div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date paged custom-background wp-custom-logo paged-3 date-paged-3 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Serbët nga Kosova për kërkesat dhe masat e Vuçiqit: Tradhti, mashtrim, besim

Dragan Nikolliq nga Leposaviqi shpreson se do të mund të kthehet në Policinë e Kosovës, të cilën, siç thotë ai, e la “nën presion” në nëntor të vitit 2022 pas dy dekadash punë në këtë institucion.

“Lajmi që duhet të largoheshim nga institucionet atëherë më goditi shumë, ende sot nuk mund të pajtohem me këtë”, thotë Nikoliq për Radion Evropa e Lirë (REL).

Tani, pas kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, Dragani thotë se ndihet “i tradhtuar dhe i përdorur”.

Dorëheqja e qindra serbëve nga institucionet në veri të Kosovës u iniciua nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – për shkak të përpjekjes së Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia me emrat e qyteteve të Kosovës.

Kjo dorëheqje kolektivisht nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë dhe organet gjyqësore, u mbështet nga Beogradi zyrtar, duke siguruar kompensime mujore për të gjithë ata që “mbetën pa punë”. Pasuan kriza të shumta në veri, ndërsa situata kulmoi më 24 shtator 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë në Banjskë pranë Zveçanit, duke vrarë një polic. Që atëherë, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione serbe që funksiononin në veri të vendit sipas sistemit të Serbisë.

Vuçiq më 13 shtator kërkoi kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe organet gjyqësore, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, në mënyrë që në krye të tyre të vijnë serbë.

“Viktima të presioneve dhe politikës”

Dragan Nikolliq ishte një nga katër serbët nga Kosova që autoritetet serbe i arrestuan në prill të vitit 2023, duke i akuzuar se ishin pjesë e një “grupi të organizuar kriminal që synonte ndryshimin e dhunshëm të pushtetit, përkatësisht rrëzimin e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”.

Ai u lirua për shkak të mungesës së provave dhe ndërkohë filloi të punojë si shofer në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, shpreson ende se do të mund të jetë përsëri polic.

Ai shton se rikthimin në Policinë e Kosovës e dëshirojnë edhe kolegë të tij, dhe konsideron se serbët në Kosovë janë “viktima të presioneve dhe të politikës së dikujt”.

Çfarë tjetër ka paralajmëruar apo kërkuar Vuçiqi?

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione të Serbisë, me arsyetimin se funksionimi i tyre cenon kushtetutshmërinë e Kosovës. Disa prej tyre janë: Organet e Përkohshme Komunale, Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Banka e Kursimeve Postare dhe zyrat e Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera, më 13 shtator tha se rreth 5.800 punëtorë të institucioneve serbe të mbyllura në Kosovë do të vazhdojnë të marrin rregullisht pagat e tyre dhe paralajmëroi një rritje të mundshme.

Ai deklaroi se institucionet serbe në Kosovë “nuk do të shuhen, as nuk do të mbyllen”, por që “me qëllim të zbutjes së veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit kosovar”, në vendet Rudnicë dhe Ribariq në Serbi, afër kufirit me Kosovën, do të hapet një zyrë ku serbët do të kenë qasje në shërbime të mbrojtjes sociale dhe do të ofrohen shërbime shtetërore dhe administrative që, sipas tij, janë esenciale për qytetarët.

Gjithashtu, një nga masat është që territori i Kosovës do të shpallet “zonë e veçantë për mbrojtje sociale”, me çka do të sigurohet ndihmë financiare për serbët e papunë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008.

Presidenti i Serbisë më 13 shtator, gjithashtu, paralajmëroi investime të reja nga Beogradi në Kosovë, me vlerë dhjetëra milionë euro. Serbia nga buxheti i saj për vitin 2024 ka ndarë rreth 140 milionë euro për Kosovën, që është rreth 11 milionë euro më shumë se në vitin 2023.

“Me para nuk mund të na kompensohet dëmi”

Zdravko nga Leposaviqi thotë se masat dhe kërkesat e paraqitura nga presidenti i Serbisë janë joreale dhe se me para nuk mund të kompensohet “dëmi” shkaktuar anëtarëve të komunitetit serb.

Me “dëm” ai nënkupton mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet, sërish me thirrjen e Listës Serbe.

“Kjo është si kur e gjuan topin në mur dhe ai të kthehet”, shprehet Zdravko për REL.

