E rëndë në Shqipëri: Një i ri dyshohet se u vetëvar në oborrin e shtëpisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Cakran të Fierit në Shqipëri, ku një i ri është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij.

Policia njofton se viktima është shtetasi N. Ll., 28 vjeçar, i cili dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në oborrin e shtëpisë së tij

Sipas njoftimit zyrtar, trupi i pajetë është zbuluar rreth orës 14:00 nga të afërmit e tij, të cilët kanë alarmuar menjëherë autoritetet.

“Rreth orës 14:00, në fshatin Cakran, është gjetur nga familjarët, pa shenja jete, në oborrin e banesës së tij, shtetasi N. Ll., 28 vjeç, i cili dyshohet se është vetëvarur,” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Gjykata Speciale merr një vendim për Veselin dhe Selimin

Pas Jakup Krasniqit, edhe Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit iu është refuzuar kërkesa për lirim të përkohshëm, duke iu vazhduar paraburgimi edhe për nga dy muaj.


Ndërsa, Hashim Thaçi nuk ka parashtruar një kërkesë të tillë.

Ngjashëm sikur për Krasniqin, edhe për Veselin e Selimin thuhet se ka mungesë të informacioneve për të konstatuar se ata mund të arratisen nga drejtësia, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por, për të dy thuhet se ekziston rreziku që të pengojnë procedurat dhe të kryejnë vepra penale ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi ose do të dëshmojnë në këtë çështje.

Mbrojtja e Veselit kishte parashtruar se çdo rrezik i mbetur i identifikuar nga trupi gjykues, mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes lirimit të përkohshëm me kushte të zbatuara nga Policia e Kosovës.

Mbrojtja gjithashtu rikujtoi se gjyqtari i procedurës paraprake i kishte hedhur poshtë kushtet e propozuara nga ata për lirimin e përkohshëm, duke konstatuar se informacioni që ka ofruar Policia e Kosovës nuk ishte e mjaftueshme për të eliminuar mundësinë që Veseli të përcillte mesazhe për anëtarët e familjes së tij ose të përdorte mesazhe të koduara gjatë bisedave.

Por, tani mbrojtja ka argumentuar se bazuar në informacionet e dhëna nga Policia e Kosovës për kapacitetin e saj për të zbatuar çdo kusht të lirimit me kusht, i rrëzojnë bazat e ngritura nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Mbrojtja e Veselit gjithashtu paraqet se z. Veseli është i gatshëm të dorëzojë pasaportën e tij dhe të respektojë çdo masë që Trupi Gjykues e sheh si të nevojshme (“Kushtet e Propozuara”). Sipas Mbrojtjes, garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës, së bashku me masat specifike të propozuara për lirimin me kushte të z. Veseli, duhet të merren në konsideratë bashkë me përvojën e saj në zbatimin e lirimeve të përkohshme të mëhershme të urdhëruara nga DhSK-ja. Mbrojtja gjithashtu fton Trupin Gjykues që të kërkojë drejtpërdrejt çdo informacion shtesë që e konsideron të munguar nga Policia e Kosovës”, thuhet në vendim.

Trupi gjykues i ka marrë parasysh informacionet e dhëna nga Policia e Kosovës lidhur me kapacitetet e saj për mbikëqyrjen e kësaj çështjeje, e po ashtu edhe raportimet e Komisioni Evropian që tregojnë se kapacitetet operacionale të Policisë së Kosovës janë përmirësuar.

Por, ky trup gjykues thotë se s’është bindur se masat e propozuara nga Policia e Kosovës mund t’i zbusin rreziqet përkatëse që dalin nga lirimi i përkohshëm.

