Sulm i rëndë në Gjermani: Disa të plagosur rëndë

Një sulm i rëndë me thikë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në qendër të Bielefeldit, landa e Nordrhein-Westfalen në Gjermani, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas mediave gjermane, një burrë ka sulmuar disa persona që po festonin para një bari, duke i plagosur disa prej tyre rëndë. Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Policia ka ngritur një komision hetimor për vrasje dhe është vënë në kërkim të agresorit.

Ai përshkruhet si një burrë me pamje mesdhetare, i gjatë rreth 1.65 deri 1.70 metra, i veshur me një bluzë të bardhë dhe një xhaketë të markës “Northface” në ngjyrë blu ose të zezë. Dyshohet se mund të ketë plagë në fytyrë. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion të mundshëm për identifikimin e tij.

Përplasen dy helikopterë civilë në Finlandë, pesë të vdekur, mes tyre dy biznesmenë estonezë

Dy helikopterë janë përplasur me njëri tjetrin në Finlandë, duke lënë pas pesë të vdekur.

Sipas planeve të tyre përkatëse të fluturimit, një helikopter mbante tre persona. Dy prej viktimave ishin biznesmenë estonezë.

Mediat transmetojnë se helikopterët u ngritën nga Estonia. Shkaku i përplasjes, e cila ndodhi në perëndim të Helsinkit në mesditë, nuk është bërë ende publik.

Një dëshmitar okular i tha se pa njërin nga helikopterët të manovronte dhe të godiste helikopterin tjetër. “Njëri ra si gur, tjetri më ngadalë, nuk dëgjova asnjë zhurmë”, rrëfeu dëshmitari. /TCh/

Momenti i aksidentimit

 

 

Çfarë shkroi Marko Gjuriq për takimin me Nexhmedin Spahiun në zyrën e tij në Beograd, ja si e quan analistin

Analisti i njohur kosovar, Nexhmedin Spahiu është takuar me ministrin serb Marko Gjuriq.

Këtë e ka bërë të ditur dje vetë Spahiu, ndërsa ka njoftuar edhe Gjuriqi.

“Një bisedë me profesor Nexhmedin Spahiun për mënyrat e tejkalimit të tensioneve dhe përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike”, ka shkruar Gjuriq.

 

E rëndë: Kjo është 19-vjeçarja që humbi jetën në vetaksidentin tragjik në Pouskë të Prizrenit

Gazeta Sinjali ka raportuar më parë për një aksident në orët e para të mëngjesit në Pouskë të Prizrenit, ku një grua humbi jetën e dy të tjerë u lënduan.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima e aksidentit të rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Pouskë është Dilge Nanovçe, 19 vjeçare, shtetase turke me prejardhje nga Kosova.

E ndjera ishte duke e vozitur makinën në momentin kur e humbi kontrollin dhe u vetaksidentua.

E reja 19-vjeçare po udhëtonte me dy persona të tjerë kur vetura me të cilën po lëviznin pësoi vetaksident. Për fat të keq, ajo nuk arriti t’i mbijetonte plagëve dhe vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa dy personat e tjerë kanë pësuar lëndime – njëri rëndë dhe tjetri më lehtë.

Ngjarja ka tronditur familjen dhe opinionin publik, ndërsa autoritetet janë duke vazhduar hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan në këtë tragjedi.

Autostrada kthehet në ring boksi në serbi – Eskorta e kryeministrit dhe njerëzit e Vuçiqit ndajnë grushta në vend të politikës!

Një incident i pazakontë është regjistruar në autostradën drejt Nishit në Serbi, ku ka ndodhur një përplasje midis eskortës së kryeministrit serb Gjuro Macut dhe anëtarëve të kabinetit të presidentit Aleksandar Vuçiq, shkruan Gazeta Sinjali.