Për Goran Milenkoviqin, aktivist politik nga Leposaviqi, këto masa dhe kërkesa janë “keqpërdorim i popullit dhe mashtrim i opinionit publik.”

“I gjithë ky është mashtrim, në të cilin askush nuk beson më”, shton ai, duke shprehur bindjen se të gjitha ngjarjet e fundit janë “pjesë e një marrëveshjeje” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që veriu të integrohet plotësisht në sistemin e Kosovës.

Çfarë thonë serbët në jug të Ibrit?

“Fjalë boshe”.

Kështu i komenton 38-vjeçarja Ivana nga komuna e Graçanicës masat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për anëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

Ajo është e punësuar në një nga institucionet arsimore serbe në territorin e kësaj komune me shumicë serbe në jug të Ibrit. Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, ajo vlerëson se Beogradi zyrtar mund t’i ofrojë komunitetit serb vetëm ndihmë financiare, pasi “mbrojtja institucionale po zhduket ngadalë”.

“Ai (presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq) nuk ka më çfarë të ofrojë, përveç ndihmës financiare, për t’i mbajtur njerëzit këtu”, thotë ajo.

Në periudhën pas luftës, Serbia i zhvendosi institucionet e saj në zonat ku jetojnë anëtarët e komunitetit serb, përfshirë të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore. Përndryshe, të punësuarit në shëndetësi dhe arsim marrin të ashtuquajturën shtesë kosovare, përkatësisht 50 për qind shtesë mbi pagën bazë.

Ndërsa, pensionistja Lilana Llaziq beson se këto masa sociale do të kenë shumë rëndësi për të rinjtë e papunë në Kosovë.

“Më mirë të marrin diçka sesa asgjë. Unë i besoj Vuçiqit, e dëgjova me vëmendje dhe besoj se do ta kemi më mirë”, thotë ajo.

“Masa të rreme ose të pamjaftueshme”

Tridhjetëvjeçari Nikolla nga Graçanica, i cili nuk dëshiron që t’i publikohen të dhënat e tjera të tij personale, frikësohet se masat e Serbisë janë vetëm “të rreme” dhe se po çojnë drejt mbylljes së të gjitha institucioneve serbe në Kosovë.

“Deri tani nuk është treguar se mund të presim diçka të mirë”, thotë ai për REL-in.

Zvonko Mihajloviq nga Shtërpca beson se Serbia e ka detyrim t’i mbrojë interesat e serbëve në Kosovë, dhe se masat dhe kërkesat e presidentit të Serbisë janë të pamjaftueshme.

“Fokusi duhet të shkojë në një drejtim tjetër. Është e kotë të flasim për ndihmën financiare për serbët që jetojnë në Kosovë, por çfarë do të bëjmë me ata që janë detyruar të largohen nga Kosova (personat e zhvendosur) dhe duan të kthehen?! Sipas mendimit tim, kjo është përparësi”, thotë ai.

Momçilo Illiq, mësues matematike në pension dhe ish-drejtor i një shkolle fillore në komunën e Prizrenit që funksiononte sipas sistemit serb, beson se pa ndihmë financiare nga Serbia, serbët nuk mund të mbijetojnë në Kosovë.

Kur pyetet nëse është optimist, ai buzëqesh dhe thotë: “Koha do ta tregojë këtë”.

“Duhet të jemi të durueshëm. Jemi në një situatë ku po diskriminohemi (nga autoritetet kosovare), kjo diskriminim ndihet në çdo hap”, thotë Illiq.

Për të, një formë “diskriminimi” është edhe fakti që autoritetet kosovare ndaluan përdorimin e dinarit në fillim të vitit, duke e bërë të pamundur që ai të tërheqë pensionin e tij që merr nga buxheti i Serbisë.

Stojanoviq: Populli po paguan çmimin e politikave të gabuara

Branimir Stojanoviq nga Lëvizja Popullore Serbe vlerëson se masat që Serbia ka marrë, janë kryesisht “një kërkesë” ndaj autoriteteve të Kosovës që të lejojnë kthimin e serbëve në institucione, dhe se “asgjë nuk do të ndryshojë në terren”.
Sipas tij, serbëve në Kosovë në këtë moment u nevojitet një vetorganizim më i mirë për t’i zgjidhur problemet “e shkaktuara nga Lista Serbe”.

