kësaj është se gjithë ky krim, gjithë kjo masakër e gjenocid, ne hala sot jemi duke u përballur më gjykata, me Gjykatën Speciale në Hagë. Sot i kemi atje njerëzit që e kanë drejtuar luftën, është Hashimi, është Kadria, është Rexha, Jakupi etj. Atje po gjykohet lufta jonë“, deklaroi Hasani në emisionin ‘Politiko’ në Kanal10.

Ai u shpreh i bindur se kudo që ka shqiptar në rajon, në rast se dënohen ish-krerët e UÇK-së, do të ketë trazira.

 

 

Mes tjerash, Hasani përmendi edhe vizitën tek ata në Hagë, duke treguar se nuk u mungonte besimi në drejtësi.

“Për mua gjykimi i Hashim Thaçit, ne kur sot i kujtojmë e i flasim 26 vjet pas nga ky gjenocid që është bë, ata atje gjykohen për lirinë tonë. Nëse gjykohet Hashim Thaçi kush na siguron neve që nuk do të ketë trazira në rajon? Kush na beson neve që një liri e jona me u gjyku? Unë besoj se do ketë trazira në rajon, tek të gjithë shqiptarët. Me e gjyku lirinë, luftën e historinë time, nëse dënohen besoj se kjo ka me ndodh. Nëse dënohen, po patjetër. Kush janë ata që duhet me na gjyku? Për teke të Serbisë me na gjyku luftën tonë? Të gjithë ata njerëz ka me i thirr në revoltë kundër, e pastaj mospajtimet e shkalla, është një tjetër problem. Revoltë, në mosdëgjim.Kush ka mundësi e kush beson. Atje është një paragraf, i 35-të, i akuzës shkruan: Ndërmarrje e përbashkët kriminale  nga komandanti i përgjithshëm atje deri tek ushtari i fundit. A do ta pranojnë gjithë ata ushtarë që kanë qenë kriminel, në paragraf shkruan edhe brigada edhe njësiti. Ishim atje në Hagë, ata e kanë besimin në drejtësi e ne u japim shpresë atyre, u japim edhe besim por edhe ata na dhanë. Ne iu themi që ky proces do  të përfundoj pozitivisht sepse e dimë që s’kemi bo krime”, shtoi tutje Hasani.

 

Lexo edhe:

Fitorja e Trumpit në Amerikë, paralajmërohet lirimi i Thaçit dhe të tjerëve së shpejti

 

E rëndë: Kjo është viktima e dytë e aksidentit fatal në Fushë Kosovë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në fshatin Kuzmin të Fushë Kosovës, ku si pasojë e një vetaksidenti humbën jetën dy persona, përfshirë një të mitur.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se mbrëmë pas orës 22:00, është raportuar një aksident trafiku me pasoja fatale, ku një veturë ka dalë nga rruga dhe është përplasur, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse dy personave që gjendeshin në të.

Viktimë e rastit është 27-vjeçarja Heroina Haliti – Aliu, e cila drejtonte automjetin.

Viktima e dytë e rastit, siç mëson Gazeta Sinjali është: Anita Vrellaku, 17-vjeçare, që ishte pasagjere.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetimore, për të bërë ekzaminimin e plotë të vendit të aksidentit.

Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi.

Rasti është iniciuar si “Aksident trafiku me fatalitet” dhe hetimet janë në zhvillim.

 

E dhimbshme: Kjo është gruaja që vdiq në vetaksidentin në Kuzmin të Fushë Kosovës

Dy persona humbën jetën si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në Kuzmin të Fushë Kosovës.

Viktimat janë të dyja të gjinisë femërore.

Njëra nga ato është 27 vjeçarja Heroina Haliti.

Hekuran Murati me postim prekës pas vdekjes së babait: Të fala nanës, babë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar për herë të parë pas ndarjes nga jeta të babait të tij, përmes një postimi emocional në facebook.

Murati ka bërë të ditur se sot është përmbyllur e pamja, duke ndarë me ndjekësit disa nga momentet dhe kujtimet prekëse të këtyre ditëve të rënda për familjen e tij, shkruan IndeksOnline.

Në postim, ai shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që iu bashkuan familjes së tij për të ndarë dhimbjen dhe për të nderuar jetën e të ndjerit.

Postimi i plotë:

Pusho i qetë bab!