Ngjarja është bërë publike përmes një videoje të shpërndarë në platformën “X” nga kryetari i Partisë Demokratike, Srgjan Milivojeviq. Në pamjet që po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, dëgjohet një zë femre – që dyshohet të jetë këshilltarja e presidentit, Suzana Vasiljeviq – duke thënë me ton të ashpër: “Tani do t’ia q*** nënën”, teksa e quan një pjesëtar të eskortës së kryeministrit “idiot”.

Pas shkëmbimit verbal, situata eskalon në një kacafytje fizike mes pjesëtarëve të dy eskortave. Në video, një zë tjetër deklaron se automjeti është pjesë e eskortës nga zyra e presidentit serb, para se të ndodhë përplasja.

Rrethanat e sakta të incidentit mbeten të paqarta dhe nuk ka ende një reagim zyrtar për këtë përplasje, e cila ka nxitur debat në opinionin publik serb dhe pritet të zbardhet në ditët në vijim.

VIDEO

 

Ky është parashikimi i motit për nesër dhe ditët në vijim

Mot kryesisht me diell parashihet të dielen, me një rritje të temperaturave deri në 18C e 20C. Pasdite pjesëve veriore mundësi për ndonjë rrebesh shiu dhe bubullimë.

Rrebeshet e shiut pritet të përfshinë vendin më shumë ditën e hënë.

Të martën në mes vransirash të ndryshueshme, priten mundësi për ndonjë rigë shiu.

Më shumë diell të mërkurën, megjithëse shtohen vransira të larta, e krejt më vonë në mbrëmje mundësi për ndonjë rrebesh të shkurtër shiu zonave malore.

Maksimalet shënojnë rritje deri në 21C e 23C. Minimalet luhaten ndërmjet 3C e 8C. Frynë erë jugperëndimore e lehtë dhe mesatare 3-12m/s.

Paralajmërohet risi në dialogun Kosovë-serbi, është duke u konsideruar mundësia e…

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë dhe se këtë e ka potencuar edhe raportin e tij.

Ai thotë se si pushteti, ashtu edhe opozita janë shumë të interesuar në integrimet evropiane. Por, thotë se këtë dëshirë e kanë edhe qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se për të hartuar raporte të tilla duhet t’i shihen të gjitha anët dhe thotë se kanë identifikuar disa gjëra të cilat mund të përmirësohen.

“Liria e mediave njëra ndër to. Raporti ka dalë para se të publikohej ky raporti i fundit i Reporterëve pa Kufij, kemi parë se ka pasur probleme, rënia e Kosovës për 24 vende në këtë indeks është diçka që e dëshmon nevojën që Kosova ka për ta përmirësuar lirinë e medias, që është një ndër elementet bazike të sundimit të ligjit”, u shpreh Terras, raporton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ai thotë se kanë vënë re që Qeveria tashmë e dorëhequr e Kosovës po e lufton korrupsionin, por shton se “ka ende punë për t’u bërë”.

Terras tha se në raport është prekur edhe tema mbi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili, sipas tij nuk po shkon mirë, ndërsa shton se i njëjti është parakusht për integrimin evropian.

“E kuptoj qëndrimin e Kosovës dhe e kuptoj që Serbia nuk po e bën punën e saj por është e rëndësishme që dialogu të vazhdojë, është e rëndësishme për procesin si tërësi. Nuk më takon mua të vendos, unë thjesht raportoj për atë se në çfarë niveli e gjendje janë gjërat, por nga ana e Komisionit është caktuar tashmë një ambasador i ri, ambasadori Peter Sorensen i cili ka shumë përvojë në rajon dhe që ka top-detyrë t’i sjellë të dyja palët sërish në tavolinën e bisedimeve”.

“Nga ana e Parlamentit jemi duke e konsideruar mundësinë e fillimit të bisedimeve ndërmjet politikanëve, pra deputetëve, bisedime ndërmjet dy parlamenteve duke qenë se Parlamenti Evropian do të mund të ishte ndërmjetësues i këtyre bisedimeve por gjëja kryesore patjetër është ajo se përfaqësuesja e lartë Kallas dhe stafi i saj duhet të punojnë për këtë temë”, deklaroi për KlanKosova Riho Terras.

