Haxhiu: Vetëvendosje ka ndalur marrëveshje të dëmshme për vendin

Zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për rrugëtimin 20-vjeçar të kësaj partie, duke vënë në pah sfidat, qëndresën dhe arritjet e saj ndër vite.

“Prej 2005 deri në 2010 ka qenë periudha më sfiduese, dhe pastaj më 2010 kur VV vendosi që ta shtojë aktivitetin edhe në Kuvendin e Kosovës. Ne kemi arritur që ta marrim 13 deputetë për herë të parë”, tha Haxhiu, duke rikujtuar sfidat e hershme që përfshinin sulme e tendenca për ta shuar Lëvizjen.

Ajo foli edhe për protestat e vitit 2007, ku dy persona u vranë dhe mbi 90 të tjerë u plagosën. “Ne kundërshtonim Pakon e Ahtisarit dhe falë asaj rezistence hyri termi pavarësi, sepse ajo nuk ekzistonte fillimisht”, tha Haxhiu.

Haxhiu përmendi edhe periudhat kyçe të zhvillimit të Vetëvendosjes, nga opozita e fuqishme parlamentare në vitet 2010-2014, fitorja në Prishtinë, bashkimi i VLAN-it, deri te periudha e qeverisjes 2020-2025.

“Po të mos ishte rezistenca popullore dhe e Vetëvendosjes kundër ‘Zajednicës’, sot do t’i vuanim pasojat. Kemi bërë përpjekje maksimale që ta ndalim edhe demarkacionin me Malin e Zi. Po ashtu ka qenë sfida me amnistimin e kriminelëve serbë”, shtoi ajo.

Sipas Haxhiut, suksesi i Vetëvendosjes është rezultat i angazhimit dhe punës së pandalshme të aktivistëve ndër vite. “Falë punës së aktivistëve, Vetëvendosje ka arritur që të jetë partia më e madhe në vend”, tha ajo./rtk

Aksion në Ministrinë e Infrastrukturës, arrestohen disa zyrtarë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë po zhvillon një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Panifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Aksioni ka nisur mëngjesin e së enjtës, derisa siç raporton “Betimi për Drejtësi” deri më tani janë arrestuar tre zyrtarë të kësaj ministrie.

Paparaci është në pritje të përgjigjes së Policisë për detaje të tjera.

Ndryshe, gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, Policia më 29 maj arrestoi 11 të dyshuar për keqpërdorime me patentë shoferë.

Vuçiq nga Odesa: E falënderova Zelenskyn që nuk ftoi përfaqësues të Kosovës në Samit

Në Samitin e Ukrainë – Evropë Juglindore në Odesa, Presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e ka lënë pa përmendur Kosovën, duke u shprehur i kënaqur që nuk pati asnjë përfaqësues nga Prishtina.

Vuçiq, në një prononcim për mediat serbe, e vlerësoi si të suksesshëm takimin e tij në këtë samit, duke theksuar se Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pati respektuar plotësisht Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe integritetin territorial të Serbisë. Ai gjithashtu vlerësoi faktin që nuk kishte asnjë përfaqësues të Prishtinës në samit.

“Ky është një gjest i madh ndaj vendit tonë,” tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia do ta vlerësojë këtë akt.

Ai po ashtu e përmendi këtë ngjarje si herën e katërt që merr pjesë në këtë samit dhe herën e parë që po e bën në territorin ukrainas.

Në lidhje me një çështje tjetër të rëndësishme, Vuçiç sqaroi se ai nuk ka firmosur deklaratën e përbashkët të Samitit që dënonte Rusinë. Ai theksoi se kjo nuk ishte një deklaratë e lehtë për Serbinë dhe se për këtë arsye ka abstenuar nga firmosja e saj.

“Deklarata që u miratua nuk ishte e lehtë dhe për këtë arsye emri im dhe ai i Serbisë nuk janë midis nënshkruesve të saj,” tha Vuçiq, duke shtuar se ai nuk dëshironte të kryente një akt tradhtie ndaj Rusisë.

Ai gjithashtu kritikoi mediat opozitare në Serbi, të cilat e kanë etiketuar si agjent rus ose ukrainas, duke e quajtur këtë një situatë ku ai është akuzuar nga të dyja anët.

Ai theksoi se Serbia vazhdon të mbrojë interesat e saj, duke u udhëhequr nga parimet e drejtësisë ndërkombëtare dhe pavarësisë së saj.

