Sot varroset 15 vjeçarja që humbi jetën tragjikisht mbrëmë, familja jep njoftimin

Dje më 27 prill 2025, në moshën 15-vjeçare, ka ndërruar jetë Rahime (Mentor) Geci.

Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, më 28 prill 2025, në orën 15:00, në varrezat e lagjes Geci në Llaushë të Skenderajt.

Familja Geci ka shpreh pikëllimin e thellë për humbjen e më të dashurës së tyre.

Zbulohet “misteri” i flamurit që u vendos tek “Rrethi me Flamur” në Prishtinë

Instituti ‘Friedrich Ebert Stiftung’ ka bërë të ditur se flamuri i vendosur tek rrethi kryesor i Prishtinës, i njohur si “Rrethi me Flamur”, simbolizon jelekun e punës së punëtorëve.

Nga ky institut bëjnë të ditur se flamuri kombëtar është zëvendësuar me këtë flamur në nder të Ditës Botërore të Përkujtimit të Punëtorëve, shkruan Insajderi.

SHIH EDHE:

Sot, në Ditën Botërore të Përkujtimit të Punëtorëve (28 Prill), në qendër të Prishtinës, zëvendësuam Flamurin Kombëtar me një jelek pune.

Ky jelek është një simbol universal i të gjithë punëtorëve: të ndërtimit, policëve, punëtorëve të rrugëve, dhe shumë të tjerëve. Me këtë akt, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që kanë humbur jetën në vendin e punës dhe në kushte të rënda pune.

Instalacioni është një thirrje për reflektim dhe për të menduar për sigurinë, jetën dhe dinjitetin e çdo punëtori”, thuhet në postimin e institutit.

Tragjike: Ky është i riu që humbi jetën në vetaksidentin tragjik në Gjakovë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Gjakovën.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se personi që nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda si pasojë e vetaksidentit tragjik që ndodhi në fshatin Vogovë të Gjakovës është i ri nga fshati Krum i Shqipërisë, Musli Pavdeja.

Sipas burimeve, aksidenti ndodhi rreth orës 02:00, kur automjeti me targa shqiptare, ku ndodheshin tre persona, doli nga rruga dhe përfundoi në ujë, pasi goditi anësoret prej betoni të urës në fshatin Vogovë.

Si pasojë e përplasjes së fuqishme, një nga të rinjtë humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerët u dërguan me lëndime të rënda në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Njësitë policore dhe ekipet e emergjencës kanë reaguar me shpejtësi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti fatal janë duke vazhduar.

Raportohet se qeveria serbe ka tërhequr ligjet e ndërlidhura me Kosovën

Ndonëse se u miratuan nga qeveria e mëparshme e Serbisë tetorin e kaluar, dy projektligje që kishin të bënin me Kosovën raportohet se janë tërhequr në heshtje nga procedura parlamentare – së bashku me 41 akte të tjera ligjore – nga qeveria e sapoemëruar e udhëhequr nga kryeministri Gjuro Macut.

Projektligjet e tërhequra synonin ta përcaktonin Kosovën si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale dhe të krijonin një organ gjyqësor për të ndjekur penalisht ata që shkelin të drejtat e serbëve të Kosovës, përfshirë vetë serbët, siç u njoftua nga presidenti Alleksandar Vuçiq shtatorin e kaluar mes një krize të re politike në veri të Kosovës pas mbylljes së institucioneve serbe në zonë, raporton “Kossev”, transmeton Klankosova.tv.

Edhe pse qeveria e mëparshme i formalizoi propozimet dhe ia paraqiti ato parlamentit më 29 tetor 2024, kabineti i ri informoi Asamblenë Kombëtare më 17 prill – vetëm një ditë pasi u betua – se do të tërhiqte të gjitha legjislacionet e pezulluara të paraqitura nga paraardhësi i saj.

“KoSSev” siguroi një dokument që rendiste 43 aktet e tërhequra. Midis tyre ishin dy projektligjet që lidheshin me Kosovën, të titulluara zyrtarisht: “Ligji për Organizimin dhe Juridiksionin e Autoriteteve Gjyqësore për Ndjekjen Penale të Kryera në Territorin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, dhe “Ligji për Shpalljen e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë si Zonë e Mbrojtjes së Veçantë Sociale”.