Seanca dështon, tension në Vetëvendosje? Dalin pamjet, ja çfarë ndodhi mes Albulena Haxhiut dhe Kurtit

Sot është mbajtur tentativa e 17-të për konstituimin e Kuvendit, e cila, ashtu si herët e kaluara, ka përfunduar pa sukses.

Megjithatë, para fillimit të seancës, kamerat kanë kapur një moment interesant mes kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe liderit të kësaj partie, Albin Kurti.

Në pamjet e transmetuara shihet se, teksa Haxhiu hyn në sallën e Kuvendit dhe kalon përballë Kurtit, ky i fundit as nuk e përshëndet.

Minuta 47:50 në videon poshtë

Seanca Konstituive 17.05.2025

Trump paralajmëron Rusinë: Do të jenë dërrmuese…

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, një qëndrim që duket se po merr mbështetje edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, shkruan Gazeta Sinjali.

Trump tha se do të ishte i gatshëm për sanksione më të forta për të bërë presion ndaj Vladimir Putin. “Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë – kjo do të jetë dërrmuese për Rusinë”, tha ai, transmeton SkyNews.

Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për shkëmbimin e 1000 robërve të luftës nga secila palë. Nëse ky shkëmbim realizohet, do të jetë shkëmbimi më i madh i të burgosurve në më shumë se tre vjet, që kur Rusia nisi agresionin në Ukrainë në shkurt 2022.

Katastrofë natyrore në SHBA – Mbi 16 të vdekur dhe dëmve masive

Stuhitë e fuqishme me tornado kanë goditur rëndë dy shtete amerikane, Kentucky dhe Missouri, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe dëme të mëdha materiale. Shifrat tragjike janë konfirmuar nga autoritetet lokale, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në terren, shkruan Gazeta Sinjali.

Në Kentucky, tornadoja goditi rëndë Qarkun Laurel, në juglindje të shtetit, gjatë orëve të para të së shtunës, duke shkaktuar nëntë viktima. Zyrtarët lokalë paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet, pasi shumë persona mbeten ende të zhdukur dhe operacionet e shpëtimit janë në vijim.

Ndërkohë, shteti i Missouri është përballur me pasoja të rënda, ku janë raportuar shtatë viktima, pesë prej të cilëve në qytetin e St. Louis. Tornadoja që përfshiu këtë zonë shkatërroi mbi 5,000 ndërtesa, rrëzoi çati dhe dëmtimet në infrastrukturë lanë më shumë se 100,000 shtëpi pa furnizim me energji elektrike.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, tornadoja goditi St. Louis rreth orës 14:30 të premten, pranë Parkut Forest, afër Kopshtit Zoologjik dhe vendit historik ku u mbajtën Lojërat Olimpike të vitit 1904. Një ndër godinat e shkatërruara ishte edhe pjesa e Kishës së Krishterë Centennial, ku disa persona u shpëtuan, por fatkeqësisht një prej tyre nuk arriti të mbijetonte.

Në përgjigje të situatës emergjente, autoritetet kanë shpallur shtetrrethim në dy nga zonat më të prekura, i cili do të mbetet në fuqi deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Kryetarja e bashkisë së St. Louis, Cara Spencer, reagoi me dhimbje ndaj situatës: “Do të kemi shumë punë për të bërë në ditët në vijim, por sonte jemi të përqendruar në shpëtimin e jetëve dhe mbajtjen e sigurisë.”

Stuhitë kanë prekur edhe pjesë të Illinoisit, duke përhapur kushte ekstreme moti që janë ndjerë deri në bregdetin e Atlantikut. Ndërsa komunitetet në këto shtete po përballen me pasojat e katastrofës natyrore, SHBA përjeton edhe një herë një moment të rëndë, me jetë të humbura dhe dëme të pallogaritshme.