“Dhe çfarë, kë tradhtova? Rusinë? Me çfarë? Duke ardhur në samit, kjo është hera ime e katërt në samitin e Evropës Juglindore dhe Ukrainës, dhe unë jam përsëri i vetmi që nuk e pranova deklaratën. Ndryshe nga ata që do të pranonin gjithçka kundër Rusisë, gjithçka që munden. Por kjo tregon për shkatërrimin e tyre të plotë. Për faktin se ata nuk dinë më çfarë duan. Edhe kur mbroj interesat tona, dhe duke mbrojtur tonat, gjithmonë janë pjesërisht interesa ruse, si dhe ukrainase. Sepse ne mbrojmë interesat e së drejtës publike ndërkombëtare. Dhe gjithmonë të udhëhequr nga interesat tona. Kur nuk ke argumente, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të shpresosh se do të arrish diçka me gënjeshtra. Në fund, rezultatet janë gjithmonë të njëjta. Gënjeshtrat kanë këmbë të shkurtra. Jam krenar për politikën e Serbisë, për pavarësinë tonë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Vuçiq.

Haxhiu për sloganin e njohur “Jo negociata, Vetëvendosje”: Do të thotë jo negociata pa parime

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se slogani i njohur i Lëvizjes Vetëvendosje “Jo negociata, Vetëvendosje” ka qenë kundërshtim i negociatave pa parime.

E ftuar në RTK në një emision kushtuar 20-vjetorit të themelimit të Vetëvendosjes, Haxhiu tha se kjo ka qenë gjithmonë qasja e Lëvizjes, edhe në kohën kur ishte në opozitë.

“Slogani ka qenë ‘Jo negociata, Vetëvendosje’, mirëpo ne në vazhdimësi kemi thënë jo negociata pa parime”, u shpreh Haxhiu, duke shtuar se partia nuk ka kundërshtuar asnjëherë dialogun si proces, por mënyrën se si është zhvilluar ai ndër vite.

Por ky ish-slogan i tyre, po ndryshohet dita-ditës. Në të kaluarën, sa në pushtet ishin PDK, LDK e AAK, ky ishte slogani me të cilin Vetëvendosje, që tani është në pushtet kishte krijuar identitetin e saj duke refuzuar procesin e dialogut me Serbinë.

Ndër kritikat më të mëdha që merr partia në pushtet sot, është qasja e saj në dialogun me Serbinë.

E pati puna! Vserlo ‘dashurohet’ në këtë mashkull

Vserlo, ish-banori karizmatik i Big Brother VIP Albania, ka lënë pas zhurmën e Tiranës për të shijuar disa ditë relaksi në kryeqytetin spanjoll – Madrid.

 

Por pushimet për të nuk janë thjesht turistike: duket se zemra e tij ka bërë zoom mbi një kalimtar misterioz.

Në një postim që ka ndezur rrjetin, Vserlo ka ndarë një foto të një djaloshi të palestruar, i veshur sportiv dhe me muskujt që “flasin vetë”, ndërsa në sfond ka vendosur hitin e Britney Spears “Mama, I’m in love with a criminal”.

Teksti i përzgjedhur nuk është aspak i rastësishëm, duke lënë të nënkuptohet se kemi të bëjmë me një dashuri me rrezik… apo thjesht me një moment dobësie ndaj trupave të punuar?

Dhe nëse menduat se Vserlo po pushon i qetë, gaboheni. Ai e di saktë si ta mbajë vëmendjen ndezur. Pyetja tani është: a është ky vetëm një flirt veror i paparë, apo fillimi i një romance?

Mbetet për t’u parë në ditët në vijim, por një gjë është e sigurt: Vserlo nuk zhgënjen kurrë kur vjen puna te ndjeshmëria… dhe muskujt

S’ka festë të Vidovdanit me flamuj e simbole serbe në Kosovë

Monumenti i Gazimestanit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës, çdo 28 qershor bëhet vendi më i frekuentuar nga serbët e Kosovës, të cilët shënojnë festën e Vidovdanit, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Më 10 qershor të vitit të kaluar, Komuna e Graçanicës kishte marrë vendim që kjo festë të shënohet dhe festohet me simbole dhe flamuj të shtetit serb, të cilin e kishte dorëzuar në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë.

Dy ditë më vonë, më 12 qershor, MAPL e kishte përcjellë këtë kërkesë në Ministri të Punëve të Brendshme për vlerësim të ligjshmërisë.

MPB pas vlerësimit të aktit me datë 24.06.2024 ka kthyer përgjigjen në Komunë dhe në MAPL, duke thënë se “28 Qershori (Vidovdani) nuk është e përcaktuar si festë zyrtare apo memoriale në Republikën e Kosovës”, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e këtij vendimi komunal:

“Kuvendi i Komunës së Graçanicës, nuk e kishte rishqyrtuar vendimin dhe nuk kishte vepruar sipas kërkesës së MPB-së”.