Presidenti serb Vuçiq u zotua në atë kohë se me ligjet në fjalë do të mbronte serbët në Kosovë pas tensioneve në rritje. /Klankosova.tv

Personi që vdiq në aksidentin në Suharekë është mik i Anton Qunit, ky bën një postim prekës

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rrugën ndërmjet fshatrave Shirokë dhe Sopij të komunës së Suharekës, ku si pasojë e një vetaksidenti ka humbur jetën një person, shkruan Insajderi.

Personi që humbi jetën është Enver Kolgeci, mik i Anton Qunit.

Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person
Quni ka reaguar në “Facebook”, duke e vlerësuar lart personalitetin e të ndjerit.

“Lamtumirë Enver Kolgeci Miku im Enver, ike herët duke m’i lënë vetëm kujtimet. Do të të kujtoj me të gjitha ato vlera njerëzore; i drejtë e i sinqertë, këmbëngulës, gazmorë e i fjalës. Ishe shembull se si me modesti ju gëzoje fitoreve e sa me dinjitet i përballoje humbjet dhe dhimbjet. Jam krenar që të njoha dhe të kisha mik të veçantë!Pushofsh në paqe!“, shkroi ai.

Shqetësuese për qytetarët: Rritet çmimi i bukës

Ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë, çmimi i bukës në Gjakovë ka shënuar ngritje.

Nga sot (e premte), qytetarët do të paguajnë deri 0.70 euro për bukën, në vend të 0.50 eurove sa ishte më parë.

Kryetari i Shoqatës së Furrtarëve në Gjakovë, Genc Fetahu, tha se kjo rritje ishte e pashmangshme, për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë që përdoren për përgatitjen e bukës.

“Çmimi i miellit, energjisë elektrike, punës, tatimeve – të gjitha janë rritur ndjeshëm. Nuk kishim si ta shmangnim rritjen e çmimit të bukës. Nëse nuk e rrisnim, do të punonim me humbje”, deklaroi Fetahu për televizionin lokal Tv Syri Vizion.

Ai theksoi se furrtarët janë përballur me rritje të dyfishtë të çmimeve të furnizimeve, ndërsa shtoi se vendimi për çmimin e ri është marrë në koordinim me të gjithë furrtarët e komunës.

Reagime të përziera nga qytetarët

Rritja e çmimit të bukës ka shkaktuar reagime të shumta në mesin e qytetarëve të Gjakovës. Shumë prej tyre janë të shqetësuar, duke theksuar se kostoja e jetesës po rritet përditë, ndërsa të ardhurat mbeten të njëjta.

“Rritja e çmimit të bukës, së bashku me rritjen e rrymës, po ndikon në të gjitha produktet. Po bëhet gjithnjë e më vështirë për ne”, tha një qytetar.

Një tjetër qytetar vlerësoi situatën më ndryshe, duke thënë se edhe furrtarët nuk kanë faj, pasi janë prekur nga të njëjtat rritje të çmimeve. Ai vuri në dukje edhe problemin e shpërdorimit të bukës nga qytetarët.

“Na nuk ia dimë vlerën bukës. E gjen në kontejnerë. Rritja po godet më së shumti pensionistët e familjet në asistencë sociale”.

Qytetarët shpresojnë që rritja e çmimit të bukës të mos pasohet me rritje të tjera të produkteve bazike, pasi kjo do të rëndonte edhe më shumë shportën familjare të konsumatorëve në Gjakovë dhe më gjerë.

28-vjeçari nga Kosova vdes aksidentalisht në Zvicër, sot iu dha lamtumira e fundit

Një 28-vjeçar nga Kosova, Fluturim Rexha, që jetonte dhe vepronte në Zvicër, ka vdekur tragjikisht në një kantier ndërtimi.

Sipas medieve zvicerane dhe familjarëve të të ndjerit, i njëjti vdiq në një kantier të madh ndërtimi në Schlieren të Kantonit të Cyrihut të mërkurën.

Ndërsa Rexha është varrosur në fshatin e tij në Dobrosh të Gjakovës, transmeton Klankosova.tv.

Për varrimin e Rexhës ka shkruar ish-deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila tha se Rexha ishte nxënës shembullor dhe me kulturë të lartë.