Branimir Stojanoviq
Branimir Stojanoviq

“Ka ndodhur kolapsi i një politike të gabuar dhe tani njeriu i zakonshëm po e paguan çmimin; nuk do ta paguajnë politikanët apo funksionarët… Taktika e Listës Serbe ‘hesht derisa të kalojë’ do të rezultojë me atë që (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti do t’i mbyllë të gjitha institucionet serbe”, thotë Stojanoviq për REL-in.

Ai thotë se Lista Serbe duhet të mbajë përgjegjësi, pasi ka marrë vendime që i kanë sjellë serbët e Kosovës në një “pozitë të palakmueshme”.

Lista Serbe nuk është prononcuar lidhur me kërkesat e Vuçiqit.

Sa u përket masave sociale, Stojanoviq thotë se mbijetesa në thelb nuk është çështje parash, por “gjendje shpirtërore e popullit tonë, që është krejtësisht i demoralizuar dhe i zhgënjyer me kushtet në të cilat jeton”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë koment në lidhje me fjalimin e Vuçiqit, ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, ka thënë se kthimi i serbëve në institucione “do të ishte antikushtetues”. /REL

Arrestohet anëtari i Vetëvendosjes

Sekretari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Besim Latifi u kërcënua e sulmua dje, siç njoftoi kjo parti.

Për këtë rast, Sinjali raporton se sot është arrestuar Rinor Hajrullahu, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë dhe bashkëpunëtor i kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi.

Hajrullahu raportohet se e ka sulmuar Latifin në një lokal, ndërsa më pas rasti ishte raportuar në Polici.

Anëtari i LVV-së, sipas Sinjalit është arrestuar si i dyshuar për kanosje dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Dega e LDK-së në Podujevë tha mbrëmë se zyrtari i saj u sulmua “rreth orës 17:00, në afërsi të objektit të vjetër të komunës”. Sulmuesi u identifikua si “bashkëpunëtor i ngushtë i Kryetarit Bulliqi”.

LDK-ja tha se Besim Latifi u sulmua “pa asnjë justifikim dhe problem paraprak”.

“Pushteti lokal në Podujevë, përmes sulmeve të tilla, ka për qëllim ta ndalë zërin opozitar. Ai për ta realizuar këtë nuk është duke zgjedhur as forma, e as veprime. Por, as nuk na kanë ndalur e as nuk do të na ndalin, në përmbushjen e misionit tonë si opozitë e vetme në Podujevë”, thuhet në një reagim të degës së LDK-së në Podujevë.

 

Gjykata merr vendim për Bio Mulakun

Nazim Mulaku, i njohur me nofkën ‘Bio Mulaku’ është liruar nga masa e paraburgimit me vendim të Gjykatës Supreme.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i tij, Fanol Krasniqi. Avokati i Mulakut njoftoi se pasi që edhe Apeli e kishte refuzuar kërkesën për ndërprerje të masës së paraburgimit për klientin e tij, ai e kishte dërguar në Supreme.

Pas lirimit nga paraburgimi, Mulaku ka bërë publike një fotografi me avokatin e tij.

E krahasojnë me Loredanën, Lotina i përgjigjet komentit më të shpeshtë që i bëhet në rrjet

Që prej zyrtarizimit të lidhjes së Mozzik dhe Lotina Hazirit, komente të shumta në rrjet e kanë krahasuar kete të fundit me Loredanën.

Shumë herë e krahasuan me Loredanën, andaj në një postim indirekt ka reaguar edhe prezantuesja.

Ditën e djeshme teksa ka ndarë disa foto nga dasma e saj, Lotina ka zgjedhur të përgjigjet me finesë ndaj komenteve në rrjet në një foto ku shfaqet krah prindërve të saj!

“Dy njerëzit e VETËM në botë me të cilët mund të përngjaj unë”, ka shkruar ajo.

Shiko foton:

Ariana ia uron ditëlindjen Sabriut, emocionon me fjalët

Sot feston ditëlindjen, legjenda e muzikës shqiptare, Sabri Fejzullahu.

Në mesin e shumë urimeve që mori bën pjesë edhe ai i gruas së djalit të tij, Ariana Fejzullahut.

Ariana postoi një fotografi të artistit me vajzën e saj përmes së cilës tregoi se është më fat që pjesë e jetës së saj është Sabriu.

“Kam fat që të kam në jetën time. Qofsh gjithmonë i lumtur e i shëndetshëm babush”, ka shkruar Ariana.

Heidi Baci thyen heshtjen: Reagimi i parë pas lajmeve për ndarjen me Romeon

Romeo Veshaj dhe Heidi Baci krijuan një lidhje të veçantë brenda mureve të famshëm të “Big Brother VIP Albania”, ku ndjenjat e tyre morën vëmendjen e publikut që në fillimet e saj.

