Kusari: Vendi ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional, opozita duhet të reflektojë

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se “pavarësisht mosdakordësive dhe rivaliteteve politike, vendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake”.

Ajo shkroi në Facebook se “Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional”.

“Opozita duhet të reflektojë me përgjegjësi për domosdoshmërinë e konstituimit të Kuvendit, për formimin e qeverisë dhe për kthimin e plotë të kompetencave qeverisë në detyrë”, shkroi Kusari Lila, pasi bëri një kronologji të ngjarjeve që tha se rrodhën.

Ajo tha se “qytetarët kanë votuar dhe presin që institucionet të funksionojnë dhe të marrin vendime fuqiplotë, jo të zvarriten për shkak të inateve politike dhe mospjesëmarrjes në votime në Kuvend”.

Postimi i Mimoza Kusari Lilës:

Nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit 2025, LVV – Guxo – Alternativa dolën me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, LS me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë, KDTP me 2 deputetë dhe SPO, NDS, VAKAT, SDU, PLE, PAI, PREBK, IRDK, JGP me nga një deputet.

1. Me të filluar seanca për konstituimin e kuvendit të legjislaturës së nëntë me 15 prill, deputetët e opozitës votuan kundër duke pamundësuar betimin e deputetëve.

2. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, Avni Dehari, i shkroi letër Presidentes Osmani duke e pyetur si të ecim tutje dhe ajo menjëherë ju përgjigj: ju deputetët e zgjedhur merruni vesh e gjeni zgjidhje.

3. Deputetët opozitarë ndërruan qëndrim lidhur me verifikimin e mandateve dhe deputetët u betuan me 19 prill. Subjekti fitues i zgjedhjeve propozoi për kryetare të kuvendit Albulena Haxhiun, deputeten më të votuar që kishte marrë mbi 125 mijë vota me 9 shkurt.

4. Albulena Haxhiu mori 57 vota, pra 48 të LVV dhe 9 nga komunitetet joshumicë. Në bazë të Rregullores së Kuvendit, seanca duhej vazhduar më së largu çdo 48 orë. Meqë nuk kishte marrëveshje pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive që organizoi kryesuesi Dehari, LVV ishte e detyruar ta përsëriste propozimin e saj.

5. Pas gjashtë votimeve të pasuksesshme për kryetare të Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari kërkoi të provojmë votimin e fshehtë bazuar në pikat 124 dhe 125 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 gushti i vitit 2014. Themelimin e komisionit përkatës deputetët opozitarë po e bojkotojnë tash e 16 herë!

6. LDK ka refuzuar të marrë pjesë edhe në takimin për marrëveshje për konstituim të kuvendit me 1 maj, edhe në atë për marrëveshje politike me 5 maj. Të dyja këto takime ishin thirrur nga kryetari i LVV dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

7. Që nga 12 maji, çështja e votimit të fshehtë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese nga 5 deputetë të AAK, 5 të LDK-së dhe një të PDK-së. Nesër mbushen tri javë prej se jemi në pritje të gjykimit të saj.

8. LVV e ka kryer obligimin kushtetues, e ka dhënë propozimin e vet për kryetar kuvendi pa asnjë vonesë (për dallim nga PAN-i në verën e vitit 2017).

9. LVV njëmend nuk e ndërron propozimin, por tanimë çështja është kuorumi për votimin e fshehtë dhe jo Albulena. Në kundështim me pikën 128 të aktgjykimit të GjK nga viti 2014, nesër opozita do ta pamundësojë kuorumin për herën e 17!

10. Bojkoti e bllokimi opozitar në thelb është pakënaqësi dhe mospranim i rezultatit zgjedhor.

Pavarësisht mosdakordësive dhe rivaliteteve politike, vendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake. Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional. Opozita duhet të reflektojë me përgjegjësi për domosdoshmërinë e konstituimit të Kuvendit, për formimin e qeverisë dhe për kthimin e plotë të kompetencave qeverisë në detyrë.

Qytetarët kanë votuar dhe presin që institucionet të funksionojnë dhe të marrin vendime fuqiplotë, jo të zvarriten për shkak të inateve politike dhe mospjesëmarrjes në votime në Kuvend.

Egli Tako kështu po i përgjigjet kritikave për deklaratën ndaj Gjestit

Egli Tako, e ftuar në emisionin “Goca & Gra”, solli pozitivitet dhe sinqeritet gjatë intervistës së saj.

