Ndahet nga jeta doktori i njohur

Në moshën 66-vjeçare, është ndarë nga jeta Dr. Bajram Bajrami, mjek specialist internist, i njohur për përkushtimin dhe kontributin e tij të gjatë në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, shkruan Gazeta Sinjali.

Dr. Bajram Bajrami ka lindur më 17 mars 1959 në fshatin Novosellë dhe ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme, duke vazhduar më pas me specializimin në Mjekësi Interne. Ai ka punuar në spital që nga viti 1984 deri në daljen në pension më 17 mars 2024.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe Spitali i Përgjithshëm në Prizren, duke shprehur ngushëllime familjarëve e të afërme të tyre.

“Gjatë karrierës së tij, Dr. Bajram Bajrami u dallua si një profesionist i përkushtuar, i ndershëm dhe me përgjegjësi të lartë, gjithmonë në shërbim të pacientëve dhe komunitetit. Ai ishte i njohur për natyrën e tij të afërt, kolegialitetin dhe dashurinë ndaj punës”.

 

 

“Menaxhmenti, stafi i Repartit të Sëmundjeve të Brendshme dhe të gjithë punonjësit e spitalit shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe miqtë e Dr. Bajram Bajramit”.

“Kujtimi për jetën, kontributin dhe shembullin profesional të tij do të mbetet i përjetshëm”, thuhet në reagimin e tyre.

Ekskluzive: Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, pritet të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës

Burime të besueshme të Indeksonline kanë konfirmuar se deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, do të jetë kandidati zyrtar i partisë për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Berisha, njëri nga figurat më të zëshme të AAK-së në Kuvendin e Kosovës, pritet të sfidojë drejtuesit aktualë të kryeqytetit.

Zyrtarizimi i kandidaturës së tij pritet të bëhet publik së shpejti. Ai në vitin 2021 ishte kandidat për kryetar të Istogut.

Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit nga AAK-ja kandidat ishte Daut Haradinaj.

Familjarja reagon pas humbjes së të riut në Itali: Ç’na e këpute shpirtin, Driton

Pas humbjes tragjike të Driton Sadikajt, të riut nga Deçani që humbi jetën në një aksident trafiku në Itali, familjarët kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e tij, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, bashkëfamiljarja e Dritonit ka ndarë me publikun emocionet dhe dhimbjen e madhe. Ajo shkruan:

“As zemra e as shpirti nuk e pranojnë dot vdekjen tënde. Ah, ç’na e kepute shpirtin bre Driton… Qofsh banor i Parajsës, o engjëll i bukur”.

Ky është i riu nga Deçani që humbi jetë në një aksident në Italu, po shkonte në punë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në Itali, ku janë përfshirë tre mërgimtarë nga Kosova. Si pasojë e këtij aksidenti tragjik, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa i treti ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton Gazeta Imazhi.


Sipas burimeve të afërta me familjet e të prekurve, bëhet e ditur se viktimat janë nga komuna e Deçanit dhe Malishevës. Njëri nga të ndjerët është identifikuar si Driton Sadikaj, një i ri nga Deçani, ndërsa viktima tjetër, sipas familjes Sadikaj, është nga komuna e Malishevës.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur të tre mërgimtarët ishin duke udhëtuar për në vendin e punës.

Gazeta Imazhi do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet dhe detajet e mëtejshme të këtij rasti të rëndë që ka tronditur komunitetin e mërgatës shqiptare në Itali.

Aksident i rëndë në Itali, humbin jetën dy të rinj nga Kosova

Një aksident tragjik mes dy kamionëve ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Itali, duke lënë të vdekur dy të rinj nga Kosova.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 06:45, ndërsa mediat italiane kanë dhënë detaje të para nga vendi i ngjarjes.

Mësohet se njëri nga viktimat është Driton Sadikaj nga Deçani, ndërsa sipas raportimeve të para, viktima tjetër dyshohet të jetë nga Malisheva. Autoritetet italiane janë duke hetuar shkaqet e plota të aksidentit.

U tha se Duda Balje u pa në Shkup afër selisë së Izet Mexhitit – reagon me ironi: Jo te Izeti, por te Ismeti

Deputetja boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, është parë sot në një kafene në Çarshinë e Shkupit, vetëm disa hapa larg selisë së Izet Mexhitit, lider i Lëvizjes Demokratike dhe një prej figurave kyçe të koalicionit opozitar shqiptar VLEN në Maqedoninë e Veriut.

Për të cilin u përfol se ishte personi që i ofroi vendin e punës si profesoreshë në Shkup në këmbim të votës së saj për Albulena Haxhiut si kryekuvendare.

Pas raportimeve se ndodhet në Shkup, ka reaguar vetë deputetja me ironi përmes një fotografie të publikuar në rrjete sociale

“Jemi në Shkup ju e dini, por jo te Izeti, por te Ismeti dhe ju përshëndesim”, thuhet në postimin ku shfaqet me bashkëshortin në një motor, përcjell Insajderi.

Ka qenë vet Balje ajo që ka konfirmuar se ka pasur tentime nga pushtetit për t’ia blerë votën.

“Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam apliku për profesoreshë në Maqedoni edhe kam plotësu krejt kushtet ama më nuk kam apliku. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutu për vendin e punës si profesoreshë”, kishte thënë Balje para disa ditësh.

Duke komentuar këtë deklaratë të Baljes, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka aluduar se këtë pozitë Vetëvendosje ia ka ofruar Baljes përmes koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut, të cilin Vetëvendosje e kishte përkrahur gjatë zgjedhjeve atje.

“Edhe këta i kanë ndihmuar që të vijnë në pushtet”, tha Kadrijaj.

