Zbulohen numrat se sa % duhet të fitojë VV nga mërgata për ta formuar vet Qeverinë e vetme

Është duke vazhduar numërimi i votave nga diaspora, ku sipas rezultateve të deritanishme Lëvizja Vetëvendosje është duke prirë me vota.

Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi ka bërë një analizë të rezultateve të deritanishme, duke treguar se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës, transmeton Telegrafi.

“Këtu i kemi të gjitha skenarët e ndikimit të votave të diasporës për LVV. Nga kjo shifet se sa mandate i fiton LVV nëse fiton 40%, 50%, 60%, 65%, 70% dhe 80%”, ka pohuar ai.

Muharremi ka shkruar tutje se modeli më i besueshëm mundet me qenë 60%-65%, dyjat rezultojnë me 48 mandate për LVV.

“Në këtë rast, PDK do i ketë 24 mandate, LDK 20; AAK-N 8 dhe Pakicat 20”.

Më tej, ai ka shkruar se si mund të jetë ndikimi i diasporës :LVV: Vota 40% Mandate 45, LVV: Vota 50% / Mandate 47, LVV: Vota 60% / Mandate 48, LVV: Vota 65% / Mandate 48, LVV: Vota 70% / Mandate 49, LVV: Vota 80% / Mandate 50.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga votimi që është bërë në përfaqësi diplomatike, deri tani LVV radhitet e para me 81.89%. E dyta, LDK me 7.21% dhe e treta PDK me 5.75%.

Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës po vazhdon.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit dhe Veselit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veselin, të cilët akuzohen për krime lufte.

Nëpërmjet dy vendimeve të ndara, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, më 13 shkurt 2025 ka konstatuar se për dy të pandehurit është arritur në përfundim se nuk ka mjaftueshëm informacione që justifikojnë gjetjet se ata mund të ikin nga drejtësia, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por, sipas panelit të gjyqtarëve, Thaçi dhe Veseli mund të pengojnë zhvillimin e procedurave të DhSK-së apo të kryejnë krime të tjera ndaj dëshmitarëve, apo edhe atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së.

ZPS-ja kishte parashtruar se mbajtja e Veselit dhe i Thaçit në paraburgim mbetet proporcional dhe i arsyeshëm, duke marrë parasysh edhe përparimin e procedurave.

“Në dritën e rrethanave të diskutura më sipër, dhe fakti që rreziqet e pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera vazhdojnë të ekzistojnë – asnjëra nga të cilat nuk mund të minohen mjaftueshëm me masat alternative të arsyeshme – Paneli gjen se ndalimi i z. Thaçi për një periudhë të mëtejshme dymujore është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethana të veçanta të këtij rasti”, thuhet në vendimin për Thaçin e ngjashëm edhe për Veselin.

Si rrjedhojë, ZPS-ja u urdhërua që parashtrimet e saj lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të kësaj mase ndaj dy të akuzuarve ta bëjë deri më 20 mars 2025 dhe përgjigjet në këtë parashtrim të bëhen sipas afateve të parashikuara me Rregullore.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Ndahet nga jeta mjeku i njohur

Dje është ndarë nga jeta mjeku nga Prizreni, Dr. Bajram Kryeziu, raporton Gazeta Sinjali.

Ai ka vdekur në moshën 57-vjeçare, derisa për shumë vite ka punuar si Specialist i Mjekësisë familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren.

Studimet për Mjekësi të Përgjithshme i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, gjithashtu edhe specializimin për mjekësi familjare.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët, ndërsa kanë reaguar edhe nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

“Oda e Mjekëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij”, shkruhet në postim.

Qeveria e Kosovës ndan 500 mijë euro për Gazën

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është miratuar ndarja e 500 mijë eurove për Gazën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se populli palestinez ka nevojë për mbështetje humanitare si pasojë e luftës që është zhvilluar nga tetori i vitit 2023.

Tutje, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ai ka bërë thirrje që armëpushimi aktual atje të shfrytëzohet për arritje të paqes së qëndrueshme.

“Konflikti në Gaza ka shkaktuar humbje të mëdha për popullin palestinez. Që të rindërtojmë vendin e tyre ata kanë nevojë për ndihmën e shteteve të tjera. Për këtë arsye MPJ ka kërkuar nga MF ndarjen e gjysmë milioni euro mbështetje për popullin palestinez. Qeveria bën thirrje që armëpushimi të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme”.

Kush janë ministrat e Qeverisë Kurti që u pasuruan më së shumti? (VIDEO)

Sikur të punonte për 6 vjet me radhë dhe nga ato të ardhura të mos e shpenzonte as edhe një cent, pasuria e një ministri në Kosovë do të rritej për më shumë se 100 mijë euro.

Logjikisht e pamundur, por praktikisht dikush ia doli.

Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për 4 vjet pasuria i është shtuar për 103 mijë e 544 euro, raporton KIKS Kosova.

Si udhëheqës i këtij dikasteri, Arben Vitia ka të hyra vjetore rreth 18 mijë euro dhe ky pasurim i tij për këto vite është i barabartë me sa do të fitonte ai nga paga si ministër për 5.7 vjet.