Por, një koment i bërë prej saj gjatë qëndrimit në Big Brother VIP Albania u rikthye në vëmendje.

Moderatorja Kleoniki i kujtoi një moment delikat kur Egli, e paqartë për qëndrimin e Gjestit ndaj saj – herë afrim, herë largim – i ishte drejtuar me fjalët: “Pse me bipolaritetin tënd do të merrem unë?”

Kleoniki theksoi se bipolariteti është një çrregullim serioz dhe i lidhur ngushtë me depresionin, dhe se kjo deklaratë nuk ishte e përshtatshme, sidomos duke pasur parasysh që Egli ka folur më parë hapur për shëndetin mendor.

Egli reagoi me maturi dhe pranoi se ndoshta ishte treguar e nxituar në atë moment.

Ajo sqaroi: “Ndonjëherë mbase tregohemi edhe pak të nxituar. Për sa i përket frazës që unë i kam thënë, për shkak të ndryshimeve, luhatjeve të frikshme të shpeshta të humorit, por jo me nota kaq dramatike, pra gjëra që mua më mundonin, sepse çfarë flitej në mëngjes nuk flitej mbasdite dhe nuk flitej në darkë, në këtë sens bipolariteti.”

Deklarata e saj nxiti një diskutim më të gjerë mbi mënyrën si përdoren termat e shëndetit mendor në debate emocionale, sidomos në një format kaq të ndjekur si Big Brother VIP.

Tragjike: Humb jetën një 24-vjeçare në Skenderaj

Një tragjedi rrugore ka goditur fshatin Polluzhë të Komunës së Skenderajt të dielën pasdite, kur një vetaksident në rrugën Drenas–Skenderaj ka përfunduar me një të vdekur dhe një të lënduar rëndë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2025, rreth orës 14:43, kur një Audi A4, ka dalë nga rruga në rrethana që ende po hetohen.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën pasagjerja Blerta Rexha, 24-vjeçare, ndërsa shoferi i automjetit, Leutrim Azemi, 27-vjeçar nga Skenderaj, ka mbetur i lënduar rëndë.

Në vendin e ngjarjes fillimisht kanë ndërhyrë njësitet policore të Stacionit të Drenasit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë, të cilat kanë transportuar të lënduarit drejt Emergjencës në QKUK, Prishtinë.

Më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e trafikut rrugor, njësia e hetimeve të aksidenteve si dhe prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar procedurat për hetim të vdekjes.

Shkaku i saktë i aksidentit mbetet ende nën hetime, ndërsa organet e drejtësisë janë duke e trajtuar rastin si “Hetim i vdekjes”, për të përcaktuar përgjegjësinë dhe rrethanat që çuan në këtë fatkeqësi.

Zjarr i madh në një spital në Gjermani, tre të vdekur dhe mbi 50 të lënduar

Një zjarr i përhapur gjatë natës në Spitalin Marien në Hamburg të Gjermanisë shkaktoi tragjedi, duke marrë jetën e të paktën tre personave dhe plagosur mbi 50 të tjerë, shkruan Gazeta Sinjali.

Flakët shpërthyen në një dhomë të repartit të kujdesit për të moshuarit në katin përdhes të ndërtesës në lagjen Hohenfelde, ku tymi i dendur përfshiu të gjitha katet e spitalit.

Sipas autoriteteve, 16 prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë, ndërsa një person ndodhet në rrezik për jetën. Zjarrfikësit kanë vlerësuar ndërhyrjen si shumë të vështirë për shkak të përhapjes së shpejtë të tymit në të gjithë objektin.

Shkaku i zjarrit nuk është zbuluar ende dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.

Ngjarja në bregdetin e Durrësit, gjendja e gruas raporotohet e jetë rëndë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e sotme në Durrës.

Një 34-vjeçar deklarohet se ka vdekur, ndërsa vajza, 31 vjeç u transportua me ambulancë në spital, në gjendje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Ky është i riu që u gjet i vdekur në Skenderaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në fshatin Burojë të Skenderajt.


Burime të IndeksOnline bëjnë të ditur se një person është gjetur pa shenja jetë.

Dyshimet janë se ai ka bërë vetëvrasje.

