Vlora Çitaku: Qytetarët e Mitrovicës meritojnë zgjedhje të ndershme

Deputetja kërkon hetim të çdo parregullsie, ndërsa KQZ sqaron ndalimin e përkohshëm të numërimit të votave.

Vlora Çitaku theksoi se qytetarët e Mitrovicës e kanë merituar dhe e meritojnë një proces zgjedhor demokratik, transparent dhe të ndershëm, pa intimidime, pa presione dhe pa ndërhyrje.

“Çdo parregullsi, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, duhet të hetohet nga organet kompetente, pa asnjë ndikim apo ndërhyrje politike,” tha Çitaku.

Deklarata e saj erdhi pas raportimeve se gjatë mbrëmjes numërimi i votimeve në Mitrovicë ishte ndalur përkohësisht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sqaroi se ndalimi ishte për shkak të disa çështjeve teknike dhe garantoi se procesi i numërimit nuk është komprometuar dhe se çdo parregullsi do të trajtohet sipas ligjit.

Çitaku shtoi se vota është e shenjtë dhe duhet mbrojtur me çdo kusht, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të procesit zgjedhor.

Numërohen 71 % e votave në Prishtinë, ky është përditësimi i fundit nga Qendra Komunale
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë po vazhdon numërimi i votave për balotazhin që u zhvillua të dielën e 9 nëntorit.

Tashmë janë përditësuar të dhënat nga 192 vendvotime.

Sipas këtij përditësimi, nga kjo përqindje, 33 mijë e 460 vota janë për Ramën, ndërsa 31 mijë e 575 për Çekun.

Në këto qendra po bëhet edhe verifikimi i rezutateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime, pas numërimit të fletëvotimeve.

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë po vazhdon numërimi i votave për balotazhin që u zhvillua të dielën e 9 nëntorit.

PDK-ja nuk e pranon rezultatin: kërkon rivotim në Mitrovicë

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas raportimeve lidhur me verifikimin e votave në Mitrovicë.

Një fletëvotim me numër serik të një vendvotimi tjetër është provë e qartë se diçka nuk shkon dhe sipas tij, është shkelje e pastër e standardeve demokratike.

“Rivotimi është i domosdoshëm për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve”, shkruan ndër të tjera ai.

Bajqinovci – PDK-së: Me zor nuk merret fitorja në Mitrovicë

Deputeti i VV-së ka reaguar pasi Prokuroria ka urdhëruar ndërprerjen e numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut, deri në momentin kur të qartësohet parregullësia e raportuar, e të bëhet e ditur se a ka gabim teknik me disa fletëvotimeve apo manipulim të votave, raporton GazetaDemos.

Bajqinovci e ka akuzuar PDK-në për këto denoncime, duke deklaruar se po tentojnë ta marrin me zor fitoren në Mitrovicë.

“PDK-ja e ka çu policinë e prokurorinë, e tash edhe militantët në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë. Me zor nuk merret fitorja, ajo kohë ka shku! Mitrovica ia tregoi vendin PDK-së!”, ka dekaruar Bajqinovci.

Sallahu i kundërvihet Prokurorisë: Menjëherë të rifillojë numërimi, çdo veprim tjetër është i anshëm

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, duket se nuk e ka pritur mirë vendimin e Prokurorisë për ndalimin e numërimit të votave në Mitrovicë.

Përmes një reagimi në Facebook, Sallahu akuzoi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në Mitrovicë për propagandë, pas raportimeve për dyshime rreth vjedhjes së votave. Ai theksoi se Prokuroria nuk duhet të bëhet pjesë e propagandës së atyre që kanë humbur zgjedhjet.

Megjithëse Prokuroria e ka parë të arsyeshme ndalimin e numërimit, Sallahu kërkoi që procesi të rifillojë menjëherë.

“Prokuroria në Mitrovicë nuk duhet t’i shërbejë propagandës së një subjekti politik që i ka humbur zgjedhjet. Meqë tashmë bëhet fjalë vetëm për gabime teknike të numrave serik në fletëvotime, të vërtetuara nga KQZ, e të cilat kanë zero ndikim në integritetin e zgjedhjeve në komunën përkatëse, atëherë Prokuroria e Mitrovicës duhet menjëherë ta lejojë vazhdimin e numërimit të fletëvotimeve,” shkroi ai.

