Dosja e Prokurorisë për Naser Hafizin: Në muajin shkurt pati qarkullimin bankar 395 mijë euro – i bleu 4 banesa
395 mijë euro ishte qarkullimi bankar vetëm gjatë muajt shkurt të këtij viti i udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizit, i cili është i dyshuar për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave”.

Kështu thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale për Hafizin të cilit Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim pas hulumtimit shtatë mujor nga Albanian Post ku shihet se janë keqpërdorur dhjetëra miliona euro për shlyerjen e borxheve të kompanive për ambalazhimin e ujit dhe pijeve.

“Hafizi dyshohet se nga viti 2021 e tutje ka vepruar kundërligjshëm në uljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit dhe dhënien e lejeve ujore. Hafizi përgjatë viteve 2018-2024 ka deponuar kesh rreth 110 mijë euro. Vetëm në shkurt të këtij viti qarkullimi bankar i Hafizit ka qenë 395 mijë euro, ndërsa pagën mujore e ka 732 euro”, thuhet në dosjen që e ka parë Albanian Post.

Po ashtu, sipas organit të akuzës, Hafizi ka bërë deponime nëpërmjet llogarive bankare kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga persona të tjerë dhe kishte deklaruar rrejshëm pasurinë duke mbajtur të fshehur disa banesa në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

“Nuk e ka deklaruar banesën në rrugën ‘Bill Clinton’, por ashtu në formularin për deklarimin e pasurisë në vitin 2023 nuk e ka deklaruar objektin banesor në ‘Dardani’. Gjatë fazës së hetimeve është gjetur se i pandehuri Naser Hafizi prej vitit 2023 deri më 2024 i ka blerë katër banesa në Fushë Kosovë dhe Prishtinë. Nga zbulimi i të dhënave financiare rezulton se nuk ka të hyra të tjera, përveç pagës së tij të bashkëshortes dhe të babait të cilat arrin vlerën prej rreth 1 mijë 600 euro në muaj”, thuhet tutje në dosje.

Pos Hafizit, javën e kaluar ishte arrestuar edhe Sekretari i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi të cilit Gjykata ia caktoi një muaj arrest shtëpiak si i dyshuar se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Albanian Post pati raportuar se si në forma jo ligjore dhe me metodat të shpikura Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e ua ka shlyer borxhet milionëshe dhjetëra kompanive.

Sipas përllogaritjeve të para, nga dokumentacioni i siguruar nga Albanian Post, del se bëhet fjalë për rreth 90 milionë euro.

Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, ministri Aliu bashkë Hafizin, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.

E dhimbshme: Humb jetën një person pas vetëaksidentit me motor

Një person ka humbur jetën në një vetaksident fatal me motor pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 14:40 në drejtimin Prizren Jug-Vermicë, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili i tha Gazeta Imazhit se mjekët kujdestarë konstatuan vdekjen e personit në vendin e ngjarjes.

“Me datë 13.10.2024, rreth orës 14:40, kemi pranuar informatën se në Autostradën ‘Ibrahim Rugova’ Km-3, drejtimi Prizren Jug-Vermicë, ka ndodhur një vetaksident trafiku me motor. Njësitë policore, përfshirë edhe njësinë e hetimeve, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për procedurat e nevojshme hetimore. Mjekët kujdestar kanë konstatuar se personi ishte pa shenja jete,” tha Hoxha për Gazeta Imazhi.

Nga janari deri në shtator të këtij viti, sipas Policisë së Kosovës, 70 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, ku 39 prej tyre, apo rreth 55%, kanë qenë shoferë. Rreth 24% e aksidenteve fatale kanë qenë vetaksidente.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik, sidomos drejtuesve të mjeteve, të jenë vigjilentë gjatë ngasjes dhe t’i respektojnë rregullat e trafikut, për të parandaluar aksidentet fatale dhe humbjen e jetëve njerëzore për shkak të pakujdesisë. Njësitë patrulluese të rendit dhe trafikut vazhdojnë aktivitetet e shtuara për të rritur sigurinë në rrugë.

