Gjendet një i vdekur në Prishtinë, këto janë dyshimet e para

Një ngjarje e rëndë është raportuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku një person është gjetur i shtrirë në tokë dhe i gjakosur, pranë vendit të njohur si “Fontana”, mëson Sinjali.

Sipas informacioneve fillestare, rreth orës 06:15 të datës 29 maj 2025, është raportuar për një trup të dyshimtë në tokë. Në vendin e ngjarjes është dërguar njësia policore, e cila ka konfirmuar se personi ishte pa shenja jete dhe me gjurmë gjaku, duke ngritur dyshime të forta për vetëvrasje.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka arritur edhe ekipi mjekësor nga Urgjenca, i cili ka konstatuar vdekjen e personit. Gjithashtu janë njoftuar hetuesi kujdestar, krimtekniku dhe njësitë tjera të nevojshme, të cilët kanë marrë në dorë rastin për hetim të mëtejshëm.

Identiteti i viktimës dhe rrethanat e sakta të vdekjes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ndërsa hetimet janë në fazën fillestare.

Mos harroni çadrën: Ja çfarë moti na pret sot

Sot parashikohet depërtimi i masave të ftohta dhe të lagështa, me ç’rast pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje shiu, të cilat lokalisht pritet të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

Era do të fryjë nga veriu, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 10-45 km/h, raporton MeteoKosova, transmeton Gazeta Sinjali.

Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 18°C. Orëve të pasditës temperaturat pritet të ulen nën 15°C.

Këto janë rrugët që do të bllokohen pas pak në Prishtinë – shkak protesta e bizneseve

Bizneset e Kosovës do të protestojë sot kundër vendimit të ZRrE-së si shkak i mos-shtyerjes së vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, vendim ky që hyn në fuqi pas tri ditësh.

Për shkak të kësaj proteste do të bllokohen hyrjet kryesore në kryeqytet.

Protesta do të fillojë nga ora 10:00 dhe do të vazhdojë deri në ora 12:00.

OEK shton se do të përdoren mjete për bllokim, do të jenë automjetet e kompanive të prekura nga vendimi i ZRRE-së, që sipas OEK-ut me qëllim të sigurohet një prani e dukshme dhe të theksohet ndikimi që ka ky vendim në sektorin privat.

Lokacionet e bllokimit i keni më poshtë:

Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani – bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet (Ferizaj, Gjilan, Aeroport)

Hyrja nga Fushë Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të Madh te Lakrishtja (Dukagjini toëer) – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet nga Mitrovica dhe Fushë-Kosova

Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit – te ish-Humanisti – Udhëkryqi te banka Raiffeisen – bllokohen hyrje-daljet nga Podujeva, por edhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviq.

Tahiri: Më e keqe se bllokada do të ishte formimi i qeverisë nga Kurti

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se më e keqe se bllokada e Kuvendit të Kosovës është nëse kreu i VV-së, Albin Kurti, do ta formonte qeverinë.

Sipas Tahirit, prodhuesit e Kosovës, me Kurtin kryeministër do ta shihnin tmerrin e vërtetë dhe sipas tij, atëherë Kosova do të hynte në fazë të rrezikshme.

“Mendoj që këta prodhues atëherë kanë me pa tmerrin e vërtetë, atëherë Kosova ka me hy në një fazë shumë të rrezikshme, shumë të dëmshme që mendoj se ka me u zvogëlu edhe më shumë në numrin e popullsisë, ka me u zvogëlu edhe në biznese, dhe ju e shihni ata që e mbajnë ekonominë e vendit”, tha Tahiri në RTV21.

Nesër do të jetë seanca e 23-të që Lëvizja Vetëvendosje do të provojë që për kryetare të kuvendit të votohet Albulena Haxhiu.