“Nuk keni të drejtë të komentoni”, ministrja Haxhiu bën veprimin e papritur pasi Bogujevci ia ndërpreu fjalën

Sot në seancën plenare të Kuvendit në rend dite kanë qenë edhe pyetjet parlamentare.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi iu përgjigj pyetjet së deputetes Labinotë Demi-Murtezi, iu drejtua edhe deputetit të PDK-së, Hisen Berisha.

“Më lejoni të përgjigjem edhe ndaj pyetjes, gjegjësisht komentit të deputetit Hisen Berisha”, tha Haxhiu, e më pas nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ia tërhoqi vërejtjen.

Bogujevci: Zonja Haxhiu të lutem duhesh vetëm pyetjes t’i përgjigjesh.

Haxhiu: Nënkryetare e Kuvendit të lutem, nuk është në rregull që në Kuvendin e Kosovës të ketë manipulime. Deputeti Hisen Berisha i ka bërë dy pyetje por i ka tërhequr. Unë e kam letrën që ai e ka dërguar dhe thekson se i tërheq pyetjet. Prandaj unë nuk kam faj që deputetët e opozitës i bien pishman.

Derisa fliste Haxhiu, Bogujevci i tha që nuk ka të drejtë të komentojë. Me urdhër të Bogujevcit, regjia ia ndali mikrofonin ministres Haxhiu.

“Regjia iu lutem ndaljani fjalën. Regjia”, tha Bogujevci.

Pas kësaj, Haxhiu e lëshoi sallën e Kuvendit.

Video këtu

Vjen paralajmërimi: Gjërat në Ballkan po nxehen sërish, Rusia dhe Serbia qëndrojnë prapa

Këshilltarja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, analistja dhe njohësja e zhvillimeve në Ballkan, Ivana Stradner, ka thënë se në Ballkan “gjërat po nxehen sërish”.

Në një shkrim në platformën X, ajo la të kuptohet se kësaj situate po i fryjnë Rusia dhe Serbia.

“Ministri i jashtëm rus, Sergey “Lavrov sapo ka thënë se në Kosovë po ndodh ‘spastrim etnik’ i serbëve dhe e krahasoi atë me Donbasin. Mediat e ministrisë ruse të mbrojtjes shtynë një narrativ për spastrim etnik në Jugosllavi dhe për përgjegjësinë e Perëndimit”, shkroi Stradner.

Më tej, ajo tha se disa ditë më parë, “zëvendëskryeministri i Serbisë u takua me qeverinë ruse për të diskutuar ‘spastrimin etnik’ në Kosovë”.

“Mediat ruse dhe serbe kanë shpërndarë informata se presidenti serb do të diskutojë ‘okupimin e territorit serb’ dhe planet potenciale për kthimin e territorit”, ka potencuar ekspertja për Ballkanin, Ivana Stradner.

BE për Banjskën: Kur gjykata të vendosë kush është fajtor, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka mirëpritur përfundimin e hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për “rastin Banjska” të mërkurën.

“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe ka ngre aktakuzat relevante. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tash nis procesi gjyqësor. Ne presim përfundimin e procesit”, ka thënë Stano.

Stano në konferencë për media të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian është duke pritur tash vendimin e gjykatës dhe ka shtuar se Serbisë vazhdimisht i është kërkuar të bashkëpunojë lidhur me rastin.

“Presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë në hetim të këtij sulmi. Kjo është pritja e BE-së dhe qëndron ende dhe ne e përcjellim mesazhin vazhdimisht te partnerët tanë në Serbi. Kemi thënë atëherë në fund shtatorit të vitit të kaluar se ky sulm përbënte një eskalim të qartë e paprecedentë dhe do të ketë pasoja. Kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor e kush është përgjegjës apo pafajshëm, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi”, ka thënë Stano.

“Ne kemi një gamë të instrumenteve që mund të përdorim në konsultim me shtetet anëtare. Nuk jem ende aty. Procesi gjyqësor ka nisur. Me rëndësi hetimi ka përfunduar. Tash gjykata duhet të vendosë nëse përfundimet e hetimit janë të kënaqshme. Do të shohim përfundimin”, ka theksuar Stano.

