Prokuroria ia sekuestroi iPhone-n, ministri Peci refuzon ta tregojë kodin

Hetimet penale për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore mund të rezultojnë në një test të papritur për Prokurorinë Speciale.
Çështja ndërlidhet me iPhone-n e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.

Peci është intervistuar të martën si i dyshuar për një rast penal të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sipas një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas urdhëresës, gjatë aksionit parashihej edhe sekuestrimi i telefonit iPhone të ministrit Peci.

Paparaci ka marrë vesh nga burime brenda organeve të hetuesisë se përmbajtja e urdhëresës së gjykatës mund të ketë rënë në veshët e ministrit Peci para nisjes së aksionit.

“Avokati i ka treguar Pecit, pastaj ai ka shkuar në intervistim por pa telefon”, tha një burim i Paparacit brenda hetuesisë, derisa shpjegoi këtë version për ngjarjet e ditës së aksionit lidhur me dhënien me qira të fabrikës për mbetjet shtazore.

Hetuesit e Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës e ka paralajmëruar Pecin se nëse nuk e dorëzon iphone-n e tij, atëherë do të arrestohej.

Peci, pastaj e ka dërguar telefonin iPhone 16 por ka refuzuar t’ua japë atyre kodin për hapjen e tij, ka marrë vesh Paparaci nga burime brenda hetuesisë.

Telefoni iPhone 16 nuk mund të hapet, për shkak se autoritetet nuk e posedojnë programin për zhbllokimin e tij.

Prokuroria Speciale, e cila e ka në hetim rastin, e ka dërguar telefonin e ministrit Peci për zhbllokim te Njësia e Forenzikës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por asnjëra prej tyre nuk ka mundur ta hapë atë.

Iphone i ministrit në detyrë të Bujqësisë, pas dështimit për t’u zhbllokuar, i është kthyer sërish Prokurorisë Speciale, ka mësuar Paparaci.

Taulant Hodaj, avokati mbrojtës i ministrit Faton Peci, i kontaktuar përmes telefonit nga Paparaci të hënën ka refuzuar të deklarohet për këtë çështje.

“Nuk kam marrë autorizim nga klienti im që të përgjigjem për këtë rast”, ka thënë Hodaj.

Paparaci, e ka pyetur të hënën edhe Prokurorinë Speciale nëse do të ndërmarrë hapa të tjerë në përpjekje për të zhbllokuar telefonin e ministrit Peci, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga organi i akuzës.

Një opsion mbetet dërgimi i telefonit për ekzaminim jashtë vendit.

Edhe Byroja Federale Hetimore (FBI) në ShBA ka hasur shpeshherë në probleme për hapjen e telefonëve iPhone, për shkak të ngurrimit të kompanisë Apple për dëshifrimin e pajisjeve duke përmendur privatësinë e përdoruesve.

Pas një beteje disa mujore me kompaninë teknologjike Apple në vitin 2016, FBI kishte arritur që ta zgjidhte problemin e kodit të telefonit të terroristit i cili kreu sulmin në San Bernardino. FBI e kishte zhbllokuar telefonin e terroristit përmes mekanizmave të saj, për shkak të refuzimit të Apple për të bashkëpunuar me agjencinë.

U plagos në vendin e punës, duke luftuar me grabitësin serb, Fahri Ademi ende i palëvizshëm

Dy muaj më parë, 42-vjeçari Fahri Ademi u plagos nga të shtënat me armë zjarri gjatë një grabitje të armatosur në Veternik.

Pas disa ditësh trajtimi në Klinikën Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ademi u nis për në Turqi.

Plagët e rënda që mori Ademi, derisa u ballafaqua me grabitësin serb, ishin të rënda derisa e lanë të palëvizshëm.

IndeksOnline ka kontaktuar familjarët e Ademit, për të mësuar më shumë rreth gjendjes së tij shëndetësore.