Kryeministri i serbisë: Ushtria serbe në patrullime të përbashkëta me KFOR-in, Kurti po nxit përshkallëzimin

Ushtria serbe është në komunikim të përditshëm me pjesëtarët e KFOR-it, dhe i ka të gjitha linjat e organizuara të komunikimit dhe patrullimet e përbashkëta, dhe kryeministri Albin Kurti është në dijeni të aktiviteteve të Ushtrisë Serbe, tha sot kryeministri serb Millosh Vuçeviq, transmeton KO.

Vuçeviq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përpiqet të ngrejë tensionin.

“Para së gjithash, ai dëshiron të errësojë dhe të lërë mënjanë atë që po bën, gjë që çon në përshkallëzim në terren, duke rrezikuar të drejtat dhe liritë e njeriut të serbëve në Kosovë”, tha Vuçeviq.

Duke komentuar pretendimet e Kurtit se pjesëtarët e Ushtrisë Serbe janë pikasur nga institucionet e sigurisë së Kosovës përgjatë vijës administrative, ai është përgjigjur se ata ishin “kriminelë, kontrabandues dhe hajdutë”.

“Ato forca që dyshohet se janë takuar me pjesëtarët e Ushtrisë Serbe janë kriminelë, kontrabandues, hajdutë të cilët kalojnë vijën administrative nga territori i Kosovës në territorin e Serbisë qendrore për të vjedhur atë që gjejnë. Ushtria serbe kryen detyrat e saj dhe kur ushtria jonë i ndeshet, ajo bën gjithçka në përputhje me ligjin, nuk ka aktivitete shtesë, nuk po përgatisim asgjë që mund të çojë në përshkallëzim në terren, për më tepër, ne jemi shumë të qetë dhe të kujdesshëm”, tha Vuçeviq.

Qeveria gjermane ndryshon “paketën e sigurisë”

Qeveria e koalicionit në Gjermani ka rënë dakord për ndryshime në “paketën e sigurisë”. Sipas disa njoftimeve, planet fillestare lidhur me shkurtimet e përfitimeve për refugjatët u ndryshuan.

Heqja e përfitimeve sociale për grupe të caktuara refugjatësh – kjo ishte një nga pikat më të rëndësishme fillimisht në “paketën e sigurisë” të qeverisë së koalicionit gjerman. Sipas saj duhej të kishte shkurtime të përgjithshme ndihmash për të ashtuquajturit “refugjatë të Dublinit”, pra ata që janë regjistruar tashmë në një vend tjetër të BE-së.

Paketa e re tani duhet të përfshijë një rregullore për raste vështirësish që prek, ndër të tjera, fëmijët, sipas informacioneve të ARD-së. Përtej kësaj, shkurtimet e përfitimeve sociale duhet të jenë të mundshme, vetëm nëse është realisht e mundur që marrësi aktual i ndihmave mund të udhëtojë në vendin fillimisht përgjegjës të BE-së, thuhet nga grupi parlamentar, Aleanca 90/Të Gjelbërit.

Kurse grupi parlamentar i SPD-së në një letër drejtuar anëtarëve të tij, thekson, se shkurtimi do të hynte në fuqi vetëm nëse “nuk do të kishte pengesa për kthimin”. Me këto ndryshime, grupet parlamentare reagojnë pas kritikave ndër të tjera të ekspertëve që u dëgjuan në seancat e ekspertëve në Bundestag. Prej javësh ka pasur paralajmërime për vështirësi drastike për të prekurit: “Me heqjen e përfitimeve sociale, ne nuk duam duan të krijojmë as të pastrehë as mjerim për azilkërkuesit”, thuhet në letrën e SPD-së.

Më shumë kompetenca vetëm për krimet e rënda

Por ende është pjesë e paketës dhënia e më shumë kompetencave autoriteteve të sigurisë, për më shumë opsione hetimore: psh lejohet më tej kontrolli i përputhjes biometrike për njohjen e fytyrës, me qëllim lehtësimin e identifikimit të të dyshuarve. Megjithatë kompetencat tani janë të kufizuara në ndjekjen penale ose parandalimin e krimeve më të rënda, të tilla si vrasja, vrasja nga pakujdesia ose formimi i një organizate terroriste. Më këtë do të ketë dukshëm më pak raste në të cilat autoritetet i përdorin metoda të tilla. “Grupi i synuar do të kufizohet më tej”, shkruan grupi parlamentar i SPD. Ekspertët i kishin përshkruar planet si shkelje të gjera të të drejtave themelore. Kjo është arsyeja pse ato tani duhet të kufizohen vetëm për raste të jashtëzakonshme.