Dyshja u shfaqën të afërt, duke fituar simpatinë e shumë ndjekësve që i ndiqnin nga afër çdo zhvillim të marrëdhënies së tyre.

Megjithatë, që nga festimi i ditëlindjes së Romeos, thashethemet për një krisje mes çiftit kanë përhapur shqetësime mes fansave.

Mediat rozë filluan të spekulonin se lidhja e tyre kishte përfunduar, duke ngjallur kureshtje dhe spekulime të shumta. Çuditërisht, as Romeo dhe as Heidi nuk kanë dhënë deri më tani një deklaratë zyrtare mbi situatën, duke shtuar më tej misterin rreth marrëdhënies së tyre.

Një detaj që tërhoqi vëmendjen e ndjekësve ishte mungesa e aktivitetit të Heidit në rrjetet sociale. Për një kohë të gjatë, ajo nuk postoi asnjë përmbajtje në “Instagram”, gjë që vetëm sa e intensifikoi kuriozitetin e ndjekësve të saj besnikë. Pse kjo heshtje nga një figurë publike kaq e pranishme më parë?

Pas ditësh të tëra heshtjeje dhe hamendësimesh, Heidi më në fund reagoi sot për herë të parë. Ajo publikoi një moment në “Instagram”, ku shihej e ulur në një makinë, pa dhënë asnjë koment mbi lajmet që qarkullojnë. Megjithatë, ky postim i thjeshtë nxiti një valë reagimesh dhe pyetjesh nga ndjekësit e saj, të cilët filluan të spekulojnë nëse ajo po udhëtonte me Romeon.

Një ndër pyetjet më të shpeshta ishte: “A është kjo makina e Romeos?”—një pyetje që mbetet ende pa përgjigje nga vetë modelja. Ndërkohë që ndjekësit vazhdojnë të hamendësojnë, mbetet për t’u parë nëse Heidi do të zbulojë detaje të reja mbi këtë çështje.

E sigurt është që vetëm Heidi e di më mirë se kush po e shoqëron dhe çfarë e pret në të ardhmen e saj romantike.

Shiko foton:

Liga e Kampionëve konfirmon një ndryshim të madh një ditë para nisjes së garës nën formatin e ri

Liga e Kampionëve ka konfirmuar një tjetër ndryshim të madh mbi atë se si do ta përcjellim këtë garë duke marrë parasysh formatin e ri të saj që do të nis që nga dita e nesërme (e martë).

Për herë të parë që prej se kjo garë u prezantua në botën e futbollit, do t’i nënshtrohet një ndryshimi të madh në strukturën e saj me fazën e grupeve tradicionale që tashmë ka ndryshuar.

Sipas formatit të ri, do të ketë një rritje të skuadrave pjesëmarrëse nga 32 në 36, me këto ekipe që do të luajnë nga tetë ndeshje secila si pjesë e një grupi të përgjithshëm.

Në fund të fazës së grupeve, tetë ekipet e para do të kualifikohen automatikisht në mesin e 16 më të mirave, ndërsa ekipet e renditura nga pozita e nëntë deri në të 24-tën do të luajnë në play-off.

Çdo ekip i renditur pas pozitës së 24-të do të eliminohet nga kjo garë dhe në krahasim me vitet paraprake, ato nuk do të jenë në gjendje që të konkurrojnë në Ligën e Evropës.

Sidoqoftë, nuk është vetëm formati ndryshimi i vetëm që është bërë, pasi edhe himni tradicional ka ndryshuar si pjesë e një transmetuesi të ri që i jep garës një pamje krejtësisht tjetër.

Pjesë e klipit të këtij himni janë edhe yjet e Ligës Premier siç janë Erling Haaland dhe Bukayo Saka, ndërsa nuk mungojnë as emra si Harry Kane dhe Vinicius Jr.

Megjithatë, pavarësisht thënies ‘nëse nuk është i prishur, mos e rregulloni’, UEFA ka vendosur ta ndryshojë himnin për sezonin e ardhshëm.

Putin firmos dekretin, merr këtë vendim

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar ushtrinë ruse të hënën ta rrisë numrin e trupave për 180.000 sosh, për ta arritur një numër të përgjithshëm të tyre prej 1.5 milion.

Putini e dha këtë urdhër ndërkohë që lufta e Moskës në Ukrainë po shkon drejt vitit të tretë.

