Ndodh edhe kjo – e trishtë: Gjendet një foshnje e porsalindur brenda një qeseje të zezë pranë deponisë së mbeturinave

Një ngjarje tronditëse është vërejtur nga një qytetar paraditen e sotme në lagjen Matiqan të Prishtinës, ku një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në rrethana çnjerëzore.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 19 maj 2025, rreth orës 10:30, në rrugën “Butofci”, pranë deponisë së mbeturinave, një qytetar ka vërejtur një qese të zezë brenda së cilës dyshohej se ndodhej një foshnje e vdekur.

Sipas burimeve nga Prokuroria, në momentin që qytetari është afruar, ka zbuluar se në të vërtetë brenda qeses ndodhej një foshnje e porsalindur, pa shenja jete, e braktisur në mënyrë të tmerrshme.

Menjëherë është kërkuar ndihma mjekësore dhe njësia emergjente është thirrur për të dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autoritetet përkatëse janë parë në vendin e ngjarjes, duke nisur veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit.

Shkaku se pse është sjellë foshnja në atë lokacion dhe identiteti i personit që e ka braktisur mbeten ende të paqarta.

Sinjali disponon edhe foton e qeses dhe foshnjës, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk do ta publikojë.

A do të ketë risi sot në Kuvend, ja çfarë thotë Peci

Deputeti i LVV-së, Faton Peci para mediat lidhur me risitë në Kuvend ai tha se VV është pushtet kujdestar.

Peci në një deklarim për media të hënën paralajmëroi se edhe në këtë seancë do të shkojnë me skenarin e njëjtë atë të votimit të fshehtë.

“Ata që e kanë në dorë me pasë risi, ne jemi pushteti kujdestar do të thotë ajo që mundemi me pritë ndryshim, pjesa kryesore i takon pjesës së partive, PDK, LDK, AAK. Të gjithë deputetë tanë që po marrin pjesë votojnë në funksion në debllokim të Kuvendit”, tha Peci.

Ai ndër të tjera shtoi se kjo është mënyra më e mirë për të dal nga kriza, pasi siç ka thënë ai shumë deputetë në biseda private thonë se i vret ndërgjegjja që nuk po konstituohet Kuvendi.

Nesër bllokohet disa orë qarkullimi i trafikut në këtë segment rrugor

Nesër në trasen e rrugës nacionale Prishtinë-Pejë- N9, ku po realizohet zhvillimi i punimeve në zgjerimin e segmentit Kijevë-Dollc LOT-3, do të bëhet minimi Nr.9 i masave shkëmbore.

Me këtë rast do të bëhet ndërprerja e qarkullimit të trafikut nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë e deri tek udhëkryqi i rrugës për në Gjurgjevik.

Ndërprerja e trafikut do të bëhet në intervalin kohorë: 16:00 deri në pastrimin dhe hapjen e rrugës.

Nga të gjithë shoferët kërkohet që në këtë periudhë kohore që të shfrytëzojnë rrugët alternative.

Ariu befason banorët në Mushtisht – Shfaqet në oborrin e një shtëpie gjatë natës

Një “mysafir” jo i zakonshëm është hasur brenda oborrit të një shtëpie.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mushtisht të Suharekës.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se një ari në orët e vona të natës ecën i pashqetësuar. Pamjet janë publikuar të dielen.

Sot dhe në ditët që vijnë: Mot i paqëndrueshëm në gjithë vendin

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se kjo javë parashihet me kushte të paqëndrueshme meteorologjike.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se moti do të jetë me diell, shi dhe shkarkime rrufesh.

Moti i plotë për pesë ditët e javës së ardhshme:

E hënë – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat parashihen që vende-vende të sjellin riga shi dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-20 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes.

E martë – Mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-21 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-8m/s.

E mërkurë – Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

E enjte – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës vende-vende parashihen të sjellin riga shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-10 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-7m/s.

E premte – Mot i vranët dhe me riga shiu. Parashihen edhe shkarkime rrufesh nëpër disa zona . Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-10gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-9m/s.