Nga 478 mijë e 258 euro sa kishte deklaruar në vitin 2020, pasuria e të parit të Shëndetësisë në vitin 2023 e kaloi gjysmë milionin.

E në raportin e fundit të publikuar në vitin 2024 nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Vitia rezulton se ka 581 mijë e 802 euro pasuri.

Vitia nuk është ministri i vetëm që ia pa hairin pushtetit. Një pasurim të dukshëm për kohën sa mbajti postin e ministrit e pati edhe Fikrim Damka.

Ministri i Zhvillimit Rajonal u pasurua për 80 mijë e 992 euro për 3 vjet.

Nga 229 mijë e 671 euro sa i deklaroi në vitin 2022, pasuria e Damkës shkoi në 310 mijë e 663 euro.

Jo kaq sa ai, por për një çerek, pasurinë e tij e shtoi edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Financierit të VV-së pasuria iu rrit për 20 mijë e 983 euro.

Nga 124 mijë e 177 euro sa i deklaroi në vitin 2020, Murati në 2024 pohoi se ka në posedim pasuri në vlerë të 145 mijë e 160 euro.

Për katër vjet në qeveri, u pasurua edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Sipas raportit krahasues të pasurisë, të publikuar nga Lëvizja FOL, Krasniqit nga viti 2020, iu shtuan 32 mijë e 841 euro në pasurinë e tij.

Nga 288 mijë e 42 euro sa deklaroi në vitin 2020, në fund të mandatit, pasuria e këtij ministri arriti në 320 mijë e 883 euro, raporton KIKS Kosova.

Jo më pak fatlum qëlloi të ishte edhe numri një i Ministrisë së Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sa qëndroi në krye të MKRS-së, sipas të dhënave të publikuar nga FOL, Çeku u pasurua për 23 mijë e 810 euro.

Në vitin 2020, Çeku deklaroi se posedon një pasuri në vlerë të 225 mijë e 288 eurove, e cila në regjistrin e fundit të pasurisë doli se ka shkuar në 249 mijë e 98 euro.

E rritje të pasurisë në pushtet pati edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Nga emërimi si ministër e deri më sot, atij pasuri i është rritur për gati 4 për qind, apo 17 mijë e 513 euro.

Derisa në vitin 2021, Peci deklaroi se ka në posedim pasuri në vlerë të 423 mijë e 999 eurove. Tash, nëse partia e tij nuk e formon qeverinë e re, ai do të largohet nga posti i ministrit me 441 mijë e 512 euro në thesar.

Nëse jo në zhvillimin industrial të Kosovës, një bilanc pozitiv e arriti ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, prej që erdhi në pushtet.

Ky bilanc shënon rritjen e pasurisë së saj për 26.43 për qind.

Sipas Lëvizjes FOL, e cila ka bërë monitorimin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve shtetërore, nga viti 2020, Rozeta Hajdari ia shtoi pasurisë së saj gati 22 mijë euro.

Kur e deklaroi pasurinë për herë të parë, ajo kishte në pronësi 61 mijë e 136 euro. Kjo pasuri në 2024-ën arriti në 83 mijë e 94 euro.

Edhe pse kabinetit qeveritar iu bashkua i fundit, pasuria iu shtua edhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ministri i FSK-së ka në posedim pasuri në vlerë të 110 mijë e 442 euro.

Nga dy herë sa e deklaroi pasurinë, Ejup Maqedonci në 2024-ën pati rreth 3 mijë euro më shumë se në vitin 2023, kur kishte deklaruar 107 mijë e 572 euro pasuri. /Klankosova.tv

https://youtube.com/watch?v=i0TT3jKzvxo%3Ffeature%3Doembed
Nëse i njihni këta persona, lajmërojeni menjëherë policinë

Policia e Kosovës i ka shpallur në kërkim disa të rinjë, të dyshuar për vjedhje të rënda.

 

 

 

Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, me autorizim nga Prokuroria Kompetente, ka shpallur një kërkesë për ndihmë nga qytetarët në identifikimin dhe ndalimin e tyre, si të dyshuar për krime të rënda, grabitje dhe vjedhje.

Policia ka publikuar fotografitë e të dyshuarve dhe kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që mund të kenë informacion të vlefshëm për ta, transmeton IndeksOnline.

Çdo informacion që mund të çojë në identifikimin apo kapjen e këtyre individëve është i rëndësishëm dhe do të kontribuoni në ndihmën e drejtësisë.

 

 

Nëse keni informacion, mund të kontaktoni Policinë e Kosovës në numrin e urgjencës 192. Informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. Bashkëpunimi i juaj është thelbësor për një Prishtinë më të sigurt.

E quajti ‘gjeneral të vetëshpallur’, Haradinaj i përgjigjet Donika Gërvallës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar me ashpërsi ndaj deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, e cila në një tubim në Deçan i referohet disa figurave si “gjeneralë të vetëshpallur”.

