div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date paged custom-background wp-custom-logo paged-3 date-paged-3 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Arrestohet një polic

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar dje një zyrtar policor në Prizren me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale  “kanosje”.

Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar dje pas orës 17:00 nga Policia e Kosovës në Prizren se një zyrtar policor  është i përfshirë si i dyshuar në një rast të kanosjes.

Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin  kanë ndërmarrë disa veprime hetimore.

Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje”.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

“Gabim katastrofal i Albin Kurtit”, më në fund Tomë Gashi i del kundër kryeministrit

Avokati i njohur, Tomë Gashi nuk i ka fshehur lëvdatat për kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Në shumë raste ai e ka duartrokitur kryeministrin për vendimet e tij.

Por, një nga vendimet e fundit, siç duket nuk i ka pëlqyer avokatit. Vendimi që ka të bëjë me shoqatën bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, është vlerësuar si gabim katastrofal nga Gashi.

“Gabim Gabim Gabim katastrofal i Albin Kurtit!”, ka shkruar Tomë Gashi në facebook.

Vdekja e dy vjeçares në Suharekë, zbulohen detaje tragjike

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Bllacë të Suharekës, ku një fëmijë tragjikisht humbi jetën.

Siç raporton Sinjali, vajza dy vjeçare humbi jetën aksidentalisht, pasi dyshohet se kishte rënë në një kovë të madhe uji, e vendosur në një pusetë, afër një kroi.

Sipas mjekut kujdestar, shkaku i vdekjes u përcaktua si ngufatje nga uji. Në konsultim me prokuroren kujdestare, rasti u klasifikua si “Vdekje Aksidentale.”

 

Prokurorja urdhëroi që trupi i fëmijës të mos dërgohet në IML, por t’i kthehet familjarëve nga morgu i Spitalit të Prizrenit. Hetimet u kryen nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.

 

Mërgimtarja prek zemrat: “E mshelem shpijen, e lam Kosovën”

Në rubrikën e “E kam emrin kosovar” të emisionit “Era Verë”, dëshmohet dashuria e madhe e mërgimtarëve për Kosovën.

Një prej momenteve më prekëse ishte intervista që realizoi gazetarja Shaha Thaçi me një mërgimtare, e cila, duke shpërthyer në lot, ndau historinë e saj dhe dashurinë e pakushtëzuar për Kosovën.

“E mshelem shpijen edhe e lam’”, tha ajo. Derisa përshkruante momentin e largimit nga shtëpia, ajo reflektonte mbi dashurinë dhe mallin që ndien për vendlindjen.

Se çfarë ka thënë më shumë e mësoni duke klikuar në videon e mëposhtme.

SHIKO VIDEON 

 

E trishtë: Vdes një fëmijë, Policia jep detaje

Një vajzë ka humbur jetën aksidentalisht në Suharekë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, teksa lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit ditor, shkruan Insajderi.

Në raport thuhet se fëmija u dërgua në emërgjencë, por që mjeku konstatoi se tashmë viktima ksihte ndërruar jetë.

“Suharekë / 31.08.2024-19:45. Viktima femër kosovare fëmijë, ka humbur jetën aksidentalisht. Viktima është dërguar në emergjencë, por mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë. Në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë u dorëzohet familjarëve”, thuhet në njoftimin e PK’së.
Hoti kritikon Qeverinë: Mandati më i dobët qeverisës ndonjëherë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti thotë se qeveria aktuale ka dështuar në implementimin e projekteve të mëdha ekonomike.

Ish-kryeministri po ashtu ka pasur kritika ndaj pushtetit sa i përket mospërmbushjes së premtimeve në arsim e shëndetësi.

Hoti thotë se veprimet e Qeverisë Kurti kanë qenë të pakta dhe larg çdo standardi për përmirësimin e kushteve në sektorët kyç.

Ai po ashtu thotë se as projektet që janë lënë në gjysmë nga qeveritë kaluara nuk kanë shkuar përpara.