“Po ashtu, Trupi Gjykues konsideron se garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet që lidhen me rrjedhjen e mundshme të informacionit konfidencial lidhur me dëshmitarët gjatë vizitave te z. Veseli. Në veçanti, Trupi Gjykues është i vetëdijshëm se [REDAKTUAR]. Si i tillë, Trupi Gjykues konsideron se, në rast se z. Veseli dhe vizitorët e tij do të përdornin mesazhe të koduara, [REDAKTUAR]. Trupi Gjykues është gjithashtu i mendimit se çështja e mesazheve të koduara do të vazhdonte edhe në [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR]. Siç është konstatuar më parë nga Trupi Gjykues i Gjykatës së Apelit, edhe duke marrë në konsideratë se një zyrtar i Policisë së Kosovës mund [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.

Por, trupi gjykues ka vendosur që vazhdimi i paraburgimit për Veselin është i nevojshëm.

Ngjashëm edhe mbrojtja e Selimit i ishte referuar garancive të ofruara nga Policia e Kosovës. Gjithashtu, ata kishin argumentuar se përfundimi i çështjes së Prokurorisë i zbut tejmase gjasat që i akuzuari të ndërmarrë veprime penguese ndaj procesit.

ZPS-ja ishte përgjigjur se asnjë prej kushteve të propozuara nuk është i mjaftueshëm për të zbutur rreziqet e lirimit të përkohshëm. Kurse, mbrojtja kishte thënë se Prokuroria nuk jep asnjë argument mbi arsye se pse kushtet e propozuara nuk janë të mjaftueshme për lirimin e përkohshëm të Selimit.

Si rrjedhojë, ngjashëm sikur për dy të akuzuarit tjerë, edhe për Selimin u mor vendimi që atij t’i vazhdohet paraburgimi.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Një lloj i harruar i kancerit po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë

Një formë e rrallë e kancerit, që deri vonë konsiderohej pothuajse e panjohur për shumicën e njerëzve, është duke u përhapur me ritme shqetësuese – veçanërisht te të rinjtë.

Sipas një studimi të publikuar në Annals of Internal Medicine, të cituar nga Science Alert, kanceri i apendiksit është duke shënuar rritje alarmante sidomos te personat e lindur pas viteve 1970. Rastet janë trefishuar apo katërfishuar krahasuar me ata të lindur në vitet 1940 – duke prekur të rritur në të 30-at, 40-at, e madje edhe më të rinj.

Statistikat flasin vetë: Sot, rreth një në tre raste të këtij kanceri ndodh te personat nën moshën 50 vjeç – shumë më tepër se sa në format e tjera të kancerit të aparatit tretës.

Çfarë është apendiksi dhe pse rrezikon?

Apendiksi është një zgjatje e vogël e ngjitur në zorrën e trashë, që shpesh lidhet me apendisitin – inflamacion i zakonshëm që kërkon operacion urgjent. Por në raste të rralla, në këtë pjesë të trupit mund të zhvillohet edhe kancer, zakonisht pa simptoma të qarta.

“Ky lloj kanceri është i vështirë për t’u zbuluar sepse simptomat janë të mjegullta, dhimbje të lehta barku, fryrje apo ndryshime në jashtëqitje, që shpesh ngatërrohen me probleme të zakonshme të tretjes”, thuhet në raport.

Shumë pacientë marrin vesh për diagnozën vetëm pasi nënshkruajnë për operacion për apendisit.

Pse po rritet ky kancer?

Ekspertët nuk kanë një përgjigje përfundimtare, por disa faktorë të dyshuar po shqyrtohen. Ndër ta janë ndryshimet në stilin e jetesës, ndotja mjedisore, si dhe ndikimi i antibiotikëve që nga mosha e fëmijërisë.

“Që nga vitet ’70, është rritur ndjeshëm obeziteti, faktor i njohur rreziku për shumë lloje kanceri, përfshirë kanceret e sistemit tretës”, thuhet në studim.

Ushqimet e përpunuara, pijet e ëmbla, ulja e aktivitetit fizik dhe rritja e kohës para ekranit përmenden si faktorë shtesë. Ndërkohë, edhe prania e plastikës dhe kimikateve në ushqim dhe ujë shihet si faktor rreziku i mundshëm.

