Sulmet amerikane në iran, paralajmërohet rreziku i një lufte botërore

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi një takim urgjent pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj tre centraleve bërthamore në Iran. Takimi u shoqërua me paralajmërime të forta për rrezikun e përshkallëzimit global dhe kërkesa të qarta për zgjidhje diplomatike, shkruan Gazeta Sinjali.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se sulmet amerikane “vetëm sa rrisin rrezikun e një lufte botërore” dhe dëmtojnë rëndë rendin ndërkombëtar. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të lënë armët dhe të kthehen në tryezën e dialogut.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, konfirmoi bombardimin e tre objekteve bërthamore iraniane, duke theksuar se dëmet ende nuk janë plotësisht të vlerësueshme dhe se rregullat e mospërhapjes bërthamore janë vënë në pikëpyetje.

Ambasadori i Kinës në OKB, Fu Cong, dënoi ashpër SHBA-në për veprimin, ndërsa përfaqësuesja amerikane Dorothy Camille Shea i justifikoi sulmet duke e akuzuar Iranin për bllokimin e negociatave dhe kërcënim në rritje për paqen.

Nga ana tjetër, ambasadori rus Vassily Nebenzia akuzoi SHBA-në se ka anashkaluar diplomacinë dhe “hapur kutinë e Pandorës”, duke rritur rrezikun e një krize bërthamore globale.

Djali i dajës e goditi pa dashje me veturë, detaje nga vdekja e trevjeçarit në Ferizaj

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Dardani të Ferizajt, ku një fëmijë 3 vjeç e gjysmë ka humbur jetën pasi është goditur aksidentalisht nga një veturë në oborrin e shtëpisë së dajës.

Ngjarja ka ndodhur ditën e së dielës, kur fëmija është goditur nga një veturë e drejtuar nga një i ri 21-vjeçar, djali i dajës së tij.

Siç raporton Klan Kosova, ngasësi thuhet se nuk e kishte vërejtur fëmijën në momentin kur po lëvizte mbrapa me veturë.

Rasti është konfirmuar edhe nga zyrtari policor për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se viktima ishte dërguar në ambulancën e fshatit Pozheran, por fatkeqësisht mjekët vetëm sa kishin konstatuar vdekjen e tij.

Hasani ka raportuar nga vendi i ngjarjes se gjendja emocionale e prindërve dhe familjes është shumë e rëndë pas tragjedisë.

Varrimi i fëmijës do të bëhet sot në fshatin Mirosalë, nga ora 18:00.

Irani lëshon raketa dhe dronë drejt Izraelit, paralajmëron edhe SHBA-në

Irani e ka lëshuar një breshëri raketash dhe dronësh drejt Izraelit të hënën, si dhe i ka paralajmëruar njëkohësisht gjithashtu Shtetet e Bashkuara se ushtria iraniane i ka tani “duart e lira” për t’i sulmuar objektivat amerikane, një ditë pasi SHBA-ja goditi fuqishëm objektet bërthamore të Teheranit.

Izraeli tha se mbrojtja e tij ajrore është duke punuar për t’i frenuar sulmet, të cilat duket se kishin në shënjestër zonat veriore dhe qendrore të vendit, dhe u kërkoi qytetarëve të shkonin në strehimore.

Irani e përshkroi sulmin si një valë të re të operacionit “Premtimi i Vërtetë 3”, duke thënë se po sulmonte qytetet izraelite Haifa dhe Tel Aviv, sipas televizionit shtetëror iranian.

Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme.

Sulmi ndodhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt në luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane, gjë që ngjalli frikë për një konflikt më të gjerë rajonal.

Irani theksoi se Shtetet e Bashkuara e kanë kaluar “një vijë shumë të kuqe” me vendimin e rrezikshëm për t’i goditur tri objekte me raketa dhe bomba shkatërruese të destinuara për bunkerë.

Të hënën, gjenerali iranian Abdolrahim Mousavi, shefi i shtabit të përbashkët të forcave të armatosura, paralajmëroi Uashingtonin se sulmet amerikane ua kanë mundësuar forcave iraniane të kenë “duar të lira” për të “vepruar kundër interesave të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”.

