Vjen njoftimi i rëndësishëm nga Gjermania rreth CEFTA-s, dy ditë pasi Kosova heqi ndalesën për mallrat serbe

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, ka bërë të ditur se tashmë  trupat e CEFTA-s kanë ndryshuar rregullat e procedurës dhe kanë miratuar suksesshëm 11 vendime.

Sarrazin ka thënë se mezi po presin për një samit të suksesshëm të Procesit të Berlinit në javën e ardhshme.

“Lajmi i mirë”, ka shkruar Sarrazin.

Ky zhbllokim i vendimmarrjes në CEFTA ka ardhur pasi Kosova ka pranuar ofertën gjermane për heqjen e masës së sigurisë për mallrat që futen nga Serbia në këmbim të zëvendësimit të UNMIK-ut me Kosovën në CEFTA.

Reagim për këtë çështje ka pasur edhe kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock.

“Ballkani Perëndimor po afrohet më shumë së bashku. Në Procesin e Berlinit ne arritëm të zgjidhim nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA së bashku. Duke bërë këtë, ne po hapim rrugën për përmirësime konkrete për njerëzit në terren. Dhe forcimin e Europës sonë të përbashkët”, ka shkruar kryediplomatja gjermane.

Nëse e shihni këtë person lajmërojeni menjëherë policinë

Policia e Kosovës po kërkon nga qytetarët ndihmë për kapjen e një përsoni.Mandje Policia ka publikuar edhe foto e personit të kërkuar.

‘’Kërkesë për bashkëpunim – identifikim e personit të dyshuar .Sektori hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e  personit që shihet në fotografi’’, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në një rast, Vjedhje grabitqare, që ka ndodhur në Prishtinë.

TË NGJASHME:

Nëse i shihni këta persona lajmërojeni menjeherë policinë

 

Gërvalla kërkon ndarjen e 200 mijë eurove për Bosnjën që pati vërshime fatale, ja si i përgjigjet Kurti

Ministrja e Punëve të Jashtme, kërkoi solidaritetin e kabinetit qeveritar, ndërsa propozoi në mbledhjen e sotme të ekzekutivit që të ndahen 200 mijë euro për Bosnjë e Hercegovinën, e cila së fundmi u përball me pasoja fatale të vërshimeve.

Donika Gërvalla tha se do të mund ta përgatiste një kërkesë zyrtare për këtë.

“Në fakt desha t’ju drejtohem me një çështje pak jashtë edhe kornizave të kësaj mbledhjeje me vendime e propozime për të marrë mendimin tuaj për një kërkesë që do ta kemi si Ministri e Punëve të Jashtme për solidarizim me Bosnjën në një situatë e cila.. Vërshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha, prandaj do të kërkoja solidaritetin tuaj, solidarizimin tonë të përbashkët me një shumë prej 200 mijë eurosh. Nëse nuk ka ndonjë kundërshtim këtu, atëherë kryeministër, do t’ju dërgojmë kërkesën zyrtare si MPJ që të mund ta ndërmarrim një hap të tillë”, tha ajo.

Kryeministri Albin Kurti, tha se kjo duhet të shqyrtohet në një mbledhje tjetër.

“Faleminderit zëvendëskryeministre Gërvalla. Ne për këtë na duhet ta mbajmë një mbledhje tjetër online, që të përgatiet vendimi, materiali, e më pas ta miratojmë atë”, tha Kurti.

Pasi foli edhe zëvendëskryeministrja nga komuniteti boshnjak, Emilia Rexhepi, Kurti tha se “do ta përgatisim këtë propozim-vendim dhe e votojmë në një mbledhje online këtë javë”.

“Alo vendase, a po dëgjohemi“, publikohen biseda të reja mes Kusari-Lilës dhe Radojçiq, ja për çka biseduan

Është zbardhur edhe një bisedë telefonike ndërmjet Mimoza Kusari-Lilës dhe Milan Radoiçiqit, tash të kërkuarit kryesor për sulmin në Banjskë.

Kusari-Lila bisedon me të derisa ishte duke shkuar në shtëpi, ku koordinohen për një projektligj dhe një gjyqtar të Kushtetueses.

Pas kësaj, Radoiçiq, i ka disa kërkesa për Kusari-Lilën, ku i thotë t’i flasë me shefin e saj.

Ndërsa për t’u marrë vesh për këto kërkesa, sipas audio incizimit të publikuar nga Paparaci, Kusari e lë të takohet me deputetin serb, Sllavko Simiq.

 

 

Qeveria miraton një Projektligj të rëndësishëm

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar Projektligji për shërbimet e pagesave.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se përmes miratimit të këtij projektligji do të hapet rruga e integrimit në zonën SEPA, shkruan IndeksOnline.