Haradinaj, duke folur për KP, theksoi se gradën e tij e ka marrë nga NATO dhe që ajo iu dha nga një oficer gjerman, Klaus, në vendin ku është rritur Gërvalla.

“Ua kam hequr maskat edhe tash po iu prishën matematikat, po shohin se nuk e kanë punën mirë. Kuptohet, jam bërë nervoz, por detyra ime është kjo, unë jam opozitar, ka qenë detyra ime me iu hequr maskat – me ia qit ashtu si janë dhe po e shihni se çfarë janë. Hero janë dëshmorët e ata, për gjeneral, gradën e dytë e kam pikërisht prej NATO-s dhe atë prej një oficeri gjerman, atje ku është rritur kjo zonja, gjeneralit Klaus, ma ka dhënë me dorën e vet”, deklaroi Haradinaj.

Reagime kundër deklaratave të Gërvallës erdhën edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në një deklaratë, organizata i bëri thirrje që të ndalen me fyerjet dhe veprimet keqdashëse kundër luftës çlirimtare dhe pjesëmarrësve të UÇK-së.

“Sepse një ditë, jo të largët, vet populli do t’u pështyjë surratin e do t’u hedh në kosha plehrash”, u theksua në deklaratë.

Më herët, gjatë një tubimi në Deçan, ministrja Gërvalla kishte thënë se Kosova nuk do të hyjë në NATO as me “gjeneralë të vetëshpallur” e as me një buxhet prej katër milionë euro në vit për ushtri, siç ishte rasti më parë./

Brohoritje ‘Zdravo’, ‘Albin hajni’ dhe mjete piroteknike gjatë tubimit të Kurtit në Skenderaj

Lëvizja Vetëvendosje po mbante një tubim zgjedhor në Skenderaj, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Megjithatë, gjatë përpjekjeve të kryeministrit Albin Kurti për të hyrë në sallën ku do të mbahej tubimi, u hodhën fishekzjarre dhe mjete piroteknike në drejtim të tij.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjetin social Facebook, mbrojtja e afërt e kryeministrit ka reaguar menjëherë, duke e mbuluar Kurtin dhe deputetët e tjerë të Vetëvendosjes me çadra për të siguruar sigurinë e tyre.

Nuk ka raporte për lëndime, por incidenti ka shkaktuar tension në vendndodhjen e tubimit.

Pamje, Skenderaj

Ndërkohë, para pak minutash, në afërsi të vendit ku po mbahej tubimi, janë dëgjuar dhjetëra simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) duke brohoritur “Na jena PDK, Thaçi – Thaçi” dhe “Albin hajni”.

Gjithashtu, janë dëgjuar edhe thirrjet “Zdravo”, të cilat lidhen me audio-incizimin e fundit të shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, me Milan Radoiçiq, një ngjarje që ka shkaktuar polemika të mëdha.

Lidhur me rastin ka reaguar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Disa qyqanë të orkestruar nga partia paskan tentu me e pengu tubimin e Vetëvendosjes në Skenderaj. Për çudi, komuna paralele e Serbisë atje nuk ju bënte fort përshtypje.
Harroni që na ndalni. Po thyejm bastione një nga një, cep më cep. Dje në Deçan, sot në Drenicë, e çdo ditë deri në 500 mijë zemrat e 9 shkurtit. Politika primitive nuk kalon”, shkroi Çeku.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po përcjellin me kujdes situatën./Telegrafi/

Përgjigja dyshuese e Naim Murselit kur u pyet për shtëpinë dhe gjendjen e tij financiare

Nën masa të rrepta sigurie, para trupit  gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dalë Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj më 29 nëntor 2023.

Gjyqtarja fillimisht ka pyetur për të dhënat personale, Naim Murselin.

Gjyqtarja, Fatmire Dërmaku: Ku banoni?

Naim Murseli: Suedi, dhe Chelsey Point.

Gjykatësja: A keni numer të shtëpisë (në Prishtinë)?

Naim Murseli: Nuk më kujtohet…

Gjykatësja: Çka keni të kryer nga shkolla?

Naim Murseli: Kam të kryer shkollën e mesme.

Gjykatësja: Gjendja ekonomike: E dobët e mesme e mirë.

Naim Muresli: E mesme …

Ndryshe, seanca u shty për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, avokati Ndrecë Dodaj, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Tom Dodaj, avokati Agron Kuçi deklaruan se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës

Gruaja që vdiq në aksidentin e mbrëmshëm ishte mësuese

E diela ishte e kobshme për familjen Gashi. Aksidenti tragjik në fshatin Çubrel, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, ka marrë jetën e tre anëtarëve të familjes, Zarife Gashi, Agim Gashi dhe Gyltene Potoku-Gashi, raporton Gazeta Sinjali.

E ndjera Gyltenja, ishte mësuese për shumë vite dhe punonte në një çerdhe në Komunën e Pejës.

 

 

Ky rast tronditi gjithë vendin, ndërsa familjarët e viktimave kanë ndarë dhimbjen e tyre të thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Nga aksidenti mbetën të lënduar edhe pesë persona, katër prej tyre zyrtarë policorë.