div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date paged custom-background wp-custom-logo paged-4 date-paged-4 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Protesta e bizneseve, Bajrami: Beteja e Kurtit nuk është me ndërtu, por me shkatërru

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj protestave të bizneseve kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili hyn në fuqi më 1 qershor.

Sipas Bajramit, në vend që të ofrojë zgjidhje për shqetësimet e bizneseve, Kurti ka zgjedhur të përballet me to dhe t’i krahasojë protestat e tyre me barrikadat e vendosura nga Lista Serbe në të kaluarën.

“Beteja e Kurtit nuk është me ndërtu, por me shkatërru. Është turp që protestat e bizneseve, punëdhënësve më të mëdhenj të vendit, krahasohen me barrikada. Ndërkohë që Kurti nuk e thotë asnjë fjalë për koston prej 800 eurosh për transportin e 1 megavatit energji që e bën kompania e Vuk Hamoviqit – për të cilin ai dikur na ligjëronte kur ishte në opozitë”, ka thënë Bajrami.

Ajo gjithashtu kritikoi faktin se Kuvendi ka kaluar për të 23-tën herë në pauzë 48-orëshe, duke ia adresuar fajin Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë që, sipas saj, ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje.

“Na kujtohet kur Kurti e ka mundur Rrahman Jasharajn me ato grevat. Nuk e ka mundur Jasharajn, por arsimin. Nëse Kurti i mund edhe bizneset, atëherë e mund ekonominë. Dhe kur Kurti i mund arsimin dhe ekonominë, e vetmja përfituese është Serbia”, shtoi Bajrami.

Alarmante: “Do të çojë botën në kaos”, vullkani që pritet të shpërthejë pranë Shqipërisë

Një seri e pandalshme tërmetesh që janë regjistruar pranë Campi Flegrei, ku kohë më parë ka qenë një vullkan në Itali, ka ngritur shqetësimet e ekspertëve për një riaktivizim të fuqishëm nga ky krater, që mund të çojë botën në kaos.

Gjatë këtij muaji, zona u godit nga një tërmet 4.4 ballë, i cili konsiderohet si ndër më të fortët në 40 vite, por për vullkanologët mund të jetë dhe një paralajmërim.

Në 6 muajt e fundit zona ka regjistruar mbi 3000 lëkundje sizmike, shoqëruar me rritjen e emetimeve të gazrave, shenjë kjo që magma mund të jetë duke u ngjitur drejt sipërfaqes.

Studiuesit nga Instituti Italian i Gjeofizikës (INGV) paralajmërojnë se struktura e tokës po kalon nga një fazë përkuljeje në çarje, çka mund të nënkuptojë se jemi afër një shpërthimi të mundshëm. Nëse ndodh, do të ishte shpërthimi i parë që nga viti 1538. Në skenarin më të keq, do të prekte mbi 4 milionë banorë në rajonin e Napolit, raporton A2CNN.

Por pasojat nuk do të ishin vetëm lokale. Shqipëria dhe Ballkani, mund të ndiejnë efektet e ndotjes atmosferike, ndryshimeve klimatike dhe reshjeve të hirit vullkanik, që mund të ndikojnë në bujqësi, shëndetin publik dhe transportin ajror.

Rreth 40,000 vjet më parë, shpërthimi i Campi Flegrei shkaktoi një nga katastrofat më të mëdha vullkanike në historinë e Tokës, me ndikim të madh në klimën globale

“Desh më zuri e qara” – Kiara Tito tregon momentin e papritur që i ndodhi në skenë

Moderatorja dhe prezantuesja e njohur, Kiara Tito, ka ndarë për publikun një nga momentet më të sikletshme dhe të vështira në karrierën e saj televizive.

E ftuar në një emision televiziv, Kiara foli për familjen, projektet e reja që po vijnë dhe veçanërisht për përvojën e saj në skenën e “Portokallisë”.

Ajo rrëfeu se pjesa më stresuese për të ishte momenti para daljes në skenë, kur nuk dinte nga cili cep të hynte.

“Pjesa më e vështirë ka qenë në momentin para se të dilja në skenë sepse ne kemi disa dalje, pasi nuk dalim gjithmonë nga i njëjti vend dhe kemi dy ose tre dalje. Këta ishin mësuar, por shpejtësia që duhet të dilje nga një cep në tjetrin, ajo më çakordoi fare dhe desh më kapi një e qarë aty në prapaskenë sepse unë nuk po dija nga të dilja. Njëri më thoshte dil djathtas, tjetri majtas ndërkohë duhet të kujtoja dhe tekstin. Derisa ta merrja veten dhe t’i kuptoja këto daljet”, u shpreh Kiara.

Pavarësisht stresit fillestar, Kiara është ambientuar shpejt dhe është bërë një nga figurat më të dashura për publikun në programin humoristik.