Urdhri i Putinit, i publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë ruse, do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor. Me këtë urdhër, numri i përgjithshëm i personelit të ushtrisë ruse do të arrijë në gati 2.4 milionë, përfshirë 1.5 milion trupa. Ai e ka urdhëruar Qeverinë t’i sigurojë fondet e nevojshme për ushtrinë.

Putin kishte dhënë urdhër për rritjen e numrit të trupave ruse edhe dhjetorin e kaluar, kur përmes një dekreti kishte kërkuar që numri i përgjithshëm i personelit të ushtrisë ruse të rritej në 2.2 milionë, përfshirë 1.32 milion trupa.

Ushtria ruse është duke e kryer një ofensivë në lindje të Ukrainës, ku trupat e saj kanë çarë përpara dukshëm në muajt e fundit.

Në qershor, Putini tha se gati 700.000 trupa ruse janë të përfshira në atë që Kremlini e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.

Pasi i thirri 300.000 rezervistë për t’u përballë me kundërofensivën ukrainase në pranverën e vitit 2022, autoritetet ruse vendosën që t’i mbushin radhët e trupave që luftojnë në Ukrainë me ushtarë vullnetarë, të cilët janë joshur kryesisht nga pagat e larta.

Shumë komentues lufte kanë theksuar se Kremlini ka ngurruar të thërrasë më shumë rezervistë, duke iu druajtur destabilizimit në vend sikurse kishte ndodhur më 2022, kur qindra mijëra njerëz ikën nga Rusia për ta shmangur thirrjen në luftë.

Mungesa e personelit ushtarak është përmendur më së shumti si arsyeja kryesore për suksesin e inkursionit të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë, i cili nisi më 6 gusht.

Kremlini nuk ka dashur t’i rizhvendosë trupat nga lindja e Ukrainës dhe për këtë është mbështetur në përforcime nga zonat e tjera për ta frenuar inkursionin ukrainas.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se i ka rimarrë nën kontroll dy fshatra nga forcat ukrainase në Kursk.

Sot legjenda Sabri Fejzullahu feston ditëlindjen, ja sa vite i mbushi

Sot feston ditëlindjen legjenda e muzikës shqiptare, Sabri Fejzullahu.

Sipas Google, ai ka lindur më 16 shtator të vitit 1943 dhe mbush sot 81 vjet.

Artisti ka një karrierë shumë të gjatë muzikore brenda së cilës ka realizuar qindra projekte hite.

Shumë prej këngëve të tij të punuar vjet më parë, vazhdojnë të dëgjohen edhe sot, dhe ka prej tyre që edhe janë rikrijuar nga këngëtarë të ndryshme.

Konjufca: Pa VV-në në pushtet, veriu do të përfundonte në negociata

“Veriu i Kosovës do të kishte përfunduar në negociata, veçanarisht pas dorhëjeve të serbëve nga institucionet kosovare”, ka thënë kryetari i Kuvendit.

Sipas Konjufcës, Kosova kishte dy opsione, shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit në atë pjesë të vendit ose dorëzimin.

Ai ka theksuar se opsioni i dorëzimit nuk ka qenë kurrë në konsideratë për Qeverinë e Kosovës.

“Juve ju kujtohet, ishte një bojkotim i orkestruar prej anës së policëve, kryetarëve të komunave edhe Kosova ishte para dy opsione. Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni jonë, opsioni jonë është kushtetutshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit për të vendosur atje rendin dhe ligjin. Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e Kosovës”, ka thënë Konjufca para medieve.

Konjufca ka komentuar edhe konferencën për medie të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se nuk i bëjnë përshtypje kërcënimet e tij.

Ai e ka konsideruar konferencën si një përpjekje për të ruajtur strukturat paralele që nuk ekzistojnë më dhe për ta kërcënuar Republikën e Kosovës.

“Tash Vuçiqi po tenton t’i ruaj ato, me i ruajt ato që nuk i ka më edhe faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim i cili me thënë të drejtën nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë edhe është shansa e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për me marr pjesë në procesin politik edhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, u shpreh Konjufca.

Mes të tjerash, Konjufca ka theksuar se Kosova është e fortë dhe e qëndrueshme, duke pasur në veri institucionet e saj të sigurta që funksionojnë normalisht.

Konjufca ka shtuar se ky është një proces i nevojshëm për forcimin e kushtetutshmërisë dhe të shtetësisë së Kosovës.