Nëntë fëmijë në Kosovë infektohen me fruth, janë të kësaj grup-moshe

Nëntë fëmijë në Kosovë janë infektuar për një javë me sëmundjen ngjitëse të fruthit.

Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

E këto raste, sipas IKSHPK-së, vijnë nga qytete e ndryshme të vendit, pas mosvaksinimit kundër kësaj sëmundje.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë”.

“Sipas grup-moshave, rastet e raportuara janë: 7 raste të moshës 1-2 vjeç dhe 2 raste të moshës 4-5 vjeç. Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (fruth, rubeollë dhe shyta)”, thuhet nga IKSHPK.

Vjen reagimi i Trumpit pasi Bideni u diagnostikua me kancer

Presidenti Donald Trump ka thënë se është “i pikëlluar” pasi paraardhësi dhe rivali i tij, Joe Biden u diagnostikua me kancer në prostatë.

“Melania dhe unë jemi të pikëlluar kur dëgjuam për diagnozën e fundit mjekësor të Joe Biden. Ne i urojmë atij dhe familjes së tij shërim sa më të shpejtë”, tha Trumpi në “Truth Social”.

Një zëdhënës i Bidenit tha të dielën se diagnoza u zbulua të premten pasi mjekët gjetën një nyjë të vogël në prostatën e tij, e cila kishte nevojë për vlerësim të mëtejshëm.

 

Joe Biden diagnostifikohet me kancer

Ish-presidenti amerikan Joe Biden u diagnostikua me kancer në prostatë, thotë zyra e tij, shkruan BBC.

“Javën e kaluar, Presidenti Joe Biden iu nënshtrua një kontrolli për një gungë të re në prostatë pas përkeqësimit të simptomave urinare. Të premten, ai u diagnostikua me kancer të prostatës, i karakterizuar nga një rezultat Gleason prej 9 (Grupi i Gradës 5) me metastaza në kocka”, thuhet në deklaratë.

Deklarata vazhdon: “Edhe pse kjo përfaqëson një formë më agresive të sëmundjes, kanceri duket të jetë i ndjeshëm ndaj hormoneve, gjë që lejon një menaxhim efektiv”.

Biden dhe familja e tij “po shqyrtojnë opsionet e trajtimit me mjekët e tij”, thuhet në deklaratë.

Këto janë pasojat që mund ti bartë Kosova për moskonstituimin e Kuvendit, që nuk i bëhet vonë Kurtit

Banka Botërore tashmë ka paralajmëruar ngadalësim të zhvillimit ekonomik për sivjet në Kosovë. Situatën, sipas njohësve të fushës, pritet ta rëndojë edhe më shumë ngërçi politik në vend. Kjo pasi edhe shumë marrëveshje ndërkombëtare financiare kanë mbetur pa u miratuar gjatë legjislaturës së kaluar. Në mesin e tyre është edhe marrëveshja e financimit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe ajo e kredisë me Bankën Evropiane për Investime të projekteve në KEK.

Të shtunën ka dështuar edhe tentativa e 17-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por si ndikon mosformimi i institucioneve në zhvillimin ekonomik të vendit?

Pasojat janë serioze, paralajmëron kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Ai theksoi se moskonstituimi rrezikon ekonominë, investimet dhe reformat në vend.

“Ndikon për të keq dhe do të ketë pasoja të mëdha. Këto pasoja nuk eliminohen brenda natës. Ne jemi shumë mbrapa për të bërë reformat dhe për miratimin e shumë marrëveshjeve ndërkombëtare. Jemi mbrapa me themelimin e qeverisë, ndërkohë që biznesi ka nevojë për hartimin e politikave fiskale, veçanërisht për çështjen e energjisë elektrike, e cila është urgjente”, tha ai.