BE-ja vazhdimisht kishte insistuar se është në pritje të përfundimit të hetimeve për të marrë veprime. Por, Stano të enjten ka thënë se është normale që duhet pritur përfundimi i procesit gjyqësor.

“Është logjike çdo hetim pasohet nga procesi gjyqësor. Hetimi krijon konludimet e caktuar e ato dorëzohen në formë aktakuze. Tash procesi gjyqësor nis. Kjo është procedurë gjyqësore dhe nuk të ndërhyhet. Është pjesë procesi. Kur përfundohet e gjitha, atëherë është koha për të tjerët të komentojnë e t’i nxjerrin pasojat”, tha Stano.

I pyetur nëse BE-ja do të insistojë që Milan Radoiçiq të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë se qëndrimi gjithmonë ka qenë i qartë se “Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht”.

Vulin kërcënon Kosovën: Situata mund të eskalojë në çdo moment…

Aleksandar Vulin, zëvendëskryeministër i Serbisë, ka dhënë një intervistë për mediumin rus “RIA Novosti”, ku ka bërë një deklarim kërcënues kundrejt Kosovës.

Duke folur për situatën në Kosovë, Vulini, që është i sanksionuar nga SHBA-ja, tha se situata mund të eskalojë në çdo moment. Nëse eskalon, tha Vulini, “Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq”.

 

“Situata në provincën jugore serbe – [siç Vulin e quan Republikën e Kosovës v.j.] – mund të eskalojë në cilindo moment. Kur dhuna përdoret kundër serbëve, është e pamundshme të pritet që secili, sidomos Serbia, do të qëndrojë duarkryq e të shikojë. Natyrisht se ne s’do të bëjmë ashtu” – tha ai.

 

Vitia: Hera e parë në 7 vjetët e fundit që shifra e ikjes së mjekëve është ulur

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është hera e parë në 7 vjetët e fundit që shifrat e ikjes së mjekeve janë ulur.

Vitia i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se nga ikja e mjekëve do të kolapsojë sistemi shëndetësor. Ai ka akuzuar Haxhiun për shpifje.

“Në 7 vjetët e fundit është hera e parë që shifra e ikjes së mjekëve është ulur”, tha Vitia në Kuvend.

“[Bekim Haxhiu] Tha se statuti i SHSKUK-së po i mbyll disa shërbime e ne, qytetarë të nderuar, çdo ditë po hapim shërbime të reja dhe kjo është një e pavërtetë e radhës. Tha për mungesë të barnave, që situata kurrë s’ka qenë më keq, është një e pavërtetë tjetër. Në Kosovën e pasluftës kurrë më shumë s’kanë qenë të furnizuara QKUK dhe spitalet rajonale. Sa i përket marrjes së shtretërve në Pediatri është një e pavërtetë tjetër. Ne i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet që kemi nëse nuk shfrytëzohen nëpër klinika”, tha Vitia.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në deklarimet jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit, ka folur për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova.

Haxhiu: Alarmante, për tri vjet e gjysmë u larguan mbi 3860 profesionistë shëndetësor nga Kosova

Haxhiu: Alarmante, për tri vjet e gjysmë u larguan mbi 3860 profesionistë shëndetësor nga Kosova

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka thënë se është shqetësuese dhe alarmante, ikja e profesionistëve shëndetësor nga Kosova.  Haxhiu në senacën e Kuvendit tha se me këtë trend  të tanishëm të ikjes, sektori i shëndetësisë së shpejti do të jetë në kolaps.

