Specialja merr vendim për Thaçin

Seancat gjyqësore ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi janë anuluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë

“Pas përfundimit të Konferencës së Statusit të sotëm, ju njoftojmë se të gjitha seancat dëgjimore të planifikuara më parë për nëntor dhe dhjetor në gjyqin Thaçi etj. janë anuluar dhe hequr nga Kalendari i Gjykatës. Siç u përmend gjatë Konferencës së Statusit, Trupi Gjykues synon të nxjerrë një vendim mbi hapat e mëtejshëm në procedura më vonë këtë javë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se në Hagë kanë dëshmuar si dëshmitar të mbrojtjes së Thaçit ndër të tjerë kanë dëshmuar diplomatë amerikanë si; James Rubin, Cristopher Hill dhe së fundmi ish gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.

Në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe e fundit ka qenë në Strasburg.

Ndërsa, më 5 nëntor janë bërë 5 vite prej kur katërshja e UÇK-së ndodhen në paraburgim. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm./KosovaPress

Xhafer Tahiri merr vendimin e papritur

Xhafer Tahiri ka njoftuar sot dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri.

Tahiri përmes një postimi në ‘Facebook’ tha se ky vendim është marrë “me shumë dashamirësi, reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike”, duke theksuar se nuk vjen as nga lodhja e as nga zhgënjimi, por nga dëshira për t’i hapur rrugë energjive të reja brenda degës së LDK-së.

“Besoj se udhëheqja duhet të dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për një kapitull tjetër të LDK-së në Vushtrri”, u shpreh ai.

Tahiri kujtoi rrugëtimin e tij politik që nga viti 2009, kur mori drejtimin e FRLDK-së në Vushtrri dhe më vonë në nivel qendror, si dhe periudhën 2017–2021, kur shërbeu si Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, të cilën e cilësoi si “nderi i jetës sime”

“Vendimi për dorëheqje është një hap prapa vetëm në pozicion, por jo në angazhim. Në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Vushtrrinë, për LDK-në e fortë e fituese dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në atdheun tonë”, shkroi Tahiri në profilin e tij në Facebook.

Postimi i plotë:

Ish-deputeti i Kurtit: Bllokimi i Kuvendit ka ardhur nga vetë VV-ja

Të mërkurën, në Kuvendin e Kosovës dështoi votimi për Qeverinë e propozuar nga Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga 110 deputetë të pranishëm, vetëm 56 votuan për, ndërsa 53 ishin kundër dhe 4 abstenime, që nuk mjaftoi për shumicën e nevojshme prej 61 votash.

Kjo dështoi formimin e një qeverie të re, dhe tani përgjegjësia kalon te Presidentja Vjosa Osmani, e cila sipas Kushtetutës pritet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ky është një tjetër moment bllokade politike, pas disa muajsh pa qeveri funksionale.

Lidhur me dështimin për formimin e Qeverisë Konjufca, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli ka shprehur mendimin e tij për ngërçin politik.

Humolli tha se bllokimi i Kuvendit ka ardhur nga vetë VV-ja.

Sipas tij, qeveria aktuale nuk ka pasur interes për të zgjidhur problemet, dhe zgjidhja e duhur do të kishte qenë një qeveri teknike.

“Ky ka qenë një bllokim prej VV-së, e nëse prap kjo fiton, një VV prap e bllokon Kuvendin, për shkak të Presidentit. Këtu nuk po ka shans Qeveria aktuale, me qenë e interesuar për zgjidhjen e problemeve, ishte dashur të bëhet qeveri teknike dhe u ditë se nga fillimi se s’mund të bëhet qeveri me këtë metodë, ajo s’ka qenë e interesuar me bashkëpunu me parti politike”, deklaroi Humolli.

Humolli shtoi se VV-ja ka synuar të “djegë” partitë tjera para zgjedhjeve.

Se si do të jetë rezultati zgjedhor, Humolli vlerëson se varët nga puna e opozitës në terren.

“Ata kanë dashur që partitë tjera me i djegë para se me shkuar në zgjedhje dhe që ato të kenë dëme materiale dhe kjo tashmë varet nga partitë opozitare që s’kanë qenë në pozitë të mirë dhe me zgjedhjen e Dimal Bashës është ditur se nuk bëhet Qeveria. Tash varet krejt nga puna e opozitës në terren”, ka deklaruar Humolli për “Front Online”.

