Haradinaj: Nuk marrim pjesë në tryezën për qeveri tranzicioni me VV-në

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në tryezën për krijimin e një qeverie tranzicioni që përfshin Lëvizjen Vetëvendosje, duke i referuar përpjekjeve të tjera të partive opozitare për të negociuar me Albin Kurtin.

“[A merr pjesë AAK-ja në një tryezë për krijimin e një qeveri tranzicioni ku është edhe VV-ja?] Jo, po aty opozita atëherë përfaqësohet prej atyre që veçse kanë bërë takime me VV-në, si rasti i PDK-së, LDK-ja nuk ka pasur takim por kanë komunikuar me letra. Ne jemi përfaqësuar përmes tyre, ne vet nuk marrim pjesë, ne e kemi sqaruar pozicionin tonë. Po ashtu siç kemi mendim se çfarë bëjnë ata tjerët, nuk i ndalojmë kolegët tjerë të opozitës që t’i konsumojnë këto mundësi”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai gjithashtu ka theksuar se AAK-ja nuk është dakord me nxitimin e Kurtit për të shpallur veten kryeministër pa marrë akoma përgjigje nga LDK-ja pas letrës së dërguar për koalicion.

“Unë nuk po shoh që ka shumë perspektiv, është më se e qartë që Albini ende pa marrë përgjigjen e LDK-së thoshte unë jam kryeministri, në rregull ti mos thuaj prit njëherë çfarë thonë këta që u ke dërguar një letër, pra ishte i palogjikshëm nxitimi ashtu”, ka theksuar ai në Debat Plus

Haradinaj ka shtuar se, përkundër kësaj, AAK-ja është e hapur për komunikim me opozitën dhe mbështet bashkëpunimin opozitar, por pa krijuar “ura” me VV-në.

“Ne me opozitën mund të kemi më shumë komunikim, ta zëmë nuk humb asgjë LDK nëse komunikon më shumë me PDK-në, se jemi opozitarë në bazë të detyrës, sikur të kishim qenë në opozitë me VV-në do të ishte e logjikshme me komuniku me ta. Jam për të mos u mbyllur dyert, përpos gatishmërisë tonë që mos me kriju ura me VV-në, ne jemi të interesuar me bashkëpunim opozitarë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ky është moti për sot

Sot parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku mund të ketë reshje të izoluara shiu në zona të caktuara, të shoqëruara me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

Era do të fryjë nga perëndimi dhe jugperëndimi, e cila shpesh herë pritet të jetë mjaft e fuqishme në pjesën më të madhe të vendit, me shpejtësi prej 20-70 km/h. Ka mundësi të ketë dëme materiale, raporton MeteoKosova, transmeton Gazeta Sinjali.

 

 

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale nga 20 deri në 22°C.

Nga fjalët te raketat? Frika për një përshkallëzim të madh mes Indisë dhe Pakistanit

Pakistani është zotuar të kundërpërgjigjet kundër Indisë, duke paralajmëruar se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur sulmeve me raketa gjatë natës në një “kohë, vend dhe mënyrë që zgjedh vetë”.

Islamabadi e konsideroi sulmin e Indisë një “akt lufte” që pretendon se ka synuar qëllimisht zonat civile, duke vrarë të paktën 26 persona dhe duke plagosur 46 të tjerë – një akuzë e mohuar kategorikisht nga New Delhi.

Ndërsa Pakistani zhvendosi tanke pranë Kashmirit të mërkurën, kryeministri Shehbaz Sharif tha se forcat e armatosura ishin autorizuar të ndërmerrnin “veprime përkatëse”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Banorët që jetonin rreth kufirit de facto ikën sot pasi India nisi sulme ndaj asaj që i quajti nëntë “kampe terroriste” brenda Pakistanit gjatë natës.

Të dy vendet e armatosura me armë bërthamore shkëmbyen më pas zjarr artilerie.

Pakistani tha se pesë njerëz u vranë në granatimet pranë Vijës së Kontrollit, dhe India tha se të paktën shtatë u vranë nga ana e tyre.

Dhe ndërsa “tymi u qetësua”, ushtria indiane këtë mëngjes tha se kishte qenë proporcionale në veprimet e saj, “e fokusuar, e matur dhe jo-përshkallëzuese”.

