Haliti: PDK më penalizoi kur e votova Glaukun për kryeparlamentar, tash po e lypin

Ish-nënkryetari i Kuvendit nga PDK, Xhavit Haliti duke folur për kushtëzimet që po i bëjnë partitë opozitare për emrin e kryetarit të Kuvendit të propozuar nga LVV-ja, ka thënë se nuk mund të jep emra të përveçëm.

Por, ai ka kujtuar se ishte penalizuar nga partia e tij, që kishte votuar Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit.

Haliti thotë se të njëjtin tash po e kërkojnë për kandidat për kryeparlamentar.

“Në zgjedhjet e kaluara, unë jam penalizu nga PDK- ja , pse e kam votuar Glauk Konjufcën. Kam pas një deklarim publik lidhur me këtë. Tash këta pe lypin Glaukun. Dil Glauk se ty të votojmë, ndoshta ka qenë e i mirë….Por emra të përveçëm nuk dua me përmend, sepse i takon LVV-së”, ka thënë Haliti në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Kryetari i PDK, Memli Krasniqi të mërkurën pas dështimit të seancës konstituive ka thënë se partia e tij do ta votonte “një kandidate ose kandidat që nuk ka histori të përçarjes”.
Por, Haliti ka thënë se nuk beson se LVV do të ndryshojë kandidaten e tyre.

“Aq sa e njohë këtë parti në mënyrën se qysh ka funksionu dhe si funksion, në qoftë se duhet t’i themi hiqe Albulenën, ata e qesin. Nëse ka marrëveshje mos me qenë Albulena, mund të mos jetë.

Por me deklarata publike nuk e heqin dhe unë po besoj që nuk kanë me heq”, tha ai.

Publikohet video e momentit kur grupi terrorist serb fillon sulmet në Banjskë – PAMJE

Janë publikuar për herë të parë pamje ekskluzive nga ndërhyrja e Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë gjatë sulmit terrorist në Banjskë, ku ky njësi ishte forca e parë që reagoi ndaj grupit të armatosur serb.

Pamjet tregojnë momentet e para të mbërritjes së autoblindës së njësisë speciale në zonë, përballë një grupi prej mbi 100 terroristësh serbë të pozicionuar në fshatin Banjskë.

Reagimi i Drejtorisë së Njësive për Ndërhyrje të Shpejtë nuk u ndal vetëm me pozicionimin fillestar.

Përkundrazi, njësia vazhdoi shkëmbimin e armëve me grupin e armatosur në mënyrë të organizuar dhe profesionale, për rreth pesë orë pa ndërprerje – që nga orët e para të mëngjesit deri në zbardhje të ditës.

Pamjet e publikuara dëshmojnë përballjen e afërt me terroristët, ku luftimet janë zhvilluar nga një distancë prej vetëm disa metrash, duke vënë në pah përkushtimin dhe vendosmërinë e pjesëtarëve të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë në garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së territorit të Republikës së Kosovës.

Avokati i të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika: Klienti im deri në tre të mëngjesit ka qenë më të fejuarën

Musa Kongjeli, avokati i ish-pjesëtarit të FSK-së, Rilind Murati, ka deklaruar se klienti i tij nuk është i përfshirë në vrasjen e policit, Muhamed Lika me 1 prill 2025.

Avokati pas përfundimit të seancës gjyqësore tha se Murati është deklaruar i pafajshëm nga aktakuza.

“Duke u bazuar në ato provat që deri tani i kemi, konsideroj që klienti im nuk është i përfshirë fare në këtë vepër penale, mirëpo prokuroria pretendon që ai ka qenë një nder anëtarët e grupit”, tha avokati .

Tutje, ai tha se në atë orë Murati ishte me të fejuarën e tij.

“Klienti im thotë se prej orës 10:00 të mbrëmjes deri në tre të mëngjesit ka qenë më të fejuarën e tij. Ne e kemi kërkuar masën e arrestit shtëpiak” shtoi tutje ai.

Parashikimi i motit për nesër

Mëngjesi i së mërkurës fillon me intervale me diell, e përgjatë luginave të lumenjëve mund të formohen shkurtimisht kushte për mjegull. Nga mesdita zhvillohen vransira, që pasdite shoqërohen me rrebeshe shiu e bubullima. Duke shkuar orëve të mbrëmjes rrebeshet mund të përhapen më shumë në vend. Frynë erë verilindore e lehtë dhe mesatare 2-5m/s.