Kritika për ndalimin e thikave

Përveç kësaj, shënohet tek paketa e sigurisë, se duhet bërë një vlerësim i masave pas tre vjetësh – jo nga vetë Ministria e Brendshme, por nga studiues të pavarur. Nga ekspertët e sigurisë ka pasur kritika të qarta në seancat dëgjimore në Bundestag për ndalimet e planifikuara të thikave, ku u fol për “politikë të pastër simbolike” dhe se qeveria e koalicionit nuk e përcakton dot në mënyrë adekuate, se çfarë konsiderohet thikë. “A është thikë edhe thika e peshkut nga kutia e takëmeve?” pyeti një hetues i lartë kriminal i cili duhej të vlerësonte planet.

“Ne duhet ta marrim seriozisht këtë kritikë, prandaj tani ka ndryshime”, tha deputeti i grupit parlamentar të FDP-së, Konstantin Kuhle. Rregulloret e reja “do t’i mundësojnë të gjithëve të kuptojnë, nëse janë të prekur nga ndalimi i thikës apo jo”. Qeveria e koalicionit do ta diskutojë paketën e sigurisë që javën e ardhshme në komisionin e brendshëm parlamentar të Bundestagut dhe më pas në Bundestag./DW

Përmbytje në Sahara për herë të parë në gjysmë shekulli

Reshjet e dy ditëve të shtatorit në disa zona të rajonit të Saharasë në Marokun juglindor tejkaluan mesataret vjetore dhe shkaktuan përmbytje, njoftuan zyrtarët e agjencisë meteorologjike të vendit.

Tagunit, një fshat rreth 450 kilometra në jug të kryeqytetit Rabat, regjistroi më shumë se 100 mm shi në 24 orë.

Pamjet satelitore të NASA-s tregojnë se liqeni Iriki, i thatë prej 50 vitesh, po mbushet me ujë.

 

 

Kanë kaluar 30 deri në 50 vjet që kur kemi pasur kaq shumë shi në një periudhë kaq të shkurtër kohore,” i tha AP Husine Juabeb, një zyrtar i agjencisë meteorologjike të Marokut.

Këto shira, të cilat meteorologët i quajnë një stuhi ekstratropike, mund të ndryshojnë kushtet e motit në rajon në muajt dhe vitet e ardhshme.

Përmbytjet në Marok muajin e kaluar vranë 18 njerëz dhe efektet u përhapën në rajonet që u goditën nga një tërmet vitin e kaluar. Pati gjithashtu raporte të rezervuarëve të bllokuar në rajonin juglindor të rimbushjes me një ritëm rekord gjatë shtatorit.

“Deal-i” në korridorin e gjykatës, polici viktimë i kërkon aktivistit të VV-së që t’ia ndërrojë njësitin policor

Më 3 shtator 2024, Egzon Azemi i Lëvizjes Vetëvendosje doli në gjyq i akuzuar për sulm ndaj policëve të Kosovës.

Ky sulm, gjithherë sipas Prokurorisë, kishte ndodhur në vitin 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje po protestonte kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Egzon Azemi, bashkë me Kushtrim Avdimetajn, Veron Hasanin, Luan Hotin, Ardian Hulin dhe Naim Bunjakun, akuzohen se gjatë protestës kishin sulmuar policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.

Si pasojë e kësaj, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, ku të dëmtuar kishin mbetur Ismail Sadiku, Ekrem Vllasa dhe Naim Berisha. Ky i fundit, si palë e dëmtuar, po përballej me Egzon Azemin, që sipas Prokurorisë, e kishte sulmuar para gati 9 vjetëve.

Armiqësia e tyre në rrugë para gati 9 vjetëve, tash që Vetëvendosja është në pushtet, është shndërruar në bashkëpunim në mes Egzon Azemit dhe Naim Berishës.

Në seancën gjyqësore të 3 shtatorit 2024 ndaj Egzon Azemit dhe të tjerëve, për shkak të sqarimit të një rrethane, gjyqtari Eroll Gashi, vendosi për një pauzë dhjetëminutëshe.

Gjatë kësaj pauze i akuzuari Azemi dhe i dëmtuari polici Berisha, shkuan në korridorin e gjykatës për të zhvilluar një bisedë private.