Një tjetër dyshim bie mbi mikrobiomën – ekosistemin e baktereve të zorrëve – që është ndryshuar nga përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve.

Zbulimi i vonuar, rreziku i lartë

Për dallim nga kanceri i zorrës së trashë që mund të zbulohet përmes kolonoskopisë, kanceri i apendiksit nuk ka ende teste rutinë.

“Fatkeqësisht, nuk kemi ende mjete të standardizuara për ta zbuluar herët. Kjo do të thotë se pacientët dhe mjekët duhet të jenë më vigjilentë”, thuhet në studim.

Simptomat si dhimbje të vazhdueshme barku apo fryrje të pazakonshme nuk duhet të injorohen, sidomos nga personat nën moshën 50 vjeç.

Si të parandaloni: Kujdesi ndaj vetes mbetet mbrojtja më e mirë

Edhe pse nuk ka mënyrë të sigurt për ta parandaluar, ekspertët këshillojnë një stil jetese të shëndetshëm: ushqyerje e pasur me fruta, perime dhe fibra, shmangie e duhanit dhe kufizim i alkoolit.

“Këto masa nuk e eliminojnë rrezikun, por janë mënyra, të cilat kanë dëshmuar që ruajnë shëndetin në përgjithësi”, theksohet në artikull.

Rritja e rasteve të kancerit të apendiksit shihet si pjesë e një trendi më të gjerë që përfshin edhe kancerin e zorrës së trashë dhe stomakut – dhe një sinjal se shëndeti i sistemit tretës është në krizë.

“Historia e këtij lloj kanceri është rikujtim se edhe sëmundjet më të rralla mund të bëhen më të zakonshme kur ndryshojnë stili i jetesës dhe mjedisi ynë”, përfundon raporti.

Detaje ekskluzive: Aksioni në Ministri – Arrestohen tre zyrtare, ndër to nëna e Getoar Selimit dhe gruaja e ish-zyrtarit të AAK-së

Gazeta Sinjali sot raportoi për një aksion të ndërmarrë nga Policia e Kosovës në objektin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke çuar në arrestimin e tre zyrtareve të kësaj ministrie.

Siç raportoi Sinjali, në pranga kanë përfunduarFlora Selimi, Edila Gosalci dhe Vjollca Vishaj. Të tria dyshohen për përfshirje në raste të veçanta të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Personazhet në fjalë janë emra të njohur edhe për opinionin publik për shkak të lidhjeve familjare me figura të njohura. Flora Selimi është nëna e këngëtarit të njohur, Getoar Selimi. Vjollca Vishaj është bashkëshortja e Binak Vishajt, ish-anëtar i kryesisë së AAK-së, ndërsa Edila Gosalci – Qupeva është bashkëshortja e Ramë Qupevës, ish-drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën ministri.

Vjollca Vishaj me burrin e saj, Binak Vishajt, ish-anëtar i kryesisë së AAK-së

Bashkëshorti i Edila Gosalci – Qupeva, Ramë Qupeva, ish-drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

Sipas burimeve të Sinjalit, hetimet ndaj tyre kanë nisur prej disa muajsh dhe arrestimet janë bërë në kuadër të një operacioni të gjerë kundër korrupsionit në institucionet publike.

Operacioni është zhvilluar në prani të hetuesve të Njësisë për Krime Ekonomike dhe përfaqësuesve të Prokurorisë Themelore.

Kujtojmë që ditë më parë, Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë para dy ditësh në aksionin e koduar “Patenta” ku arrestuan gjithsej 11 persona.

Në mesin e njëmbëdhjetë personave të arrestuar është edhe Sadri Sutaj, djali i axhës së kryesuesit të Asamblesë së Komunës së Deçanit, Hajdar Sutaj. Krahas Sutajt, i arrestuar është edhe Kamer Shabani, Drejtor i Qendrës për Patentë Shofer në Gjakovë.