Mousavi e përshkroi sulmin amerikan si shkelje të sovranitetit të Iranit dhe të barasvlershëm me pushtimin e vendit, raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA.

Pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, nga e gjithë bota erdhën thirrje për shtensionim të konfliktit dhe rikthim në diplomaci për të gjetur një zgjidhje.FotogaleriPara dhe pas: Qendrat bërthamore të Iranit që u sulmuan nga SHBA-ja

Të hënën, diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se blloku mbetet “shumë i përqendruar në një zgjidhje diplomatike”.

“Shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzimin e luftës janë të mëdha”, tha Kaja Kallas në fillim të një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel, ku Irani u bë tema kryesore në rendin e ditës.

“Sidomos mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani do të ishte diçka jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e mirë për askënd”, tha Kallas, duke iu referuar një rruge të rëndësishme detare për transportin e naftës.

Pas sulmeve të së dielës, zyrtarët iranianë përsëritën kërcënimet e tyre të kahershme për mundësinë e mbylljes së kësaj rruge kyçe detare.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti të hënën në Moskë për takim me presidentin rus, Vladimir Putin, një nga aleatët kyç të Iranit.

Sot do të varroset 3-vjeçari që humbi jetën pasi u godit me veturë nga kushëriri i tij në Ferizaj

Gazeta Sinjali ka raportuar sot gjatë ditës se ka ndodhur një ngjarje tragjike të dielën në fshatin Dardani të komunës së Ferizajt, ku një fëmijë i moshës 3 vjeç e gjysmë ka humbur jetën në një incident të rëndë trafiku, për të cilin po hetohet një i afërm i tij.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 18:15 të datës 22 qershor 2025, në rrugën “Nektari” nr. 42, i dyshuari Gentijan Bytyqi, 21 vjeçar dyshohet se gjatë lëvizjes së automjetit në prapavijë, nga pakujdesia ka kaluar me pjesën e majtë të veturës mbi trupin e fëmijës Xh.B., 3 vjeçar, i cili kishte vrapuar në drejtim të veturës.

Bëhet e ditur se 3-vjeçari do të varroset sot në ora 18:00 në fshatin Merosal.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Paralajmërohet mungesë energjie në Kosovë, sonte mund të jemi pa rrymë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me mungesë energjie elektrike, madje edhe gjatë natës, shkruan Gazeta Sinjali.

Ajo tha se pjesa më e madhe e energjisë që përdoret në vend importohet, ndërsa kapacitetet e brendshme janë shumë të ulëta me vetëm dy blloqe funksionale.

Pjesa më e madhe e energjisë që po shpenzohet në Kosovë po importohet. Nuk e di nëse janë përcjellë të dhënat e shkëmbimeve tregtare të energjisë, por sasia që po e gjeneron Kosova për momentin është jashtëzakonisht e vogël. Aktualisht kemi vetëm dy blloqe funksionale. E patë edhe tymin sot, që ka mbuluar jo vetëm Obiliqin, por edhe krejt Prishtinën. Thuhet se njëri nga blloqet është vënë në funksion pa vendosjen e filtrave, dhe kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Prandaj, po ju them hapur: ka gjasa që sonte të mos kemi as tym të mjaftueshëm – e lëre më rrymë – gjatë natës”, u shpreh Bajrami.

Clinton: Netanyahu po lufton Iranin për të qëndruar në pushtet përgjithmonë

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka dëshiruar prej kohësh një luftë me Iranin, duke besuar se një konflikt i tillë do ta ndihmonte të qëndronte në pushtet përjetësisht.

“Netanyahu ka dashur prej kohësh të luftojë Iranin sepse në këtë mënyrë mund të qëndrojë në detyrë përgjithmonë. Dua të them, ai ka qenë atje pjesën më të madhe të 20 viteve të fundit,” u shpreh Clinton gjatë një interviste në “The Daily Show”.

Ish-presidenti amerikan tha gjithashtu se i ka bërë thirrje Donald Trump-it, aktualisht në garë për një tjetër mandat presidencial, që të ndërmarrë hapa për shuarjen e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, dhe t’i japë fund siç e quajti “vrasjes së vazhdueshme të civilëve”.