“Deri me 1 qershor 2024, për tri vite e gjysmë  mbi 3860 profesionistë shendetësor mjekë infermierë, stomatolog,  fizioterapeut dhe teknikë   kanë ikur nga Kosova. Dhe shumë të tjerë nga sektori publik në atë privat dhe se kjo është alarmante.  Ne nuk mund të prodhojmë profesionistë shëndetësor aq sa po na ikin dhe kjo shumë shpejtë do ta dergojë në kolaps sistemin shëndetësor. Dhe e gjithë kjo është si pasojë e keq qeverisjes. Korrupsioni në këtë sketor ka rënduar gjendjen në shendetësi”, ka thënë ai.

Bekë Berisha: Për katër vite, përveç urës Saradranit, i keni rregulluar edhe mikrofonat në Kuvend, bravo

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, duke ngacmuar pushtetin për punët që kanë bërë për 4 vite.

Berisha ka thënë se përveç urës së Saradranit, pas katër vitesh, janë rregulluar edhe mikrofonat në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Po më gëzon fakti që Kuvendi i ka ndreq mikrofonat, pas urës Saradranit, kanë arrit me i ndreq edhe mikrofonat. Tash do të kemi mundësi me folë edhe për arritjet tjera. Më urë të Saradranit, me mikrofona, krejt i keni kry, bravo”, ka ironizuar Berisha.

Abdixhiku nga Kuvendi u drejtohet qytetarëve: Refuzojeni këtë pushtet që i pati të gjitha dhe nuk dha asgjë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar pushtetin për kthim mbrapa e dëm të sovranitetit të vendit gjatë këtij mandati.

Ai tha se janë “rrotulluar tavolinat” dhe tash Kosova është e ndëshkuar nga aleatët e Serbia jo.

“Po e nisim seancën e parë të sesionit vjeshtor, fatmirësisht të fundit të kësaj legjislature, fatkeqësisht në gjendje të pandryshueshme si katër vite më parë – për më tepër në gjendje të sfidave të paprecedenta për vendin tonë dhe të ardhmen që ëndërrojmë. Po e nisim këtë seancë me ndjenjë e ndasive të mëdha shoqërore brenda nesh ku akuzat e tradhtisë e Serbisë janë veçse gjuhë e rëndomtë sikurse edhe ndjenjën e thellë të izolimit tonë kombëtar ku ne ndonëse të vetëm mbesim megjithatë krenarë. Në pabesinë më të madhe historike kemi zënë vendin e ankuesve të aleatëve tonë, i sulmojmë ata dhe i godasim për të marrë në fund asnjë rezultat veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilin nuk do të merret asnjë vend europian. Prandaj, për katër vjet nuk kemi as edhe një njohje, prandaj për katër vjet ne nuk kemi asnjë anëtarësim, prandaj ne Republika e Kosovës jemi nën masa e nën sanksione. Një politikë e tillë disfatiste e njohim shumë qartë”.

“E kemi mundur 25 vite më parë. Ne njerëzit e lirë të Republikës së Kosovës. Veçse ne ishim vetë dhe u bëmë aleatë. Ne ishim në të drejtën tonë edhe në sytë e të tjerëve, ne ishim të suksesshëm në rrugën e vështirë të njohjeve e anëtarësimeve e kundërshtarët tonë i lanë në sanksione, të mbyllur e pa mbështetje euroatlantike. Duket se koha ka rrotulluar tavolinat, kështu ndodh kur në momente të rëndësishme historike udhëhiqesh nga politika të papërgjegjshme, populiste e në kriza përplot mllef e urrejtje ndaj gjithësecilit”.

Abdixhiku tha se “katër vite janë të mëdha për të bërë ndryshim të madh mbrapsht”, ndërsa akuzoi Qeverinë Kurti për goditje të shtetësisë së Kosovës me vendimin e BE-së për njohjen e pasaportave të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

“Në këtë rrotullim tavolinash shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i BE-së i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës. Ta kuptojmë për pak këtë gjendje fatale për Republikën. BE njeh autoritetin shtetar serb mbi shtetin e pavarur të Kosovës, 17 vite pas pavarësisë, 25 vite pas lirisë. Si mund të mburremi ne me një përfundim të tillë? Ku qenka suksesi i sjelljes sonë gjoja sovrane?”.