Sipas Sallahut, “çdo veprim tjetër konsiderohet i anshëm dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.”

Dyshimet për manipulim me vota në Mitrovicë, PDK paralajmëron këtë veprim

Valon Brahimi nga Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë ka njoftuar se subjekti i tyre do të paraqesë ankesë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me dyshimet për manipulim me vota në këtë komunë.

Mbrëmë në Klan Kosova, Brahimi tha se PDK-ja nuk po e trajton rastin vetëm në aspektin penal, por do të ndjekë edhe rrugën institucionale zgjedhore.

“Ne nuk do të ndalemi vetëm te pjesa penale. Ne nesër (e martë)  do ta dorëzojmë ankesën tonë në PZAP për rastin në fjalë. Do të vazhdojmë t’i marrim të gjitha veprimet ligjore, sepse në sistemin demokratik të Kosovës jemi të interesuar që të mos cenohet legjitimiteti i votës së qytetarëve dhe të mos dëmtohet ligjshmëria”, ka deklaruar ai.

“Qendra e votimit në Mitrovicë do të mbyllet”

Jahir Sumiçiq kryesues i QKN në Mitrovicë ka thënë se Qendra e Numërimit të Votimit do të mbyllet për të vazhduar hetimet.

Ai ka thënë se në këtë qendër momentalisht është ndërprerë votimi dhe se po mbyllen kutitë e votimit.

“Prokuroi i Shtetit së bashku me Policinë dhe hetuesin ndodhen në Qendrën e Numërimit, procesi është ndalë. Po mbyllen kutitë që kanë qenë të hapura. Qendra e Votimit do të mbyllet dhe do të nisin hetimet”, ka thënë Sumiçiq në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Ai ka thënë se nga 35 kuti në 10 prej tyre kanë hasur lëvizje të vendvotimeve që nuk përputhen numrat serik.

Sumiçiq ka thënë se ka pasur fletëvotime të vulosura dy herë.

“Kemi hasur në fletëvotime që nuk përputheshim me numrin e vendvotimeve por edhe të klasave, pra ka pasur lëvizje të fletvotimeve, por edhe nga qendrat e numërimit nga si p.sh nga shkolla “Migjeni” në atë të “Abdullah Shabanit… “, ka thënë ai.

Votat e 25 vendvotimeve për Pecin dhe Tahirin, ky është përditësimi i fundit nga Qendra Komunale

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë po vazhdon numërimi i votave për balotazhin që u zhvillua dje.

Tashmë janë përditësuar të dhënat nga 25 vendvotime.

Sipas këtij përditësimi, nga kjo përqindje, 4 mijë e 186 vota janë për Faton Pecin, ndërsa 4 mijë e 154 për Arian Tahirin.

Në këto qendra po bëhet edhe verifikimi i rezutateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime, pas numërimit të fletëvotimeve.

Zhvillimet e fundit në Mitrovicë në një qendër votimi, reagon Faton Peci

Lidhur me zhvillimet në QNR ka reaguar kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Faton Peci.

“Prap hibrida aaa”, shkroi ai.

Ndryshe, KQZ ka dalë me sqarim lidhur me fletëvotimet në Mitrovicë, ku u raportua se ka mospërputhje të numrit serik me atë të vendvotimit dhe u ndërpre numërimi.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se situatë e njëjtë ka qenë edhe me fletëvotime në Gjakovë dhe se është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.

 

Shala: Kurti e Peci në burg

Analisti politik, Azdren Shala ka deklaruar se kryetari i VV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Faton Peci duhet të arrestohen e të burgosen, në qoftë se verifikohen dyshimet për vjedhje të votave në këtë komunë.

Në “Rubikon” të Klan Kosovës, Shala po ashtu deklaroi se VV-ja ka “poshtuar” Mitrovicën e Jugut, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse kjo akuzë vërtetohet, duhet me shku në burg akterët e krimit, Albin Kurti e Faton Peci. Nuk durohen kështu këta”, deklaroi Shala.

Gjatë ditës së hënë, në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, është ndalur numërimi i votave, pasi Policia dhe Prokuroria u futën brenda kësaj qendre, megjithëse prokurori Shpëtim Peci ka dhënë urdhrin për vazhdim të numërimit.

Lidhur me këtë, Shala tha se nëse procesi i numërimit të votave të shkojë në rregull, sipas tij, duhet të ndërrohet prokurori.