Në raste të zhvillimit të ndonjë stuhie mund të frynë me hove deri në 15m/s. Temperaturat maksimale shkojnë deri në 20C e 23C, derisa minimalet zbresin në 8C e 12C.

Kryesisht mot i paqëndrueshëm dhe i ndryshueshëm do të vazhdoj së paku deri në fundjavë. Do të ketë vransira, intervale me diell, si dhe rrebeshe më të shpesha me shi, e kryesisht orëve të pasdites të shoqëruara me bubullima. Temperaturat maksimale shkojnë deri në 18C e 20C, e në fundjavë pritet të zbresin në 17C e 16C. Minimalet zbresin në 8C e 10C. Frynë erë kryesisht juglindore e jugore 2-7m/s, e nga fundjava frynë erë veriore, të dielen me hove deri në 13m/s./Mendimi për motin

Ndërron jetë profesori i njohur universitar

Fakulteti i Edukimit dhe Sportit ka njoftuar sot vdekjen e profesorit Aziz Dujaka.

“Të nderuar profesorë, studentë, staf administrativ dhe të gjithë ju që jemi bashkë në shtëpinë tonë të përbashkët – Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit,
Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot, më 22 prill 2025, është ndarë nga jeta profesori Aziz Dujaka.

Në emër të menaxhmentit, të studentëve dhe të tërë stafit akademik e administrativ, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta Familjes Dujaka. Humbja e profesorit Dujaka është një dhimbje e madhe për të gjithë ne që patëm fatin ta njihnim dhe të bashkëpunonim me të.
Ngushëllime të përzemërta dhe kujtim i përjetshëm për të.
Për detajet e ceremonisë së varrimit do të njoftoheni me kohë” thuhet në njoftim.

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Prishtinës

Ka ndërruar jetë akademiku dhe ish-kryetari i parë i Prishtinës pas luftës, Salih Gashi, një figurë e njohur e jetës akademike dhe politike në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, i cili përmes një postimi ka shprehur ngushëllime dhe ka theksuar rëndësinë e kontributit të Gashit në ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin e kryeqytetit në një periudhë të vështirë.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Salih Gashi – kryetarit të parë të Prishtinës pas luftës nga radhët e LDK-së dhe profesor i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Rama, duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët, komunitetin akademik dhe gjithë qytetarët e Prishtinës.

Efekti i shtrenjtimit të rrymës, kafeja në Kosovë pritet të bëhet…

Pas vendimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për rreth 16 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, po paralajmërohet edhe ngritja e çmimit të produkteve ushqimore. Por jo vetëm.

Pas këtij vendimi të ZRRE-së, po paralajmërohet edhe ngritja e çmimit të kafes nëpër kafiteri.

Naim Llapashtica, menaxher i një kafiterie ka thënë se nga 1 maji, çmimi i kafesë pritet të rritet prej 1 euro në 1euro e 50 cent.

“Nuk është hera e parë që po shtrenjtohet rryma me këtë qeveri edhe qetash bajagi është një tarifë koxha e naltë. Tek ne bizneset ka me ndiku ma shume ka mundësi që disa edhe do të shuhen se nuk munden me përballu. Rritja e çmimit të energjisë sigurisht që do të reflektoj edhe në rritjen e çmimeve të mënyve tona. Psh, kafeja nga 1euro tek ne do të shtrenjtohet në 1.50 cent”., tha për rtv21 Naim Llapashtica, menaxher i një kafiterie.

Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike është duke u kundërshtuar në masë të madhe tash e pothuajse tre muaj nga qytetarët, bizneset, organizata joqeveritare si dhe nga vet presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Madje në shenjë pakënaqësie u organizuan edhe tri protesta, të cilat po vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër.

Kërkesa për shtrenjtimin e energjisë elektrike fillimisht kishte nisur nga muaji shkurt, prej kur kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me rrymë KOST, KEDS dhe KESCO dërguan në Zyrën e Rregullatorit për Energji një kërkesë për ndryshim të tarifave. Kjo gjë nisi të bëhej edhe më serioze kur kjo e fundit vlerësoi këtë kërkesë dhe tha se parashikon një rritje mesatare të tarifave për rreth 16%.

