Ligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë, deklarohen nga Qeveria

Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se lufta kundër korrupsionit është luftë për dinjitetin e shtetit dhe se dinjiteti nuk mund të vonohet, referuar faktit se për gati një vit në Gjykatën Kushtetuese opozita ka dërguar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Kanë mbetur më pak se një muaj që të bëhen 1 vit që kur opozita i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vetëm 3 nene të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, shkruan Sallahu.

Sallahu potencon se kjo vonesë krijon terren të përshtatshëm që pasuria e pajustifikueshme të mbetet e paprekur.

“Ende s’ka shqyrtim, ende s’ka vendim. Si rrjedhojë e kësaj ka heshtje e cila krijon terren të përshtatshëm ditor që pasuria e pajustifikueshme të mbetët e paprekur, duke sfiduar qytetarët e ndershëm dhe duke e dobësuar njëkohësisht besimin në shtetin ligjor. Lufta kundër korrupsionit është luftë për dinjitetin e shtetit tonë dhe dinjiteti nuk mund të vonohet. Andaj, secila vonesë e paarsyeshme e saj nënkupton cenim të ndarjes dhe funksionimit të pushteteve dhe dëmtim të parimeve të funksionimit të shtetit të së drejtës në përgjithësi”, ka shkruar Sallahu.

Krasniqi e quan “njeri jonormal” Hysamedin Ferajn pas shkrimit se PDK dhe LDK janë “djem të Serbisë”

Hysamedin Feraj i Vetëvendosjes, këshilltar i Albin Kurtit, i çoi kualifikimet në nivele ekstreme të gjuhës politike, kur PDK-së dhe LDK-së iu referua si “djem të Serbisë”.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, tha se personi në fjalë “ka rrëshitë” dhe se “nuk duhet të quhet normal”.

“Këtij personi duket sikur ia kanë thyer password-in dhe ai nuk është në dijeni. Ose thjesht ka rrëshitë. Hysamedini që kam njohur para 20 vitesh ka qenë njeri normal. Autori i këtij postimi nuk mund të quhet normal. Aq më pak intelektual”, shkroi Krasniqi.

Molliqaj: Qeverisja e Kurtit është autoritare, e korruptuar dhe e rrezikshme

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për qeverisje autoritare, të korruptuar dhe të rrezikshme, raporton GazetaBlic.

Në një reagim publik, Molliqaj tha se pas katër vjetësh në pushtet, këto fakte i bashkëngjiten bilancit të qeverisjes së Kurtit, duke theksuar se vendi po përballet me pasoja të rënda politike e shoqërore.

 

NATO “kërcënohet” nga raketa bërthamore ruse Burevestnik me rreze të pakufizuar

Një dokument i klasifikuar i Aleancës, të cilin e ka parë gazeta gjermane Die Welt, thekson se sfidat ekzistuese do të përkeqësoheshin edhe më tej nga fuqia e kësaj rakete.

Raketa ka kapacitet për të përshkuar distanca të gjata dhe mund të arrijë shpejtësi deri në 900 kilometra në orë. Ajo mund të lëshohet nga platforma të lëvizshme dhe, falë sistemeve të avancuara, është në gjendje të shmangë mbrojtjen ajrore të NATO-s.

Reaktori bërthamor i raketës i siguron një rreze veprimi teorikisht të pakufizuar, duke i mundësuar të udhëtojë dhjetëra mijëra kilometra pa nevojën për karburant, të qëndrojë në ajër për periudha të gjata, të ndryshojë kursin dhe të sulmojë objektiva nga çdo drejtim, sipas vlerësimit të dokumentit të NATO-s.

Ky zbulim nënvizon mangësitë e Aleancës në përballimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë, veçanërisht atyre me karakteristikë bërthamore. Megjithatë, disa ekspertë shprehin skepticizëm mbi efikasitetin e raketës, duke dyshuar se reaktori bërthamor mund të mos funksionojë sipas parashikimeve.

Ra në shina e u shtyp nga treni, shpëton 45 vjeçari në Hamburg

Një burrë i mbijetoi shtypjes nga një tren në Hamburg, pasi ra mbi shina.

Policia federale raportoi se 45-vjeçari humbi ekuilibrin dhe ra nga platforma në stacionin kryesor të Hamburgut rreth orës 2:45 të mëngjesit, transmeton Klankosova.tv 

Pasagjerët që prisnin u përpoqën ta paralajmëronin burrin për trenin që po vinte, por nuk arritën ta parandalonin aksidentin. 

Policia dhe shërbimet e emergjencës arritën ta lironin burrin duke e shtyrë trenin prapa. Burri u dërgua në spital me lëndime të rënda, përfshirë një krah të thyer.

Pas shqyrtimit të deklaratave të dëshmitarëve dhe pamjeve filmike, policia njoftoi se nuk kishte të bënte me tentative vetëvrasjeje. /Klankosova.tv 

Gucati: Clark do të jetë një bombë për Specialen, njeriu më i afërt i Thaçit dhe të tjerëve

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati ka folur në lidhje me dëshminë që do ta japë Wesley Clark në Hagë.

Ai u shpreh se Clarku do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale, duke thënë se ka qenë njeriu më i afërt i Hashim Thaçit dhe i të tjerëve dhe i gjithë UÇK-së.