Por Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Pakistanit, i kryesuar nga kryeministri, tha se sulmet ishin kryer me një “pretekst të rremë” të “kampeve imagjinare terroriste”.

India thotë se po sulmonte bazat e përdorura nga ata që i fajëson për një sulm në anën e Kashmirit të drejtuar nga India muajin e kaluar – masakra më e keqe e civilëve në Indi që nga viti 2008.

Kështu, frika e një konflikti të plotë midis dy fuqive bërthamore vazhdon të përshkallëzohet, me kryeministrin indian Narendra Modi që anuloi sot planet për të vizituar Evropën.

Ndërkohë, aeroplanët luftarakë fluturuan me zhurmë në qiellin mbi territorin e Himalajeve këtë mëngjes dhe shpërthime mund të dëgjoheshin pranë “Vijës së Kontrollit” në një sulm që zgjati 25 minuta.

Të mbijetuarit “vëzhguan pasojat e shkatërrimit” ndërsa zyrtarët e lartë në të dyja palët vazhduan të “rrihnin gjoksin”.

Mehmetaj zbardh detaje: Hetuesi policor që e hetonte Pecin, mori grant 60 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë

Gazetari Lirim Mehmetaj po pretendon se një hetues policor i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, i cili ishte duke hetuar disa raste ku dyshohet se ishte përfshirë ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është përfshirë në një aferë korruptive.

Sipas Mehmetajt, zyrtari policor Rrahman Përçuku, ka përfituar një grant me vlerë 60 mijë euro nga ministria e Bujqësisë, në emër të bashkëshortes së tij.

“Hetuesi që ka pas me hetu Faton Pecin te krimet ekonomike për aferën e fundit, por edhe aferat e tjera përfshirë këtë për funksionalizimin e fabrikës për grumbullimit të nënprodukteve shtazore ka dalë që është përfitues i subvencioneve nga Faton Peci”, pretendon Mehmetaj.

Në një video ai tregon listën e përfituesve të granteve, ku si e katërta në listën e përfituesve del Halime Përçuku BI me projektin: “Investime në turizmin rural-Bujtina”.

“Zonja që e ka përfitu grantin është bashkëshortja e Rrahman Përçukut i cili supozohet mi hetu aferat korruptive të Faton Pecit. Tash veç diçka duhet me mendu. Paramendojeni dikë që nuk e ka qasjen në informacion që e kam unë edhe kish shku si pa të keq në hetuesi me paraqit rastet korruptive të Faton Pecit. Cka ndodhë aty? Edhe në momentin që zyrtari largohet prej hetuesisë ky e thërret Faton Pecit edhe i thotë qiky erdh. Edhe ndodhë shantazhi atje“, thotë Mehmetaj.

Vrasja e të riut në Has, zbulohet motivi

Është zbuluar shkaku i vrasjes së 34-vjeçarit Ryshyt Sallahu në Has, ngjarje e ndodhur këtë të mërkurë ndërsa autori i dyshuar i krimit është Ylber Jaku, 41 vjeç.

Dyshohet se dy ditë më parë, viktima Ryshyt Sallahu, së bashku me motrën e tij 21-vjeçaren Artjola Sallahu, kanë goditur me mjete të forta shtetasit Agim Jaku, 65 vjeç dhe Vera Jaku, 60 vjeçe, prindërit e autorit të dyshuar të vrasjes së sotme gjatë një sherri për motive pronësie.

Si pasojë e këtij incidenti, 41-vjeçari Ylber Jaku ka vendosur të marrë hak vetëm një ditë më pas, duke qëlluar për vdekje 34-vjeçarin.

Trupi i pajetë i Ryshyt Sallahut u gjet brenda makinës së tij në fshatin Pla të Hasit.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë së Hasit dhe Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Kukës, raporton Euronewsalbania.

Si rezultat i reagimit të shpejtë, u bë arrestimi i menjëhershëm i autorit të dyshuar. Policia sekuestroi gjithashtu armën e zjarrit që dyshohet se u përdor në krim.