“Sot me nderimet më të larta, me pikëlim të madh i dham lamtumirën e fundit bashkëvendasit tonë të shkëlqyeshëm, ish nxënësit tonë shembullor që kurdo rrezatoi dashuri dhe kulturë të lartë njerëzore dhe qytetare, Fluturim (Ramiz) Rexha”, shkroi ajo.

Duda Balje kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim nga Sadri Ramabaja

Deputetja Duda Balje ka paditur për shpifje analistin Sadri Ramabaja për deklaratën e tij se kishte informacione që Balje ishte “takuar me Milan Radoiçiq më 28 shkurt”.

Balje tha se sot dorëzoi padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe tha se shpreson se më këtë do t’i ruhet imazhi “i cenuar” nga Ramabaja.

“Siç kam paralajmëruar para dy javësh përmes profileve të mia në rrjete sociale, kam angazhuar përfaqësuesin tim të autorizuar Avokat Fanol Krasniqi të ngre padi për shpifje ndaj z. Sadri Ramabaja, lidhur me deklarimet e tij ndaj meje në emisionin “Debat Plus” në RTV “Dukagjini”, transmetuar më 7 prill 2025, deklarime këto që përbëjnë shpifje. Sot, më 25 prill 2025, kemi dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Shpresojmë që kjo padi të ndikojë sadopak në përmirësimin dhe ruajtjen e imazhit tim, i cili është cenuar nga deklarimet e tani të paditurit Ramabaja”.

Ajo kërkoi përmbajtje në deklarime që dëmtojnë të tjerët.

“Lutemi që të gjithë qytetarët të përmbahen nga deklarime, posaçërisht deklarimet publike me të cilat mund të shqetësojnë apo dëmtojnë të tjerët sikur në rastin tim. Për mua personalisht kanë vlerë mendimet e gjithsecilit, dhe të gjitha mundohem t’i vlerësojë në kuadër të kapaciteteve të mia, natyrisht, përveç atyre që përmbajnë të pavërteta, janë të dëmshme apo janë dashakeqe. Deklarimet e tilla me përmbajtje propagandistitke kanë pasur ndikim që unë dhe familja ime të ndihemi të shqetësuar!”.

Më herët këtë muaj Ramabaja tha se ka informacione se Balje ka pasë kontakt me Milan Radoiçiqin – ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte deklaruar se ishte organizator i sulmit të armatosur në Banjskë.

“Unë e kam pasë informacionin se ajo është takuar me Radoiçiqin më 28 shkurt, ose ka pasë telefonatë”, kishte thënë ai.

Thaçi deklarohet i pafajshëm për formën e re të përgjegjësisë që iu shtua në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Hashim Thaçi ka deklaruar se është i pafajshëm për formën e re të përgjegjësisë për ‘nxitje’, e cila iu shtua pas një vendimi të Apelit në rastin e tij kundër administratës së drejtësisë. Në këtë rast, ai është i akuzuar së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

Deklaratën e tij, Thaçi e ka dorëzuar me shkrim përmes mbrojtjes më 24 prill 2025.

“Në përputhje me Rregullën 92 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, deklarata me shkrim e z. Thaçi për mospranim të fajësisë për secilën pikë dhe akuzë në Aktakuzën e Rikonfirmuar të ndryshuar, përfshirë edhe formën shtesë të nxitjes për Pikat 1 deri në 3, është e bashkangjitur me këto parashtresa”, thuhet në njoftimin e mbrojtjes së Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konformimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që bie në bazë të nenit 32 (3) të KPRK-së që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, në bazë të nenit 401 (3) dhe (5) të KPK-së.

Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilat, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, ku është shtuar një formë e përgjegjësisë penale ndaj Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë..

Nga katër pika të ankesës së ZPS-së, u pranua vetëm ajo që kishte të bënte me përgjegjësinë e Thaçit për nxitjen e Kilajt, Smakajt dhe Fazliut për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Paneli i Apelit ka marrë vendim që një nga katër pikat që kishte ngritur ZPS-ja kundër vendimit për konfirmimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, ta pranojë lidhur me përgjegjësinë penale të Thaçit për ‘nxitje’ në kryerjen e veprës penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Pika e katërt e ankesës së ZPS-së, kishte të bënte me kundërshtimin e konstatimit të gjyqtares që neni 32 (3) i KPRK-së nuk zbatohet për veprën e “Pengim i personave zyrtarë” sipas nenit 401 (3) dhe (5) të KPRK-së.