Bllokada në Kuvend, deputeti i PDK-së fton qytetarët të protestojnë

Deputeti i PDK-së , Nait Hasani tha se PDK-ja po pret vendimin e Gjyaktës Kushtetuese në lidhje me formën e votimit.

Ai para RTV21 tha se ka pasur tendenca për t’i bindur deputetët për ta votuar kryekuvendarin.

Derisa u pyet për bisedat që ka zhvilluar me Albulena Haxhiun e Vetëvendosjes ditë më parë.

“Ka qenë pjesa e organizmit për përvjetorin e burgut të Dubravës, ka qenë pikërisht për çështjen e burgut, krimin që është bërë në burgun e Durbavës, ka qenë një manifestim i cili nuk duhet të trajtohet bashkë, ai kalon të gjitha përmasat e partive politike , është një ndjenjë kombëtare”, tha Hasani.

Derisa sa i përket bllokadës në Kuvendin e Kosovës ai ftoi qytetarët që të protestojnë.

“Unë kisha pas dëshirë që të gjithë qytetarët të mblidhen pranë Kuvendit ta bëjnë protestën dhe t’’i detyrojnë deputetët ta bëjnë një zgjidhje.” , tha ai.

Ushtarët serb ia vunë thikën në fyt – Arbnora Ademaj rrëfen tmerrin që përjetoi: “E kam kaluar ferrin”

Aktorja Arbnora Ademaj ka ndarë një rrëfim personale në emisionin ‘Canapé’ me Shpend Lipën.

Me emocione të forta, ajo kujtoi një moment të dhimbshëm nga e kaluara e saj, kur ishte vetëm një fëmijë gjatë luftës në Kosovë.

“Ushtarët serb më vunë thikën në fyt… E kam përjetuar ferrin,” tha ajo ndër të tjera.

Arbnora tregoi se përkundër moshës së re, ajo e kujton me detaje tmerrin e asaj dite.

Ajo tha se kjo ngjarje e ka ndjekur gjatë gjithë jetës dhe ka lënë gjurmë të thella në shpirtin e saj.

Ky rrëfim prekës tregon forcën dhe kurajon e Arbnorës për të ndarë një pjesë kaq personale të historisë së saj. Për më shumë, ndiqni intervistën në linkun në vazhdim.

Prania e shtuar e forcave serbe pranë kufirit me Kosovën, deklarohet Kurti

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ka folur dhe ushtrimin “Defender Europe 25”, i cili është duke u mbajtur dhe në Kosovë.

Kurti ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1000 trupa në ushtrimet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.

“ Aktualisht në tri zona gjeografike në kontinentin e Evropës është duke u realizuar ushtrimi më i madh që Ushtria e ShBA-ve organizon dhe realizon në kontinentin e Evropës, “Defender Europe 25”, me pjesëmarrje të 25 mijë trupave nga 29 vende të NATO-s. Republika e Kosovës ka nderin dhe kënaqësinë të jetë në mesin e 18 vendeve nikoqire, dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1000 trupa në ushtrimet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut”, tha Kurti.

Ai tha se këtë radhë Republika e Kosovës është vend i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë.  Ndërsa pohoi se institucionet  dhe ushtria jonë po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë

“Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane po udhëheq me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore. Institucionet tona dhe ushtria jonë po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë”, tha Kurti.

Ndërkaq tha se rritja e gatishmërisë dhe pranisë së forcave të armatosura të Serbisë pranë kufirit tonë, është reaksion ndaj Defender Europe 25.

“E rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë besojmë që është reaksion ndaj Defender Europe 25, por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia”, ka thënë Kurti./Indeksonline/

Kuvendi në ngërç, Bislimit s’i bëhet vonë – thotë se VV s’ka nevojë për partnerë

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se situata politike në Kosovë nuk përbën krizë, pavarësisht bllokimit të vazhdueshëm të seancës konstituive të Kuvendit, e cila tashmë është ndërprerë 22 herë.

Sipas tij, problemi qëndron vetëm te mungesa e vullnetit për konstituimin e Kuvendit, për të cilin nuk nevojiten partnerë, por përfshirje dhe përgjegjësi nga të gjithë deputetët.

Në një intervistë për Deutsche Welle, zhvilluar në Aachen të Gjermanisë, Bislimi u pyet se me cilët partnerë do ta tejkalojnë këtë bllokadë. Ai u përgjigj: “Ne në fakt nuk kemi krizë qeveritare. Qeveria është në detyrë. Ajo po pret Qeverinë e re që do të jetë pak a shumë me përbërje të ngjashme me atë të vjetrën. Ajo ku për momentin kemi ngecur është te konstituimi i Parlamentit, për të cilin si duket ka interesim të disa subjekteve politike që ta bllokojnë, duke paraqitur kërkesa që janë të pakuptimta dhe nuk i ndihmojnë shëndetit të demokracisë në Kosovë.”

