Haxhia nga Kosova vdes në Qabe

Një haxhi nga Kosova ka ndërruar jetë në Qabe gjatë pelegrinazhit në vendin më të shenjtë të myslimanëve, ka bërë të ditur hoxha Abdullah Shaqiri, shkruan Insajderi.

“Në këto ditë të begata të Dhulhixhes dhe në Qabenë e bekuar në Mekë, ka ndërruar jetë haxhiu nga Vushtrria, Avdi Jusufi. Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet. Familjes Zoti ua shtoftë durimin”, ka shkruar ai në një postim në rrjete sociale.

Sipas njoftimit të familjarëve, haxhiu Avdi Jusufi do të varroset sot, më 1 qershor 2025 (e diel), me namazin e drekës në Qabenë e Bekuar në Mekë.

 

 

Pamja do të mbahet për tri ditë në Vushtrri, në Novosellë të Begut, duke filluar nga e hëna, më 2 qershor 2025.

 

Kishte shkuar për ta ndjekur koncertin e tij, Gjesti shpërthen në lot teksa takohet me djalin me nevoja të veçanta

Në një nga koncertet e tij të fundit, artisti i njohur Gjesti dhuroi një nga momentet më të ndjera të karrierës së tij, duke prekur zemrat e publikut.

Gjatë performancës, vëmendja e tij u përqendrua tek një djalë me aftësi të kufizuara, i cili ndodhej në karrocë dhe nuk fliste apo lëvizte.

I prekur thellë nga prania e djaloshit, Gjesti zbriti nga skena, iu afrua me respekt dhe dashuri, e përshëndeti dhe i dhuroi një nga gjërat më personale: varësen që mbante në qafë. “Ndoshta nuk është shumë e shtrenjtë, por është e imja, dhe është për ty”.

Foto: Screenshot/TikTok

Momenti kulmoi me një përqafim të ngrohtë dhe me fjalët plot emocion të artistit: “Zoti të ruajtë”, përpara se të shpërthente në lot, ndërsa publiku e duartrokiste me emocion dhe respekt.

Një gjest i vogël, por me peshë të madhe – që tregoi se muzika shkon përtej skenës dhe se zemra e një artisti ka fuqinë të prekë jetët e të tjerëve.

Gjendet e mitura e raportuar si e zhdukur në Fushë Kosovë – 14-vjeçarja kishte qëndruar e vetme në rrugë për disa ditë

Një rast shqetësues i zhdukjes së një të miture në Fushë Kosovë ka përfunduar me kthimin e saj të sigurt në shtëpi, pas disa ditësh mungesë dhe pa ndonjë kontakt me familjen

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Besforta Shala, e lindur më 2010, ishte raportuar si e zhdukur nga babai i saj më datë 30 maj 2025, rreth orës 19:30, në stacionin policor të Fushë Kosovës. Sipas kallëzimit, vajza kishte dalë nga banesa më 26 maj, në orët e hershme të mëngjesit, dhe nuk ishte kthyer më. Ajo nuk kishte me vete telefon dhe familja nuk kishte informacion se çfarë kishte veshur.

Mësohet se viktima është një rast i përsëritur i largimeve nga shtëpia, ndërsa edhe herën e fundit Prokuroria për të Mitur kishte urdhëruar inicimin e rastit si “Person i zhdukur”.

Fatmirësisht, më 1 qershor 2025, rreth orës 02:45, babai i saj, Remzi Shala, është paraqitur sërish në polici – këtë herë bashkë me vajzën e gjetur. Gjatë intervistimit, e mitura ka deklaruar se gjatë gjithë kohës kishte qëndruar vetëm, duke endur rrugëve të Fushë Kosovës, por se ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia dhe organet kompetente po trajtojnë rastin me kujdes të veçantë për shkak të ndjeshmërisë së tij dhe historikut të përsëritur të largimeve nga shtëpia. Gazeta Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë rastin dhe t’ju informojë për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Egli thyen heshtjen: Nga Big Brother jam penduar…

Egli Tako ka zbuluar nëse është penduar për diçka nga rrugëtimi i saj në Big Brother VIP.