Nga burimet e saj, IndeksOnline merr vesh si viktima është F. Ramadani.

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar policia e Kosovës.

“Sot me datën 01.06.2025 rreth ores 06:51 policia ka pranuar informaten nga Emergjenca në QKMF Skenderaj, se eshte sjell nje person moshes madhore pa shenja jete. Njësit relevante kane dal ne vendngjarje.
Me urdher te prokurorit kujdestar rasti eshte duke u hetuar si ,, Hetim i vdekjes”, dhe trupi i pa jete eshte derguar per obduksion ne IML”, thuhet në përgjigjen e pilicosë për IndeksOnline.

Ky është i riu që humbi jetën nga aksidenti në Pejë, djali i biznesmenit të njohur

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka humbur jetën në një aksident trafiku në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Pavlan të Pejës.

Gazeta Insajderi merr vesh se personi i vdekur është Armir Osmani, djali i biznesmenit nga Mitrovica, Ismet Osmanit -Currit.

Zëdhënsi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikci, ka thënë për Insajderin se viktima është identifikuar nga familjarët

“Viktima është identifikuar nga familjarët. Tash me urdhër të prokurorit po i bëhet autopsia” ka thënë për Insajderin, Shkodran Nikci.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se viktima ishte duke vozitur me shpejtësi të madhe, me ç’rast ka humbur kontrollin mbi veturën dhe është rrokullisur duke rënë në fushë.

Më pas vetura është përfshirë nga flakët.

Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar në IML.

“Sot me datën, 01.06.2025, rreth orës 02:20, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshaton Pavlan- Pejë, në këtë aksident ishte e përfshirë një veturë e cila dyshohet se ishte duke qarkulluar me shpejtsi të madhe në drejtim të Pejës, dhe me të arritur në fshatin Pavlan, humb kontrollim mbi automjetin dhe rrokulliset duke përfunduar ne fushë, vetura është përfshirë nga flakët se bashku me personin që ishte në veturë, në vendin e ngjarjës kanë dalë njësitet relevante të Policisë, ekipi i zjarrëfiksëve dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, me urdhër të prokurorit të shtetit viktima dërgohet ne IML-Prishtinë për obduksion”, tha për indeksOnline Driton Rugova zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës.

“Po jetoj mes Tiranës dhe Prishtinës” – Egli Tako zbulon arsyen pse

Egli Tako ishte e ftuar së fundmi në emisionin “Goca & Gra”, ku jo vetëm që tërhoqi vëmendjen me stilin e saj të rafinuar dhe të sofistikuar, por edhe me qetësinë, maturinë dhe sinqeritetin që e karakterizon.

Si përherë, Egli u shfaq elegante në dukje dhe e artikuluar në çdo përgjigje, duke konfirmuar edhe një herë personalitetin e saj të natyrshëm dhe të vërtetë.

Gjatë bisedës, Egla Ceno e pyeti: “Po jeton në Prishtinë?” – pyetje që Egli e priti me buzëqeshje.

Foto: Screenshot/YouTube

“Po, jetoj mes Tiranës dhe Prishtinës. Më së shumti më lidh puna me Prishtinën, muzika… është dashuria ime e parë që më mban aty”, – u përgjigj ajo me ndjenjë.

Egli zbuloi gjithashtu se është menaxhuar nga Fifi, e cila është pjesë e kryesisë së kompanisë muzikore ku ajo është e angazhuar.

Të dyja artistet jo vetëm që punojnë së bashku, por edhe bashkëkrijojnë: kënga më e re e Eglit, me titull “Jetë”, është shkruar në bashkëpunim me Fifin.

Por, surprizat nuk mbarojnë këtu. Egli bëri të ditur se ajo dhe Fifi do të sjellin së shpejti edhe një bashkëpunim muzikor, një projekt që fansat mund ta presin me padurim.

Një paraqitje që konfirmon se Egli Tako është më shumë se një artiste me stil – ajo është një zë i fortë, i sinqertë dhe plot përkushtim ndaj muzikës.

ZRRE-ja del me një njoftim të rëndësishëm

Zyra e Rregullatorit për Energji bëri të ditur se më 1 qershor bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë.