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – po insiston që kryetarja e Kuvendit të jetë Albulena Haxhiu, por pa arritur të sigurojë votat e nevojshme. Pavarësisht kësaj, Bislimi është i bindur se nuk është e nevojshme të krijohen aleanca të reja për të zgjidhur ngërçin.

“Tash Kuvendi është i 120 deputetëve dhe duhet të konstituohet nga 120 deputetë. Aty nuk ka nevojë për partnerë. Secili e ka pjesën e vet të përgjegjësisë. Të gjithë bashkë e konstituojmë Parlamentin,” deklaroi ai.

Ai tha se Vetëvendosje po e përmbush pjesën e saj në këtë proces, përmes propozimeve dhe pjesëmarrjes në votim.

“Ajo çka kërkohet nga kjo fazë është që subjekti ta bëjë nominimin dhe të votojë,” shtoi ai, duke theksuar se “ajo që duhet të bëjnë partitë tjera është që të marrin pjesë në votim dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit.”

Bislimi po ashtu përmendi se LVV-ja ka bërë disa propozime për të tejkaluar situatën, përfshirë edhe ndryshimin e metodës së votimit, një çështje që aktualisht është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Protesta e bizneseve, nuk tërhiqet Kurti: Koha e barrikadave ka kaluar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për treg të hapur të energjisë elektrike.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë të enjten ka thënë se “koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar”, duke aluduar në protestat që pritet t’i bëjnë bizneset që po e kundërshtojnë vendimin e ZRRE’së për hapjen e tregut të rrymës, shkruan Insajderi.

Ajo çfarë Oda Ekonomike e Kosovës nuk po ju tregon është se plotësimi i kërkesës së tyre nuk e zgjidh problemin, por veçse e bart koston e energjisë së këtyre 1,200 ndërmarrje tek faturat e secilit prej jush, secilës familje dhe mbi 100 mijë bizneseve të tjera më të vogla që janë më pak të fuqishme e të zëshme sesa disa. Për të mbrojtur 1 për qind të ndërmarrjeve të fuqishme, në kurriz të 99 për qindëshit, ata duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës. Koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, i kemi hequr ato kudo që kanë qenë dhe jemi zotuar se nuk do të lejojmë më të reja të vendosen. I bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë menojnë në mënyrë të mençur për efiçencën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë”, ka deklaruar Kurti.

Përderisa ne po flasim këtu, Oda Ekonomike që do të duhej të qëndrojë pranë bizneseve, po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me një kërkesë të vetme: shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen e vendimit po e kërkojnë me justifikimin se për një vit do të përgatitemi, duke injoruar faktin se nga ana e tyre s’ka bërë asnjë përgatitje për tetë vitet e shkuara, përderisa është shtyrë nga viti në vit ky proces”, ka thënë më tej ai.

Shefi i qeverisë në detyrë ka thënë se shtetet e rajonit veçse e kanë kapërcyer këtë vendim, teksa sipas tij, në Kosovë është vonuar së zbatuari për më shumë se tetë vite.

Bizneset sot kanë paralajmëruar se do të bllokojnë të gjitha hyrjet e Prishtinës nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Ndërkaq, në rast të mos-plotësimit të kërkesave të tyre, ata kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë kryeqytetin tërë ditën.

E rëndë: Ky është i riu që dyshohet që kreu vetëvřasje në Prishtinë

Sinjali ka siguruar identitetin e të riut që dyshohet se i dha fund jetës së tij sot në mëngjes në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Viktima, i cili jetonte në një banesë me qira, u gjet pa shenja jete pranë “Fontanës”, me plagë të dukshme në trup.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Gentrint Mushinca.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në lokacion kanë dalë njësitë e nevojshme policore, përfshirë hetuesit e SP-Jugu, hetimet rajonale, si dhe forenzika. Zjarrfikësit kanë asistuar në hapjen e derës së banesës me forcë për të mundësuar ekzaminimin e plotë të vendit ku dyshohet se ka qëndruar viktima para ngjarjes tragjike.

IML ka bërë tërheqjen e trupit për procedura të mëtejme, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

Sinjali do të ju mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet e reja rreth këtij rasti.

Sot mblidhet Qeveria në detyrë

Vetëm dy orë para se të nis seanca e 23-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Qeveria në detyrë e Kosovës ka paralajmëruar mbledhje.

Në një njoftim nga ZKM, thuhet se Qeveria në detyrë e Kosovës do të mbajë sot mbledhje pa dhënë detaje tjera, por mbledhja do të mbahet nga ora 09:00.

Nuk dihen pikat e rendit të ditës.