Gruaja e plạgosur sot në Prishtinë është në gjendje të rëndë

Gruaja që u plagos sot aksidentalisht nga djali i saj polic, është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka deklaruar se gjendja e gruas është e rëndë.

“Njëherë për njëherë është gjendje e rëndë e saj, janë krye ekzaminimet, tash po priten intervenimet e ekipeve të anestezionit dhe kirurgjisë”, u shpreh ai për Indeksonile.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 12:20, kemi marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika-Muhaxheri” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person. E lënduara është dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.

Pas kësaj ngjarjeje IPK ka rekomanduar suspendimin e policit.

Situatë e rënduar në Shqipëri, përmbytje të mëdha në disa zona (PAMJE)

Reshje intensive shiu kanë përfshirë Shqipërinë këtë të premte. Në disa qytete ka pasur përmbytje të rrugëve duke shkaktuar trafik të rënduar.

Këto janë pamjet që vijnë nga qyteti i Vlorës. Siç mund të shihet, uji ka vërshuar nëpër rrugë duke krijuar mjaft probleme.

Klan News raporton se shumë automjete mbetën nën ujë në rrugën “Albano dhe Romina”, pasi pësuan defekte gjatë tentativës për të kaluar. Nga uji u mbuluan edhe automjetet e parkuara në të dyja anët e rrugës.

Ndërkohë, në të njëjtën rrugë u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga një farmaci pronarët e saj, të cilët kishin mbetur të bllokuar brenda.

Meteorologët thonë se moti i keq do të vazhdojë deri në mesnatë ndërsa të shtunën do të ketë një përmirësim të lehtë. Të dielën do rinisin reshjet e shumta shiu.

Përmbytjet në Bosnjë, reagon Kryeministri Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjeve të personave që humbën jetën nga përmbytjet e shkaktuara sot në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kurti tha se Kosova qëndron me Bosnjë dhe Hercegovinën në këto kohë të vështira, teksa i shprehu gatishmërinë për ndihmë.

“Në emër të popullit të Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve dhe komuniteteve të prekura nga përmbytjet në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne jemi me ju në këto kohë të vështira dhe jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi. Republika e Kosovës është me ju”, shkroi Kurti në “X”.

Ministri i Kurtit në Mitrovicën e Veriut me Halil Kastratin, “fjaloset” pak me një gazetare

Ministri i Administrimit e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka qëndruar sot në Mitrovicën e Veriut bashkë me kryetarin e kësaj komune, Erden Atiq.

Siç raporton KoSSev, Krasniqi ka qenë në shoqërinë edhe të Halil Kastratit nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” në shëtitoren e Mitrovicës, afër një restoranti të ri që është hapur atje.

Krasniqi u pyet nga gazetarët lokalë atje se pse nuk ka njoftuar për vizitën e tij.

Pse të njoftoj?”, ka thënë Krasniqi.

“Ti je zyrtar, pse duhet të të ndjekim gjithmonë kështu? Është shumë komprometuese për ne dhe për ju”, i ka thënë një gazetare Krasniqit. Ndërsa thuhet se ai është përgjigjur: “Nuk ju kam  thirrur për të më ndjekur”.

Po ashtu, Krasniqi ankesës së gazetares për moslajmërim të vizitës i është përgjigjur se njëjtë vepron edhe 38 komunat tjera që i viziton dhe se nuk njofton askund.

Ky medium tha se Krasniqi ka qëndruar atje për një kohë të shkurtër dhe më pas ishte nisur për në Mëhallën e Boshnjakëve

Në Beograd del lajmi se shqiptari nga Kosova ka marrë furnizimin e projektit gjigant Belgrade Waterfront!

Në Serbi po qarkullojnë lajme të forta se një biznesmen shqiptar nga Kosova është bërë një nga furnizuesit kryesor të xhamave për projektin e madh Belgrade Waterfront, përmes bashkëpunimit me kompaninë ndërkombëtare të njohur AGC Glass Europe. Ky zhvillim është parë me interes të madh, duke treguar ndikimin në rritje të bizneseve shqiptare në projekte ndërkombëtare dhe veçanërisht në sektorin e ndërtimit.

Belgrade Waterfront, një projekt monumental me një vlerë prej miliarda eurosh, ka për qëllim të transformojë përgjithmonë fytyrën e Beogradit, duke përfshirë ndërtesa rezidenciale luksoze, hapësira komerciale, qendra argëtimi dhe ambiente publike moderne. Ky projekt ambicioz kërkon furnizim të materialeve ndërtimore të cilësisë më të lartë, dhe pikërisht këtu roli i kompanisë AGC, një nga prodhuesit më të mëdhenj të xhamit në botë, është i domosdoshëm.