Sot u kry edhe e pamja.

Familjarë, miq e dashamirë nga të gjitha anët erdhën për të shprehë ngushëllime e për të nda dhimbjen me ne.

Erdhën shokët e shkollës e të studimeve. Na treguan se kishe qenë prej më të mirëve, por ndanë me ne edhe vështirësitë e asaj kohe – nga ecja me kilometra të tëra në këmbë nga Kishnapolja e thellë, e deri te marrja e bukës për një javë nga shtëpia, e cila ishte e ftohur pas ditës së parë e shpesh e mykur në ditën e pestë – sepse kushtet ekonomike ishin të tilla.

Erdhën kolegët me të cilët kishit punuar bashkë si mësimdhënës, por edhe nxënësit tuaj që tashmë shumica veçse kishin flokët e thinjura. Na treguan se përveçse e zotëroje mirë lëndën që ligjëroje asokohe, ti ishe edhe pedagog i mirë duke inkurajuar secilin të bëhej versioni më i mirë i vetes.

Erdhën edhe kolegët e punës nga fabrika e vajit të cilët na treguan për bashkëpunimin e mirë që kishit. Pati edhe tregime se si në disa raste ti e  kishe pësuar me mos-avancim për shkak të integritetit e qëndrimeve parimore që mbaje. Na treguan edhe për kohën kur të gjithë u larguat nga puna nën masat e dhunshme.

Erdhën edhe kolegët nga ministria e financave, të cilët sot janë edhe kolegë të mi.

Nuk e lanë pa ardhë as shokët e shumtë me të cilët ke kalu kohë tash në vitet e pensionimit. Na treguan për diskutimet e shumta, planet që kishit bërë bashkë, por edhe barcoletat që tregonit. Na thanë që të kishin njohur si njeri i urtë, të cilit askush nuk ia kujton qoftë edhe një fjalë të keqe që rëndon.

Këto tregime janë vetëm disa copëza të karakterit tënd, por që këto ditë na bënë të ndihemi mirë sepse e kuptuam që edhe të tjerët kishin arritur sadopak të të njihnin ashtu siç të kemi njohur ne, fëmijët e tu.

Nana edhe ti bab, na latë më herët sesa që e prisnim. Kishim ende plane bashkë. Por dijeni që ju e keni përmbushur misionin sa na përket neve. Kurse neve, fëmijëve tuaj, na mbetet që të vazhdojmë rrugën me shpresën që do të mësohemi me dhimbjen.

Ju duam, dhe do t’ju kujtojmë përherë!

PS. Mos harro bani t’fala nanës kur e takon.

Zjarri përfshin Pallatin e Kulturës – Dyshohet për zjarrvënie, dëmi rreth 50 mijë euro

Rastet e zjarrvënies po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke shkaktuar panik dhe dëme serioze në komunitete. Përveç pasojave të drejtpërdrejta, kjo dukuri dëmton besimin publik në sigurinë dhe funksionimin e rendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë është raportuar mëngjesin e sotëm në fshatin IsniqDeçanit, ku rreth orës 09:20 është përfshirë nga zjarri objekti i Pallatit të Kulturës.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë zjarrfikësit dhe patrullat policore, të cilët kanë arritur të lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin para përhapjes së mëtejshme.

Në lidhje me rastin është intervistuar një person në cilësinë e dëshmitarit, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzika, të cilat kanë kryer ekzaminimin e terrenit.

Sipas deklarimit të ankuesit, dëmi material i shkaktuar nga zjarri vlerësohet në rreth 50 mijë euro, ndërsa shkaktari i zjarrit aktualisht mbetet i panjohur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Pejë, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie” dhe hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Nga bashkimi kombëtar te interesat në Greqi”, akuzat e Kajtazit për Kurtin

Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se Kosova ndodhet në një gjendje të mjerueshme politike, duke e cilësuar Albin Kurtin si uzurpator të pushtetit. Ai foli edhe për raportin me Shqipërinë që sipas tij është “fake”, por edhe me interesat në Greqi.

Sipas Kajtazit, Kosova aktualisht po përballet me një izolim të thellë ndërkombëtar.

Ai theksoi se Albin Kurti e ka dhënë dorëheqjen si kryeministër për të bërë betimin si deputet në Kuvend, por sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, nuk i lejohet që të vazhdojë të ushtrojë funksionin e kryeministrit njëkohësisht si deputet.