“Me integrim në SEPA, bizneset dhe qytetarët tanë parashihet të kursejnë rreth 50 milionë euro në vit nga tarifat e transfereve” tha mes të tjerash Murati, në njoftimin e tij.

Ky është njoftimi i plotë i ministrit:

Sot në Qeveri miratuam Projektligjin për Shërbimet e Pagesave përmes të të cilit do të hapet rruga e integrimit të sistemit tonë financiar me zonën SEPA (Single Euro Payments Area).

Me integrim në SEPA, bizneset dhe qytetarët tanë parashihet të kursejnë rreth 50 milionë euro në vit nga tarifat e transfereve.

Çdo ditë me punë drejt lehtësimit e përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Qeveria për të gjithë!

“Mbështetja për pensionistët nuk përfundon këtu”, çfarë po paralajmëron Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për rritjen e pensioneve prej 20 për qind që u bë në fillim të javës.

Në mbledhjen e 223 të Qeverisë, ai ka theksuar se rritja fillon të zbatohet qysh nga ky muaj, ndërsa nga janari 2025 pritet të rriten pensionet e përcaktuara me Ligjin për Kategoritë e Luftës.

 “Kjo javë nisi me një lajm të mirë për pensionistët. Duke filluar nga ky muaj do të zbatohet rritja prej 20 për qind për pensionin bazik të moshës, atë kontributpagues, të plotë dhe parcial, pensionin e aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe të rritur, për të verbër, për punëtorët e Trepçës. Ndërsa nga janari 2025 do të rriten edhe pensionet të përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidëve, dëshmorëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale, civile dhe familjeve të tyre”, ka thënë Kurti.

Ai ka sqaruar edhe rritjen për këtë kategori se si funksionon.

“Ata që kanë më shumë se një familjar dëshmorë apo të zhdukur do të ndryshojë formula e llogaritjes për anëtarët e tjerë. Nga 20 për qind sa është, shtesa do të llogaritet si 50 për qind e bazës për secilin anëtar tjetër dëshmorë apo të zhdukur”, është shprehur kreu i Qeverisë.

Kurti po ashtu ka bërë të ditur se mbështetja ndaj pensionistëve nuk do të përfundojë me kaq.

“Puna jonë për rritjen e mbështetjes së pensionistëve nuk përfundon me kaq, vazhdon edhe më tej. Me punën tonë drejt finalizimit drejt reformës pensionale, e cila do të sigurojë se ata që kontribuan më shumë për këtë vend të kenë edhe trajtimin përkatës e të dinjitetshëm. Kur kemi hyrë në 6 mujorit e fundit, pensionet, ai bazik është rritur nga 90 në 120, në anën tjetër, katër herë kemi pasur mbështetje financiare nga 100 euro”.

“Prandaj të gjitha këto rritje janë bërë për të zbatuar programin tonë, që ata të cilët kanë nevojë t’ju ndihmojmë më shumë, dhe gjithashtu nuk paraqet reformën pensionale ende të cilën do ta bëjmë në një të ardhme të afërt”, ka potencuar ai.

E dhimbshme: Sot do ti jepet lamtumira e fundit vogëlushit nga Mitrovica

Dje ka ndërruar jetë vogëlushi nga Mitrovica, Korab Sheremeti, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familja dhe miqtë e tij.

Lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të tij e ka bërë të ditur familja Sheremeti, e cila ka njoftuar se varrimi i Korabit do të bëhet sot, më 9 tetor, në varrezat e qytetit në Shipol.

Ky lajm ka prekur thellë komunitetin e Mitrovicës, pasi Korabi ishte një fëmijë i dashur dhe i njohur mes bashkëmoshatarëve të tij.

Ai ishte nxënës i shkollës fillore “Fazli Graiçevci” në Shipol, ku kishte ndërtuar miqësi të forta me shokët dhe shoqet e klasës. Mësuesit dhe nxënësit e shkollës janë të tronditur nga lajmi për humbjen e tij të parakohshme, ndërsa kujtojnë Korabin si një djalë energjik, i sjellshëm dhe i përkushtuar në mësime.

Familja Sheremeti ka pranuar ngushëllime të shumta nga të afërmit, fqinjët dhe miqtë e tyre, të cilët janë solidarizuar me dhimbjen e madhe që po përjetojnë. Ata e përshkruajnë Korabin si një fëmijë me zemër të madhe, i cili gjithmonë kishte buzëqeshje në fytyrë dhe sillte gëzim në ambientet ku ndodhej.

Varrimi i tij do të mbahet sot, dhe qyteti i Mitrovicës pritet të bashkohet në një ceremoni të ndjerë për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij vogëlushi të dashur.

Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm në zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur.