Derisa gazetarët dhe kamerat po qëndronin në sallën e gjyqit duke pritur të vazhdojë seanca gjyqësore, në korridorin e gjykatës, polici Naim Berisha ia kërkoi një favor Egzon Azemit të Vetëvendosjes.

Gjatë intervistës, Azemi u përsërit duke thënë se kërkesa e policit qenë të degradohet, por nëse ka “ushtrim të ndikimit” është i gatshëm të paraqitet para drejtësisë.

“Edhe siç e përmend ai vetë në intervistë (bisedë), ai thotë unë më pak paguhem, nëse shkon qatje ku ka kërku. Ai kërkon me shku polic i thjeshtë e është një ndër njësitet kryesore”, shprehet Egzon Azemi.

“Absolutisht nuk besoj se ka konflikt (interesi). Thelbin mos e harroni. Pra nuk kërkon ngritje, për arsye familjare kërkon të ulet në pozitë…”, ka thënë Azemi. /Betimi për Drejtësi/

 

Nis asfaltimi i rrugës së shumëpritur në Prishtinë

Drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Krenar Xhaferi, ka bërë një njoftim të rëndësishëm ditën e sotme, për qytetarët e kryeqytetit.

Ai ka bërë të ditur se ka filluar asfaltimi në rrugën ‘’Nekibe Kelmendi’’.

Kjo rrugë do të ketë dy korsi, shteg për biçikleta e trotuar dhe gjelbërim.

Postimi i plotë:

Sulmohet brutalisht ish-kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq

Mbrëmë rreth orës 02:30, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është sulmuar brutalisht ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, bëjnë të ditur burime të Ekonomia Online. Rasti ka ndodhur para banesës së tij, ku besohet se personat që e kanë sulmuar ishin duke e pritur.

Sipas të njëjtit burim, rasti nuk është raportuar në Policinë e Kosovës dhe duket se po tentohet të mbahet i fshehur.

Se PK nuk është në dijeni për këtë rast e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

Rakiqi ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ku është regjistruar, por dyshohet se ka pasur përpjekje për ta fshirë rastin nga regjistri.

Sipas burimeve, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek dyshohet se po ndihmon në fshirjen e rastit.

Mësohet se Rakiq, tashmë deputet në Parlamentin e Serbisë, i është thyer një dorë dhe i është qepur koka si pasojë e sulmit të mbrëmshëm.

Te njejtat burime bëjnë të ditur se dyshohet se e gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e përçarjes mes Rakiqit dhe terroristit Milan Radojiçiq.

E trishtë: Ky është i riu që vdiq tragjikisht në Prizren

Një ngjarje tragjike ka ndodhur , ku një 34-vjeçar nga Malisheva ka mbetur i vdekur.

Mësohet se i ndjeri është Visar Ramaj, i cili ndërroi jetë, pasi ditën e djeshme teksa ishte duke punuar në fshatin Piranë ka rënë në kontakt me rrymën, përcjell Jepi zë

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, ngjarja kishte ndodhur gjatë ditës së shtune, ndërsa sot është njoftuar nga spitali i Prizrenit për vdekjen e pacientit.

Sondazhet zgjedhore në ShBA: Kush është përpara — Harris apo Trump?

Dy nga shtetet më të rëndësishme për muajin nëntor, Pensilvania dhe Arizona, tregojnë vështirësitë me të cilat përballen Kamala Harris dhe Donald Trump në javët e fundit të fushatës zgjedhore.

Sipas sondazhit të fundit nga New York Times/Philadelphia Inquirer/Siena College, në fakt, demokratja ka një avantazh të lehtë në Pensilvani, 50% kundrejt 47%, ndërsa republikani vazhdon të jetë përpara në Arizona, 51% kundrejt 46%.

 

 

Kujtojmë se ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati republikan për president Donald Trump refuzoi një kërkesë nga Fox News për një tjetër debat me kandidaten demokrate dhe zëvendëspresidenten Kamala Harris.

Në llogarinë e tij në Truth Social, Trump, në të gjitha kapitujt, pretendoi se kishte fituar dy debatet e fundit, një kundër Presidentit Joe Biden dhe tjetrin kundër Harris më 4 shtator, duke shtuar se “nuk do të ketë revansh”.