Kështu, Kajtazi e ka cilësuar Kurtin si “uzurpator të pushtetit”.

“Jemi në një gjendje të mjerueshme politike. Kosova është e izoluar. Udhëhiqet nga një uzurpator i pushtetit sepse Kurti ka dhënë dorëheqje si kryeministër, si akt, për tu betu si deputet  por nga ana tjetër nuk i lejohet as me ligj as me kushtetutë me ushtru funksionin e kryeministrit derisa është deputet. Është uzurpator i pushtetit këtu dhe kërkush ska çka i bën këtij njeriu me shku me tërheq apo me largu prej zyrës ku qëndron ilegalisht. Kushtetuta dhe ligji që e ka miratu vet nuk e lejojnë një gjë të tillë”, u shpreh Kajtazi në Rubikon.

Ai shtoi se Kurti tashmë është bërë përfaqësuesi më i mirë i mjerimit në të cilin ndodhet vendi.

“Nëse e sulmojmë Shqipërinë nga këndi i Albin Kurtit, fatkeqësi është për neve. Ka arrit me na mbyt me mjerimin e tij dhe ka arrit me na mbyt edhe logjikën tonë të shëndosh, edhe sytë edhe pamjen edhe gjithçka. Ka arrit për shumë vjet”, tha Kajtazi.

Ai theksoi faktin se që nga ardhja në pushtet, Kurti nuk i ka kaluar pushimet asnjëherë në Shqipëri, por gjithmonë në Greqi – një vend që, sipas tij, përfaqëson interesa të tjera të lidhura me pushtetin e Kurtit.

“Ky patrioti që neve na ka ardh në pushtet për bashkim kombëtar a e dini që prej se është kryeministër kurrë nuk ka kalu pushime në Shqipëri. Gjithmonë i ka kalu në Greqi. Kjo na flet shumë. Sepse Kurti raportin me Shqipërinë e ka “fake”. Se ai nuk është patriot qysh na shitet, se në Greqi ka gjetur interesa tjera. Interesat që lidhen me pushtetin e Albin Kurtit dhe Greqinë janë konfirmu edhe në hetimet penale që i ka zhvillu Prokuroria Speciale e Kosovës. Interesat ekonomike që lidhen me energjinë elektrike dhe në mesazhet e Dejona Mihalit. Pra kjo është gjendja e Kosovës, e përfaqësuar nga Kurti tash”, shtoi Kajtazi.

Analisti Spahiu tregohet pak diplomat: Nuk do të lëshohem në detaje, por Gjuriqi është largpamës

Një fotografi e publikuar nga profesori, Nexhmedin Spahiu, ku shfaqet në zyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka ngjallur reagime të shumta në media dhe skenën politike në Prishtinë, transmeton Insajderi.

Spahiu, në një deklaratë për gazetën Danas, ka sqaruar se takimi me ministrin serb ishte krejtësisht informal. Ai tha se ishte ftuar për një kafe nga Gjuriq, me të cilin ka një njohje të vjetër, sapo ky i fundit kishte kuptuar se Spahiu ndodhej në Beograd.

“Thjesht isha në një konferencë në Beograd. Ministri mori vesh që jam aty dhe më ftoi për një kafe. Diskutuam për marrëdhëniet ndëretnike, për dialogun dhe shkëmbyem mendime. Asgjë e jashtëzakonshme”, deklaroi Spahiu.

Ai shtoi se reagimet në Prishtinë ishin të pritshme dhe të motivuara politikisht.
“Është ngritur shumë zhurmë sepse opozita në Prishtinë pretendon se kam qenë aty për të siguruar vota për Albin Kurtin, gjë që është krejtësisht e pavërtetë. Nuk kemi folur fare për atë temë”, theksoi ai.

Spahiu vlerësoi bisedën si të dobishme për të dy palët.

“Ishte një bisedë joformale për çështje që rëndojnë shoqërinë kosovare dhe raportet Kosovë-Serbi. Nuk do të ishte korrekte të zbuloj detaje, por mund të them se e vlerësoj Marko Gjuriqin si një nga politikanët më largpamës në qeverinë serbe – ai e di çfarë kërkon dhe për çfarë punon”, tha ai.