Kreu i LDK-së përmendi mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit dhe për këtë bëri përgjegjëse Qeverinë.

“Dhe në këtë rrotullim tavolinash, jemi në prag të përjashtimit edhe nga Procesi i Berlinit, për të humbur kështu përfundimisht barabarësinë e trajtimit mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ta kuptoni mirë, këto janë pasoja serioze të kësaj politike. Kjo politikë nuk shpie askund përveç në favorizimin e kundërshtarëve tanë historikë e rrezikimin e shtetësisë sonë ende të pakonsoliduar. Të kuptoni mirë se përtej fitoreve të vogla momentale për pak vota, qëndrojnë humbjet e mëdha të vet shtetit e Republikës.

Natyrisht se populizmi nuk e kupton këtë brengë. Përkundrazi, populizmi e populistët kanë nevojë për polarizim të mëtutjeshëm. Për ndarje sa më të thellë. Ne dhe ju; sa më larg, sa më të ndarë”.

Abdixhiku këtu përmendi edhe rastin me urën dhe kritikoi për një “ngritje të pyetjes” nëse je për apo kundër hapjes.

“Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishin për, në fund disi ngrihet pyetja a je për apo kundër, këndej apo andej urës? Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n, për ta thënë shkurt, shqip qartë! Sepse, ka një vijë që se kalojmë dot – NATO dhe Kosova janë një, bashkë – asnjëherë përballë! Ky është orientim popullor i Kosovës dhe ju garantoj, se asnjë dëshirë – sado e errët ekstremiste, nuk mund as ta testojë edhe më pak ta ndryshojë këtë orientim. Por ja që, përveç Ures së Ibrit, ka dhe një urë tjetër, këtu në Badovc. Aty nuk ka NATO, aty nuk ka media, aty nuk ka asnjë pengesë të vetme që kjo urë të përfundojë. Tash e sa vite, mijëra vetura në ditë, kapërcejnë nëpër rrugën që s’ka urë. Por qeverinë nuk i ke aty. As duke lyrë, as duke testuar, aq më pak duke e ndërtuar atë”.

Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë edhe për politikën e brendshme.

“Dhe kjo është zgjedhja jonë sot. Zgjedhja mes një politike që krijon temë të brendshme elektorale pa asnjë rezultat shtetar, përkundrazi me ngufatje të subjektivitetit tonë ndërkombëtar; apo një politike që ndërton e krijon, që pas katër viteve, me 51% e me 12 miliardë euro buxhet, është në gjendje t’i numërojë së paku tri projekte me rëndësi që i ka lënë për këtë vend. Një politikë që nuk ngritët në mëngjes për t’i hartuar plot 10 ligje kundërkushtetuese, për të atakuar më pas secilin mendimtar më ndryshe, për ti sulmuar gjyqtarët që kundërshtojnë tendencat autokratike e për ti mbrojtur të korruptuarit e mafisë energjetike. Nuk kemi nevojë për një politikë që jeton për t’i sulmuar mediat, bizneset e gjithë korpusin jopartiak të tyre; por një që bën një spital të ri, u jep ushqim fëmijëve në shkolla, përfundon rruga e autostrada disakilometërshe, ndërton centrale me gaz, siguron energji, zbutë deficitin tregtar, e krijon paga të larta, punë të denja, jetë të mirë të për secilin qytetar!”.

Ai tha se lajmi i mirë është që ky legjislacion po përfundon dhe – siç tha- me të dhe një politikë e zymtë, përplasëse e ndarëse.

“Kosova është shumë e pasur për të qenë kaq e kurthuar. Është shumë e vlefshme për të mbetur kaq mbrapa e në fatin e ankuesve. Ne kemi ëndërruar me të drejtë një shtet te pasur, të konsoliduar, të zhvilluar me suksese brenda e jashtë; dhe askush, asnjëherë, për asnjë çmim s’ka të drejtë të na ndajë nga kjo ëndërr sa e drejtë aq edhe e mundur”.