“Me sukses, të gjitha që kanë lidhur kontrata me furnizuesit kanë dalë në tregun e hapur. Ato që nuk kanë lidhur kontratë, kanë kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Megjithatë, Fejzullahu nuk dha shifra se sa kompani, nga rreth 1.300 që preken nga vendimi i liberalizimit të tregut, kanë lidhur kontrata dhe sa të tjera do të furnizohen me rrymë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.

Sipas këtij vendimi të ZRRE-së të gjitha bizneset e mëdha, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, është dashur të zgjedhin vetë një kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike.

Nëse nuk kanë arritur të përzgjedhin, këto biznese nga 1 qershori kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur, ku furnizimi bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit,(FMF) por me çmime të përcaktuara nga tregu.

FMF-ja mund të furnizojë vetëm dy muaj më energji kompanitë dhe nëse pas kësaj periudhe ato që nuk gjejnë furnizues, rrezikojnë të shkëputen nga rrjeti energjetik.

Aktualisht në Kosovë janë të licencuara 21 kompani tregtare për furnizim me energji, ndërsa një kompani tjetër është në proces licencimi.

Megjithatë, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vetëm pesë prej tyre kanë paraqitur deri tani oferta konkrete për sektorin e bizneseve.

Pjesë e këtyre kompanive është edhe Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, që aktualisht furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrialë në vend.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa biznese gjatë kësaj jave dhe asnjëra prej tyre nuk ka nënshkruar marrëveshje me kompanitë e licencuara.

Sipas tyre, vetëm KESCO ka dhënë një ofertë me çmim deri në 260 euro për megavat – çmim që ata e konsiderojnë të papërballueshëm.

KESCO nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë çmim.

Për shkak të çmimit të lartë të energjisë dhe mungesës së ofertave nga kompanitë furnizuese, më 29 maj, qindra biznese protestuan duke bllokuar për dy orë tri hyrjet kryesore të Prishtinës me mauna dhe automjete.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se bizneset po kërkojnë që zbatimi i vendimit të shtyhet për një vit, meqë “nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim të madh”.

Nga ana tjetër, Njazi Musliu, pronar i kompanisë Eurometal në Ferizaj, që ka afër 90 punëtorë, e ka cilësuar vendimin si shkatërrues për biznesin e tij.

Në protestën e së enjtes, ai theksoi se ky zhvillim e bën të pamundur konkurrencën në tregjet e rajonit dhe Evropës, ku kompania e tij është e pranishme me produkte të përpunimit të metalit.

“Do të detyrohemi të ulim numrin e punëtorëve nën 50, vetëm që të mos hyjmë në tregun e hapur në mënyrë që të ruajmë klientët me çmimet aktuale”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e kritikoi Odën Ekonomike duke thënë se “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur bizneset për këtë proces.

Nga ana tjetër, ZRRE-ja ka thënë të premten për Radion Evropa e Lirë, se disa biznese private dhe ndërmarrje publike tashmë kanë nënshkruar kontrata me kompani të licencuara për furnizim me energji elektrike.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme. /REL/

Ky është haxhiu kosovar që vdiq në Qabe

Familja Jusufi sot ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të kryefamiljarit të tyre, Haxhi Avdi Jusufit i cili vdiq në Qabenë e bekuar.

I ndjeri do varroset sot me 01.06.2025 (e dielë), me namazin e Drekës në Qabenë e Bekuar.

E pamja e të ndjerit do mbahet tri ditë, nga dita e hënë 02.06.2025 në Vushtrri në Novosellë të Begut.

Njoftimi i plotë i familjes:

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”

Me pikëllim të thellë ju njoftoj se është ndarë nga jeta Babai jonë, haxhi Avdi Jusufi.

Ceremonia e varrimit do të bëhet sot me 01.06.2025 (e dielë), me namazin e Drekës në Qabenë e Bekuar!
E Pamja mbahet tri ditë, nga dita e Hënë 02.06.2025 në Vushtrri (Novosella e Begut)

Vdekja e tij ka lënë një boshllëk të madh në zemrën e familjes sonë, por kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i freskët në mendjet dhe zemrat tona.
Babai ynë me shpirt i donte vendet e shenjta, andaj Allahu e zgjodhi që shpirtin ta dorëzonte pikërisht atje!

Faleminderit të gjithëve për ngushëllimet dhe përkrahjen në këto momente të rënda për familjen tonë.

Allahu e bëftë prej banorëve të Xhennetit!