“Është mandati më i dobët ndonjëherë qeverisës në vend dhe këto nuk janë vlerësime të opozitës, por mund të verifikohen në terren në secilin prej sektorëve një nga një, sheh se nuk janë realizuar as premtimet jo se jo, por nuk janë ndërmarrë edhe veprimet karshi situatave të krijuara që ka pas nevojë për ndërhyrje të qeverisë. Te premtimet, në aspektin ekonomik gati që nuk ka asnjë projekt të madh kapital që ndryshon situatën ekonomike në vend. As projekte që janë lënë në gjysmë nga qeveritë e kaluara nuk kanë shkuar përpara. Premtimet në arsim e shëndetësi kanë qenë mashtrime të qytetarëve dhe të sektorëve të caktuar. Të shohësh tash se kryeministri që shkon dhe promovon salla të caktuara në kuadër të shërbimit spitalor të Kosovës, ndërkohë që katër vjet nuk bisedon për sigurime shëndetësore, ose për të rregulluar njëherë e përgjithmonë furnizimin me barna nga lista esenciale, ose ofrimin e disa shërbimeve më të specializuara brenda QKUK-së, në mënyrë që njerëzit të mos kenë nevojë të dalin jashtë. Në fushën e arsimit është e njëjta gjë”, thotë Hoti.

Hoti tha se të ardhurat për kokë banori kanë rënë rreth 67 për qind krahasuar me vitet e kaluara kur kanë qenë rreth 74 për qind.

“Në vitet e kaluara së paku kemi qenë jo vendi fundit për nga varfëria në Evropë, sigurisht kemi qenë në pjesën e poshtme të renditjes për shkak trashëgimisë që kemi si ekonomi. Por, ajo që ka ndodhë në tre vjetët e fundit në veçanti në bazë të dhënave të Bankës Botërore tregon që nuk kemi pas një konvergjencë ekonomike të Kosovës sa i përket të ardhurave për kokë banori me mesataren rajonale te të ardhurave për kokë banori me mesataren e të ardhurave për kokë banori me vendet e BE-së, por kemi pas një divergjencë, ka shkuar ende më poshtë mesatarja e të ardhurave për kokë banori në Kosovë krahasuar me regjionin. Ndërkohë që vendet tjera në regjion, në veçanti Shqipëria, por edhe Mali i Zi, vendet e tjera janë duke lëvizur shumë më shpejt drejt mesatares së BE-së, ne jemi duke shkuar poshtë, edhe ndaj mesatares së BE-së edhe ndaj mesatares së vendeve të Ballkanit. Dikur ka qenë rreth 74 për qind të ardhurat për kokë banori në vend si mesatare e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tani kemi rënë rreth 67 për qind”, tha Hoti.

Ndërsa sa i përket ligjit të punës, Hoti gjithashtu kritikon mungesën e dialogut social dhe thotë se kjo barrë financiare duhet t’i ngarkohet buxhetit të shtetit.

“Përvojat ndërkombëtare janë të tilla që kjo barrë financiare duhet të ngarkohet shoqërisë, që është buxheti i shtetit, por, edhe në këtë pjesë po bëhen katër vjet që nuk kemi një dialog social, ku ulen odat ekonomike si përfaqësues të bizneseve, ku ulen sindikatat si përfaqësues të punëtorëve dhe qeveria, në mënyrë që të dialogohen këto çështje dhe të gjenden zgjidhje”, tha Hoti.

Hoti shprehet se Kosova është shndërruar në një vend me probleme të sigurisë, duke përmendur sanksionet e BE-së dhe mungesën e investitorëve të jashtëm.