Bledian Ramadani, biznesmeni shqiptar nga Kosova dhe pronari i kompanisë Gitor Shpk, është ai që përflitet të jetë në qendër të këtij bashkëpunimi, duke përdorur lidhjet e tij me AGC Glass Europe për të siguruar furnizimin e xhamave për këtë projekt të përmasave të mëdha. Ramadani është një figurë e njohur në industrinë e xhamit, dhe më parë ka arritur të largojë konkurrentët e tij në Ballkan përmes lëvizjeve të zgjuara në treg, duke kontrolluar pjesë të rëndësishme të importit të xhamit në rajon.

Kjo marrëveshje e përfolur ka shkaktuar reagime të ndryshme në Serbi, ku disa media dhe analistë po shohin me habi ndikimin e një shqiptari nga Kosova në një projekt kaq të madh dhe simbolik për Beogradin. Megjithatë, cilësia dhe përvoja e AGC në prodhimin e xhamave, e kombinuar me ndikimin e Ramadanit në rajon, e bëjnë këtë bashkëpunim të natyrshëm.

Belgrade Waterfront përfaqëson një nga investimet më të mëdha urbanistike në Ballkan, dhe përfshirja e kompanisë AGC, në të cilën Ramadani ka ndikuar përmes lidhjeve të tij të fuqishme, është një tregues i rritjes së ndikimit të bizneseve shqiptare jashtë kufijve të Kosovës.

Ky bashkëpunim i ri mund të shërbejë si një shembull për zhvillime të tjera në të ardhmen, ku biznesmenët shqiptarë do të kenë një rol më të madh në tregjet rajonale dhe globale.

Vjen paralajmërimi nga infektologu: Mund të paraqiten probleme serioze nëse uji i Badocit përdoret për pije

Shkak i rritjes së nivelit të manganit, është rekomanduar që të mos përdoret për pije uji nga Liqeni i Badocit. Sipas infektologëve, aspekti shëndetësor i konsumatorëve do të përkeqësohet, nëse ky ujë përdoret për më shumë se një javë.

Siç ndodh rëndom kur ndërrohen stinët, është rritur vlera e manganit në Liqenin e Badocit.

Rrjedhimisht, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, rekomandon që të mos përdoret për pije uji që vjen nga ky burim, duke treguar edhe hartën zonale

“Të dhënat e analizave të bëra dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.”, thuhet në njoftim.

Nga KRU Prishtina, thonë se kanë marrë masat e nevojshme reaguese për këto raste.

“Ne menjëherë i kemi marrë masat e duhura, do të bëjmë shpërlarjen e gypave magjistral, shpërlarjen e gypave të grupacioneve sekondare, në mënyrë që të sigurojmë ujë për pije për konsumatorët në këtë zonë që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit”, ka thënë zëdhënsja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku.

Mirëpo, sipas Mjekut, konsumimi i këtij uji nuk është shumë i rrezikshëm.

“Në momentin që është shumë nivel i lartë i manganit, ne e ndërprejmë edhe prodhimin e ujit që të mos shpërndahet asnjë pikë ujë. Por, duhet ta rrisim vigjilencën, të jemi më të vëmendshëm që mos ta përdorim për pijë por vetëm për higjienë”, theksoi Mjeku.

Rrezik për konsumatorët sipas infektologut, Hamdi Ramadani, mund të jetë nëse uji me sasi të larta të manganit përdoret për disa ditë.

“Për pije nuk mund të përdoret për shkak se nëse përdoret për një kohë të gjatë, bie fjala për shtatë ditë, tetë ditë ose nëntë ditë, atëherë mund të paraqiten probleme mendoj serioze, nga aspekti i shenjave dhe simptomave klinike nga inde dhe organe qoftë nga sistemi nervor, gastrointensinal e të tjera”, ka thënë Ramadani.

Edhe vitin e kaluar, një situatë e tillë ishte shfaqur në Liqenin e Badocit./Tëvë1

Selmanaj: LDK-ja më e gatshme se kurrë për zgjedhjet e 9 shkurtit, tranzicionit politik po i vjen fundi

Deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj është shprehur se partia e tij është më e gatshme se kurrë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ndër të tjera, ai shton se me qeverisjen e fundit, ka ardhur dhe fundi i tranzicionit politik në Kosovë.