“Ende është i palëvizshëm. Edhe dy javë ka me qëndru në Turqi pastaj kthehet në Kosovë. Njërën këmbë po e ndjen, kurse tjetrën jo. Sipas doktorëve atje, ka gjasa që Fahriu të ecë përsëri. Ata i kanë rekomanduar të vazhdojë me ushtrime. Gjendja e tij emocionale nuk është e mirë, është lodh shumë, është “shkri” si njeri”, ka thënë një familjarë i Ademit për IndeksOnline.

Plagë të rënda dhe të papërballueshme mori edhe vetë grabitësi serb, Millosh Vukojeviq, i cili ndërroi jetë në Klinikën Intenzive në QKUK, pak ditë pasi ndodhi rasti.

Vukojeviq, kishte edhe të kaluar kriminale ku vitin e kaluar ishte i arrestuar për kultivim të bimëve narkotike.

Ky është 17-vjeçari që humbi jetën në aksidentin e rëndë në Prizren

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës në fshatin Grazhdanik të Prizrenit, ku si pasojë e përplasjes mes një veture dhe një motoçiklete, ka humbur jetën një i mitur.

Bëhet fjalë për 17-vjeçarin Geltian Shala, i cili ndërroi jetë mbrëmë në QKUK në Prishtinë, për shkak të plagëve të rënda që kishte pësuar nga aksidenti, njofton Klankosova.tv.

Familjarët kanë bërë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, pas faljes së namazit të Ikindisë.

Rrezik lufte? Britania ngre nivelin e alarmit

Kryeministri Keir Starmer ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një fazë “gatishmërie për luftë”, duke paralajmëruar se bota aktualisht po përjeton periudhën më të paqëndrueshme në dekada.

Duke folur në Glasgow, Starmer prezantoi gjetjet kryesore nga një rishikim strategjik i mbrojtjes i shumëpritur, i cili thotë se Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë e përgatitur për konflikte të mundshme në Evropë ose në rajonin e Atlantikut.

“Kur kërcënohemi drejtpërdrejt nga shtetet me aftësi të përparuara ushtarake, mënyra më e mirë për t’i penguar ato është të jemi gati dhe ta bëjmë të qartë. Paqja ruhet me forcë”, tha kryeministri.

Si pjesë e planeve të reja, qeveria planifikon të ndërtojë deri në 12 nëndetëse sulmi dhe të investojë 15 miliardë paund në një program armësh bërthamore.

Megjithatë, Starmer nuk bëri një premtim të prerë për të rritur buxhetin e mbrojtjes në 3% të PBB-së, gjë që ka tërhequr kritika nga opozita.

Ai tha se objektivi ishte të arrihej kjo përqindje në mandatin e ardhshëm parlamentar, por se vendimi përfundimtar do të varet nga gjendja e ekonomisë dhe financave publike.

Ngërçi politik në vend, Kuvendi del me një njoftim

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar edhe zyrtarisht që seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet pas dy dite, pra të mërkurën e 4 qershorit.

LEXO EDHE:

A po e ndryshon LDK-ja qëndrimin për Haxhiun kryeparlamentare? Ja çfarë u konfirmua sot


Kjo do të jetë seanca e 26-të me radhë për deputetët që tashmë nuk po votojnë për formimin e komisionit për votimin e fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje po insiston që kandidatja Albulena Haxhiu të votohet për kryetare të kuvendit në mënyrë të fshehtë mirëpo kjo po kundërshtohet nga opozita.

Seanca nis nga ora 11:00.

Policia shoqëron dy serbë që kaluan ilegalisht kufirin

Dy shtetas serbë janë shoqëruar në stacionin policor pasi kaluan ilegalisht kufirin në rrugën Stublinë-Dobërqan.

Me vendim të gjykatës, atyre u janë sekuestruar dokumentet dhe janë urdhëruar të paraqiten më 2 qershor për procedura të mëtejshme ligjore, transmeton klankosova.tv.

”Rruga Stublinë-Dobërqan – Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar meshkuj shtetas të Serbisë, pasi që kishin kaluar kufirin ilegalisht. Me vendim të gjykatës, të dyshuarve u janë sekuestruar dokumentet dhe me datë 02.06.2025 duhet të paraqiten në gjykatë për procedurë të mëtutjeshëm”.