Sipas ZPS-së, gjyqtarja ka gabuar kur ka konstatuar se për shkak se neni 401 (3) dhe (5) të KPRK-së nuk parashikon dënim deri në pesë vjet burgim, për rrjedhojë neni 32 (1) nuk është i zbatueshëm pasi sipas saj kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra që janë të dënueshme më pak se pesë vjet.

Sipas ZPS-së, gjykatësi i procedurës paraprake ka gabuar duke konstatuar se, për shkak se neni 401 (3) dhe (5) i KPK-së parashikon dënim nga një deri në pesë vjet burgim, neni 32 (3) nuk ishte i zbatueshëm, pasi kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra të dënueshme me të paktën pesë vjet burgim. Mbrojtja e Thaçit kishte thënë se gjyqtarja e ka interpretuar saktë këtë nen.

Neni 32 (3 ) i KPRK-së për “Shtytje” thotë se “Kushdo që me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim dhe vepra penale as që është tentuar, shtytësi dënohet për tentativë”.

Sipas Panelit, gjyqtarja kishte konstatuar se vepra që bie në nenin 401 (3) të KPRK-së është e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet burgim, prandaj e përjashtoi përgjegjësinë e Thaçit sipas nenit 32 (3) të KPRK-së për pikën 1, 4 dhe 4 të aktakuzës.

Veç kësaj, paneli kishte thënë se ka mospajtime për interpretimin e këtij neni pasi sipas tyre, panele më të ulëta kanë interpretuar që ky nen është i zbatueshëm për veprat penale të dënueshme mbi pesë vjet dhe disa për ato të dënueshme nën 5 vjet.

Në vendim thuhet se me shumicë votash, Paneli ka rënë dakord me ZPS-në, duke thënë se neni 32 (3) duhet të zbatohet për vepra që përfshijnë ose edhe i tejkalojnë pesë vite burgim.

“Si rezultat, Paneli konstaton, me shumicë votash, se duke qenë se vepra e pengimit të personave zyrtarë është e dënueshme në format e saj të rënduara me burgim nga një (1) deri në pesë (5) vjet, forma e tretë e nxitjes sipas nenit 32(3) të KPK-së është e zbatueshme në këtë rast”, thuhet në vendim.

Si rrjedhojë, ata e konsideruan gabim konstatimin e gjyqtares së ky nen nuk ishte i zbatueshëm për veprën “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”. Kështu që paneli, pranoi pikën katër të ankesës së ZPS-së.

“Duke qenë se konstatimi për ekzistencën e një dyshimi të bazuar mirë se Thaçi i ka nxitur Fazliun, Smakajn dhe Kilajn për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë përfshin një vlerësim faktik të provave, çështja i kthehet Gjykatësit të Procedurës Paraprake për shqyrtim të mëtejshëm”, thuhet tutje në vendim.

Ndryshe, në këtë rast Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt me 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës

Lekaj për Kurtin: Nuk ka lënë gjë pa sharë, nuk ka lënë figurë politike pa fyer

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë kritik ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për situatën në të cilën është vendi për mos konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Në emisionin DPT Fidani, Lekaj është shprehur se Kurti do të duhej të sillej më mirë me partitë e tjera politike që t’i ketë votat, për t’u votuar propozimi për kryetare të parlamentit që është Albulena Haxhiu.

I njëjti shtoi se Kurti ka fyer kryetarët e partive të tjera politike.

“Këtë shkollën e fyerjeve e ka sjellë vet Z.Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka lënë gjë pa sharë, nuk ka lënë gjë pa fyer, nuk ka lënë figurë politike apo kryetarë të subjekteve politike pa i fyer këto katër vite”.

“Dhe ajo çfarë ka ndodhur? Është dashtë ne të mendojmë të gjitha subjektet politike pa përjashtim se do të vijë një ditë që duhet të ketë bashkëpunim”, ka thënë Lekaj