Balje ka thënë se e ka refuzuar këtë ofertë.

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka mohuar kategorikisht përfshirjen në çështjen e ngritur nga deputetja Duda Balje, e cila ka deklaruar se i është ofruar një pozitë profesoreje në Shkup në këmbim të votës për ministren Albulena Haxhiu.

E rëndë: Goditet për vdekje një 92-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në Shqipëri, përkatësisht në aksin rrugor nacional Pushimi i Shoferit – Divjakë.

Sipas të dhënave paraprake nga Policia, një automjet tip Benz i drejtuar nga shtetasi K.XH, 18 vjeç, ka përplasur një kalimtar në momentin që ky i fundit po kalonte rrugën pranë banesës së tij, siç raporton BalkanWeb.

Viktima është identifikuar si Ruhi Kurteshi, 92 vjeç, banues në fshatin Këmishtaj, i cili ka humbur jetën në vend si pasojë e goditjes së fortë.

Drejtuesi i automjetit është ndaluar nga policia dhe po merret në pyetje, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Pronari i kompanisë “Fluidi” paralajmëron: Çmimi i vajit do të rritet deri në 30 cent!

Pronari i kompanisë së vajit “Fluidi”, Berat Mustafa, ka thënë se të gjithë duhet ta kuptojnë se bizneset nuk janë kundër kalimit në tregun e lirë të energjisë elektrike, por se kjo të bëhet duke qenë të përfshira më shumë kompani, që sipas tij, të ketë konkurrencë mes tyre që ofrimin e çmimit të rrymës.

Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka pohuar se deri tani me planin që është për liberalizim të tregut energjetik për bizneset, është vetëm një kompani e cila është në shërbim të bizneseve për furnizim me energji.

“Në të gjithë botën e qytetëruar prodhuesit janë të shenjtë, apo trajtohen si të shenjtë të themi me një sy pak më ndryshe. Kurse për fat të keq, po shihemi si njerëz që duan të dëmtojnë apo nuk duam të bashkëpunojmë me institucionet tona qeveritare. Të kuptohet për të gjithë publikun apo për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës se prodhuesit nuk janë kundër daljes në tregun e lirë të energjisë, ka dalë i gjithë regjioni dhe e gjithë Evropa, dhe ne duhet sigurisht të ballafaqohemi”.

“Por, ne jemi kundër ofertës të cilës na ofrohet, e cila është vetëm një ofertë. Nuk e kemi ofertën  e dytë, dalja në treg të lirë së paku ishte dashtë të kishte minimum së paku pesë kompani, të cilat do të ofronin energji në treg, do të ishin në konkurrencë. Ne po dalim në treg të lirë me kërku diçka më lirë dhe jo me dalë diçka më shtrenjtë”.

“Unë si kompani si “Fluidi Group”, e kam vetëm një ofertë e cila më ofron 250 euro për megavat. Shtrohet pyetja, cili nga prodhuesit do të mund të jetë konkurrues me prodhuesit e regjionit? Kjo është e pamundur derisa ata paguajnë 100 euro apo 110 maksimumi të megavatit. Energjia tek prodhuesit është pjesë përbërëse apo element përbërës, nuk është pjesë dytësor apo e treta dorë, që nuk kalkulohet në çmim. Deri tash po supozojmë që ka marrë pjesë në 17 apo 18%, po tash po flasim me na marrë pjesë në 50 për qind në produkt. Si do të konkurrojmë në treg me këtë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka shtuar se me kalimin e në tregun e lirë, bizneset detyrohen të rrisin çmimet e produkteve, ku tha se do të rrisë çmimin e litrit të vajit.

“Unë si prodhues i vajit më duhet të rrisë vajin deri në 20 apo 30 cent, do të thotë nëse në polisat tona shitet vaji 1 euro e gjysmë, unë detyrohem ta shesë në 1 euro e 80 cent. Ose importi e shet 1 e 50, tash qytetarët kur është një dallim esencial sigurisht se do të marrin produktin më të lirë, neve do të na bjerë prodhimi deri në atë masë ku ne do të detyrohemi të ndalim prodhimin”, ka thënë Mustafa. /Klankosova.tv

“S’po të dhezë kurgjo”, “Paloje” – Xheneta kapet edhe me fansat/FOTO

Ish- finalistja e Big Brother Vip Kosova, Xheneta Fetahu vazhdon të marrë vëmendje përmes rrjeteve sociale.

Në të shumtën e rasteve ajo shfaqet provokative, duke zbuluar më shumë se që duhet.

Janë ndjekës të shumtë të saj, që nuk i kursejnë komentet negative karshi Xhenkit.

Nga ana tjetër, as replikat e saj nuk mungojnë shumë herë.

“S’po te dhez kurgja, kot kur nuk ta don, nuk ta don”, shkruan një ndjekës në profilin e Xhenetës.

Ish- finalistja nuk ka nguruar t’i kthejë përgjigje.

E reja që ra nga kati i katërt i banesës një ditë më parë, kjo është gjendja e saj sot

Gjatë ditës së djeshme është raportuar se një vajzë e re ka rënë nga kati i 4-të i banesës së saj, duke pastruar dritaret.


Nga Klinika Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë treguar për IndeksOnlinen se gjendja e saj vazhdon të mbetet e rëndë, edhe një ditë pasi ndodhi rasti.

“Gjendja e saj vazhdon të jetë e rëndë”, kanë thënë nga kjo klinikë për IndeksOnline.

Lidhur me rastin, detaje kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.

“Është raportuar se viktima femër kosovare ka pësuar lëndime trupore. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.”, thuhet në raportin 24- orësh të policisë së Kosovës./IndeksOnline/