“Unë besoj që Clarku do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale, njeriu më i afërt i Hashim Thaçit dhe i të tjerëve, njeriu më i afërt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Gucati në Klan Kosova.,

“Njeri i cili mori vendime dhe hapa të mëdha ta bombardonte Serbinë në atë kohë dhe nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës shpallet organizatë kriminale atëherë do të shpallet edhe NATO organizatë kriminale, që NATO-ja bombardoi Serbinë për gjenocidin që e beri në Kosovë”, u shpreh ai.

Trump paralajmëron lëvizjen e madhe: “E kam marrë vendimin për Venezuelën!”

Presidenti amerikan Donald Trump tha se “në një farë mënyre ka vendosur” nëse do të ndërmarrë veprime ushtarake në Venezuelë, një veprim që do të përshkallëzonte një situatë tashmë të tensionuar pasi SHBA kaloi dy muaj duke goditur anije të dyshuara për drogë në Karaibe.

“Nuk mund t’ju them se çfarë do të jetë, por në një farë mënyre e kam vendosur”, tha Trump.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Dua të them, nuk mund t’ju them se çfarë është, por kemi bërë shumë përparim në Venezuelë për sa i përket ndalimit të vërshimit të drogës.”

SHBA vendosi aeroplanë F-35, anije luftarake dhe një nëndetëse bërthamore në rajon, si pjesë e një përgatitjeje ushtarake pas dy muajsh sulmesh vdekjeprurëse kundër anijeve pranë Venezuelës.

Më herët këtë javë, grupi i sulmeve të aeroplanmbajtëses Gerald Ford u zhvendos në rajonin e Amerikës Latine, duke sjellë me vete më shumë se 75 aeroplanë ushtarakë dhe mbi 5,000 trupa.

SHBA refuzon të njoh legjitimitetin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili ka mbajtur detyrën që nga vdekja e Hugo Chavez në vitin 2013, si kreu i shtetit të vendit.

Departamenti i Shtetit po ofron 50 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e tij, një shumë që ata e kanë rritur vazhdimisht që nga viti 2020.

Maduro ka thënë se Trump po kërkon ta rrëzojë nga pushteti, por Trump ka thënë vazhdimisht se nuk po kërkon ndryshim regjimi.

Momente kyçe në Hagë: Nesër nis një fazë që mund të ndryshojë gjithçka

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, javën që po hyjmë janë planifikuar seancat gjyqësore ku do të dëshmojnë blloku i fundit i dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore.

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën i NATO-s, Wesley Clarki ishte planifikuar të fillojë dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor. Mirëpo, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, është marrë vendim që Wesley Clark të fillojë dëshminë të hënën e 17 nëntorit (nesër), duke filluar nga ora 12:00.

Dëshmia e gjeneralit Clark pritet të zgjasë deri të mërkurën më 19 nëntor 2025, dhe do të jetë dëshmitari i fundit i Mbrojtjes së Thaçit,.

Pas saj do të mbahet edhe një konferencë për ecurinë e çështjes.

Seanca shtesë e planifikuar për 21 nëntor është anuluar.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John SteWart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

DhSK-ja kishte bërë të ditur ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025./Reporteri.net/

Afrim Muçiqi: Politikë e poshtër, kemi mbet në dorën e analfabetëve

Këngëtari i muzikës popullore, Afrim Muçiqi në “Sol” në Klan Kosova ka folur për shtatën politikë në vend.

Ai tha se deputetë që nuk punojnë e kërkojnë prap votën e qytetarit, nuk e meritojnë ta marrin.

Sipas tij, të gjithë të kualifikuarit tashmë kanë lëshuar Kosovën dhe siç thotë ai, kemi mbetur në dorë të analfabetëve.“Votoma një djalë të hallës që e kam temin, jo bre jo, se dashte s’dashte çdo temë që e bën ke me u lidh me këtë politikë të poshtër, që e ka kaplu çdo familje. T’ka hup dinjiteti i lagjes që ti jeton”, tha ai.

“Në vendin ku duhet me qenë njerëz të kualifikuar, më falni por ata e dinë, ai që është më shkollë fillore e zëvendëson atë që e ka kryer shkollën me 10’tshe. Ata që janë profesionistë të vërtetë fatkeqësisht janë jashtë vendit. Kemi mbet në dorën e analfabetëve”, përfundoi Muçiqi.

Moti për javën e ardhshme, paralajmërohet edhe reshje bore

Gjatë pesë ditëve të ardhshme mbi vendin tonë do të mbretërojë mot kryesisht i ndryshueshëm, raporton KosovaPress.

Ditën e hënën do të mbajë mot i vranët dhe me intervale diellore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga një deri në katër gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 14 deri në 17 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi një deri në katër metra për sekondë.

Të martën do të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu. Në viset malore me lartësi mbidetare mbi 1500 metra parashihen reshje bore. Temperaturat minimale do të variojnë nga 4 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 8 deri në 11 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi një deri në gjashtë metra për sekondë.

Moti kryesisht i vranët dhe vende-vende me reshje shiu do të mbajë ditën e mërkurë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale 9 deri në 11 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi një deri në pesë metra për sekondë.

Të enjten do të mbretërojë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 12-14 gradë Celsius. Era do të fryjë nga juglindja, me shpejtësi një deri në katër metra për sekondë.

Mot me diell dhe vranësira të shpërndara, me riga lokale shiu do të mbretërojë ditën e premte. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 13 deri në 15 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga jugperëndimi, thuhet në raportin e parashikimit të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.