Edhe Aleanca e Bizneseve të Kosovës e sheh situatën me shqetësim të madh për efektet nga mosformimi i institucioneve.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës së Bizneseve theksoi se kjo do të ndikojë dukshëm dhe do të ketë pasoja të mëdha ekonomike dhe financiare. “Sepse moskonstituimi dhe mosratifikimi i disa marrëveshjeve që kanë të bëjnë me mbështetjen e Kosovës me vlerë mbi 1 miliard euro, rrezikojnë të humbasin si pasojë e mungesës së një Kuvendi dhe Qeverie funksionale”, tha ai.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se kriza politike ka ndikim të drejtpërdrejtë në shumë sektorë, duke thelluar pasiguritë ekonomike dhe sociale.

“Efektet e kësaj krize të moskonstituimit dëmtojnë Kosovën në shumë aspekte. Në aspektin ekonomik, vendi nuk mund të ketë zhvillim pa një partneritet të mirëfilltë me Bashkimin Evropian. Vetë fakti që Kosova do të jetë e anashkaluar këtë vit nga Programi i Rritjes dhe Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor është dëshmi për këtë. Në këto rrethana, është e vështirë të mendohet për atraktivitet për investitorët e huaj. Në aspektin social, përballemi me inflacion të lartë dhe kriza që po thellohen çdo ditë”, tha Gërxhaliu.

Ai shtoi se ndikimi do të jetë edhe në aspektin politik, në agjendën e Këshillit të Evropës dhe anëtarësimin në institucione të ndryshme kredibile./RTK

 

OVL-UÇK i çon letër Grenellit për Specialen: Mos e lini këtë gjykatë të shkruajë një histori të rreme

OVL-UÇK i ka dërguar një letër Amerikës, më saktësisht ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump, për Misione të Veçanta.

Përmes kësaj letre, veteranët kanë shprehur shqetësimin e thellë për Gjykatën Speciale, duke theksuar se ajo kanë humbur qëllimin e tyre.

Sipas OVL-UÇK, ajo që do duhej të ishte një gjykatë drejtësie është shndërruar në një armë politike.

“Po ju shkruajmë nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), për të shprehur shqetësimin tonë të thellë dhe në rritje se Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë humbur qëllimin e tyre. Ajo që duhej të ishte një gjykatë drejtësie është shndërruar në një armë politike. Dhe administrata juaj, më shumë se kushdo tjetër, e di se çfarë ndodh kur drejtësia bëhet politike, bëhet represion”, thuhet në letër.

Tutje, OVL-UÇK kërkon nga Grenelli dhe administrata e Trumpit, që kjo gjykatë të mbyllet.

“Ju kërkojmë ta ngrini këtë çështje me administratën tuaj. Taksapaguesi amerikan nuk i dërgoi paratë e tij të fituara me mund në Evropë për të financuar një gjykatë që shkel vetë vlerat për të cilat qëndron Amerika. Presidenti Trump po rishkruan rregullat e ndryshkura të kontrollit politik të gjyqësorit të pavarur dhe sipas rregullave të reja, kjo gjykatë duhet të mbyllet. Është një turp për drejtësinë amerikane dhe për vlerat amerikane”, thuhet më tej në letër.

“Presidenti Trump, administrata e tij dhe ju personalisht e kuptuat diçka që pjesa tjetër e botës e harroi: liria nuk jepet. Liria fitohet. Dhe më e rëndësishmja, liria mbrohet. Ne, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e mbrojtëm atë liri. Luftuam kundër njërit prej regjimeve më brutale në Evropë. Varrosëm vëllezërit dhe motrat tona. Humbëm shtëpi, gjymtyrë dhe familje. Por kurrë nuk e humbëm besimin tonë në demokraci, në liri, në premtimin e Amerikës se drejtësia dhe liria shkojnë krah për krah. Kur lufta mbaroi, ne nuk u kapëm pas armëve, por i lamë ato. Çarmatimi, çmobilizimi dhe riintegrimi ynë ishin ndër më të suksesshmit në histori. Ne ndihmuam në ndërtimin e një Kosove demokratike. Ne i shndërruam luftëtarët në qytetarë. Ne ndoqëm shembullin e Amerikës sepse besuam në të. Udhëheqësit tanë dhanë dorëheqjen vullnetarisht për të vërtetuar pastërtinë e luftës sonë. Sepse kur drejtësia është e drejtë, e vërteta triumfon. Po Dhomat e Specializuara? Kjo nuk është drejtësi. Kjo është një gjueti shtrigash”.