“Por unë mendoj se duhet të përpiqemi ta shuajmë atë dhe shpresoj që presidenti Trump ta bëjë,” tha Clinton.

Sipas tij, pavarësisht deklaratave dhe veprimeve, as Netanyahu e as Trump nuk dëshirojnë një katastrofë rajonale në shkallë të plotë, por paralajmëroi për pasojat e mundshme nëse kriza nuk menaxhohet me kujdes, shkruan Arab News.

Centrali bërthamor iranian në Fordow goditet sërish

Centrali bërthamor iranian në Fordow është goditur përsëri, kësaj radhe nga sulmet ajrore izraelite, një ditë pas bombardimeve të mëdha amerikane mbi të njëjtin objekt, shkruan Gazeta Sinjali.

Zëdhënësi i Shtabit të Menaxhimit të Krizave në Provincën Qom ka konfirmuar se objektivi ishte sërish centrali i ndërtuar brenda një mali, i njohur për ndjeshmërinë dhe sigurinë e lartë, raporton Sky news.

Më herët, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha se sulmet e fundjavës nga SHBA pritej të kishin shkaktuar “dëme shumë të konsiderueshme”, për shkak të natyrës së ndjeshme të centrifugave të përdorura për pasurimin e uraniumit.

Grossi shtoi se është ende e pamundur të përcaktohet shkalla e dëmit në strukturat nëntokësore të centralit.

Qesharake, Basha opozitës: Ruani energjinë kundër Serbisë e jo ta luftoni Albulena Haxhiun

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka dhënë një deklaratë që tingëllon si këshillë për qetësi shpirtërore, por jo për partinë e tij, por për opozitën.

Duke folur para hyrjes në Kuvendin e Kosovës, Basha u shpreh se opozita duhet ta kursejë energjinë që, sipas tij, po e shpenzon duke kundërshtuar kandidaturën e Albulena Haxhiut, dhe në vend të kësaj ta ruajë për një “kundërshtar të përbashkët” – Serbinë.

“Ne e kemi kandidu Albulena Haxhiun, nuk ka vërejtje as prej juve, as prej qytetarëve për Albulenën. Është e paarsyeshme me dalë me qëndru kundër. Mendoj që opozita duhet me ruajt energjinë kundër Serbisë, jo me luftu Albulenën”, deklaroi Basha

Ai shtoi se Kryesia e Kuvendit u takon të gjithëve Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe përfaqësuesve të komuniteteve, ndonëse zëshëm vetëm partia e tij vendos kandidatë dhe pastaj kërkon të mos ketë diskutime.

Kështu, sipas Bashës, kritika ndaj Albulena Haxhiut nuk është opozitarizëm – është humbje kohe.

35 seanca pa rezultate – Deputetja e Nismës pyet “A po dukem mirë?”

Edhe pse sot është mbajtur për herë të 36-të me radhë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, zgjidhja ende nuk është arritur, shkruan Gazeta Sinjali.

Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt vazhdojnë të mblidhen pa ndonjë rezultat konkret për formimin e institucioneve.

Në këtë atmosferë të zgjatur politike, vëmendje mori një deklaratë e deputetes së Nismës, Arbëreshë Krasniqi, e cila para mediave u shfaq në humor, duke pyetur gazetarët: “A po dukem mirë?”, e shoqëruar me të qeshura.

Një nga deputetët reagoi me ironi, duke thënë: “Punë s’jeni tu kry se…”, duke reflektuar frustrimin që po ndjehet për bllokadën e vazhdueshme.

E pabesueshme: Kurti flet për media para seancës, e jep një informacion shkurt

Sot, për herë të parë para fillimit të seancës konstituive pas 35 tentimeve, kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherësh kryetar i VV-së, tha pak fjalë për mediat.

Ai tha se është në mesin e 48 deputetëve të VV-së, dhe se dikush nga partia e tij do të dalë dhe do ta japë qëndrimin e partisë pas seancës.

Kjo do të jetë përpjekja e 36-të për konstituimin e Kuvendit.

Vetëvendosje insiston që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë, derisa pritet një interpretim i Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e kësaj forme të votimit.