Në fund Abdixhiku pati një thirrje për qytetarët e Kosovës.

“Dhe nga kjo foltore e këtij Kuvendi i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës, ata që nuk ndjenjë komfort në ndarjen tonë të brendshme, nuk ndjenjë satisfaksion në izolimin tonë të jashtëm, të rreshtohen prapa refuzimit të madh që duhet t’i bëjmë këtij pushteti! I patën të gjitha, nuk dhanë asgjë! Jemi vetëm 5 muaj larg nga qëllimi ynë i mbarë. Me zgjedhje të reja, me qeveri të re, me ide të reja, e ardhmja që e kemi kërkuar gjithherë është thjeshtë e ndritshme dhe e mundshme!”./Express/

Muja thotë se rritja ekonomike është “arma e fortë” e Qeverisë që s’po diskutohet, të qeshura në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja foli në emër të grupit parlamentar në hapje të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Fjalimin e parë, ai tha se do t’ia kushtonte performancës ekonomike, duke e vlerësuar atë si “armë të fortë” të qeverisë. Kjo shkaktoi të qeshura në Kuvend.

“Fjalimin e parë dëshiroj t’ia përkushtoj disa zhvillimeve të rëndësishme të cilat për shkak të situatave politike, jo rrallë kanë qenë në hije ose nuk janë diskutu shumë, por një armë e fortë e kësaj qeverie gjithsesi ka qenë performanca ekonomike”, tha Muja.

Ai u ndal pak për shkak të reagimeve.

“Në tremujorin e parë të.. a ka mundësi pak qetësi?.

“Në tremujorin e parë të vitit 2024, në bazë të ASK-së rritja e raportuar ishte 5.6% në terma realë, dhe marrë në përgjithësi, që nga ardhja e kësaj qeveria, nëse bëhet analizimi i thjeshtë, rritja mesatare që nga viti 2021 vazhdon të jetë mbi 6%, larg përtej krahasimisht rritjeve që kanë ndodh paraprakisht”, vazhdoi Muja.

“E veçanta e kësaj rritjeje ekonomike në 2-3 vitet e fundit”, sipas Mujës, është se “kjo është rritje ekonomike pa borxh, nuk është e bazuar në borxh”.

Muja tha se “po të mos ishim ne, 1 miliard euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin”.

“Rrjedhimisht, i gjithë financimi i shtesave për fëmijë, i gjithë financimi për fëmijë do të mungonte”, tha deputeti i LVV-së, duke e lavdëruar administrimin e politikës fiskale.

Hapet thirrja për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, ja si duhët të aplikoni

Ministria e Ekonomisë në kuadër të pakos emergjente për energji ka lansuar thirrjen publike “Mbështetje konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje”.

Të gjithë ata qytetarë të cilët blejnë klimë efiçiente, kalda me biomasë, pompë termike si dhe stufë individuale me biomasë do të subvencionohen nga fondet që janë siguruar nga Bashkimi Evropian.

Për kalda me biomasë vlera e subvencionit do të jetë 70%, apo deri në 1,200 euro, për klimë do të jetë 40% e vlerës apo deri në 400 euro, për pompë termike deri në 2 mijë euro ndërsa për stufë individuale me biomasë deri në 435 euro.

Kryeministri i Kosovës tha se përmes këtyre masave, do të ulet shpenzimi i energjisë.

“Teksa temperaturat kanë filluar të ulen, qytetarët do të kenë mundësi që shtëpitë e tyre t’i mbajnë të ngrohta. Ne tashmë kemi përkrahur rreth 40 mijë familje. Për këto familje kjo verë ka qenë më e freskët e dimri do të jetë më i ngrohtë”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se i gjithë procesi do të jetë transparent.

“Po hapim edhe një raund të masave. Është hera e 13 që po marrim masa të tilla. Me të gjitha këto masa ne kemi arritur investime rekorde në efiçiencë të energjisë”, shtoi ajo.

Qytetarët do të duhet të aplikojnë në platformën E-Kosova për subvencionim.