E rëndë: Punëtori goditet nga rryma dhe humb jetën gjatë punimeve
Një incident i rëndë ka ndodhur dje në Obiliq, ku një person ka humbur jetën pasi u godit nga rryma gjatë punimeve në shtëpinë e tij.

Rreth orës 14:20 është raportuar se viktima ishte dërguar pa shenja jete në QKUK. Paraprakisht, ai ishte duke punuar afër një makinerie për përzierjen e betonit (mikser), kur dyshohet se është goditur nga rryma elektrike. Pasi kishte marrë tretman të shpejtë nga ekipi i QMF-Obiliq, është transportuar në QKUK, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen.

Policia ka dalë në vendngjarje dhe ka kryer procedurat e nevojshme, ndërsa Prokurori Kujdestar ka udhëzuar inicimin e rastit si “Trup i pajetë”. Trupi i viktimës është liruar për familjarët, pasi nuk janë paraqitur dyshime për rrethana të tjera të vdekjes.

28-vjeçari qëllohet me armë zjarri, dorasi arratiset

Një 28-vjeçar ka mbetur i plagosur në të dyja këmbët mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren.

Lajmin për Gazetën Insajderi e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Viktima, sipas Bytyqit, gjendjet jashtë rrezikut për jetë dhe se i njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor.

Bytyqi njofton se 28-vjeçari ishte duke vozitur automjetin kur një person shtiu me armë në drejtim të tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes me një trotinet elektrik.

“Më datë 19.11.2025, rreth orës 23:15, në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren, patrulla policore gjatë patrullimit ka dëgjuar krisma armësh dhe ka hasur një person të plagosur nga arma e zjarrit. Viktima, Gj. Sh., mashkull 28 vjeçar nga Prizreni, ka pësuar plagosje në të dy këmbët dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë”.

“Sipas informacioneve të para dyshohet se viktima ishte në lëvizje me automjet kur një person ka shtënë me armë në drejtim të tij dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me një trotinet elektrik. Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor. Në konsultim me prokurorin, është filluar rasti “Vrasje në tentativë” dhe hetimet po zhvillohen nga Sektori Rajonal i Hetimeve i DRP Prizren. Policia ka mbledhur prova nga vendi i ngjarjes, ka intervistuar viktimën dhe dëshmitarët, dhe po punon në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit”, tha Bytyqi.

Data e zgjedhjeve, Osmani mbledh liderët e partive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i presë sot liderët partiakë për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, pas dështimit të mandatarit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar shumicën e nevojshme për qeverinë e re të Kosovës.

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka konfirmuar se takimi do të nisë nga ora 10:30, dhe LDK do të marrë pjesë.

Po ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratik e Kosovës dhe NISMA kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Ky takim vjen një ditë pas dështimin të Glauk Konjufcës për t’u zgjedhur kryeministër i vendit.

Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.

Pas dështimit për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

“T’gjuj me gotë në kry”- Eskalon debati mes Matoshit e Drenorit

Një përplasje e ashpër verbale ka ndodhur mes Xhavit Drenorit dhe Halil Matoshit gjatë debatit në emisionin “Adresa”, ku tensionet ndërmjet tyre arritën kulmin me kërcënime dhe replika të rënda.

Drenori, i irrituar nga ndërhyrjet, iu drejtua Matoshit: “Unë kur e marr fjalën, ti e ki obligim me m’ngu dej t’kryjë atë dreq fjalie.”

Matoshi reagoi menjëherë: “Pasha Zotin po munohna, po s’po mësoj kurgjo prej teje hiç.”

Drenori vazhdoi me tone të ngritura: “Po kush o ka flet për ty, po ty t’u ka trubullu truni more burrë.”

Situata eskaloi edhe më tej kur Matoshi lëshoi një deklaratë të rëndë: “Besën po ta jap, edhe një herë e hap gojën, pa të gju me gotë nuk e la.”

VIDEO

Syla i OVL-UÇK ia kujton Haxhiut kur LVV dhe LS përjashtuan veteranët nga Ligji i pagës minimale

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë ditës postoi një fotografi nga seanca e sotme e kuvendit ku u hodh në votim “Qeveria Konjufca”.

Me të dështuar zgjedhja e tij si kryeministër, deputetja e LVV-së postoi një fotografi të Grupit Parlamentar të PDK-së, prapa të cilëve janë të ulur GP i Listës Serbe.