“Unë mendoj se qeveria aktuale ka dalë përtej pritjeve tona për së keqi, ne e kemi ditur që nuk munden, e kemi ditur që nuk dinë, kanë narrative populiste, pabaza e të paqëndrueshme, por nuk e kemi menduar se mund të shkojnë deri kaq, të demoluar në çdo aspekt. Jemi te sanksionuar, izoluar të demoluar”, tha deputeti.

“Por me punën që e ka bërë LDK-ja, me kandidatë për kryeministër, Lumir Abdixhikun, i cili besojmë se do jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, mendojmë se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë dhe një herë. Kemi dijen, potencialin, eksperiencën”.

“LDK-ja është me e gatshme se kurrë që t’iu hyjë këtyre zgjedhjeve. Mendoj se me qeverisjen e fundit të Albin Kurtit, po e shoh dhe fundin e një tranzicionit politik në Kosovë”, u shpreh Selmanaj në “DPT te Fidani”.

E rrallë: Një grua në Obiliq kapet me dy armë e municion

Posedimi i armëve është shndërruar në një dukuri mjaft shqetësuese në Kosovë. Pothuajse çdo ditë, Policia has në persona që posedojnë armë ilegale dhe sillen lirshëm me to. Jo rrallëherë të tilla raste zbulohen edhe pas kontrolleve në vendbanime të ndryshme. Kështu ndodhi të enjten në Obiliq, por si rrallëherë, kësaj radhe e dyshuar është një grua, raporton Gazeta Sinjali.  

E dyshuara për këtë rast është një 52-vjeçare, e cila u arrestua pasi u kap me dy armë dhe dhjetëra fishekë që i posedonte ilegalisht.

Sinjali mëson se gruaja e dyshuar u arrestua në shtëpinë e saj në fshatin Palaj të Obiliqt, pasi disa njësi policore intervenuan nën dyshimet për posedim të armëve të zjarrit.

Një armë iu sekuestrua menjëherë në vendin e ngjarjes e më pas u gjet edhe një armë tjetër, me rreth 30 fishekë.

Ndaj saj, Prokurori i Shtetit urdhëroi masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Por, arrestimi i saj u përcoll me rezistencë, jo nga e dyshuara, por nga vëllai i saj.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se vëllai i të dyshuarës ka tentuar që t’i dalë në mbrojtje motrës, duke e penguar Policinë, por që e pësoi edhe vet.

Për shkak të veprimeve të tij gjatë arrestimit të 52-vjeçares, i njëjti u prangos dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Prokurori ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe të hapet rasti për veprën penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Merret vendimi për policin që plagosi nënën në Prishtinë

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin për dy zyrtarë policorë, në dy raste të ndryshme në Prishtinë dhe në Mitrovicë.

Lidhur me rastin e parë, policia ka pranuar informacione sot pas orës 12:00 për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative policore.

Pasi që në rast dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor, janë njoftuar menjëherë edhe hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Bazuar në veprimet  fillestare hetimore në këtë rast është, lënduar një person nga shkrepja e armës.

E lënduara është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në pritet të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore.

I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) është shoqëruar në Inspektoratin Policor, përderisa është rekomanduar suspendimi i tij si dhe i është konfiskuar arma zyrtare, e cila dyshohet se është përdor në këtë rast.

Rasti tjetër në të cilin IPK-ja ka rekomanduar masën e suspendimit ka ndodhur në Mitrovicë.

Në këtë rast IPK ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri policor më dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit  pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këto raste për të sqaruar rrethanat e të dy rasteve.

Gruaja e plagosur në Prishtinë në gjendje të rëndë

Komandanti i ri i KFOR-it mbërrin në Kosovë

Komandanti i i ri i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka mbërritur në Kosovë.

Gjeneralmajor Enrico Barduani nga Italia do ta marrë detyrën e re më 11 tetor në një ceremoni në shtabin e KFOR-it në Prishtinë.

KFOR-i, ka njoftuar se Barduani u prit nga ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu.

Gjeneralmajor Barduani do të jetë komandanti i 29-të i KFOR-it. Ai do të pasojë gjeneralmajorin Ozkan Ulutash nga Turqia.

Barduani do të jetë gjenerali i 14-të italian që komandon misionin e KFOR-it. Ai ka pasur karrierë të gjatë si brenda dhe jashtë Italisë. Posti i tij i fundit ishte në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, ku shërbeu si shefi i politikës së mbrojtjes.