Ish-banorja u shpreh se çdo gjë nga rrugëtimi i saj brenda shtëpisë i ka dhënë një mësim.

“Nuk bëhem pishman nga asgjë që kam bërë në BBV. Çdo hap në jetë është një mësim. Duke gabuar, duke mësuar. Sa gjëra më kanë vrarë aty brenda. Faji gjithmonë ngelet jetim.

Nuk dua që asgjë të fshihet nga Big Brother VIP. Më shumë me Prishtinën po më lidh puna. Fifi është një nga menaxheret e mia”, u shpreh Egli./TOPChannel/

Aksident i rëndë në Pavlan të Pejës, merr flakë vetura, vdes një person

Gazeta Sinjali ka raportuar më parë për një aksident tragjik që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Pavlan të Pejës, ku një veturë luksoze tip Audi Q8 ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e një personi ende të paidentifikuar.

Sinjali mëson ekskluzivisht se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 të datës 1 qershor 2025, kur automjeti që po qarkullonte me shpejtësi në drejtim të qytetit të Pejës, ka humbur kontrollin në afërsi të rrethrrotullimit në fshatin Pavlan. Sipas hetimeve fillestare, vetura ka goditur cepin e trotuarit në anën e djathtë, është rrokullisur dhe ka përfunduar rreth 50 metra larg rrugës, në një arë, ku është përfshirë nga zjarri.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, njësia e krim-teknikës rajonale, zjarrfikësit, inspektori për mbrojtje nga zjarri dhe autoambulanca me mjekun kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e personit brenda automjetit. Viktima, që dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit, nuk ka arritur të identifikohet deri më tani, ndërsa pronari i veturës nuk ishte i qasshëm përmes disa numrave të telefonit.

Gjatë ekzaminimit të automjetit, hetuesit kanë gjetur edhe një fishek armë zjarri me kalibër të panjohur, çka ka shtuar edhe më shumë dyshimet rreth rrethanave të këtij rasti.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa vetura është konfiskuar për ekzaminime të mëtejshme dhe është dërguar në parkingun e Stacionit Policor në Klinë.

Rasti është duke u hetuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë dhe Prokuroria Themelore, në përpjekje për të sqaruar shkaqet dhe identitetin e viktimës.

Stuhitë do të godasin Zvicrën, paralajmërime për rrezik të lartë në disa rajone

Pas një dite me temperatura të larta, moti pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë mbrëmjes së së shtunës. Sipas paralajmërimeve të fundit, disa qeliza stuhish pritet të arrijnë në Zvicër nga jugperëndimi, duke sjellë reshje të dendura dhe mundësi për breshër në rajone të ndryshme të vendit, shkruan 20minuten.

Stuhitë fillimisht do të prekin zonat e Gjenevës, Bielit dhe Neuchâtelit, si dhe pjesë të Zvicrës qendrore, përfshirë rajonin rreth Lucernës. Më pas, pritet që moti i keq të përhapet në Bernë, Fribourg, Olten dhe Zvicrën verilindore.

 

Qeveria federale ka lëshuar paralajmërime për “rrezik të konsiderueshëm” në disa rajone malore dhe fushore, përfshirë Vallée de Joux, Delémont-Bellelay, Gersau-Engelbergertal, Sarnen-Lungern dhe Luzern-Aplnacht. Stuhitë e pritura mund të sjellin rrufe, erëra të forta dhe breshër, duke rritur rrezikun për dëmtime materiale dhe rreziqe për sigurinë publike, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet këshillojnë banorët në zonat e prekura të shmangin lëvizjen në afërsi të trupave të ujit, zonave të hapura dhe vendeve të ekspozuara ndaj rrufeve, si kodrat, pemët dhe hapësirat pa mbrojtje.

Ndërkohë, niveli i paralajmërimit është rritur në shkallën e dytë më të lartë për Val de Travers, ku autoritetet kanë shpallur një “rrezik të madh” për stuhira deri në orën 21:00.

Institucionet përkatëse po monitorojnë nga afër situatën dhe i bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet më të fundit të motit.