“Në harmoni të plotë”, shkroi ajo, teksa në foto shihet se të gjithë deputetët, edhe të PDK-së edhe të Listës Serbe kanë ngritur dorën lart për të votuar kundër Konjufcës kryeministër, raporton Klankosova.tv.

E si kundërpërgjigje, nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, postoi një foto tjetër nga një moment i mëhershëm në Kuvendin e Kosovës.

Aty shihen deputetët e LVV-së dhe të atyre të Listës Serbe, me duart e tyre të ngritura lart.

“Në harmoni të plotë. Votuan për pagën minimale, por veteranët e UÇK-së i lanë jashtë ligjit”, shkroi Syla në postimin e tij në Facebook.

Qershorin e vitit 2022, Kuvendi e kishte kaluar në lexim të parë Projektligjin për rritjen e pagës minimale, mirëpo nga ky ligj ishin përjashtuar veteranët e UÇK-së, përfitues të skemave sociale.

Pro këtij projektligji kishin votuar LVV-ja dhe Lista Serbe, por jo edhe partitë tjera asokohe opozitare, të cilat kundërshtonin përjashtimin e kategorive të luftës nga ky projektligj.

Lladrovci: E mundi edhe Kurtin nëse garoj me iniciativën tim

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, u shfaq i bindur se do ta mposhtë Albin Kurtin, nëse në zgjedhjet e ardhshme garon me iniciativën e tij.

Lladrovci deklaroi se do të përgatitet, pasi sipas tij kurrë në jetë nuk është zënë në befasi.

“Unë kam thënë nëse dal me iniciativën time, do ta mund edhe Albin Kurtin”, deklaroi Lladrovci në Rubikon.

Ai tha se PDK-ja do të shkonte në një koalicion me Vetëvendosjen nëse do të arrinin të dakordoheshin në disa pika, siç është ndihma për fondin për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Dështimi i formimit të Qeverisë, reagon Isa Mustafa

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i siguroi votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re të Kosovës. Moszgjedhja e Qeverisë për herë të dytë, bën që të hapet rruga drejt zgjedhjeve të reja.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se që nga fillimi kur Vetëvendosje doli e para në zgjedhje e që nuk tregoi asnjëherë interesim të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë, është parë se epilogu është zgjedhjet e reja.

Ai gjithashtu kritikoi edhe partitë ish opozitare, të cilat sipas tij nuk arritën të kenë një gjuhë të përbashkët për një zgjedhje të tyre, e cila nuk do të qonte në zgjedhje.

“Që nga fillimi, kur partia e cila doli e para në zgjedhje, e që nuk tregoi asnjëherë interesim të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë, është parë se epilogu është zgjedhjet e reja. Njëjtë është parë edhe nga paritë që më parë ishin në opozitë, të cilat po ashtu asnjëherë nuk arritën të kenë gjuhë të përbashkët për një zgjidhje të tyre, e cila nuk do të qonte në zgjedhje”, vlerësoi ai.

Mustafa u shpreh se salla e Parlamentit është shndërruar në “teatër me shfaqje herë tragjike për shtetin e herë komike për popullistët”, duke i cilësuar veprimet e deputetëve si të papërgjegjshme dhe të padinjitetshme për shumicën e qytetarëve.

“Salla e Parlamentit shërbeu si teatër për shfaqje herë tragjike për shtetin e herë komike për popullistët nga aktorët që morën vota të qytetarëve, jo për vendime në dobi të qytrtarëve. Vlerësoj se ishin shfaqje të papërgjegjshm e të padinjitetshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, situata nuk mund të zvarritet më tej dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje menjëhrë “jo nga nesër, por nga sot”.

Ai theksoi se mbetet të shihet nëse qytetarët “do të vazhdojnë të besojnë përrallave populiste apo interesit politik e social të shtetit”

“Prandaj zgjidhje e vetme është që, jo nga nesër por, nga sot të shkojmë në zgjedhje të reja. Efektet nuk mund të parashikohen, nëse akoma do të ketë qytetarë të cilët i duan dhe u besojnë më shumë përrallave populliste sesa interesit politik dhe social të shtetit”, theksoi ai.

Ai tutje thekson se zgjidhja është në përgjegjësinë e çdo votuesi për votën e tij.

“Zgjidhja është në përgjegjësinë e çdo votuesi për votën e tij. Prandaj duhet të sfidohemi me ndërgjegjen tonë, me guximin, me besimin në njëritjetrin por edhe me riskun, si pjese të pandashme të çdo vendimmarrjeje”, përfundoi ai.