Konflikti për motive pronësie mes familjes Jaku dhe familjes Sallahu vijon prej më shumë se 10 vitesh, ndërsa familja Jaku ka bërë mbi 20 kallëzime ndër vite, duke kërkuar zgjidhje për këtë problematikë.

Me flamur serb dhe mbishkrim “Kosova dhe Metohija” – i mituri e pëson keq në Dragash

Një person i moshës së mitur nga komuniteti goran është shoqëruar pasditen e sotme në Stacionin Policor në Dragash.

Lajmi është konfirmuar nga komandanti i stacionit policor në këtë komunë, Shaqir Uka.

“Një person sot është shoqëruar në Stacionin Policor në Dragash, person i moshës së mitur, pasi që i njëjti ka pasur të veshur një bluzë me mbishkrimin ‘Dragash, Kosovo Metohija’ dhe një emblemë me flamurin serb”, ka deklaruar Uka.

I njëjti është shoqëruar në Stacion Policor për shkak  se ka kryer veprën penale ‘’Nxitje e urrejtjes’’.

Ai shtoi se pas përfundimit të procedurave fillestare, i mituri është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Termin “Metohija”, serbët gjithmonë e përdorin si ndajshtesë kur përmendin Kosovën, duke iu adresuar si “Kosova dhe Metohija”.

Përdorimi i këtij termi, jo rrallë, ka krijuar tensione verbale ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Laboratori për armë në veri,ky është i arrestuari

Sot janë bastisur tri lokacione në veri të vendit – dy në Mitrovicën e Veriut dhe një në Zveçan.

Në këtë aksion, si rezultat i një urdhër-kontrolli të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, është zbuluar një punishte e sofistikuar për modifikimin dhe prodhimin e armëve, ku janë sekuestruar sasi të mëdha armësh të paautorizuara, municione, pajisje për përpunim dhe pjesë për armë zjarri.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se H.L 67-vjeçar, i dyshuari kryesor dhe pronar i njërës nga hapësirat e bastisura. Ai është ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar: 11 armë të gjata, përfshirë modele të ndryshme të pushkëve dhe armëve sportive; 2 pistoleta, njëra e llojit Beretta; 20 bajoneta, 36 karikatorë, 320 gëzhoja, 61 fishekë gjuetie dhe 43 fishekë për pistoleta; 59 tyta armësh, 87 pjesë të tjera mekanike, dhe 27 pajisje për stampimin e numrave serikë; 3 torno industriale për përpunimin e armëve, që sipas hetuesve dyshohet se janë përdorur për modifikim dhe prodhim të armëve ilegale; Telefona, dokumente, fletore me shënime dhe një sasi të konsiderueshme pjesësh për ndërtim armësh.

Rasti është iniciuar për veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar Policia ka realizuar një operacion policor nga i cili është identifikuar një punëtori në të cilën janë modifikuar armë të llojeve të ndryshme.

Këtë ai e ka quajtur “terrorizëm i sponsorizuar nga Serbia”.

“Terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia si në rastet si ky sot, nuk kanë dhe nuk do të kenë më vend në Kosovë. Nuk do të ndalemi, në çdo cep të Republikës sonë”.

Nëse e njihni këtë person, lajmërone policinë
Policia e Kosovës po kërkon bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin e një të dyshuari për ngacmim seksual.

 

“Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në pamje. Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje veprën ngacmim seksual” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia lut qytetarët që për çdo informatë e cila mund të çojë në identifikimin e të dyshuarit të kontaktohet në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com.

VIDEO e personit te dyshuar

Autobusi godet dy fëmijë, Policia jep detajet

Një autobus që bartë nxënës ka goditur dy fëmijë në Novosellë të Pejës.

Lajmin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës.

“Rreth orës 17:50 ka ndodhur një aksident në Novosellë të Pejës, një bus që bartë nxënës i ka goditur dy fëmijë”.

“Të njëjtit janë jashtë rrezikut, lëndimet nuk janë serioze, janë në Spitalin Rajonal të Pejës duke u trajtuar”.

Dyshohet se vrau vajzën e tij, Gjykata jep vendimin për shtetasin turk

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me incialet  M.G., shtetas turk, i dyshuar për kryerjen e tri veprave penale.

Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj tij ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Paraburgimi do të zgjasë deri më 5 qershor 2025.