Shpërthen vullkani Etna në Sicili

Vullkani më i lartë dhe më aktiv në Evropë, Etna në Sicili, shpërtheu fuqishëm sot, duke nxjerrë një shtyllë të madhe tymi dhe hiri në qiellin italian.

Pamjet e ndara në rrjetet sociale treguan turistë që vraponin për të shpëtuar nga shpërthimi, ndërsa një re e dendur tymi ngrihej mbi ta.

Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë raportoi se vullkani po përjetonte shpërthime stromboliane të forta dhe pothuajse të pandërprera, me intensitet në rritje.

Para shpërthimit, u regjistruan dridhje vullkanike që filluan rreth orës 22:00 të mbrëmjes së kaluar dhe arritën kulmin pak para orës 01:00 të mëngjesit.

Ky është kosovari që fitoi 50,000$ nga Youtuberi i famshëm

YouTuberi më i ndjekur në planet, MrBeast, ka shpërndarë sërish shifra marramendëse parash në një nga sfidat e tij të zakonshme në rrjete sociale. Këtë herë, 500,000 dollarë u ndanë për 10 ndjekës me fat… dhe mes tyre, një emër shqiptar: Shqipërim nga Kosova!

Historia është sa e pabesueshme, aq edhe frymëzuese.

Në një intervistë për Prive By Liberta Spahiu, Shqiprimi rrëfen se nuk ishte as ndjekës i MrBeast, madje as nuk e kishte parë kurrë një video të tij.

Ishte vëllai ai që e shtyu të komentonte poshtë postimit viral, një koment që rezultoi me 50 mijë dollarë në xhep!

“Nuk i besova kur më shkruan. Mendova që ishte ndonjë skemë mashtrimi,” – thotë ai, duke treguar se më pas mori një mesazh zyrtar nga vetë ekipi i MrBeast dhe nisi procedurat për përfitimin e çmimit.

Por Shqiprimi nuk e harxhoi çmimin në pushime, makina apo luks. Jo!

Ai vendosi të investojë gjithçka në një projekt ambicioz: Aura Academy, një akademi për kurse gjuhe dhe përkthime që e ka nisur së bashku me vëllain.

“Erdhi në momentin e duhur,” thotë Shqiprimi, i cili sot është jo vetëm fitues i një prej shpërblimeve më të mëdha të MrBeast, por edhe themelues i një biznesi me potencial ndërkombëtar.

Ky është personi që u gjet pa shenja jete në parkun e Pejës

Një person është gjetur pa shenja jete sot në parkun Karagaq të Pejës. Siç raporton Indeksonline bëhet fjalë për Fahri Shala

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se pritet të bëhet tërheqja e trupit të pajetë nga mjekësia ligjore dhe më pas të lëshohet urdhri për autopsi.

“Në parkun Karagaq të Pejës një person është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes janë njësitet relevante policore dhe prokurorja e krimeve të rënda. Pritet që të bëhet tërheqja e trupit të pajetë nga mjekësia ligjore dhe të lëshohet urdhri për autopsi”, tha ai.

Pamje që nuk priteshin, Mihrije Braha provokon në bikini

Mihrije Braha, një nga artistet më të njohura të skenës shqiptare, ka surprizuar ndjekësit e saj me një paraqitje të pazakontë. Këngëtarja ka publikuar së fundmi disa foto ku shfaqet në bikini.

Fotot janë realizuar gjatë një pushimi, ku Mihrija duket në formë të shkëlqyer dhe plot stil, çka ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, shkruan “Kosovarja”.

Pavarësisht viteve në skenë dhe imazhit të saj tradicional, Mihrije Braha dëshmon se di ende si të tërheqë vëmendjen në rrjet. Kjo paraqitje vjen si një rikujtim se stili dhe vetëbesimi nuk kanë moshë.

Ndryshe Braha vazhdon të qëndroj aktive në skenën e muzikës.