Largohet nga Policia e Kosovës polici që shërbeu në Veri

Polici nga Gjakova, Fatlind Syla, ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës pas një karriere të gjatë dhe sfiduese, përfshirë shërbimin në pjesën veriore të vendit.

Përmes një postimi emocional, Syla ka ndarë lajmin e largimit duke falënderuar kolegët dhe eprorët për bashkëpunimin ndër vite. Ai e cilëson shërbimin në uniformë si një privilegj dhe nder.

“Pas një periudhe të rëndësishme dhe me shumë përvojë në Policinë e Kosovës, kam marrë vendimin që të dorëhiqem vullnetarisht nga kjo detyrë,” shkruan ai në mesazhin e tij lamtumirës.

Syla thekson se ndonëse rrugët ndahen profesionalisht, respekti dhe kujtimet me kolegët do të mbesin të paharruara.

Largimi i tij vjen në një kohë kur shërbimi policor në Veri mbetet një nga sfidat më të ndjeshme për institucionet e sigurisë në vend.

Ky dyshohët të jetë motivi i vra’sjes së rreshterit të Policisë

Rreshteri dyshohet se u vra për shkak të detyrës – po hetonte një grup me elemente ekstremiste fetare

Prokuroria Themelore në Ferizaj raportoi se motivi i vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës dyshohet të jetë i lidhur me detyrën e tij zyrtare.

Hetimet paraprake tregojnë se viktima kishte qenë duke mbledhur informacione për një grup të njohur si “Vëllazëria Myslimane”, i cili, sipas burimeve hetimore, dyshohet se përfshin elemente ekstremiste fetare.

Sipas grupit hetimor të rastit, për shkak të kësaj veprimtarie zyrtare, dyshohet se rreshteri është vrarë, megjithëse autoritetet theksojnë se është ende herët për të konfirmuar përfundimisht motivin.

“Ndoshta është herët me fol për rrethanat dhe motivin, por deri më tani, për këtë motiv dyshohet”, theksoi një burim i Sinjalit në Prokurori, që po merret me rastin.

Analisti Muharremi: VV nuk po e pranon realitetin e 9 shkurtit

Analisti Shenoll Muharremi,  ka thënë se kjo Vetëvendosje nuk po e pranon realitetin e 9 shkurtit dhe se nuk po adaptohet me realitetin e ri politik. Sipas tij VV po vazhdon t’i përdorë taktikat e zvarritjes, duke bllokuar kështu formimin e institucioneve.

“Kjo është kur LVV nuk e pranon realitetin e krijuar pas 9 shkurtit. Kurti kërkoj 500k vota, ‘o krejt, o asgjë’ por me gjasë fitoj asgjë, sipas strategjisë së tij. Tash nuk po adaptohet me realitetin e ri politik ku nuk i ka votat për një shumicë parlamentare. Kështu po vazhdon me përdorë taktika të zvarritjes dhe po bllokohet formimi i institucioneve dhe qeverisë”, ka shkruar Muharremi.

Postimi i plotë:

Koha nuk po punon më për LVV

Sot i kemi parë tri fytyrat të LVV-së:

-Konjufca: Duhet dialog politik

-Murati: Opozita po bllokon

-Kusari: Shkojmë në zgjedhje

Kjo është kur LVV nuk e pranon realitetin e krijuar pas 9 shkurtit. Kurti kërkoj 500k vota, ‘o krejt, o asgjë’ por me gjasë fitoj asgjë, sipas strategjisë së tij. Tash nuk po adaptohet me realitetin e ri politik ku nuk i ka votat për një shumicë parlamentare. Kështu po vazhdon me përdorë taktika të zvarritjes dhe po bllokohet formimi i institucioneve dhe qeverisë.

Problemi i LVV-së është se koha nuk po punon më për ta. Bashkëpunimi me parti tjera nënkupton kompromis për pozitë ne kryeminisrit. E zgjedhjet e reja nënkupton që LVV është në trendin e rënies dhe mund të ulet deri në 30% pas krizës me rritje të rrymës herën e tretë dhe krijimin e një vale të re të inflaconit.

Metëvërtetë sa më shumë kohë kalon, LVV vetëmse humbë më shumë, nuk fiton asgjë. Por me këtë bllokadë po humbë dhe po rrezikohet Kosova më së shumti.