“Nuk është vetëm vlera 300 milionë, se po të ishte vetëm ajo, do të kishim mundësi disi t’i zëvendësojmë ato përmes buxhetit dhe do të ishin mbuluar. Janë efektet edhe ekonomike dhe politike që shkaktojnë sanksionet. Jemi vendi i vetëm në Evropë që jemi nën sanksione nga BE për shkak të veprimeve të gabuara të vazhdueshme të kësaj qeverie. Imazhin që këto sanksione çojnë te partnerët tanë, tek investitorët e jashtëm, është shumë negativ. Po bëhen katër vjet që pothuajse nuk kemi asnjë investitor të madh serioz të jashtëm që bënë investime në Kosovë. Kosova tani është shndërruar prej një vendi që ka pasur sfida të zhvillimit, të integrimit euroatlantik, sfida të reformave në arsim, drejtësi, shëndetësi, pra, jemi parë nga aleatet tanë, nga BE si një vend që ka nevojë për mbështetje për të reformuar sektorët e caktuar, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik, tani jemi kthyer në një vend që shihemi me probleme të sigurisë, dhe ky është sinjali më i keq që jepet në arenën ndërkombëtare në fushën e ekonomisë”, përfundon Hoti./KP

Gjendet i vdekur një burrë, Policia jep detaje

Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në Ferizaj.

Sipas njoftimit në raportin 24 orësh raportohet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML, shkruan lajmi.net.

Ndër të tjera bëhet e ditur se rasti është nën hetime.“HETIM I VDEKJES- Ferizaj / 31.08.2024 – NN. Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Viktima jetonte në banesë me djalin dhe gruan e tij. Në konsultim me prokurorin trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti në hetime.”

Arbana, Alaudini apo Kiara? Zbulohet kush do ta prezantojë BBVK3

Alaudin Hamiti, një figurë e njohur për publikun, ka nxitur sërish aludime mbi një rikthim të mundshëm si prezantues i ‘Big Brother VIP Kosova’ me një postim në Instagram.

Në postimin e tij, ai shfaqet pranë një syri të ngjashëm me atë të logos së ‘Big Brother’, me mbishkrimin “Kush po na vëzhgon?”, duke lënë ndjekësit të pyesin se çfarë mund të jetë duke u përgatitur.

Ky postim ka ndezur spekulime të shumta për rolin e tij të mundshëm në edicionin e tretë të këtij formati televiziv të njohur.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga produksioni për rikthimin e tij.

Përkundër kësaj, koha dhe natyra e postimit sugjerojnë se diçka mund të jetë në rrugë e sipër.

Ndërkohë, emra të tjerë si Arbana Osmani dhe Kiara Tito janë përfolur gjithashtu si prezantuese të mundshme të edicionit të ri, duke e bërë situatën edhe më interesante dhe duke i lënë shikuesit të presin me padurim njoftimin zyrtar.

Çfarë pritet të ndodh sot në Kosovë

Ngjarjet e paralajmëruara për sot:

10:00

Me rastin e 1 Shtatorit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Vushtrrisë, mbahen homazhe për nderë të dëshmorëve të Kombit. (Varrezat e dëshmorëve, Vushtrri)

12:00

Me rastin e 1 Shtatorit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Vushtrrisë, mbahet Akademi Solemne që organizohet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. (Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina”, Vushtrri)

Osmani: Vuçiqi i ktheu strukturat ilegale paralele në Kosovë në banda mafioze

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Madje ajo tha se nuk e ka zbatuar as atë që ajo e konsideron si më të rëndësishmen, për shpërbërjen e strukturave ilegale paralele në Kosovë.

Në vend që t’i shpërbënte ato struktura, presidentja Osmani në diskutimin në Forumin GLOBSEC 2024, tha se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq i ka forcuar ato duke i shndërruar në “banda mafioze”.

“Asnjë prej marrëveshjeve nuk është zbatuar, veçanërisht ajo e rëndësishmja e vitit 2013, e cila e obligon Serbinë që t’i shpërbëjë të gjitha strukturat e saj ilegale paralele nëpër Kosovë, në veçanti në veri. Ajo që ka ndodhur këto 10 vjet, është që në vend që t’i shpërbëjë ato struktura, Serbia vazhdimisht i ka forcuar ato deri në atë pikë sa që këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafioze dhe janë kthyer po ashtu në rrezikun më të madh për komunitetin serb që jeton në veri të Kosovës”.