Të arrestuarit dyshohet se janë të përfshirë në keqpërdorime të rënda me procesin e testimit dhe dhënies së lejeve të vozitjes në qendrat e Patent Shoferëve në komunën e Gjilanit dhe Gjakovës.

Shpëtohet një kosovare në Shëngjin, rrezikonte të mbytej gjatë notit

Një e moshuar nga Kosova derisa ishte me pushime në Shëngjin është shpëtuar sot nga vrojtuesit e detit.

Sipas abcnews.al, e moshuara ishte në rrezik për mbytje derisa ishte duke u larë në det.

Vrojtuesit e detit i kanë dhënë ndërhyrjen e parë kosovares, dhe pastaj është dërguar në Spitalin e Lezhës për trajtim të mëtejshëm mjekësor dhe sipas raportimeve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

A bën të flas? Cila ishte pyetja?’ – Kurti tregohet arrogant ndaj pyejtjeve të gazetares

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u shfaq i mospërfillshëm dhe arrogant gjatë një konference për media, kur u pyet për marrëveshjen që parashikon pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga territori i Shteteve të Bashkuara, shkruan Gazeta Sinjali.

Kur gazetarja kërkoi sqarime, Kurti iu drejtua me tone të ashpra: “Shikoni, vetëm një moment… po tash a bën të flas, cila ishte pyetja?”

Më tej ai theksoi se detajet teknike i përkasin ekipeve të juristëve dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke shtuar se “nuk është as koha, as vendi, as zyrtari për këtë pyetje”.

“Duhet ta kuptoni që unë jam kryeministër, ministrja e jashtme. janë ekipet e juristëve tanë që bashkëpunojnë me palën amerikane për detajet. Këtë përgjigje do ta gjeni në aspektin teknik të saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nuk është as koha, as vendi as zyrtari për këtë pyetje…”, ta ai.

“Iu kam thënë se mundet me qenë kurth”, polici Peci jep detaje të frikshme të sulmit në Banjskë: Ka ndodh një shpërthim që ma humbi balancën

Në Gjykatën Themelore të Prishtinë ka nisur dëshminë, zyrtari policor Elez Peci.

Ai tregoi se si i ndjeri Afrim Bunjaku, më 23 shtator të vitit 2023 e kishte bërë orarin si zakonshëm, për të filluar me patrulla.

Më pas, Peci rrëfeu si e kuptuan se mbi urën e fshatit Banjskë ishin vendosur kamionë për të bllokuar hyrjen.

“Më 23 shtator të vitit 2023, orarin e ka bërë rreshteri i ndjerë, Afrim Bunjaku, si zakonisht kemi filluar ma patrulla edhe pse lëvizjet i kemi pasur të kufizuara, arsyeja dihet se ka qenë rrezik. Deri në orën 2 kemi qenë në terren në komunën e Zveçanit bashkë me Fahri Shalën. Në 2 jemi kthyer në stacion, në ora 2:30 me radio lidhje është njoftuar dhoma komanduese nga njësia NJSh kufitare, se në fshatin Banjskë mbi urë janë vendosur dy kamionë dhe ishte bllokuar hyrja e fshatit. Banjska është me Zveçan. I ndjeri Afrim Bunjaku na ka thirrë neve policëve, na ka dhënë detyrat, jemi pajisur me antiplumba, helmeta dhe të tjera pajisje policore. Kam qenë në automjet me rreshterin e ndjerë Afrim Bunjakun”.

“Duke shkuar në Jeshevik të Zveçanit, 1 kilometër, 1 e gjysmë pa u afruar te Banjska, e kemi parë një golf ngjyrë të kaltër, e kemi ndaluar automjetin,  e bëmë verifikimin dhe kemi bërë kontrollimin e veturës. Aty gjetëm një radiolidhje të policisë antene, ia kemi marr të dhënat dhe e kemi liruar, pasi ai nuk ishte i kërkuar. Antenën e konfiskuam”.