Momenti kur Vuçiq nervozohet me gazetarin malazez që iu referua Kosovës si Republikë – VIDEO

Gjatë ditës së djeshme presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, foli para gazetarëve në Mal të Zi, aty ku po merrte pjesë në samitin e liderëve të procesit Bërdo-Brione që u mbajt në Tivat

Një gazetar i televizionit të Podgoricës e pyeti Vuçiqin për situatën me Kosovën duke përdorur termin “Republika e Kosovës”, duke i renditur atij se çfarë kishte ndodhur që nga ardhja e SNS në pushtet.

“Faleminderit që e bëtë këtë. Po të mos e kishit bërë, shumë do të dyshonin në fjalët e mia. Kështu u bindën të gjithë se sa të drejtë kam unë. Nuk ka Republikë të Kosovës, nuk ekziston sipas të drejtës publike ndërkombëtare”.

“Nuk ekziston sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, nuk ekziston sipas Rezolutës 1244. Nuk më shqetëson fakti që ju gëzoheni dhe doni të provokoni qëllimisht duke thënë Republika e Kosovës, imagjinoni që po flas për “Republika e Gusinjes” apo “Republika e Pljevljes” nuk do të flas kështu sepse nuk ekziston”, tha Vuçiq dhe shtoi se Kosova është pjesë e territorit të Serbisë.

Gazetari filloi t’i përgjigjej dhe më pas Vuçiq filloi të tundte gishtin.

“Mos më ndërprisni, hej, ngrihuni pak, ngrihuni pak dhe mos më ndërprisni, se unë dëgjova me kujdes gjithçka. Pra, ne kemi vërtetuar se ju nuk e mbështesni rezolutën 1244 dhe Kartën e OKB-së. Ne kanë vërtetuar se ju përkrahni ndarjen e Republikës së Serbisë dhe lëvizjet separatiste në territorin e Serbisë. Nuk do të ketë ndryshim qëndrimi. Sa për kartat e identitetit dhe gjithçka tjetër, unë jam i kënaqur për të gjitha. Ne kemi qenë gjithmonë për tregtinë e lirë, fluksin e mallrave, kapitalit, shërbimeve, gjithçka. Nuk ka të bëjë me statusin shtetëror-juridik”, tha Vuçiq.

Shikojeni këtë pjesë në videon e mëposhtme nga minuta 20:15.

Apeli vendos për herë të dytë: Shaban Gogaj dënohet me 6 vjet e 6 muaj burgim për vřasjeñ e Agonis Tetajt

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Shaban Gogaj, ashtu që ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë lidhur me veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, përkitazi me vendimin për dënimin me burgim, duke i shqiptuar të njëjtit dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë 6 vite e 6 muaj.

Ndërsa, ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të përfaqësuesve të autorizuar të palëve të dëmtuara, si dhe mbrojtësit së të akuzuarit Shaban Gogaj, për pikën I të dispozitivit të aktgjykimit.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin PKR.nr.50/2023, të dt.16.05.2024, ka shpallur fajtor të akuzuarit, Sh.G., për veprat penale, vrasje nga pakujdesia nga neni 181 të KPK dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPK, dhe I.C., për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPK, duke i shqiptuar të akuzuarit Sh.G., dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej shtatë (7) vite e gjashtë (6) muaj, ndërsa të akuzuarit I.C., dënim me gjobë në shumën prej dymijë euro (2.000€)”.

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk përshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që gjykata e shkallës së parë në mënyrë të qartë dhe të plotë ka vlerësuar saktësinë e të gjitha provave nga shkresat e lëndës.

Arrestohet zëvendësministri i Qeverisë Kurti, në gjendje të dehur goditi motoçiklistin

Ali Tafarshiku, Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, është arrestuar pas një incidenti të rëndë në Gjakovë, ku dyshohet se ka goditur një person që ishte duke udhëtuar me motoçikletë, ndërsa ishte në gjendje të dehur.

Sipas raportimeve të Insajderit, gjendja e viktimës është e rëndë dhe është dërguar për trajtim mjekësor, përcjell “Jepi zé”

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, duke shkaktuar shqetësim të gjerë në komunitet. Tafarshiku është anëtar i partisë Alternativa, e cila drejtohet nga Mimoza Kusari.

Arrestimi i tij ka ngritur pyetje mbi përgjegjshmërinë e zyrtarëve publikë, veçanërisht në situata të tilla që përfshijnë shkelje të ligjit dhe rrezik për jetën e tjerëve.

Policia e Kosovës ka filluar një hetim të plotë mbi këtë rast. Kjo ngjarje vjen në një kohë kur tema e sigurisë në rrugë dhe ndjeshmëria ndaj alkoolit vazhdojnë të jenë çështje të rëndësishme në shoqërinë tonë./