“Këto struktura ilegale janë grupe kriminale që paguhen, emërohen dhe mbështeten politikisht nga Serbia, dhe tani pasi që kryen një akt agresioni kundër Kosovës në shtator, u fshehën nga Serbia në Serbi në mënyrë që të mos përballen me drejtësinë për aktin e agresionit”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit nga grupi i Millan Radoiçiqit në Banjskë 24 shtatorin e vitit të kaluar.

Ajo tha se ata dyshohen edhe për krime tjera, si “vrasja e politikanëve serbë, djegia e shtëpive dhe veturave të serbëve në veri, si kërcënimin e fëmijëve në kopshte… Pra, ata që po vuajnë më së shumti nga këto banda mafioze, të paguara dhe mbështetura nga Vuçiqi në Serbi, janë në të vërtetë serbët në Kosovë”.

Osmani tha se të gjitha këto kanë ndodhur në 10 vitet e fundit, ndërsa kritikoi BE-në që po i vë masa Kosovës, e jo Serbisë.

“Pavarësisht gjithë këtyre, qëlloni se cila është pala nën masa të BE-së? Është pala e cila është 100 për qind e harmonizuar me BE-në në çdo politikë vendimmarrëse të jashtme e të sigurisë, është palë që kurrë nuk blen armë nga Rusia, Kina apo Irani, është palë ku 90 për qind e popullit janë në favor të BE-së, është pala që asnjëherë nuk ka kryer akt agresioni kundër fqinjëve, që nuk destabilizon fqinjët, nuk organizon grusht-shtete kundër fqinjëve, që nuk përdor MIG29 rusë që të fluturojë mbi fqinjët e vetë. Kjo është pala që është nën masa – Kosova. Prandaj, tavolina është e rrëzuar”, potencoi presidentja Osmani në diskutimin në forumin GLOBSEC në Pragë.

Në fund, ajo foli edhe për tërheqjen e Serbisë nga marrëveshja e Ohrit e vitit 2023.

“Pika e fundit për dialogun: një marrëveshje u arrit në shkurt 2023, dhe aneksi më vonë në atë vit, e cila parasheh obligime si për Kosovën ashtu edhe Serbinë. Sipas BE-së dhe ShBA-së, dhe edhe unë pajtohem me këtë interpretim, është traktat ligjërisht i obligueshëm. Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë, e ka njoftuar po ashtu edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së se është traktat ligjërisht i obligueshëm. Por, për të gjithë ekspertët: çka ndodh nëse njëra palë formalisht tërhiqet nga një traktat? Pra, parimi themelor i ligjit ndërkombëtar, as pala tjetër nuk ka obligim për ta zbatuar”.

“Serbia është tërhequr formalisht nga kjo marrëveshje përmes letrave të dërguara nga ish-kryeministrja (Ana Bërnabiq, shën.red.) ndaj BE-së, përmes deklarimeve nga presidenti i vendit (Alleksandar Vuçiq, shën.red) dhe nga kryeministri aktual (Millosh Vuçeviq, shën.red.), që thonë: kjo nuk është marrëveshje ligjërisht obliguese, dhe nuk do ta zbatojmë. Tani, pavarësisht këtyre deklarimeve, shumica në BE thonë se Kosova duhet ta zbatojë njëanshëm këtë marrëveshje”.

“Besoj fuqishëm se jemi në një situatë ku duhet ta rikthejmë barazinë në tavolinë. Nëse palët trajtohen në mënyrë të barabartë, atëherë mund të kemi sukses dhe jemi shumë të bindur se me ndryshimet në BE, me një Përfaqësues të Lartë që po vjen, atëherë barazia po vjen në tavolinë”, potencoi presidentja Vjosa Osmani.