Tutje, zyrtari policor Peci tregoi detaje të frikshme edhe të momentit të shpërthimit.

“Kur kemi shkuar në Banjskë afër kamionëve, kam dyshuar dhe kam thënë po shpërndahemi se mundet me qenë kurth. Pastaj prapa meje ka ardhur Sadati, i kam thënë përcjelle rrugën e Izvorit, unë jam mbështetur te kamioni, në ato momente ka ndodh një detonim i fortë, aq i fortë sa ma ka humbur edhe balancën. Pas detonimit ka pasur menjëherë të shtëna të armëve të kalibrave të ndryshme. 10-15 metra i kemi pasur afër. Armë të rënda ka pasur edhe aty te manastiri. Unë jam munduar të mbroj veten dhe kolegët duke shtënë me ta, por ishim shumë të pabarabartë si në numër ashtu edhe në armatim”, shtoi Peci,

Promovohen dy shërbime të reja në eKosova

Dy shërbime të reja janë promovuar për të gjithë qytetarët që shfrytëzojnë platformën eKosova.

Shërbimet u lëshuan në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, shkruan IndeksOnline.

Të dy shërbimet i përkasin divizionit për të huaj: njëri për caktimin e terminit për aplikim për leje qëndrimi për herë të parë, dhe tjetri për caktim të terminit për aplikim për vazhdim të lejes së qëndrimit.

Ky është njoftimi i plotë i platformës:

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim  me Ministrinë e Punëve të Brendshme në Platformën eKosova ka lansuar dy shërbime:

1.Divizioni për të huaj – Caktimi i terminit për aplikim për lejeqëndrim për herë të parë https://ekosova.rks-gov.net/Public/295

2.Divizioni për të huaj – Caktimi i terminit për aplikim për vazhdim të lejeqëndrimit https://ekosova.rks-gov.net/Public/296

Këta janë drejtorët e rinj në 10 klinika të QKUK-së

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka publikuar së fundmi listën përfundimtare të rezultateve për kandidatët fitues për pozitat e drejtorëve të disa klinikave të QKUK-së.

Sipas Divizionit për rekrutim të SHSKUK-ut, përzgjedhja është bërë në bazë të kritereve vlerësuese të përcaktuara paraprakisht, shkruan Gazeta Shneta.

Më poshtë gjeni listën e drejtorëve të rinj të përzgjedhur:

Drejtor i Klinikës së Neurokirurgjisë: Besnik Elshani – 80.8 pikë
Drejtore e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktime dhe Estetikë: Violeta Zatriqi – 86.73 pikë
Drejtor i Klinikës së Psikiatrisë: Faton Kutllovci – 83.4 pikë
Drejtore e Klinikës së Pediatrisë: Alije Keka-Sylaj – 81.68 pikë
Drejtor i Shërbimit Klinik të Emergjencës: Naser Syla
Drejtor i Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL): Arsim Elezaj – 81.0 pikë
Drejtore e Klinikës së Gastroenterologjisë me Hepatologji: Fitore Komoni-Bejta – 81.5 pikë
Drejtore e Klinikës së Sëmundjeve Ngjitëse: Vera Berisha-Ndreja – 81.3 pikë
Drejtor i Klinikës së Biokimisë Mjekësore: Leonard Kurti – 84.63 pikë
Kandidat i papranuar: Driton Sopa – 80.13 pikë
Drejtor i Klinikës së Radiologjisë: Gani Morina – 82.40 pikë
Kandidatë të papranuar:
Jeton Shatri – 81.26 pikë
Bujar Imeri – 80.0 pikë
Drejtor i Klinikës së Neurologjisë: Nuk është pranuar asnjë kandidat
Kandidatë të papranuar:
Edmond Komoni – 68.38 pikë
Rushit Jashari – 66.79 pikë
/Gazeta Shneta/