“Presidenti Trump e di më mirë se kushdo tjetër se kur drejtësia rrëmbehet nga elitat politike, ajo bëhet një mjet për të heshtur patriotët. Kjo është ajo që është bërë kjo gjykatë. Një mjet për të heshtur pikërisht njerëzit që sollën paqen, që ndaluan gjenocidin, që mbrojtën lirinë. Pati dorëheqje të kryeprokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve ligjorë nga kjo gjykatë dhe kjo nuk ishte rastësi. Ishte ndërgjegje. Ata panë se kjo gjykatë ishte bërë një makinë persekutimi politik. U desh një prokuror i korruptuar, në rrethana të errëta, për të ngritur padi. ​​Dhe ju e dini, ju e dini më mirë se ato padi ishin hartuar për të sabotuar iniciativën tuaj të paqes në Zyrën Ovale gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump. Një paqe që ishte e arritshme. Ai prokuror u kthye me vrap në Amerikë pasi shkaktoi dëmin e tij, duke shpresuar të manipulonte vullnetin e popullit amerikan. Ai dështoi keqas. Sepse Amerika është ndërtuar mbi shekuj lirie, sundimi të ligjit, madhështie kushtetuese. Po kjo gjykatë? Kjo gjykatë është ndërtuar mbi idetë e burokratëve dhe miqve që mendojnë se drejtësia është një mjet për pushtet, jo një qëllim në vetvete”.

“Presidenti ynë, kryetari ynë i kuvendit dhe deputetët tanë të zgjedhur shkuan atje vullnetarisht. Ata nuk kanë asgjë për të fshehur. Por nuk mund ta mbrosh veten në një sallë gjyqi që është ndërtuar për të shtypur zërin tënd. Kjo nuk është drejtësi. Ky është një gjyq i shëmtuar. I dashur ambasador, ne po ju drejtohemi jo si politikanë, por si veteranë për veteranët. Vëllezër në armë. Mbrojtës të lirisë. Ju kërkojmë ta ngrini këtë çështje me administratën tuaj. Taksapaguesi amerikan nuk i dërgoi paratë e tij të fituara me mund në Evropë për të financuar një gjykatë që shkel vetë vlerat për të cilat qëndron Amerika. Presidenti Trump po rishkruan rregullat e ndryshkura të kontrollit politik të gjyqësorit të pavarur dhe sipas rregullave të reja, kjo gjykatë duhet të mbyllet. Është një turp për drejtësinë amerikane dhe për vlerat amerikane”.

“Ne kërkojmë një shqyrtim të plotë, një audit financiar dhe një hetim të pavarur se si funksionon kjo gjykatë dhe si zyrtarët e saj jetojnë si mbretër, ndërsa luftëtarët tanë të lirisë ulen në qelitë e burgut për të mbrojtur lirinë. Nëse liria ka ndonjë kuptim, nëse drejtësia nuk është vetëm një fjalë, por një parim, atëherë kjo nuk mund të qëndrojë. Ne luftuam kundër Millosheviqit për të ndaluar këtë lloj abuzimi. Dhe do të flasim përsëri. Amerika ishte me ne kur kishte më shumë rëndësi. Dhe tani po kërkojmë përsëri, ju lutem mos e lini këtë gjykatë të shkruajë një histori të rreme. Mos i lini elitat e korruptuara t’i shndërrojnë veteranët në keqbërës. Kjo nuk është vetëm një thirrje për ndihmë. Kjo është një thirrje për të mbrojtur lirinë, përsëri”, përfundon letra e OVL-UÇK-së drejtuar Amerikës.