Kështu, më 31 korrik të 2024-tës, MAPL ka paditur Komunën e Graçanicës duke kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, që të anulojë vendimin e komunës në fjalë.

Kësaj gjykate iu deshën 11 muaj që të marrë vendim për këtë rast.

Në aktvendimin e nxjerrë më 9 qershor të këtij viti, të cilin e ka siguruar Klan Kosova, gjyqtari i cili trajtoi këtë rast, Kreshnik Kaçiu, ka marrë vendim që të aprovojë në tërësi padinë e MAPL-së dhe të anulojë vendimin e Komunës së Graçanicës, duke shtuar se “ky Aktgjykim e zëvendëson aktin e anuluar dhe ka karakter detyrues”.

Në arsyetim, Gjykata ka thënë se sipas Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, “vetëm Qeveria në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës mund të përcaktojë ditët memoriale nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb. Komunat nuk kanë kompetencë të shpallin ditë feste të veçanta me ndikim publik, që përfshijnë përdorimin e simboleve shtetërore apo kombëtare në hapësirat publike”.

Vendimin e komunës së Graçanicës për dhënie të pëlqimit për shfaqjen e flamurit të një shteti tjetër me rastin e një feste që nuk njihet si festë zyrtare nga institucionet e Republikës së Kosovës, Gjykata e cilëson “tejkalim të kompetencave të përcaktuara me ligj”.

Ky vendim, sipas interpretimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka cenuar rëndë karakterin unitar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Sipas nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kosova është një shtet unik dhe i pandashëm, dhe autoritetet komunale nuk mund të ndërmarrin veprime që e relativizojnë këtë parim. Lejimi i flamurit të një shteti tjetër (Serbisë), jashtë rasteve të parapara me ligj, mund të perceptohet si akt simbolik i sovranitetit të dyfishtë apo vetëorganizimit politik në kundërshtim me rendin kushtetues”, thuhet më tej në arsyetimin e aktvendimit të kësaj gjykate të cilin e ka siguruar Klan Kosova.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e ndjeshmërisë etnike dhe politike në Kosovë. Çdo lejim i tillë pa bazë ligjore mund të krijojë precedent të rrezikshëm për minimin e rendit juridik dhe unitetit shtetëror”.

Gjykata vlerësoi se vendimi i Komunës së Graçanicës rrezikon seriozisht rendin publik dhe bashkëjetesën ndërkomunitare.

“Vendimi në fjalë mund të provokojë tensione ndëretnike, veçanërisht nëse perceptohet se autoritetet komunale po favorizojnë një komunitet në kundërshtim me rendin ligjor dhe ndjenjat e komuniteteve të tjera. Ky rrezik për rendin publik është edhe më i lartë në kontekstin kur simboli i një shteti tjetër shfaqet në mënyrë të organizuar nga një autoritet publik komunal, pa pëlqimin ose autorizimin e institucioneve qendrore”, thuhet në arsyetimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Më tej, gjykata ka hedhur poshtë pretendimet e Komunës së Graçanicës se “ky vendim sipas tyre nuk ka një efekt juridik formal të zgjatur ose të përhershëm por është qartësisht i kufizuar me datën 28.06.2024”.

Në këtë drejtim, gjykata konstatoi se karakteri përkohshëm nuk e amniston kundërligjshmërinë.

“Kundërligjshmëria e një akti administrativ vlerësohet në përputhje me përputhshmërinë me ligjin në momentin kur ai prodhon efekt, jo në bazë të kohëzgjatjes së efektit”, ka vlerësuar gjykatësi Kaçiu në aktvendimin e nxjerrë për këtë rast.

Me këtë Aktgjykim, gjykata synon jo vetëm konstatimin e paligjshmërisë në rastin konkret, por gjithashtu edhe sigurimin e koherencës së rendit juridik dhe parandalimin e shkeljeve të ngjashme në të ardhmen.

Prandaj thotë se ky Aktgjykim reflekton nevojën që i njëjti të shërbejë si model për veprimet jo vetëm për të paditurën por edhe për të gjitha komunat tjera në të ardhmen, duke riafirmuar se Komunat nuk kanë të drejtë të ndërmarrin veprime që cenojnë kompetencat e pushtetit qendror, nuk mund të legalizojnë shfaqjen publike të simboleve të shteteve të huaja përmes vendimeve të tyre të pavarura, në kundërshtim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ligjet përkatëse dhe duhet të respektojnë hierarkinë e akteve dhe vendimeve të organeve qendrore të Republikës së Kosovës. /Klankosova.tv